Historia e Skënder Dajës, 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit, rrëfehet në dokumentarin “Djaloshi me kitarë”, që u shfaq dje në Kinema “Millenium” në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve
Skënderi, më i riu, por fare i dobët, sa as dhe në galeri nuk e futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet.Ai e donte lirinë dhe kishte zë të bukur. Disa orë para se ta ekzekutonin, me kitarën e Vaçe Zelës këndoi këngën e tij të fundit. Historia e Skënder Dajës, 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit, rrëfehet në dokumentarin “Djaloshi me kitarë”, që u shfaq dje në Kinema “Millenium” në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve. Filmi është realizuar nga regjisori Kolec Traboini, gjithashtu bashkëskenarist me Ilir Çumanin.
Dëshmitë për revoltën e Spaçit kanë qenë të shumta këto 23 vjet, por gjithmonë diçka mbetet pa u thënë. Kolec Traboinin e ka ngacmuar historia e më të riut, që për t’u dhënë zemër të burgosurve në atë që ai e quan ferri i të gjallëve, mori kitarën dhe nisi të interpretonte melodinë e lirisë. “Skënder Daja ishte frymëzuesi i Revoltës së Spaçit 1973, zëri i tij u dëgjua kudo në dy ditët e revoltës. Edhe kënga e tij gjithashtu. Ky ishte shkaku që kur revolta u shtyp, i pari që kapën dhe e dënuan me vdekje ishte Skënder Daja dhe bashkë me të edhe tre shokët e tij, Pal Zefi, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko. Ishte vetëm 22 vjeç. Kjo ndodhi më 24 maj 1973”, – thotë regjisori Traboini, i cili për realizimin e dokumentarit ka bërë një punë kërkimore në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, në “zbulim” të portretit të këtij të riu që pasion kishte këngën dhe kitarën.
Skënder Daja ishte dy vjeç kur i pushkatuan të atin, Qemal Daja, pas ngjarjeve në ambasadën sovjetike. “Skënderi u rrit jetim në Shtëpinë e Fëmijës. Kishte një vëlla dhe dy motra, por që deri vonë nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Ia kishin ushqyer urrejtjen para dashurisë. Ia kishin vrarë dashurinë, por ai kishte një dashuri të madhe për ata që ishin në fatin e tij”. Portreti i djaloshit që u lind në Tiranë më 1950, i dënuar në Kampin e Spaçit për tentativë arratisjeje, “vizatohet” përmes kujtimeve të atyre që e kanë njohur dhe që kanë vuajtur bashkë me të në ferrin e të gjallëve në burgun e Spaçit. Një dëshmi e rrallë vjen dhe nga dokumentet arkivore që regjisori Traboini ka siguruar nga arkivi i ministrisë, siç është dosja hetimore e dhjetorit të vitit 1970, kur ai u dënua me 10 vjet heqje lirie. “Në gjyq kishte thënë se donte të arratisej e të shkonte në Itali, që t’i binte kitarës dhe të këndonte me Adriano Çelentanon”. Ëndrra e djaloshit ishte prerë në mes. Por ai vazhdonte ta mbante gjallë edhe në burg. “Skënderi ishte figura numër një e revoltës së Spaçit. Ai hipi në tarracë, mori dhe kitarën dhe filloi t’i binte. Që aty, ai na tha: ‘Mos u dorëzoni, mos të biem të gjallë në duart e tyre, se do na pushkatojnë të gjithëve”- kujton Gëzim Çela, i mbijetuar në burgun e Spaçit. Sipas dokumenteve arkivore që sjell regjisori Traboini, mësohet se në deponimet e tij në hetuesi ditën që do të ekzekutohej, Skënder Daja pohon: “Shokët thanë të flasë Skënderi se ka volum zëri. Unë dola pak më përpara i shkëputur nga turma dhe kam thënë: Poshtë komunizmi, na mbani kot në burgje, jemi dënuar padrejtësisht, ne s’jemi kriminela siç na pandehni, duam liri. Ushtarëve u kam thënë: mos qëlloni kundër nesh, ne s’kemi ndonjë punë me ju, edhe neve fshatarë të varfër si ju dhe punëtorë kemi qënë, nuk jemi kriminela siç ju propagandojnë. Kur unë flisja kështu, të dënuarit e tjerë brohorisnin me shprehjen ‘Ushtria është me ne!”.
Por ja si e kujton shkrimtari Visar Zhiti në librin e tij “Ferri i çarë”: “Lufta fizike e psikologjike, dalëngadalë po fitonte terren. Një djalë i ri nga radhët e të burgosurve, Skënder Daja, iu drejtua një ushtari në truproje, duke e pyetur: ‘Pse më shikon në mënyrë kaq ngulmuese?’ Ushtari, me gjysmë zëri e me shumë frikë u përgjigj: ‘Të shoh, se po më duket se ke të njëjtën moshë me mua’. Dhe Skënderi, me të njëjtin ton iu përgjigj: ‘Po, edhe unë si ti, në këtë moshë duhej të isha në shërbim ushtarak, por fatkeqësisht jam i mbyllur këtu brenda që prej tre vjetësh dhe më mbeten edhe shtatë të tjera për të vuajtur. Po ti, a e di se çfarë po ndodh këtu?’ Ushtari u përgjigj: ‘Na kanë thënë se janë në revoltë nja njëzet a tridhjetë vetë e që duhen ndaluar, se janë të sëmurë mendorë’. Atëherë Skënderi filloi të qeshte me të madhe, fatkeqësisht biseda e tyre ishte ndjekur edhe nga një truprojë tjetër.
Menjëherë mbas këtij episodi, u zëvendësuan të gjitha truprojat me polici të shërbimit të burgjeve dhe trefishuan vendqëndrimet e tyre. Në këto kushte situata sa vinte e keqësohej, kishim shumë frikë se do të fillonin të dorëzoheshin një nga një, e kjo do të ishte fundi që nuk e dëshironim”. Filmi i Traboinit fillon me fjalët “Ai e donte lirinë dhe kishte zë të bukur…”. Dhe përfundon me një fakt shumë tronditës që shpreh tragjizmin e dy brezave të një familjeje shqiptare: “Baba e bir mbeten pa varr”. Megjithë kërkimet, kurrë nuk iu gjet varri Skënder Dajës dhe as tre të burgosurve të tjerë të Revoltës së Spaçit, të cilët u ekzekutuan bashkë me të tek Ura e Fanit në Mirditë. Por ky i ri me pasionin për muzikën, ëndërronte një botë pa kufij. Ai e donte jetën. “Jam i ri, më falni jetën…”, – u shkruante ai në letrën për falje, me të cilën katër të dënuarit me vdekje iu drejtoheshin ekzekutorëve. “Kam pranuar se i revoltuar kam bërë propagandë atë ditë, ashtu siç bërtitën të gjithë në kamp dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj grupazhi e nuk jam bërë pengesë për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kur mbaroi revolta kishim frikë se do të na rrihnin, prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll këtë letër lutjeje, me shpresën që të më falni jetën si i ri që jam”. Ai ishte vetëm 22 vjeç. Revolta e Spaçit nisi më 21 maj 1973, si një kundërshtim i thjeshtë i rregullave, dhe ky ishte vetëm një shkas për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e tij me parullat “Ja vdekje, ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Evropa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në tarracën e burgut nga 100 të burgosur, të cilët u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarakë nga Shkodra e Tirana, që hapnin zjarr nga të gjitha anët.
Si u gjend kitara e Vaçe Zelës në burgun e Spaçit
Ish-i përndjekuri politik Gëzim Çela ka qënë dëshmitar në revoltën e Spaçit. Ai ka njohur nga afër djaloshin e ri Skënder Daja. Çela ka rrëfyer historinë se si u gjen kitara e Vaçe Zelës në burg. Pas revoltës së Spaçit, kitara u kërkua nga sigurimi për t’u thyer, por të burgosurit e fshehën në galeri. Gëzimi kujton se kitarën ia solli në burg nëna etij. Ai vetë i kishte kërkuar nënës që ti lutej Mehdi Prodanit, me të cilin kishin miqësi familjare që ti sillte ndonjë kitarë në burg. Nuk kaloi shumë kohë dhe bashkë me ushqime në burg hyri edhe kitara. Kitarën nënës së tij ia kishte dhënë Vaçe Zela me familjen e së cilës kishte miqësi të hershme.
http://mapo.al/2014/05/djaloshi-kitare-revoltes-se-spacit/





Leave a Reply