Profesor
Mesnata sa kishte kaluar…
Për rreth dëgjohej çapitja e këmbëve të ushtarëve dhe të lehurat e ndonjë qeni, të cilit i ishte prishur qetësia e natës…
Komandant Ivanit i ritej dhe më tepër dëshira për të parë, se si mund ta poshtëronte Profesorin. Gjat viteve të luftës, ai i ishte përkushtuar spastrimit etnik të krahinës nga vendasit. Ky njeri nuk dinte asgjë nga bota, përveç urrejtjes ndaj shqptarëve Mendja e djallëzuar e komandant Ivanit bridhte për të gjetur helmin për ta vrarë Profesorin…
Ata i trembeshin emrit dhe ndikimit të tij në qytet dhe më gjër.Likujdimi fizik i Profesorit përbënte një rrevoltë masive në qytet….
Pasi shfreu me fjalë të ndyra e të poshtra për Profesorin,komandant Ivani klithi si egërsirë….
– Do të shohim! Do të shohim tani Profesor…!!
Djemtë silleshin para syve të Profesorit, lidhur për rreth një trungu pishe dhe pas dy- tre minutash dëgjoheshin breshëri automatiku për të joshur natën..
* * *
Kur binte nata Profesori gjendej i vetëm në dhomën e tij.Drita e llambës ia perëndonte sytë drejt ëndrrave të trazuara me pamje si dikur….
Ato pamje nuk janë të fshehta për kujtesën e Profesorit, por janë fakte, që e kanë tronditur dhe për më tepër e kanë fyer e poshtëruar dhe nuk mund ti ndajë me askënd përjetimet e asaj mesnate…
Në çdo ditë të javës Profesori zgjohej nga gjumi para orës gjashtë. Disi i përgjumur mbështetej mbi jastëkun, pak i anuar nga krahu i djathtë.Disa çaste më vonë ngrihej si me urdhër ushtarak, rrëmbente bram pantoflat duke u çapitur nëpër dhomë. I humbur nëpër qetësi, atë e kapte një shqetësim i drithëruar kujtimesh të hidhura. Atij i qaseshin shëmbëlltyra fytyrash në lëvizje. Skelete me emra që i ngjisheshin në kokë. Ata i kalojnë pranë një e nga një me sy të përlotur, e të malluar. Profesori bën apelin e atij mëngjesi nga klithjet e ngjyrave në shtratin e vdekjes, të atyre emrave.. Drini, Besmiri, Taulanti, Uka, Erzeni!I shqiptonte me zë të mekur dhe të drithëruar. Nga belbëzimi i tingujve të kujtesës dilte si i elektrizuar nga shtëpia.
Hapat e tij psherëtinin pa zë, por me një kënaqësi për të qenë prapë dhe këtë ditë banor i lagjes dhe mësues i gjuhës shqipe në shkollën e re të ndërtuar pas luftës.
Mëngjesin e hante në një lokal diku aty afër stacionit të autobuzave, ku në përgjithësi hanin punëtorët e pastrimit, hamejtë dhe disa burra të ngelur të vetëm. Paçja dhe një gotë verë sikur e qetësonte Profesorin. Më pas vazhdonte rrugën për në shkollë. Hija e tij e ndiqte nga pas,hap pas hapi dhe pa zhurmë. Shumë kalimtarë i kalonin pranë, disa i lironin krahun të kalonte, dikush e ftonte në makinë për ta respektuar.Vështrimi i përhumbur i syve nuk e lejonte të tregonte interes për çka ndodhte përreth. Që prej asaj nate askush nuk e kish parë të buzëqeshte njëherë. Atij i dukeshin të gjithë si ushtarë me armë në duar. U shmangej përshëndetjeve, kthente fytyrën në anën e kundërt dhe largohej me mospërfillje ndaj tyre përgjatë tortuarit për në shkollë. I fjalosur me veten e vet Profesori thoshte:
– Nuk ka gjë më të këshillushme se heshtja! Ajo është e qetë e pastër,pa thinja dhe e pafjalë….
Unë dua ta vizatoj heshtjen, po ku ta gjej…?!!
Një vogëlush i vonuar e pyeti.
– Sa është ora zotëri ?
– Nuk e di me saktësi, i thotë Profesori, të pyesim heshtjen.Ajo mund ta dijë më mirë..!
Fëmija e shikoi me çudi dhe një herazi vrapoi të arrinte kohën e humbur.
Me çantën në dorën e majtë dhe me dorën tjetër futur në pardesy (në anën e zemrës), ai i ngjante një statuje, që gjithkush e besonte, se nga çasti në çast mund të palosej si i shkëputur nga bazamenti dhe të binte në shesh.Por mesa dukej, ky ishte çast dhimbsurie, që ta impononte statuja e Profesorit, shqitur nga sheshi i monumenteve.Pasi ngjiste shkallët e katit të parë ai ndodhej para derës së klasës. Si zakonisht trokiste e si një mekanizëm i kurdisur ndodhej para tryezës së klasës.
Mësimi fillonte me leximin e emrave të studentëve. I shqiptonte me zë tingëllues e përkëdhelës disa emra, që askush nuk përgjigjej…Këta emra ishin po ata që Profesori ia kallëzonte i heshtur vetes çdo mëngjes.
Pasi përfundonte së lexuari regjistrin ulej në karrige dhe si gjithmonë vazhdonte mësimin. Nga çasti në çast Profesori ndryshonte frymëmarrjen… Kthente sytë nga studentët duke ndryshuar mënyrën e të ecurit nëpër klasë, vinte buzën në gaz e i ledhatonte me sy ata. Ai dëshironte t’u transmetonte studentëve të tëra të fshehtat,që për ata nuk ekzistonin. Apo t’ua lexonte deri në fund të vërtetat e turmave për të çmuar shkëlqimin e syve të atyre, që i dëgjonte nëpër rrugë nga kalimtarët e pasluftës. E shoqëronte shpesh herë bisedën me recitime të këngëve epike.Nga dita në ditë Profesori të ndillte pikëllim dhe e ndjente se po i ndërlikohej pamja e syve dhe se kishte nevojë ta zgjidhte kravatën, e cila ja shtrëngonte qafën.Në rrugicat ku kalonte ai dritat dukeshin e më të zbehta. Kjo bënte që ti ngatërronte emrat e kalimtarëve me ato, të cilat ai i mbante në shpirt.
Ai e shfrytëzonte kohën për të ndenjur vetëm e për tu fshehur në botën e tij.
– Më pëlqen shumë të ri vetëm, pasi kështu gëdhëndë figura prej druri nga bota ime shpirtërore.Këto figura, që janë gjaku dhe shpirti im, i vë në kërkim të paqes së humbur….
* * *
Qytetit ku banonte Profesori i mungonte jo vetëm deti, por dhe liqeni dhe lumi. Ky qytet dallohej për pyje të mbushur me përralla të fshehura nëpër gjethe. Dhe sot shumë degë të vjetra herë- herë dëgjohen të këputen e të bien me zhurmë therëse përtokë nga plagët e së kaluarës. Këto pyje ishin vende të mira për të pastruar shpirtin dhe për të tretur kufomat.
Në këtë pyll të moçëm, çdo të diel, Profesori shëtiste i shoqëruar me veten e tij, i kapur prej dore nga hijet e drurëve të pyllit. I kënaqur nga vetmia u thoshte drurëve.
– Në shpirt më notojnë lotë të rëndë,që po mbartin në krah një tufë të madhe me lule. Në çdo njëqind, njëqind e pesëdhjetë hapa do mbjell në tokë lule me ngjyrë të kuqe në vend të qirinjve. Në këtë rrugë kaq piktoreske çmallem me sytë e shpresës së tretur,të atyre djemve,që u shuan një e nga një si meteorë në qetësinë e natës….
Me të mbaruar pylli, mjegulla çahej e i jepte mundësi Profesorit të shikonte një si livadh me tokë të butë dhe të zhveshur nga trungjet e pemëve.Rreth e qark saj tani është ndërtuar një ledh me drurë nga të pyllit dhe në një sipërfaqe të pastër,në çdo dy metro janë mbjellë fidanë të reja pemësh frutore të ditëlindjes 1998…
– Ja shikoni!- thotë Profesori. Në atë copë tokë të zbukuruar tani gjallojnë sy të larë me vesë, ku ndihet tiktaku i kohës së pyllit. Nga lart shigjetojnë rreze drite për kopshtin…!!
Me duar të hedhura mbi pemët e mbjella, ai i përkëdhelte një e nga një Ato. Diçka u pëshpëriste dhe më pas u buzëqeshte me etje, e cila jehonte me tërë dëshirën e tij….
Dalëngadalë u lëshua mbi një nga pemët…
Në tërë pyllin u dëgjuan dënesat e tij të dëshpëruara…Kështu mund të qajë një njeri që nuk ka qarë kurrë në jetë..
– Pas pakë zemra e tij kishte pushuar…!
30 – 4 – 2007 Athinë
Per”Alba – Dansk”Shkodrani


Leave a Reply