Kryeministri e krahason krizën e sotme në Europë, me krizën e piramidave në Shqipëri
Ndërkohë që në Tiranë një protestues i vuri vetes flakën, kryeministri Sali Berisha po fliste në Strasburg, në tempullin e demokracisë, në Këshillin e Europës.
Duke folur në Asamblenë Parlamentare, Berisha guxoi të krahasonte piramidat e tij me krizën aktuale në Europë. Ndërsa fliste me krenari, duke menduar se ishte në seancat e Kuvendit shqiptar, drejtuesi i seancës i bëri me shenjë, ndërkohë që Berisha e kuptoi se ai ishte sinjal për t’i dhënë fund fjalimit.
Pastaj Berisha tha shkurt dy fjali dhe e mbylli fjalimin e tij, që si rrallë ndonjëherë, ka zgjatur vetëm 13 minuta.
Pasi shkoi për t’u ulur, u rikthye në podium dhe u dha dorën drejtuesve të seancës.
“Shqipëria ka shumë arsye për të qenë e lumtur me rrugën e zgjedhur, pasi Shqipëria ka provuar se ekonomia e tregut dhe demokracia nuk kanë të bëjnë vetëm me procesin e privatizimit, me liberalizimin apo zgjedhjet e lira. Në këtë rrugëtim, vendi im është përballur me një nga krizat më të vështira, si ajo e skemave piramidale, sepse në mes të viteve ‘90 shqiptarët humbën të gjitha kursimet e tyre në skemat piramidale dhe në fonde investimi. Ajo çfarë ndodhi më pas ishte një vakum i plotë, i tmerrshëm në rregullimin e tregut, i vëzhgimit të këtij tregu. Nga ana tjetër e dimë që është shumë e rëndësishme që tregu të zhvillohet dhe të jetë i shëndetshëm, duhet të ekzistojë një kuadër i plotë ligjor. Ne kemi punuar për një kuadër të tillë, sepse pas dhjetë vitesh nga kjo krizë, nuk ishte më radha jonë për të qenë pjesë e një krize të tillë financiare, por ishte tashmë radha e vendeve të tjera.
Pra, kriza e sotme në këto vende është e ngjashme me krizën financiare që Shqipëria ka pasur vite më përpara për shkak të krizës piramidale dhe këto janë vende që kanë ligje shumë të mira, kanë ligjet më të mira të mundshme për të vëzhguar tregjet bankare dhe jobankare financiare. Por pyetja që mund të shtrohet është: Pse ndodhi kjo krizë? Kjo krizë ndodhi sepse elitat bankare financiare kanë cenuar, kanë minuar ligjet dhe kanë vënë në heshtje bordet, në mënyrë që të mund të përfitonin dhe të mund të mbronin interesat e tyre ambicioze. Edhe në këtë fazë të funksionimit të shtetit të së drejtës, bota gjendet përballë kësaj krize financiare, e cila është e ngjashme me krizën e skemave piramidale në Shqipëri,” tha Berisha.
Kryeministri është shprehur po ashtu se demokracia ka prishur tregun.
“Ekziston një lidhje e ndërsjellë mes tregjeve dhe demokracisë. Unë jam mjek në profesion dhe si rezultat do të doja të ilustroja këtë situatë me lidhjen mes koshiencës dhe subkoshiencës, një lidhje shumë e rëndësishme për qeniet njerëzore. Vetë demokracia është shumë e rëndësishme, është jetike do thosha, por nëse do shohim veprimet e saj, sigurisht që ajo mund të sjellë ca prishje të tregut. Le t’i hedhim një sy Europës sot. Jemi këtu në një nga rajonet më të begata, por 11% e njerëzve të botës po konsumojnë 50% të faturës sociale të botës, ndërsa po prodhojnë 70% të PBB. A është i mbingarkuar tregu në këtë rast? Duket se po. Tani problemi që shtrohet është që qeveritë e elitave duhet ta marrin shumë seriozisht krizën, do të duhet të ndërmarrin reforma shumë serioze, sepse opinioni publik nuk është shumë mbështetës, për shkak të faktit se nuk është i bndur që kriza nuk ka mbaruar. Ndërkohë problemi kryesor, ose i treti më i rëndësishëm është tregu i punës. Sërish demokracia i ka vendosur disa kufizime tregut dhe ai është më tepër strikt se sa fleksibël. Shpresoj që përdorimi i lirive të jetë e vetmja rrugë zgjidhjeje në këtë situatë krize. Kjo është një krizë e cila dëshmon se sistemi nuk ka funksionuar, por sistemi ka potencial që të reformohet dhe për këtë arsye, unë personalisht, mendoj se vënia në pikëpyetje e këtij sistemi në vetvete është diçka e gabuar,” tha Berisha.
Pak ditë më parë Berisha akuzoi edhe Bankën Botërore se nuk ndaluan piramidat në Shqipëri.
TemA
Per”Alba – Dansk”Shkodrani


Leave a Reply