Vullnet Mato
Nga të gjitha substancat
që dalin prej drurit,
kafja ka fituar botërisht
përparësinë absolute.
Një kafe në mëngjes
kthjellon qiellin e trurit,
ngre në piedestal shpirtin
teksa surbet pas buke.
Te lëngu i saj muskujt
marrin energjinë superiore,
zemra akordon ritmin
dhe harmonizon tonalitetin.
Kafes i janë krijuar kudo
komoditetet kryesore,
zotëron lokalet më luksoze
në të gjithë planetin.
Në kafene është kryqëzimi
i takimeve të miqësisë.
Aty “kafja” e ryshfetit
bën tinëz njollosjen e nderit.
Dy filxhanë kafe lidhin
nyjet e para të dashurisë.
Kafja përcjell të vdekurin
në banesën e mermerit.
Kur kafja e ngeshme
shkumon krejt filxhanin,
kërkon t’i shtrohet dyst
tryeza e muhabetit.
Thërret miqtë e vjetër,
alkoolin dhe duhanin
të tymosin kohën bashkë
deri në kulmin e qejfit.
Filxhani i kafes pret
kartëvizitat shtëpiake,
ku përndizen kujtimet
dhe përgojohen njerëzit.
Kafja kurorëzon suksesin
me urime paraprake,
largon gjumin e shoferit
të shmangë aksidentin.
Te llumi i saj kafja shkruan
hieroglifet e fshehtësisë,
ku fallxhorja finoke
deshifron sekretet e tjetrit.
Filxhani magjik zbulon
të nesërmen e profecisë
se kafja është njëra nga tri
magjistricat e Makbethit…
Derguar nga z.Flori Bruqi
Per”Alba – Dansk”Shkodrani


Leave a Reply