Shqiperia vendi i fundit komunist qe nuk u njeh te drejtat ish te perndjekurve politik.cka tregon se per 20 vite me ralle Sali Berisha vetem i ka perdorur ish te perndjekurit politik,per te mbajtur ne kembe pushtetin e tij dhe per te fituar votat,sa here ai ka dashur.Nga ngjarja e djeshme Berisha dhe kabineti i tij duhet te nxjerrin mesim ,per ate faj te rende qe kane bere me ish te perndjekurit politik. Nje premtim i pambajtur i Sali Berishes dhe i kabinetit te tij,ja ku i coi te perndjekurit. Ky eshte nje mesim i mire edhe per te gjithe politikanet sot ne Shqiperi,qe ate qe e thone duhet ta mbajne e ta cojne deri ne fund,qe raste te tilla mos te perseriten me kurre. (Shen. i redaksise Alba – Dansk)
Ky është momenti kur Gjergj Ndreca i ka vënë flakën vetes, pasi ka hedhur benzinë në trup. Ish- të përndjekurit e tjerë në grevë urie janë mundur që ta shpëtojnë, por ai ka marrë flakë përnjëherë.
Pamjet ekskluzive të siguruara nga Tv A1 Report tregojnë qartë momentet kur ish i burgosuri politik Gjergj Ndreca del nga çadra, dhe largohet disa metra më tutje. Në dorë mbante një shishe me benzinë me të cilën lag rrobat. Në momentin kur po tenton të ndezë shkrepësen shokët e tij e kuptojnë dhe një polic tentojnë t’i vijnë në ndihmë për ta ndaluar. Ndërsa Ndreca bërtet: “Më vini shkrepësen”, shokët i kanë lidhur duart prapa. Në nga shokët e tij, Pal Shtjefni i ndodhur para Ndrecës, ndez çakmakun dhe rrobat e grevistit marrin flakë menjëherë. Në një moment shokët dhe polici largohen dhe më pas tentojnë ta shuajnë duke i hedhur ujë dhe mbuluar me batanike. Gjergj Ndreca është dërguar në spital në gjendje të fikëti. Sot është dita e 17-të e grevës së urisë.
http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=OUbPdHmYF2c
Gjergj Ndreca, rebeli i përjetshëm
TemA Online
Ish- i burgosuri politik, Gjergj Ndreca, është aktualisht 51 vjeç dhe është dënuar në vitin 1984 me 15 vjet burg për tentativë arratisjeje.
Ai është nga Mirdita dhe siç tregojnë bashkëvuajtësit e tij ishte një kundërshtar i regjimit, për një jetë më të mirë kishte vendosur të largohej. Tentoi të arratisej në ish-Jugosllavi, por u kap. Pas shumë muajsh në hetuesi dhe në tortura ai u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat ka vuajtur vetëm 6.
Dënimin e ka kryer në burgjet më të egra të kohës së komunizmit në Burrel, në Spaç dhe në fund në Qafe Bari, ku dhe u lirua me rënien e komunizmit. Gjergj Ndreca pas daljes nga burgu krijoi familje dhe ka katër femije. Ai ka marrë pjesë në shumë protesta të ish- të përndjekurve politikë, që kanë kërkuar të drejtat e tyre.
Emri i tij u bë shumë i njohur disa muaj më parë kur gjatë një proteste të ish- të përndjekurve politikë, goditi me grusht deputetin demokrat Ilir Rusmali, të cilin e akuzonte si inkuizitor. Në të gjitha manifestimet e protestës ai ka qenë në krye dhe grevën e fundit të urisë e ka organizuar së bashku me shokun e tij të vjetër të burgut, Perikli Shqevi, i arrestuar nga policia rishtas.
Disa herë Gjergj Ndreca është shoqëruar nga policia pas protestave dhe deklarimeve te tij kundër qeverisë dhe kryeministrit. Protesta e vazhdueshme e ish- të burgosurit politik, Gjergj Ndreca, lidhej me mosdhënien nga ana e shtetit shqiptar të dëmshpërblimeve për vitet e burgimit në regjimin komunist./TCH
Akti i Ndrecës bën xhiron e botës. Washington Post: Vetëdigjet ish i burgosuri politik, si presion ndaj autoriteteve
TemA

Nis të bëjë xhiron e botës akti i ish- të përndjekurit politik, Gjergj Ndreca. Fotot dhe video e momentit, kur Ndreca i vë flakën vetes, po qarkullojnë në disa nga mediat më të mëdha, fale edhe raportimit të agjencisë së njohur Associated Press.
Në shkrimin e publikuar nga prestigjiozja Washington Post, thuhet: “Një ish- i burgosur politik në Shqipëri është shtruar në spital pasi i vuri flakën vetes, për të kërkuar pagesa më të shpejta si kompensim për viktimat e ish- regjimit komunist. Gjergj Ndreca, 53 vjeç, është mes një grupi me 20 ish- të burgosur politikë, që janë në grevë urie në Tiranë. Ai ka qenë i burgosur me gjashtë vite për aktivitetin anti-komunist. Rreth 100 mijë shqiptarë u ekzekutuan, burgosën ose u dërguan në kampe pune nga regjimi komunist në vitet 1944-1990”.
Vetëdjegia e Gjergj Ndrecës ishte një akt i paralajmëruar
TemA

Ndërkohë policia ndalon një grevist, duke e akuzuar se i ka vënë zjarrin Ndrecës
Vetë Gjergj Ndreca e kishte paralajmëruar vetëdjegin e tij. Ai së bashku me të tjerë ish- të përndjekur, dolën përpara medias për të deklaruar se do lyhen me benzinë dhe do vetësakrifikohen, pasi nuk u ka mbetur gjë tjetër. Para pesë ditësh, ata bënë një paralajmërim të tillë.
Gazeta Tema u përgjigj me një editorial, duke kërkuar nga Ndreca që të mos reagojë me flakë, por me miell.
Ndërkohë policia ka shoqëruar grevistin Pal Shqefni për zjarrvënie të qëllimshme. Policia e akuzon atë se i ka vënë zjarrin Ndrecës, pasi është lyer me benzinë.
Jo flakë Ndrecë, miell!
Nga Mero Baze- 3 tetor 2011
Një grup ish- të përndjekurish nga regjimi komunist, po kalojnë orë të vështira të jetës së tyre, duke u përballur me urinë e vetëzgjedhur dhe përpjekjen e pushtetit për të poshtëruar protestën e tyre. Ata në të vërtetë janë një bërthamë nga klasa e ish- të përndjekurve, që ballafaqojnë hipokrizinë e pushtetit me këtë kategori qytetarësh, të cilët kanë nisur të trajtohen nga heronj në fatkeqë. Gjatë komunizmit ata u dënuan në shumicë për bindjet e tyre dhe mospranimin e regjimit, por në burg ndjeheshin krenarë. Familjet e tyre u persekutuan dhe u internuan, por brenda tyre ekzistonte një rreze shprese se ata do t’ia dilnin. Fëmijët e tyre mbeteshin pa shkolla, por ata mbijetonin se një ditë do të shkolloheshin.
Sot pas 22 vitesh liri, kjo kategori qytetarësh shqiptarë është më e poshtëruara e gjithë historisë së Shqipërisë. Nuk është fjala vetëm tek ato lek të qelbura që këto qeveri të papërgjegjshme për 20 vite nuk ua dhanë, por tek poshtërimi i jetës së tyre. Tani Gjergj Ndreca, Karamuça dhe shokët e tyre nuk janë thjesht ca burra pa lek, pa punë dhe pa shtëpi. Ata janë qytetarë pa jetë. Jeta për të cilën ata pranuan burgun dhe sakrificën përballë një regjimi të qartë si diktatorial, tani është degraduar në një shaka të hidhur, pasi është zhdukur nga horizonti. Ata janë të poshtëruar, pasi shoqëria pikërisht tani po i dënon ata më shumë se në diktaturë për rebelimin e tyre të hershëm. Heshtja e shoqërisë, heshtja e bashkëvuajtësve të tyre të përulur para lëmoshave të Sali Berishës, përulja e të tjerëve për shkak të së shkuarës dhe përbaltjes që mund t’i bëjë Berisha, heshtja e aktivistëve dhe shoqërisë civile, heshtja e institucioneve ndërkombëtare, është për ta shqiptim i ftohtë i një dënimi më të madh, që me dy fjalë do të thotë “Luftuat kot!”.
Ky është një ridënim i tyre, një zhbërje e ëndrrës së çdo njeriu për rezistencë, për ndryshim dhe dinjitet. Kjo është dhe pjesa më e pistë e kësaj historie.
Po të shikosh tipologjinë e sulmeve të pushtetit dhe medies së pushtetit, ajo vërtitet tek biografitë e grevistëve, faktin që dikush prej tyre pi, dikush ka qëlluar ministrat, dikush bën kot si i fortë, dhe vazhdojnë me degradimin tradicional të standardit të një greve urie. E gjitha synon të mbajë të ndarë ish- të persekutuarit dhe t’i kthejë ata në viktima, që të kërkojnë lëmoshë tek çdo pushtet që ndërrohet në vend. Thelbi i sulmit dhe heshtjes ndaj tyre, është që të mos trajtohen si njerëz që dikur kishin ideale, po si njerëz që sot duan ca pare. Ligësia është pikërisht këtu, tek frika që ngjall në politikën e sotme mbijetesa e moralit dhe ekzistenca e njerëzve që kanë qenë gati të bëjnë burg jo për bukën që duhet të fusnin në gojë, por për fjalën që donin të nxirrnin të lirë nga goja. Ky simbol, ky model rezistence dhe këto karaktere njerëzore janë armiqtë më të mëdhenj të këtij pushteti dhe gjithë pushteteve të korruptuara. Pushtete si ky i sotmi, që mendojnë nga mëngjesi në darkë për të vjedhur, e gjejnë gjuhën me gjithkënd që kërkon një pazar. Berisha e futi Nanon në burg, por e gjen gjuhën pas burgut, duke i dhënë ndonjë kockë të hajë dhe ai. Meta e fut Berishën si qen në burg, por pastaj e gjen gjuhën me të për të ndarë bashkë tortën. Meta dhe Nano kanë kërcënuar njëri- tjetrin me burg, por tani e gjejnë gjuhën që t’ia lehtësojnë punën Berishës, që i ushqen duke dobësuar opozitën. Shpresa e tyre është se dhe me Edi Ramën mund ta gjejnë gjuhën nesër. Kjo klasë politike trembet vetëm nga njerëzit që kthehen në model të rezistencës për ndonjë kauzë morale apo histori rezistence.
Ata ish- të përndjekur, jeta e të cilëve sot nuk ka shumë kuptim dhe sikur t’i nxjerrësh nga greva, t’i veshësh dhe t’i lësh të flenë në Sheraton sa të jenë gjallë, janë realisht një makth i fshehur i pushtetit, i cili kërkon t’i degradojë dhe poshtërojë me çdo mjet. Ata janë modeli i rrezikshëm se si njerëzit duhet të luftojnë qoftë dhe me dy duar kur nuk kanë më fuqi dhe mejte në dispozicion. Ata janë njerëzit që kanë trembur Berishën më shumë se sa ata që e kanë hequr zvarrë si qen në qeli apo që i kanë hedhur granatën tek këmbët. Ata e kanë trembur duke e parë në sy dhe duke e qëlluar me një qese mielli. Aq mjaftoi që ai të shtrihej barkas në sedilje të makinës dhe të pushonte gjithë policët që ishin në shërbim. Ata janë njerëzit që Berishës dhe çdo regjimi i kujtojnë arsyet e madh përse njerëzit rezistojnë. Ndaj gjithë media, gjithë shoqëria civile, e kontrolluar nga Berisha, gjithë gjuha e rrugës e pushtetit, është kundër tyre. Ata nuk janë të rrezikshëm si numra, dhe as të papërballueshëm si shifra financiare. Ata janë “të poshtër” për pushtetin, pasi ndezin në këtë vend ndjenjën e qëndresës. Ndaj po përpiqen t’i lënë të vdesin pa i zënë as në gojë. Ndaj Ndreca, Karamuço dhe gjithë shokët e tyre e thonë me qetësi se janë gati t’i vënë flakën vetes, për të na bërë të zgjohemi. Mos u dorëzoni Ndrecë! S’ka nevojë të ikë me flakë ai që po ju fyen. Dhe me miell ikën, me atë që mendon se mund t’iu poshtërojë ju për një copë bukë. Me miell kthejani fyerjen!
Rasti Ndreca, FRD kërkon seancë të jashtëzakonshme në Kuvend. AK: Të përmbysim regjimin e Berishës
TemA

Mjekët: Ndreca ka djegie në 40 % të trupit dhe në fytyrë dhe djegia i ka prekur rrugët respiratore
Partia “Fryma e Re Demokratike” ka kërkuar sot seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ish-të përndjekurit politik.
Ndërsa i është referuar gjendjes së rënduar të ish-të burgosurve politikë të cilët ndodhen në grevë urie, deputeti Gazmend Oketa ka theksuar që parlamenti që t`i kërkojë qeverisë të zgjidhë situatën e ish-të përndjekurve politikë
“Greva e urisë e ish-të përndjekurve politik është një akuzë në drejtim të qeverisë për frymën e saj diskriminuese. Duhet të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e kësaj situate. Kuvendi duhet të zbatojë ligjet që janë miratuar prej tij dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-të përndjekurit”, tha Oketa.
Ai gjithashtu ka kërkuar ndërhyrjen e parlamentit për zgjidhjen e kësaj situate duke vendosur urat e dialogut mes ish-të burgosurve politik dhe institucioneve shtetërore.
Ndërkohë, kreu i “Aleances Kuq e Zi” Kreshnik Spahiu ka vizituar në spitalin Nënë Tereza, Gjergj Ndrecën. “Të shpresojmë tek Zoti, sepse qeveria e dogji popullin”, tha Spahiu.
“Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të përmbysin regjimin politik të shtetasit Sali Berisha përpara zgjedhjeve te vitit 2013. Gjendja aktuale e vendit, si edhe e ish- të përndjekurve politike është përgjegjësi e përbashkët e PD dhe e PS, të cilat me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë faktuar se janë parti të bllokmenëve. Akti i ish- të dënuarit politik, Gjergj Ndreca, i shtohet radhës së heronjve të shumë popujve, që u kthyen në simbole të qëndresës për liri dhe demokraci,” thuhet në një deklaratë të AK.
Ndërkohë më herët, ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca, i cili ndodhej në grevë urie, i ka vënë flakën vetes në tentativë për t`u vetëflijuar. Ai është dërguar me urgjencë në QSUT ku po merr edhe ndihmën mjekësore pas djegieve që ka pësuar në trup.
Në një prononcim për mediat, mjeku Ilir Nezha ka theksuar se përgjigjja e saktë për gjendjen shëndetësore e Gjergj Ndrecës do të jepet pas 48 orësh, pasi ai tashmë ndodhet në terapi intensive. Sipas mjekut, Ndreca ka djegie në 40 % të trupit dhe në fytyrë dhe djegia i ka prekur rrugët respiratore.
Do të ta vjedhë dhe vetëflijimin Gjergj!
TemA Online

Nga Mero Baze
Ndërsa ti po spërkateshe me benzinë, i qetë si Krishti para kryqëzimit, dhe mes shokëve që tu hodhën përsipër, arrite të ndezësh çakmakun për tu vetëflijuar, Ai po përgatiste fjalimin në Strasburg, për t’i shpjeguar Evropës historinë e tij. E mori lajmin tënd para se të ngjitej në podium. Me sytë tek letra dhe mendja tek flaka jote, ai filloi të flasë gjatë dhe përçart, pa asnjë lidhje me atë çfarë duhet të tregonte aty, derisa diku, dikush e ndërpreu, duke i kujtuar se koha e tij mbaroi. Gjatë fjalimit, krejt jashtë teme, u kishte shpjeguar evropianëve se bankat e Evropës janë si piramidat e Sudes dhe Xhaferit. Me siguri që i ka hutuar shumë njerëzit në atë sallë. U nis nga podiumi drejt karriges, u kthye prapë mbrapsht, i dha dorën drejtuesit të seancës, i cili e pa shumë i habitur dhe u ul prapë në vend. Me siguri të gjithë në atë sallë në Strasburg e kanë marrë për të lënë mendsh. Por ne që e shikonim në TV nga Tirana, e kuptonim ç’po i ndodhte. Flaka jote e ndezur me çakmakun e indiferencës kriminale të tij, kishte mbërritur në trurin e tij dhe kishte zgjuar vatrat e panikut. Sa herë që ai vihet përballë akteve popullore kundër tij, atij i shfaqet sindroma e krizës më të thellë të jetës së tij dhe flet për piramidat, flet për pafajësinë e tij, për atë pjesë të jetës politike që nuk mund ta blejë dot as me miliardat që ka vënë me pushtetin e ri. Sa herë i shfaqet përpara paniku i revoltës popullore, kudo që është, ai fillon belbëzon për pafajësinë e tij tek piramidat. Është një tik nervor që e kap çdo kriminel nëse i tregon detajet e krimit.
Dje Gjergj, ai e kuptoi se me përpjekjen për të të injoruar, për të të poshtëruar, për të rivrarë jetën duke të bërë ish- komunist, duke të fyer politikisht, kishte ndezur me shumë vetëdije shkrepësen mbi trupin tënd të larë me benzinë. Flaka jote pak çaste para se ai të shfaqej në një tribunë në Strasburg, e tronditi dhe e bëri qesharak para Asamblesë së Këshillit të Evropës. Përveçse e ktheve pas në kohë, kur populli ishte përballë tij dhe këmbënguljes për t’i vënë zjarrin Shqipërisë, vetëm të mos ikte nga pushteti, i risolle detaje nga njeriu që u vetëdogj në Tunizi dhe nisi revolucionin kundër Ben Alisë.
I fiksuar pas këtij detaji, gjëja e parë që ai tentoi të bënte ishte të vidhte vetëflijimin. Me urgjencë të madhe sajoi se ti nuk u vetëdogje, por të dogjën, se ti nuk protestove, por të përdorën, se ti nuk e urreve atë, por të nxitën. Ideja se akti yt do të frymëzojë një betejë popullore kundër tij, e nxiti drejt një vjedhje të re, më e madhe e më e dhimbshme dhe e turpshme se gjithë vjedhjet që i kanë bërë këtij vendi ai dhe familja e tij. Ai po tenton të vjedhë vetëflijimin tënd. Dhe këtë e bëri pikërisht kur u bind se ti u vetëflijove.
Gjëja e parë që bëri pas flakëve të tua Gjergj, ishte dërgimi i Gardës për të përforcuar rrethimin tek pallati i tij, tek vila e tij, tek shtëpitë e fëmijëve të tij. Afshi i parë i flakës tënde iu bë fiksim se do të mbërrinte në shtëpinë e tij, ndaj gjithçka nisi me sigurimin e saj. Kjo në fakt tregonte se ai është i qartë se ka ndezur shkrepësen mbi trupin tënd të lyer me benzinë. Pasi u sigurua se fëmijët e tij ishin të ruajtur, mbesat u morën nga shkolla me makina të blinduara, gruaja dhe fëmijët u mbyllën brenda nga Garda, si një burracak i lig, filloi të vjedhë vetëflijimin tënd, duke shpikur faktin se ti nuk u vetëdogje, për të dogjën.
Edhe pse ne të gjithë të pamë në kamera duke u lyer, edhe pse të pamë si t’u hidhen sipër shokët të të ndalnin, ai nuk e pranon dot Gjergj. Nuk të do hero, të do viktimë. Nuk të do frymëzues, por të do të frymëzuar. Nuk të do lider, por shërbëtor. Nuk të do të vendosur, por të dyzuar. Nuk të do të zëmëruar deri ne vetëflijim me të, por thjesht të keqkuptuar. Është i fiksuar pas idesë se ti mund ta vrasësh me vetëflijimin tënd.
Videoja e jote e vetëflijimit po shëtit gjithë botën duke u dhënë dinjitet dhe të drejtë gjithë ish- të burgosurve politikë të këtij vendi, edhe ata që heshtin pas lëmoshave që u hedh Berisha, dhe atyre që kanë spekuluar me fatin e komunitetit të tyre, dhe atyre që janë në pushtet sot, prej heroizmit të tyre dikur. Në një farë mënyre akti yt i vetëflijimit i jep në sytë e botës më shumë dinjitet shumicës së heshtur të ish- të burgosurve, që pushteti i Berishës u ka vrarë arsyet përse kanë bërë burg dikur, se sa pjesës tjetër të shoqërisë shqiptare, që sot të shikon me admirim dhe nderim si hero.
Ti Gjergj je sot hero i vërtetë për ata që nuk kanë guxim të të vijnë në spital, për ata që nuk kanë guxim të ngrihen kundër Berishës, për ata që nuk kanë guxim të të përshëndesin dhe të jenë solidarë me ty. Në mënyrë të pazakontë ti je hero për ata që e kanë djegur shpirtin e tyre dhe e kanë kthye në hi pak nga pak dhe jo nga një flakë benzine, si ajo që shpërtheu mbi trupin tënd. Ti je hero për ata që janë shuar pa u ndezur flakë, për ata që hiri i nxehtë i pushtetit të Berishës i futi poshtë vetes dhe u ktheu në hi pak nga pak dinjitetin dhe jetën e tyre.
Për këtë arsye Gjergj, ai nuk ta certifikon vetëflijimin. Ai do të bëj ç’është e mundur të ta vjedhë atë. Ai nuk duron dot që befas, kur gjithë shoqërinë e futi poshtë këmbëve, kur bleu median dhe intelektualët, kur bleu diplomatë dhe qeveri të Perëndimit, t’i dalësh Ti, t’i vësh flakën vetes dhe të ulërasësh sa gjithë hakërrimat e botës kundër tij. Nuk ta fal këtë ai Gjergj. Do të ta vjedhë patjetër, edhe pse e di që ti do t’i ringrihesh sërish nga hiri.
REPORTAZH/ Çfarë bëri Ndreca, do ta bëjmë të gjithë!
TemA

Foto e agjencisë Reuters
Nga Anisa Xhani
Çfarë bëri Ndreca, do të bëjmë të gjithë. Do të digjemi, nëse nuk na dëgjoni!!!
Një heshtje e zymtë kishte pllakosur në tendën e plasmastë të ish- burgosurve politikë, e cila ishte e mbushur plot me parulla, ku në njërën prej tyre shkruhej:
“S’ka e s’ka si heroizma,
edhe si idealizma,
por kur dimër del behari
s’ka si zjarri”.
Zëri i lartë i TV-së tek “News24” dhe me kokat ulur dhe sytë e përlotur, po dëgjonin protestën para QSUT-së, ku po mjekohej shoku i tyre Gjergj Ndreca,i cili i vuri flakën vetes mëngjesin e sotëm.
“Ne ishim shtrirë dhe Gjergji shkoi për në banjo. Kur u kthye po hidhte “ujë” mbi kokë. Ç’e kapi kjo penallti në kokë mendova?! Kur fap nxori shkrepësen dhe u turra”, tregon Fatmir Lloçi.
Ai tregon krahun e përzhitur nga flakët në përpjekje për të neutralizuar flakët në trupin e Gjergjit, ndërkohë që me të përcjellë Ndrecën, ata janë shokuar sërish.
“Sapo u kthyem, Llazi Koçit i ra të fikët. E kapa dhe i nxora gjuhën dhe e nisëm me një makinë private, pasi ambulanca kishte ikur me Gjergjin. U tronditëm të gjithë”, pohon Lloçi.
Ata janë zënë në befasi nga veprimi i Ndrecës.
“Jemi shumë të shokuar. Nuk e kishim menduar këtë lloj veprimi. Do të flijohemi të gjithë derisa të plotësohen kërkesat tona”, rrëfen Kujtim Kaziu.
Me heshtjen në gjuhë dhe me lotët në sy tregonin tronditjen e tyre.
“Ishte mëngjes i zakonshëm. Po lexonim shtypin e ditës. Kur befas dëgjuam një zë: Çfarë bën? Çfarë bën? Aty u alarmuam dhe dolëm tek pragu, ku pashë shokun tonë të përfshirë nga flakët. U bashkova me to dhe po përpiqesha t’i shuaja flakët”, tregon Fatmir Lamaj.
Ai pohon se ata do të mbeten të palëkundur në qëndrimet e tyre.
“Gjendja është shumë e rëndë. Dëshpërimi i kapërcen edhe caqet e fundit të tija. Rrënimi psikologjik po avancon me shpejtësi drejt fundit të vet. Ne vazhdojmë të qëndrojmë fortë në kërkesat tona , të cilat janë të drejta dhe mëse të realizueshme. Por, mungesa e vullnetit politik për t’i zgjidhur krijon pengesa artificiale, të sajuara djallëzisht për të justifikuar qëndrimet e mbajtura deri më tani dhe mosdashjen e qëllimshme për realizimin e këtyre kërkesave”, shprehet Lamaj.
Dy policë jashtë tendës ishin sot “bodigardët psikologjikë” të ish- të burgosurve politikë, ndërsa në tendë ca vajza dhe gra të veshura me të zeza, ndoshta për koincidencë,qëndronin në fund të dyshekëve të njeriut të tyre.
Kaq vetëm kaq, tek tuk ndonjë lëvizje pranë tyre. Ku është humanizmi? Ku është solidariteti?
E përpinë flakët e Gjergjit?
Gruaja e Ndrecës: Hyri në grevë urie më fëmijët për tu sakrifikuar për Berishën, kundër Nanos
TemA

Gruaja e Gjergj Ndrecës, Ermira, ka rrëfyer mes lotëve në sy se i shoqi është sërish në rrezik për jetën. Ajo tha se ai u sakrifikua për shkak se gjendja e tyre ekonomike është e keqe. Ajo është papunë, njësoj si i shoqi.
Ajo tha se janë të turpshme shpifjet e mediave pranë qeverisë për jetën e Gjergj Ndrecës.
Ermira tha se ai ka hyrë në grevë urie edhe në kohën kur Berisha ishte në opozitë, madje ka hyrë me tre fëmijët e saj, për të përkrahur Berishën që të vinte në pushtet.
Ajo tha se nuk ka shtëpi dhe janë në gjendje të rëndë ekonomike. Ermira shtoi se Ndreca ishte shumë i stresuar nga kjo situatë.
Ermira i bëri apel qeverisë që të vërë dorën në zemër për këta njerëz, ndërsa tha se akti i të shoqit të saj ishte ekstrem.
Vetë Ndreca më parë kishte deklaruar se e ka besuar Berishën si Krishtin.
“Dola nga burgu kur Sali Berisha ulëriste kundra komunistëve e bënte be e rrufe se të përndjekurit dhe të burgosurit do të ishin kauza e jetës së tij. Atëherë e kam besuar si Krishtin”.
PS: “Djegia e Gjergj Ndrecës si në vendet arabe, Berisha si satrapët e Lindjes së Mesme”
Reagon anëtarja e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli, pas vetëdjegies të ish-të persekutuarit, Gjergj Ndreca.
“I besoja Sali Berishës si Krishtit” – thoshte Gjergj Ndreca – dhe ja ku është sot, duke luftuar për jetën, sepse Sali Berisha zgjodhi të bëjë atë që di të bëjë më mirë: ta injorojë, ta tallë, ta quajë të çmendur e sharlatan nëpër mediat e tij.
TIRANË – Anëtarja e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli ka dalë pak minuta më parë në një konferencë për shtyp, ku ka reaguar specifikisht për vetëflijimin e ish-të persekutuarit, Gjergj Ndreca me vetëdjegie pas 16 ditësh grevë urie, por dhe mbi gjendjen e ish-të persekutuarve në Shqipëri.
“Kur Gjergj Ndreca vuante në burgjet e komunizmit, kryeministri kapardisej majë barkës me familjen e diktatorit. Kur Gjergj Ndreca u lirua nga burgjet e komunizmit, kryeministri zbriti nga barka e na e shpalli veten kampion të ish-të përndjekurve. Kampion të Gjergjit e të gjithë atyre burrave që sot e 17 ditë lëngojnë në grevë urie e që prej kryeministrit kanë marrë vetëm batuta e të shara.” Kështu e ka nisur deklaratën e saj, Lindita Nikolli.
Për të vijuar, duke cituar fjalët e vetë Gjergj Ndrecës dikur: “I besoja Sali Berishës si Krishtit” – thoshte Gjergj Ndreca – dhe ja ku është sot, duke luftuar për jetën, sepse Sali Berisha zgjodhi të bëjë atë që di të bëjë më mirë: ta injorojë, ta tallë, ta quajë të çmendur e sharlatan nëpër mediat e tij. Për të arritur deri këtu, në një protestë që jemi mësuar ta shohim në Tunizi, në botën arabe e të tjera vende, ku sakrifikimi i jetës është mënyra e vetme për të protestuar ndaj padrejtësisë e harresës. Por që nuk kishim menduar kurrë ta shihnim në Shqipëri.”
Duke cituar se, edhe vetë ajo vjen nga një familje ish-të përndjekurish politikë, por pavarësisht kësaj, Lindita është shprehur se kurrë nuk e kishte kuptuar ç’përmasa kishte arritur dëshpërimi dhe humbja e shpresës tek Gjergji e të gjithë ata burra të tjerë që plot 17 ditë më parë filluan protestën e tyre, që kulmoi sot me këtë akt sa ekstrem, aq dhe tragjik.
Ajo nuk ka fajësuar vetëm qeverinë, por të gjithë, edhe shoqërinë dhe politikën. “Janë fajtorë të gjithë, që vuajtjet që këta njerëz hoqën në komunizëm – sepse guxuan të kundërshtonin atë regjim – ua kanë shpërblyer për dy dekada me radhë me harresë, indiferencë e mjerim.”
Më pas Nikolli i ka bërë thirrje Sali Berishës, që t’i shohë ato pamje, që kanë traumatizuar mbarë shoqërinë dhe ta kuptojë se, kjo që ka ndodhur është vepër e tij! “Është përgjegjësi e Sali Berishës, që një ish-i përndjekur duhet t’i vërë flakën vetes për të marrë atë që vetë Sali Berisha ia ka premtuar për kaq e kaq vjet.”
Më pas ka ironizuar se, sot Sali Berisha, në vend që t’i japë leksione demokracie Europës, në vend që të rrethojë parlamentin e vilën me policë e gardistë, si të ishte ndonjë satrap i Lindjes së Mesme, duhet të gjejë kurajën të përballet me këta njerëz, që i ka shfrytëzuar për 20 vjet me radhë për të marrë pushtetin e për të mbajtur pushtetin, por që i ka braktisur në mjerim e skamje në mënyrën më të paskrupullt.
/Shekulli Online/M.Alla/
Per”Alba – Dansk”Shkodrani



Leave a Reply