
-BASHKËSHORTIT TIM ME RASTIN E 45-VJETORIT TË LINDJES –
Shen. – Nje urim special per bashkeshortin e Mikes tone te Alba – Dansk i vjen edhe nga i gjithe stafi i redaksise. Urimet me te perzemerta dhe kalofshi nje jete te lumur deri ne pafundesi e nderuar Mike e Alba – Dansk z. Edlira Doko. – Stafi
ME LOTIN TËND
Ah, sikur të isha hënë
dhe ti, i dashuri im, diell
do të dilja në takim mbrëmë,
ta kalonim bashkë këtë të diel.
Ikur në Itali, më je mërguar,
në ç’ëndërr të vij e të kërkoj…
Mëngjesi më gjeti përqafuar,
me lotin tënd që më përvëloi.
Shtator, 1999

NË ISHULL..
Atë natë, binin yje në Salamina,
atje tek kodra, ku bashkë u ulëm
kopsat e këmishës, u bënë temina,
nga frymëmarrja, sa shpejt u këputën !
Dritat e tragetit feksnin larg në det,
ylber shumëngjyrësh në sfond të zi,
hëna e plotë me yjet vallëzonte
rënkimi ynë i jepte harmoni.
Bëmë dashuri e aty fjetëm, përjashta,
mbulesë kishim qiellin, e ëndrra plot..
poshte tokën, dyshek me aromë sherebeli,
Aty ,aty, çelen lulet, në një pikë lot…
Kur erdhi mëngjesi, të thashë: pres fëmijë,
ishte pranvera e pritur …e parë,
qesha, qeshe dhe bërtite në lumturi:
Me siguri, me siguri do të jetë djalë!

XHELOZI HËNE
Asaj nate, ne i tretëm ëndrrat,
u betuam ne në përjetësi,
gjithë qelizat na u ndezën flakë,
rrotull nesh veç yje e dritësi…
Rrotull nesh s’kish dallgë, as dete,
me puthje të zjarrta ikëm larg atë natë,
pas na ndiqte flaka e një komete,
si në Eden na u shfaq, qielli i shtatë…
Më shtrëngoje fort në gjirin tënd,
flisje ti e edhe yjet të dëgjonin,
mes tyre, diku, përgjonte një hënë,
prej syve të saj lot argjendi pikonin.
Dhe u puthëm egër, gjer në dhimbje,
dhe u puthëm keqas, si për inat
e xhelozuar hëna, atje në dritë – hije,
Iku pa drejtim, u largua nëpër natë…
NDIZESHA UNË…DIGJESHE TI…
Ku s’më shkoi mendja mua,
kur në ishull bëmë dashuri,
si të marrë, e si të zhuritur ,
ndizesha unë… e digjeshe ti…
Buzët tharë…shpirti uritur
sytë zjarr, si dielli në behar,
porsi një shegë e plasaritur,
gjinjtë e mi të ofronin nektar.
Gjethet binin një nga një
mbulonin trupat tanë në qetësi,
natën sfidonim tek renkonim nën zë,
ndizesha unë…digjeshe ti.
UNË E TI…
Unë jam
lule që jeton në shkretëtirë,
me ty e ndaj dhe një bulëz vese,
unë jam vena që vrungullon gjak,
jam pulsi i zemrës tënde që rreh..
Unë jam
dallga që përplasem atje mbi shkëmb,
llava që shpirtin ta ngroh në acar,
unë jam përkëdhelja që në gjumë të ve,
netëve të mbuloj me ninullë të bardhë…
Unë jam
ëndrra që tek ti vezulloj,
mëngjeseve ku zogjtë sulmojnë qiejt,
unë jam nata që driten lëshoj,
diell, në udhën tënde, me diejt…

FOLMË KUR BËJMË DASHURI…
Heshtjen tënde dua ta blej,
ndoshta kushton një pasuri,
borxh po i marr,në dreq te vejë,
vetëm fol, kur bëjmë dashuri !
Ti hesht e qiejt mbi supe rëndojnë,
ti flet e në pëllëmbë më ulet bota,
sa herë të thashë:-një jetë do rrojmë,
se në tjetrën shpresat mbase janë të kota.
Heshtjen tënde dua ta blej…
Ndaj folmë, kur bëjmë dashuri,
ka çaste kur fjalët shumë më tepër vlejnë
e trupat hyjnë më mirë në sintoni…
…Do ta blej heshtjen tënde…

DËSHMITARË YJET DHE PERËNDITË

-përkushtim për Tatin-
Sonte i dashur,
dehu,me mua
këputi petalet
e trendafilit të kuq
dhe me to
vish trupin tim prej Hene
kësaj nate
që dergjet në flakë,
dua dëshmitarë
vetëm yjet
dhe perenditë,
pergjysëm
një puthje të ndajmë.
Dhimbje prej deti
me dallgë marrëzishë
ku një sirenë qanë
kënga e saj
është prej lotësh
me virgjërinë e vrarë
si trofe
të dashurisë së parë…
Eh, i dashur,
pije këtë helm
që ndër vena djeg,
këtë dhimbje-shpirti
ty po ta fal,
dhuratë smeraldesh
me nimfe ëndërrash
diku në skaj
ndërsa tundimi
ka mbetur
tek molla e kafshuar e Adamit…
…dhe sonte i dashur
edhe pse më bën tenden
cdo herë
të kam pranë,
e serish ndjej mall.
Pije..
Para se bie mbremja
Se… ftohet, dëborëzohet
Dhe bryma e heshtjes së rrallë
E mbulon tej e ndanë…
Pije i dashur
Para se dita te zbardhet e ikën,
Para se ëndrra venitet në asgjë,
Para se yjet të fikin dritën…
Pije i dashur…pije…
PUTHJA NËN JASTËK
Ku s’më shkon kjo mendja mua,
kur pranë s’të kam të flas një fjalë,
në telefon, jam aty me ty, më thua,
poshtë jastëkut një puthje të lashë.
Vrapoj si e marrë, shtratin e përmbys,
po gjëkundi nuk ishin buzët e tua,
i lutem ditës sa më shpejt të ngrysë,
si një pëllumb drite të vish tek mua.
TË NDJEHESH GRUA…
Shikimet tona,
si dy ujqër të egër
u ndeshën në kryqëzim
udhësh pafund,
netëve të ëmbla,
pyjeve përrallore,
dhe lozëm
si dy këlyshë të një nëne,
me brishtesi fëmije.
Ndërsa egërsira rritej në ty
une ndjehesha një kaprolle e butë
në duar ujku…
Në përqafime ëndrrash,
ku dashuria më rrëmbente
në shtigje të reja,
në horizonte të panjohura,
unë
iu dorëzova fatit…
Nuk kisha shpëtim;
u bëra egërsirë,
një grua e vërtetë !
BLETA NUK KA VETËM THUMB
Të mërzita, o shpirt , të mërzita,
Me fjalë herë të mira, herë të rënda plumb,
Veshin mos ma verë, se grua u linda,
Ashtu më bëri Zoti, bletë me thumb.
Dua ta dish, o jeta ime, dua ta dish,
Se në krahun tënd jam një furtunë,
Ato gjeste që na bënë të qajmë në kishë,
Tregonin se sa më do, e sa të dua unë..!
KUR S’TË KAM PRANË…
Ti nuk e dije se puthjet janë pranga,
ndaj atë mbrëmje puthje si i babëzitur…
Kur u kujtove, kish kaluar mesnata,
e djalërinë e kishe humbur papritur…
Ti e dije që lotët janë dashuri-dhimbje
Ndaj më thua: s’dua të të shoh duke qarë,
Po ja, më mbërthen ky malli ndonjëherë,
e përlotem fshehtas kur nuk të kam pranë!
ZJARRE NË NATË
Paqësore,duken shtëpitë kësaj nate
Dritaret janë mbyllur e dritat fikur,
Yjet dhe hëna rrezatojnë qetësi, e era
në majë te gishtave kalon pa u dukur.
Vetëm ne të dy, nuk heshtëm kurrë..
Bukuria jote, sytë e tu simetrikë, jeshil:
Vuajmë si një shpirt e shuhemi në terr,
Si zjarret e Afrikës, kur shuhen në Nil!
KËSHTU MË THE…
Ti vetë më the: Eja me mua,
Veshur me dritë unë po të pres,
Se yllin tim unë ashtu e dua,
Të më zgjojë herët në mëngjes.
Mos më bëj të të pres shumë,
Të shuaj durimin vec me dhimbje
Se dashuria, shpirt, ngjan si unë
E zemra vuan thellë në heshtje.
Kështu më the atë ditë
Tek “Çesma e Kryqit”…
STUHI BRENDA MEJE
Brenda meje,
Jeni, ti dhe perënditë!
Pranvera dhe dimri aty jetojnë,
Një lutje ngre peshë stuhitë:
Të kap një ëndërr që larg fluturon.
Aty, si një lot që fle mbi re,
Të shoh hënën si blegërin,
Dhe buzëqeshjen tënde të bardhë
Kur nata e zezë argjend vetëtin!
Brenda meje kuvendojnë engjëlli e shejtani,
Shpirtin ma ndezin flakë në stuhi,
Ndërsa ti një puthje ma rrëmben pa fjalë,
Duke shuar e ndezur mall përsëri.
Brenda meje je ti…jeta ime.
DY ZEMRA SHEMBIN NJË PERANDORI…
Mjaft shpirt, mjaft më vrave me puthje,
Mos u tret nëpër endje, plot zjarr,
S’e sheh si heshtja në gjunjë të lutet,
Të bësh kujdes nga sot gjer në varr?
Mjaft dritë, mjaft me fjalë të ëmbla,
Përndryshe gojëligët do na marrin më sy,
Mban mend ato fjalë që na thoshte nëna,
Kur na jepte uratën e na puthte të dy?
Dashuria është si një flakë e egër,
Që ndez dy shpirtra, vullkan në stuhi;
Dy zemra që bëjnë ziliqarë edhe mbretër
Dy zemra shembin një perandorì..!
TEJ FJALËVE TË PATHËNA…
Mos më ndiq nga përqafimi i mbrëmjes,
Të shoh me sy të lirë, qiellin ku banon ti,
Nëse zemra rënkon nga plagët e heshtjes,
Atëherë më jep dhimbje, të të fal lumturi.
Ndalo një çast, të dëgjosh këngën time,
Notat sa bukur thyhen mbi pentagram…
Duket sikur puthjet vallëzojnë mbi rimë,
Dhe fjalët e pathëna buzëqeshin me mall.
A nuk të thashë mijëra herë faleminderit,
Ty diell,veshur me tunikën plot me dritë?
Shpërblimi pas kaq vitesh ka vendin e nderit,
Përtej portave të parajsës jam duke të pritë…
SHPIRT..!
PRANIA E NJË BUZËQESHJEJE
Unë e kam ditur që dashuria juaj
është në çdo moment e freskët,
sa herë keni ikur me shpirt vuaj
më duket sikur dhe jeta gremiset.
Mjafton një buzëqeshje dhe harroj
çdo plagë të vjetër që lindi në kohë,
kështu e gënjej zemrën me gëzim,
që pulsi të rrahë më me forcë.
Jam mësuar me praninë tuaj fisnike,
tashmë bashkë u bënë njëzet vjet,
ndoshta ndonjëherë nuk ta kam thënë:
Jeta fillon e mbaron kur duam ne vetë.
ERDHA TEK TI…
U shfaqa tek ti
si hëna mes yjesh,
veshur me buzëqeshje,
solla pranverë
ndeza gjelbërim,
me tunikën e bardhë,
derdhur
deri tek këmbët,
parfum drite hodha,
të mbështolla me dritësi.
Tek mbaja ndër duar
zemrën time të brishtë,
dy krahë engjëlli
u ngritën në fluturim,
si një zanë magjike,
me përqafim ëndrre
krahëhapur më prite…
Erdha tek ti.
Të rrahurat në krahëror
më dhembin dhe sot…
DHE UNË GËNJEHEM…
Ti fle,
e unë
nuk kam gjumë.
Vështrimin nga ty ,
nuk e ndaj
asnjë çast.
Të shoh
e dy lot
më trazojnë,
deri në dhimbje…
Shpirti lëngon…
Zgjas duart,
përkëdhel flokët,
i kaloj mbi fytyrë
e ti sërish fle.
Vazhdoj, të puth
e ti dukesh
rrëmbyer nga engjëjt,
më buzëqesh pak,
e sërish, fle..
…Dhe unë,
gënjehem,
them: qeshi me mua.
Po ti,
prapë fle…
DHE ETHET MË ZËNË..
Sa herë të thashë : mos më shiko në sy,
se më merret mendja, e ethet më zënë,
ti, në qerpikët e natës ngre e ul stuhi,
e puthjet e tua më shpien deri në hënë.
Oh,dritë e bardhë, që më rrëmben kur më prek,
mes flakëve të ferrit më shndërron në hyjri,
mes duarve mbaj një diell, që trup e shpirt më djeg,
deri sa shuhem ngadalë, në shkrumb e në hi .
NUK TE DUA, POR PUTHMË…
Nuk të dua më, por ti puthmë..
Puthmë edhe pse nuk të dua..
Në sytë e tu jam unë Perëndia,
Je ti Perëndia që perëndon në mua…
Qelizat më djegin, në flakë trupi,
Urrejtja e dashuria janë në duel..
Mbase kemi gjakun të një grupi,
Dhe nëse vetëm një pikë ka ngelë…
Kaluan vite e vite nga ajo ditë..
Kur më puthe isha ende ferishte,
Drithërimat u shndërruan në drite
oh,po ti falmë, nuk e dija se ç’ishte !
Sot jemi dy shpirtra të kryqëzuar,
Nga një ëndërr, ja, lindën dy brinjë,
Dy trupa në një shtrat përqafuar,
Je këtu e puthjet vetvetiu vijnë.
Nuk të dua më, por ti puthmë
Puthmë edhe pse nuk të dua,
Në te vërtetë, unë çmendem për Ty,
Ashtu siç je ti i çmendur për Mua.
STUHI QË NUK NJEH KUFI
Si ta frenoj dashurinë për ty,
më thuaj një mënyrë, që të mos vuaj,
duket si një stuhi që nuk njeh kufi,
çudi dhe puthja me dhimbjen luan…
Më thuaj një fjalë, të mos hesht,
sonte ç’të duash do të të bëj dhuratë,
sepse zemra ankth e muzg nuk njeh,
vetëm emocione, si në takimin e parë
Si ta ndaloj këtë çmenduri ndër deje,
në çdo çast ngre kurthe e bën prita,
shtatori i largët ndez kujtime rreth meje,
në atë udhëkryq, ku lindën flakë e vetëtima.
KËNGËT SHEKSPIRIANE
Nga dashuria lind tragjedia e dashurisë…
qenë këto fjalë të Shekspirit,
që sonte, nga qepallat
gjysmë të mbyllura
më dëbuan
papritur gjumin.
Deri në mëngjes këndova
këngët e tij,
mëkati
më mblodhi
një grusht puthjesh,
dashurova me forcë shpirti.
Vallëzova
zbathur mbi dallgë,
trupi u bë pranverë,
ndërsa ai
këpuste lule në çdo vend,
qava e qesha pa mbarim,
u rilindëm dhe një herë…
SONTE MË HIDH TË PI…
…Sepse, siç e sheh,
sonte jam vetëm,
mbushma kupën plot,
vera le të flasë,
natën të kaloj..
Shiko!
nuk jam mërzitur me ty,
universi më rri ngushtë.
Ndaj më hidh të pi…
I DASHUR,
do lëviz dete e male,
jeta të shkojë perpara…
Po qielli pse u nxi?
Po blasfemoj?
Zoti?..
Ç’ punë ka zoti me ne?!
Ai ka punët e veta
dhe ne tonat…
Sonte më hidh të pi…
LE TË DEHEMI SONTE…
Çdo natë, kur muzgu bie në qytet,
dal në dritare, perëndimin të shoh ,
një gotë verë në sofër më pret,
dhe copa e bukës, avull e ngrohtë.
Një dolli do ngre, për ty dhe fëmijët,
për ditën që iku pa na përshëndetur,
pse jo,një gotë për natën që s’flet, pi!
punë e madhe nëse jemi të dehur..!
E kush do na qortojë,qielli apo perënditë?
Dehu! Sonte me puthje të ëmbla të qeras!
Nuk dimë përtej jetës ç’ndodh me stuhitë,
eja, ngrije gotën, që me tënden ta çukas…
BRAKTISE HESHTJEN
I dashur,
sonte mos hesht, i dashur..
ata sytë e tu të gjelbër,
shpresë i kam në zemër.
Shtator shënon
shikimi, takimi ynë i parë
e gjen kudo në trupin tim,
në dollap tek kostumi i dhëndërisë,
e djeshmja më duket sot,
ja, një mbyllje qerpiku…
I dashur ,mos hesht
i dashur..
Të kujtohet udhëtimi në Athinë?
Gusht 1994,
hyrja në doganë,
dritat e Pirut kredhur në port,
Egjeu me dallgë mikpritëse…
Të kujtohet nata jonë e parë:
Kalithea, shtëpia dykatëshe
shëtitjet në mbrëmje i mban mend
ku gjuha shqipe shkrihej
me dhjetra të tjera në Omonia?
Ah,po ti pse hesht ?..
Shpirtin më kepute,
heshtja më vret.
Dëgjo dhe këtë:
Të kujtohet lindja e engjëllit të parë ?
Trëndafilat që sillje çdo ditë
në katin e pestë?
Ndërsa ti blije ëmbëlsira për gjithë pavionin,
dhimbja ime ,zvogëlohej…
I dashur,mos hesht
i dashur…
Të kujtohet lindja e profetit të dytë, në Itali?
Puthje çdo infermiere që shikoje,
buqeta u zvogëlua,
ëmbëlsira më pak
ishte burrëruar…
I dashur, sonte mos hesht,
i dashur…
Sonte mos fli…
kam shumë gjëra për të thënë!
Ç’ GJUHË FLET DASHURIA…
Ja,nëpër hoje puthjesh,dy vargje të shkrova,
mjaltë dhe verë në çdo stinë le të pikojë,
me gjuhën e virgjër ,dashuri të kërkova,
e ndrojtur,veshur me arome ,valzer vallëzoj.
Dhe nata bie ngadalë,qielli gjithë nur,
konturet e zemrës dridhen nga brishtësia,
lumturia buron prej trupit tënd,dritëndezur,
thuam pra,shpirt ,ç’gjuhë flet dashuria?
NJË…
Erdhe
Ti,
zogu grabitqar,
në qiejt me stuhi..
Një puthje ,
një zjarr,
ndez flakë në gji..
Një trup,
një det,
ku mbytemi të dy…

BRENDA HESHTJES
Kur
mëson
të dëgjosh heshtjen,
fjalët humbasin,
oqeane
shkronjash
gjenden në shpirtin – shkretëtirë…
Romane pa fund ,
shpërthejnë
shkëndija të lavdishme,
me krahet e engjëjve,
kalon kufirin dhe në errësirrë…
Brenda
heshtjes ka emocione ,
ka muzikë…
Je ti…
Nga Edlira DOKO


Leave a Reply