Mathieu Aref (Aref Mati) ka lindur me 1 mars 1930 ne Kajro te Egjiptit, nga nje familje me origjine shqiptare nga Mati. Prinderit e tij rrjedhin nga dy familje te shquara ne kohen e Skenderbeut (Canameti, Stafa, Preni nga babai dhe Lala, Kola, Lufi nga nena). Shkon ne Paris ne vitin 1961, per t’i kushtuar me pas 30 vjet te jetes se tij studimore dilemes se madhe rreth prejardhjes apo jo indo-evropiane te gjuhes dhe kombit shqiptar. Vec librit “Shqiperia” (historia dhe gjuha”- “Odiseja e pabesueshme e nje populli parahelen” ne vitin 2003, nje sukses tjeter i madh i autorit eshte edhe vepra “Greqia (mikeanet = pellazget ose zgjidhja e nje enigme), Paris 2004, teorine e se ciles ne vija te pergjithshme autori e parashtron edhe ne kete vellim.
Shqiperia, odiseja e pabesueshme e nje populli parahelen
Aref Mati/Studiuesi hulumton në të kaluarën e lashtë greke, duke ngritur hipoteza se kultura të tjera kanë ekzistuar para asaj greke, të cilat e kanë ndihmuar atë helene për të qenë kjo që është sot.
A mos ka qenë i mbivlerësuar roli i grekëve në historinë e Gadishullit Ballkanik dhe në mënyrë të pavetëdijshme ne i kemi atribuuar atij vendin kryesor në historinë e rajonit? A mos është imazhi që helenët i japin së kaluarës së tyre, një mënyrë nga ku ne duhet të udhëtojmë për të zbuluar atë çfarë realisht e ka bërë të pakrahasueshme këtë kulturë në Ballkan? Nëse ne vazhdojmë të mahnitemi me mitet e lashtësisë së këtij kombi me një të kaluar historike aq interesante, ku gjithçka që buron nga letërsia, arkeologjia, apo vetë mënyra sesi ata e servirin historinë, ka edhe nga ata studiues apo historianë, të cilët vazhdojnë të hedhin ide mbi ekzistencën e kulturave të tjera para asaj helene. “Të varur pas shumë shekujsh kulturë klasike, nga imazhi që helenët i japin së kaluarës së tyre, a mos, për shkak të tyre, kemi harruar se kulturat e tjera, të cilat nuk ishin aspak greke, kanë ekzistuar në atë pjesë të Evropës dhe mund ta kenë ndihmuar atë, duke i dhënë fizionominë që tashmë është e saja, pikërisht në momentin kur “mrekullia greke” shfaqi një qytetërim, trashëgimtarë të të cilit në shumë aspekte ne ende jemi?” Kjo është pyetja që Domenik Briquel, profesor i Universitetit të Sorbonës, ngre menjëherë sapo lexon librin “Shqipëria, ose odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”. I shkruar nga Aref Mati, një studiues i cili i ka kushtuar 30 vjet të jetës së tij këtij studimi, ky botim ka pas reagime të shumta në botën franceze, por edhe atë greke, duke ngritur pikëpyetje të vërteta mbi mbivlerësimin e kësaj kulture në Ballkan. Ajo çfarë duket interesante në të vështruarin tonë të këtij botimi, është mbivlerësimi i kulturës shqiptare dhe idetë e hedhura se kjo kulturë, mund të ketë ekzistuar para “parajsës” greke, por që detajet që e argumentojnë këtë gjë nuk janë kërkuar asnjëherë nga historianët. Edhe pse studimi i Matit mund të paragjykohet, pasi idetë e hedhura nga ai edhe pse në favor të kulturës sonë, vënë në pikëpyetje lashtësinë dhe dokumentet ekzistuese deri tani për një kulturë tjetër të rëndësishme si ajo helene, janë studiuesit e historisë ata që kanë për detyrë të vërtetojnë teza, të cilat vijnë pas një pune të gjatë hulumtuese. “I kam kushtuar tridhjetë vjet të jetës sime meditimit, reflektimit, të hulumtuarit të së kaluarës shumë të largët dhe të qëmtuarit edhe të provës më të vogël, argumentit më të vogël, treguesit më të vogël, ose hollësisë më të vogël, e cila më në fund mund të më sqarojë dhe të hedhë dritë mbi këta pellazgë madhështorë, etnia e stërmadhe e të cilëve, pavarësisht dallgëve të kohëve, pushtimeve, vuajtjeve të panumërta dhe fatkeqësive që kanë pasuar gjatë mijëvjeçarëve – ka mbijetuar për mrekulli, megjithëse hapësira jetike e tyre është katandisur në këtë qoshk të vogël malor të mbrojtur nga një popull i panënshtruar dhe trim dhe mbi të gjitha i denjë për nga heronjtë e mëdhenj të epopeve dhe legjendave. Pas këtij udhëtimi të gjatë drejt këtyre krahinave dhe këtyre popujve kaq të largët, unë kam kaluar edhe pesë vite të tjera duke punuar me përpikmëri dhe me ngulm dhe pas shumë netësh pa gjumë më në fund kam mundur të mbaroj këtë udhëtim misterioz, si dhe të përfundoj punimin e stërmadh të studimeve dhe të hulumtimeve: të rivendos më në fund një të vërtetë, ta nxjerr nga errësira dhe mbi të gjitha të ngre më në fund kapakun gjigant të plumbtë që po i zë frymën qysh prej njëzetepesë shekujsh”, shkruan ai. Autori i këtij botimi është një njohës i mirë i shqipes, një njeri i cili nuk është udhëhequr vetëm nga pasioni për një hulumtim të tillë.
Studimi
Në këtë vepër, Aref Mati hulumton në një tjetër drejtim dhe ravijëzon një botë tjetër, atë pellazge, së cilës grekët i detyrohen për një pjesë jo të vogël të së kaluarës së tyre. Por kësaj here, ajo nuk duhet kërkuar jashtë apo matanë deteve, ajo duhet të ketë qenë aty, në Ballkan, përpara grekëve dhe këtyre, kur mbërritën, nuk u mbeti gjë tjetër, veçse të depërtonin e të merrnin atë çfarë ajo u ofronte. Duke mbrojtur këtë vizion të së kaluarës më të lashtë, të Greqisë, Aref Mati, në thelb nuk bën gjë tjetër veçse përsërit atë që grekët, apo të paktën ata më mendjemprehtët, e kanë thënë qysh prej shumë kohësh midis tyre. Sigurisht që për ata ka qenë më e përshtatshme, që në sytë e athinasve të epokës klasike të thonë se grekët kanë qenë gjithmonë aty, se ata kanë qenë autoktonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, domethënë pasardhës të të moçmëve, që kishin lindur aty qysh në kohë që nuk mbahen mend, nga toka e vetë Atikës, ashtu si bimët që toka e saj pjellore i bën të lulëzojnë. Por ata që i kapërcyen këto përfaqësime dashamirëse mitike, si historiani Herodot, e dinin se historia e së kaluarës së rajonit nuk ka qenë një kalim i thjeshtë dhe në vijë të drejtë, i cili, duke u nisur nga zanafillat, e përfundonte pa diskutim vijimësinë për bashkëkohësit e tij. Evokohet për Athinën, por edhe për shumë vende të tjera, një popullsi e lashtë më e kahershme se banorët aktualë, që ishte popullsia pellazge. Dhe ata që kanë shqyrtuar identitetin e këtyre pellazgëve ishin më se të detyruar që ta njihnin faktin se ata nuk ishin grekë dhe se nuk mund të ishin grekë. Sipas një arsyetimi mbi gjuhën, që ata mund të kenë folur, Herodoti arrinte në përfundimin se ata ishin barbarë, një rrjedhim sipas kuptimit të mirëfilltë të nocionit gjuhësor, pse ata flisnin një idiomë tjetër, të ndryshme nga greqishtja. Por, gjithashtu, është pranuar se këta barbarë, (barbarë meqenëse prirja ka qenë që të shihnin tek ata vetëm njerëz të egër pa asnjë qytetërim), pra gjithsesi, këta kishin jetuar në tokën e tyre dhe mund të kenë pasur ndikim dhe t‘u kenë dhënë grekëve pasardhës elemente jo të pakta nga kultura e tyre. Kuptohet që këta grekë do ta kenë damkosur Herodotin për tradhti ndaj helenizmit dhe do ta kenë denoncuar për dashaligësinë e tij – gjë do të bëhet objekt i një trajtese të vogël të Plutarkut, e cila e shtyn atë të njohë cilësitë e barbarëve dhe kjo, sipas atyre, i zhvlerëson bashkëpatriotët. Por Herodoti ka pasur shumë të drejtë: grekët nuk kanë qenë të parët mbi këtë tokë dhe, nëse ka pasur të tjerë më parë, atëherë është më se e qartë se u detyrohen atyre për një pjesë të rëndësishme të qytetërimit. Kërkimet e gjuhëtarëve të kohëve tona mbi greqishten – duke cituar vetëm këta – e tregojnë gjerësisht, se: gjuha greke, kjo gjuhë që përcaktonte helenen kundrejt barbarëve, duke përfshirë shumë terma, që nuk janë aspak grekë, të cilat përcaktohen, për shembull, si parahelene dhe që emërtojnë krejt florën dhe faunën mesdhetare, që grekët i kanë zbuluar duke mbërritur në tokën e Heladës. Kjo mund të thuhet edhe për termat para-indoevropiane, të cilat të çojnë drejt asaj që mund të trajtohet si një nënshtresë e lashtë e popujve të vendosur në rajon përpara se folësit indoevropianë – si p.sh., grekët – të fillonin të përhapeshin aty. Këto mund të jenë edhe fjalë të shpjegueshme nëpërmjet indoevropianes, por që nuk i përkasin fjalorit grek dhe nuk paraqesin trajtime fonetike të pritshme për këtë gjuhë. Dhe, pikërisht këtu, ne gjejmë të famshmit pellazgë, për të cilët flet tradita: megjithëse nganjëherë është dashur, që, nga ndonjë përçapje jo e bazuar, ta përcaktojnë me termin pellazg këtë shtresë gjuhësore, indoevropiane, por jo greke dhe e cila mund të të kthejë sërish në popullsi të vendosura në këto vise, të cilat tashmë do të kenë përdorur një të folur të tipit indoevropian, por që nuk do të ketë qenë helene.
Shqipëria
A do të ndërrmerrte Arif Mati këtë hulumtim nëse ai nuk do të kishte qoftë një lidhje dashurie me Shqipërinë? Kjo është pyetja që rëndom e bën secili nga ne, kur kërkon tu japë një arsye gjërave që endemi ti bëjmë, një pyetje që mund të lindi natyrshëm qoftë duke dëgjuar mbiemrin e këtij autori, por edhe iniciativës për një studim kaq të plotë. Në gjenezën e tij ai ka një zanafillë shqiptare, e cila nuk ka shumë rëndësi për lexuesit, sesa ky studim që kërkon të kontriubojë për të vënë në vënd detaje të pathëna për një popull kultura e të cilit vazhdon të jetë e fshehtë në Ballkanin e sotëm. Kritika franceze shkruan se vepra e tij nuk është pa paraardhës shkencorë. “Ashtu si edhe ata, ai hulumton këtë pjesë jo të vogël, kundrejt asaj që është greke që e fsheh helenizmin, këtë pjesë tjetër pa të cilën nuk do të kishte patur mrekulli greke. Por këtë ai e bën qartë, duke propozuar një tezë: se duhen bërë vrojtime nga ana e Shqipërisë për të kuptuar këta pellazgë misteriozë, për të konceptuar atë çfarë kanë zbuluar këta grekë duke mbërritur në Heladë dhe që i bëri ata ashtu si ata u bënë. Kjo mund të të habisë. Çfarë mund të ketë qenë e përbashkët, të cilën Herodoti e quante të rëndësishme, midis këtyre paraprijësve të grekëve në tokën e vendit të tyre dhe këtij populli të sotëm, pra shqiptarëve, që aktualiteti i mëvonshëm e bëri të dalë në problematikën e francezëve?” pyet sërish profesori i Universitetit të Sorbonës Domenik Briquel. Shqiptarët gjithnjë janë duket si popuj dytësorë në kufijtë e kombeve të mëdha, të cilët bënë historinë. ” Dhe, megjithatë, a nuk janë rrënojat e këtyre ilirëve që kanë pushtuar Ballkanin në antikitet, por që në ndryshim me grekët apo latinët – si të thuash nuk na ka lënë asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë mbi gjuhën e tyre dhe që vetëm arkeologjia – mjaft e zhvilluar në Shqipëri pas Luftës II botërore – fillon ta nxjerrë nga errësira? Sigurisht që gjuha e sotme shqipe ka evoluar shumë qysh prej kohëve antike; sigurisht që vendi, megjithëse ka qenë fanatik në ruajtjen me krenari të personalitetit të tij përballë racave të tjera, është përballur me vizitorë të shumtë njëri pas tjetrit apo edhe me pushtues të shumtë. Por nuk është e papërligjur që të përpiqesh të nxjerrësh gjithçka sa mundesh për të njohur Shqipërinë, qytetërimin e saj, gjuhën e saj, nga e cila arrijmë të sqarojmë këtë të kaluar ballkanike që na ka shpëtuar”, thotë Briquel.
Ky libër i cili pritet të vijë së shpejti nga shtëpia botuese “Plejad” do të jetë një panoramë interesante për tia ofruar studiuesve tanë, të cilët kanë detaje nga ku duhet të hulumtojnë për të kaluarën tonë, e kaluar e cila gjithnjë është ndriçuar nga të huajt, ndërsa ne gjithnjë e kemi lenë aty ku ka qenë, apo e kemi parë ashtu si na e kanë servirur. Por ky libër vijon të mbetet thjesht një hipotezë për sa kohë që historia apo shkenca nuk e vërteton atë.
“Indo – europianizmi?”
Gjuhësia moderne ka mbetur në qorrsokak për shkak të një ideologjie kokëforte, e cila jo vetëm që nuk po i rivë në diskutim apo nuk po i ripërtërin tezat (dogmat?) e përpunuara prej fundit të shekullit XIX, por nuk denjon as të verë gjërat në vend. Ajo vazhdon të bazohet në themele që kanë mbetur të pandryshuara qysh në fillesat e kësaj disipline relativisht të vonë, të cilët bazohen në hollësi të mirëfillta gjuhësore apo shpesh të rastësishme që nuk e njohin apo nuk marrin mundimin ta njohin historinë dhe zanafillën e popujve që flasin apo kanë folur gjuhë, të cilat ata gjithmonë nuk i kanë identifikuar mbi baza reale.
Në të vërtetë unë mendoj se do të duhej të ritrajtoheshin disa teza dhe të shkohej më tej me një rishikim të themeleve kryesore të kësaj disipline, me qëllim që të spastrohen hulumtimet mbi “Gjenezën e gjuhës së folur”. Kjo punë do të duhej të bëhej në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kolegjialisht, pa ndjenja personale, pa shovinizëm, me paanshmëri, pa dogmatizëm dhe me ndihmën e disiplinave të tjera, me qëllim që një gjuhë, një dialekt, një nënshtresë apo thjesht një fjalë të vendoset në kontekstin e saj historik dhe mbi të gjitha atë kronologjik. Ky rishikim është i domosdoshëm duke patur parasysh studimet e fundit dhe hulumtimet e realizuara në fusha të lidhura ngushtë, tilla si historia e lashtë, arkeologjia, etnologjia, antropologjia ose paleontologjia. Në të vërtetë këto hulumtime, ndaj të cilave unë kam dhënë ndihmesën time modeste nxjerrin në pah rendin që është pranuar në përgjithësi apo rendin e vendosur.
Kështu, e thënë saktë, del që historia e Greqisë është relativisht e vonë: askush nuk e provon egzistencën e kësaj Greqie (ajo histori që ne kemi mësuar në shkollë apo në universitet) përpara shekullit VIII para Krishtit, gjë që e ul shumë kronologjinë e historisë së lashtë greke. Kjo nuk është litotë1) që përdoret kur thuhet se pushtuesit grekë kanë pushtuar një vend, i cili nuk ka qenë i tyre dhe që e thënë me saktësi u përkiste Pellazgëve, një popull autokton, të cilin ata e nënshtruan dhe prej të cilit kanë huazuar pjesën më të madhe të kulturës së tyre ( mitologji, poema epike, rapsodë) dhe mbi të gjitha gjuhën e tyre (në fillim joniane dhe arkado-qipriote dhe më pas doriane). Ja pra edhe “gjuha e tyre”! Pellazgët e quajtur edhe “popuj të Detit, Egjeanë, Mikenë ose Filistinë” (dhe me një mori fisesh, ndër të cilët Karianë, Lisianë, Ligurë, Iberë, Kaukazianë, Thrakë, Tirrenë, Frigjianë, Trojanë, Dardanë, Ilirë, Epirotë, Maqedonë… dhe më vonë Keltët etj.) zinin një pjesë të madhe të Europës qendrore dhe jugore, më saktë të Azisë së Vogël, të Iberisë dhe të Kaukazit.
Pasardhësit e vetëm të Pellazgëve në Europë janë Shqiptarët e sotmë, gjuha e të cilëve (nënkuptohet, me përjashtim të fjalëve të futura apo neologjizmave të huaja) flitet sot ashtu siç është folur qysh prej më shumë se 3000 vjetësh! Në të vërtetë falë maleve të tyre të pamposhtura, të qenit luftëtarë, guximit, krenarisë, vullnetit për të mbetur të lirë dhe të pavarur, si rrjedhojë të “izolimit të tyre” (për të vetmen herë diçka përfituese !) shqiptarët kanë mundur të ruajnë pothuajse të paprekur etninë e tyre (populli më “brakicefalik” i Europës), gjuhën e tyre (një lloj “fosile e gjallë”), kulturën, doket dhe zakonet dhe mbi të gjitha kostumet e tyre që gjenden kudo në vendet e lindjes europiane. Kështu, kjo gjuhë parahistorike (pellazgjishtja e lashtë prej nga gjuha shqipe) arrin të deshifrojë apo të dekriptojë sot toponime të shumta dhe oronime në Europë, Azi e Vogël, Kaukaz, madje në Azi si dhe të shpjegojë pjesën më të madhe të antroponimeve, tonimeve, eponimeve të mitologjisë të mbiquajtur greke dhe të poemave të mbiquajtura homerike!
Pjesë nga libri
(Marrë nga Gazeta Shqip)
Leave a Reply