![]()
Nëse jeni në kërkim të shijeve të reja dhe të panjohura, këto lloje djathërash do t’ju bëjnë të habiteni prej mënyrës se si prodhohen dhe konsumohen
Casu Marzy (Itali)
Ashtu si havjari, Casu Marzy shijohet vetëm nga një numër i përzgjedhur njerëzish. Kjo, sepse shërbehet me larva të gjalla. Bazën e ka në Sardenja, ku fermerët e deleve për shekuj kanë prodhuar djathë “pecorino” dhe e kanë lënë të thahet dhe të tërheqë miza. Kur mizat lëshojnë vezë, fillon procesi i transformimit dhe nga djathë kaçkavall i fortë, ai bëhet në Casu Marzy-n e famshëm. Shefi i kuzhinës, Gordon Ramsay, e ka quajtur si “djathin më të rrezikshëm në botë”.
Milbenkase (Gjermani)
I prodhuar në Warchwitz nga nënprodukti i qumështit, Milbenkase qëndron me merimangat e pluhurit për disa muaj së bashku me pak thekër që mundëson ushqimin e tyre. Merimangat nxjerrin një enzimë që e kthejnë djathin në të verdhë, të kuqërremtë dhe më pas të zi, pikë në të cilën mund të hahet së bashku me merimangat dhe gjithçka që ka brenda. I hidhur dhe pikant, mendohet se ky lloj djathi ka efekte kuruese për alergjinë ndaj pluhurit të shtëpisë.
Djathë jaku (Tibet)
Ky djathë është aq i fortë sa mund të thyejë dhëmbët e kujtdo që e provon. Megjithatë ka variacione më të buta të tij. Ai bëhet prej kullimit të qumështit të jakut, që është një lloj kafshe e veçantë e Azisë Qendrore e ngjashme me demin dhe buallin, por shumë qimegjatë. Kur çdo lloj lëngu largohet nga djathi, ai ndahet në copa dhe vihet në prush.
Djathë Airag (Azi Qendrore)
Djathi Airag ose ndryshe djathi i qumështit të kalit, është i përhapur në Azinë Qendrore, ku kuajt janë akoma pjesë e integruar në jetën e përditshme. Për ta prodhuar, milet një pelë gjatë sezonit të çiftëzimit dhe përzihet me një përbërës të sezonit të mëparshëm. Ai mund të konsumohet i freskët ose i thatë, por ky i fundit është më i pëlqyer.
Djathë deveje (Afrikë Verilindore)
Barinjtë nomadë në Afrikë i kanë mjelë devetë e tyre për shekuj. Qumështi i tyre është shumë i pasur me proteina dhe yndyrë. Prodhimi i djathit nga qumështi i devesë është një proces i vështirë. Për këtë arsye, barinjtë përdorin pjesë të stomakut të tyre për të mpiksur qumështin dhe për të krijuar gjizën. Kjo është arsyeja e shijes së athët dhe aromës së kosit.
Djathë me qumësht njeriu (Nju Jork)
Kur pajisja që bën akulloren e një shefi kuzhine në Nju Jork përzjeu padashur qumështin e gruas së tij, Daniel Angrer vendosi të eksperimentonte me të në vend që ta hidhte në plehra. Ai shkroi online për procesin, megjithatë ai djathë nuk doli kurrë në shitje dhe nuk është e mundur të prodhohet, pasi njeriu nuk mund të bëjë sasi të mëdha qumështi të mjaftueshme për t’u bërë djathë.
Djathi i drerit (Zelandë e Re)
Djathi me qumësht dreri është prodhuar në fiset Sami prej shumë vitesh në Finlandë. Tani, djathi i bërë prej drerit të kuq mund të bëhet një produkt i famshëm i Zelandës së Re. Puna e shkencëtarëve dhe fermerëve ka mundësuar djathin e parë të bërë prej drerit të vogël. I kushtueshëm, plot 100 dollarë për litër, qumështi i drerit nuk është i lirë.
Djathi i gomarit (Serbi)
Në rezervatin natyrore të Zasavicës, 50 kilometra larg Beogradit, mund të gjeni djathë gomari. I bardhë dhe i shëndetshëm, ai ka 60 herë më shumë vitaminë C sesa djathi i lopës. Meqenëse gomarët prodhojnë vetëm 200 ml qumësht në ditë, duhen 25 litra për të bërë një kilogram djathë. Ai kushton 1000 euro kilogrami. Qumështi i gomarit ka shumë veti të tjera të mira dhe përdoret edhe në kozmetikë. Kleopatra ia dedikonte bukurinë e saj faktit se lahej në qumësht gomari.
Djathë lame dhe alpake (Amerikë Jugore)
Jeta në pllajën e ashpër boliviane mund të jetë shumë më e keqe pa alpakat dhe lamat, plehu i të cilave përdoret për karburant, gëzofi për lëkurë, leshi për veshje dhe qumështi për djathë. Djathi i bërë prej këtyre kafshëve është i kripur, i pasur me vlera ushqyese dhe i dendur.
Gazeta Shqip






Leave a Reply