![]()
Martesë apo bashkëjetesë? Studimi britanik zbulon se 20-vjeçarët e sotëm preferojnë të mos i lidhin këmbët, por të bashkëjetojnë, nga ku gjysma e tyre s’do të martohen kurrë.
Gjysma e 20-vjeçarëve të sotëm nuk do të martohen kurrë, ka zbuluar një studim befasues. Në vend të kësaj, çiftet po zgjedhin gjithnjë e më shumë të bashkëjetojnë pa u zotuar ndaj njëri-tjetrit.
Një raport i publikuar së fundmi përdori të dhënat e fundit nga Zyra Britanike e Statistikave nga ku u zbulua se shumica e të rinjve po i shmangen institutit të martesës, ku moshat e reja kanë më pak gjasa të martohen siç kanë bërë prindërit dhe gjyshërit e tyre.
![]()
Kërkimi nga Fondacioni i Martesës tregon se, për arsye të ndryshme, 47 për qind e femrave dhe 48 për qind e meshkujve të moshës 20 vjeç nuk do të martohen kurrë.
Brezi i bumit të bebeve – të lindur midis fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të viteve ’60 – ka ruajtur një nivel të shëndetshëm të martesës, ku 87 për qind e burrave dhe 92 për qind e femrave janë martuar në një moshë të caktuar.
Por brezat pasues po hasin një shkallë të lartë të mohimit të martesës. Gjysma e 40-vjeçarëve sot janë pothuajse të martuar, por ata nuk presin të arrijnë nivelet e vendosura nga prindërit e tyre.
![]()
Sekretari britanik i Punës dhe Pensioneve, Iain Duncan Smith, tha: “Një nga zbulimet më problematike të këtij raporti është se aspirata e të rinjve për t’u martuar e tejkalon arritjen. Ne duhet të pyesin se çfarë i ndalon ata të martohen – duke kërkuar se çfarë barrierash mund të heqim, që aktualisht pengojnë rrugën e tyre, dhe t’i sigurojmë mundësinë që të realizojnë aspiratat e tyre”.
Sipas trendit aktual, vetëm 61 për qind e burrave dhe 68 për qind e femrave të moshës 40-vjeçare do të martohen ndonjëherë. Megjithatë, refuzimi më i madh kundrejt martesës ka ndodhur në të njëzetat e tyre. Në vitin 1970, viti me kulmin e martesave, u martuan në Britani 564.818 burra dhe gra të moshës 25-vjeçare. Në vitin 2010, vetëm 56.598 çifte u martuan, një rënie kjo prej 90 për qind.
![]()
Sot, vetëm 5 për qind e meshkujve dhe 10 për qind e femrave të moshës 25-vjeçare janë të martuar, krahasuar me 60 për qind të meshkujve dhe 80 për qind të femrave 44 vjet më parë.
Kur trendet e tanishme aplikohen në 20-vjeçarët e sotëm, shifrat tregojnë se vetëm 52 për qind e atyre meshkujve dhe 53 për qind e femrave pritet të martohen ndonjëherë, pavarësisht aspiratave të forta që kanë.
Kërkuesit fajësuan një numër faktorësh, përfshirë këtu bashkëjetesën e hershme, që i bën njerëzit më pak të predispozuar për t’u martuar, divorcet e njerëzve publikë dhe ndikimin e shtetit në institutin e martesës.
Harry Benson, drejtor i kërkimit të Fondacionit për Martesën tha: “U hasëm me trendin në rënie të martesës. Për momentin, kemi parë që shumica e prindërve dhe gjyshërve tanë u martuan dhe një pjesë e tyre qëndruan bashkë. Ata kanë dhënë modele për brezin tjetër. Ata treguan gjithashtu se çfarë të mirash sjell një martesë që funksionon për një familje. Megjithatë, pak nga 40-vjeçarët e sotëm do të arrijnë të lidhin martesë”.
“Gjenerata e fëmijëve të tyre, tashmë në moshën 20-vjeçare, do të vuajë dyfish; e para nga niveli i lartë i shkatërrimit të martesave që kanë përjetuar prej prindërve të tyre dhe së dyti nga mungesa e familjaritetit me përfitimet e martesës”, qartësoi drejtori i Fondacionit për Martesën.
Çiftet bashkëjetuese në Britani përbëjnë 19 për qind të prindërve, por 50 për qind të familjeve të ndara. Mes prindërve që qëndrojnë bashkë derisa fëmijët e tyre arrijnë 15 vjeç, vetëm 7 për qind janë çifte që bashkëjetojnë.
Gazeta Shqip


Leave a Reply