Policia italiane ka arrestuar nënë e bir, pasi akuzohen se tentuan të helmonin një të moshuar për t’ia marrë pasurinë. Sipas medieve italiane ata tentuan tre herë për të helmuar të afërmen e tyre për të trashëguar pasurinë e saj.
Nënë e bir, identifikuar nga policia italiane si Elisabetta Martini, 62 vjeç dhe Marco Coggiola 36 vjeç tentuan t’i hidhnin bar miu të afërmes së tyre, një 97-vjeçare e shtruar në spitalin e një azili pleqsh në Torino prej kohësh nga komplikacionet shëndetësore.
Gjithçka ka ndodhur nisur në fillim të muajit mars. Gjatë helmimit të parë, mjekët kujtuan se bëhej fjalë për një mbidozë barnash të dhënë pakujdesshëm prej tyre. Mbrëmjen e 27 marsit shëndeti i 97-vjeçares u përkeqësua ndjeshëm dhe mjekët sërish fajësuan mbidozën e barnave.
Më 3 prill përsëritet e njëjta situatë. Këtë herë mjekët kryen analiza të hollësishme. Rezultati i analizave ishte tronditës. Në gjakun e të moshuarës u gjetën gjurmë fostoksine.
Nga hetimet rezultonte se shëndeti i të moshuarës ishte përkeqësuar sa herë që ishte vizituar nga dy të afërmit e saj. Menjëherë nisën hetimet dhe policia italiane vendosi në dhomën e të moshuarës një kamera të fshehtë duke zënë mat nënë e bir. Dy të arrestuarit të vënë përballë provave të pakundërshtueshme pranuan krimin.
/Shekulli Online/ E.L./
Leave a Reply