![]()
Njihuni me kimikatin e domosdoshëm për qarkullimin e gjakut në trupin tonë, atë që na ndihmon të pastrohemi dhe që shpesh, na shkakton vdekjen. Në një formë të tij, atë të sodës kaustike, është shkatërrues për jetën dhe përdoret nga vrasësit për të zhdukur kufomat…
Justin Rowlatt, BBC
Ki kujdes, ky lajm përmban materiale që disa lexues mund t’i gjejnë stresuese. Kjo për shkak se flet për sodiumin – dhe historinë e një prej vrasësve serialë më famëkeq të Italisë që ilustron disa nga cilësitë unike të këtij elementi.
Sodiumi është shumë reaktiv, gjë që do të thotë se është i butë, metal me ngjyrë argjendi që nuk gjendet kurrë në formën e tij të pastër në natyrë. Pri një copë sodiumi të pastër – mund ta presësh me një thikë – dhe ai do të kthehet në re dhe pluhur para syve të tu për shkak se reagon me ajrin.
Ky reaktivitet dhe fakti që është relativisht i lirë, e bën sodiumin kaq të përdorshëm nga industria – dhe gjithashtu nga vrasësit.
Ti ndoshta e njeh elementin në formën e tij më të zakonshëm, kripë tavoline apo klorid sodiumi. Por ajo që përdor industria në shkallë të gjerë është një lloj i ndryshëm, është sodiumi hidroksid, më shumë i njohur si sodë kaustike.
Ai prodhohet nga kripa përmes hidrolizës.
Një rrymë elektrike vepron si ajo që profesor Andrea Sella nga Universiteti College i Londrës e përshkruan si “një çift gërshërësh kimikë”, duke ndarë lidhjet e ngushta që mbajnë atomet e sodiumit dhe klorinës së bashku.
Soda kaustike është jashtëzakonisht gërryese.
Këto ditë, përdorimi kryesor i saj në industri është për të ndarë një formë veçanërisht robuste të lëndës organike – drurit. Procesi i shpikur nga kimisti gjerman, Karl (Carl) Dahl, në vitet 1880 e kthen drurin në pulpë duke përdorur sodë kaustrike dhe sulfat sodiumi. Ai është njohur me nofkën procesi “Kraft”, nga fjala gjermane për “forcën”, për shkak të fortësisë së letrës që prodhohet prej saj.
Sot, mbi tri të katërtat e prodhimit të polpës përdor këtë teknikë. Aksioni agresiv i sodës kaustike shfrytëzohet gjithashtu për të rafinuar xeheroret e bauksidit në alumin dhe për të hequr papastërtitë nga nafta. Ai ka një pafundësi përdorimesh. Ti ndoshta e përdor atë për të zhbllokuar tubat, së bashku me hipokloridin e sodiumit apo si zbardhues.
Ai përdoret në këtë mënyrë, sepse soda kaustike është një mjet shumë efektiv për të tretur yndyrën dhe dhjamin – të njëjtat cilësi që kanë shkaktuar përdorimin e saj nga vrasësit serialë si Leonarda Cianciulli. E lindur më 1894 në Montella, në Italinë e Jugut, nga vitet 1930, ajo qe martuar dhe drejtonte një dyqan të vogël në qytetin verior të Korrexhios. Një grua popullore, miqtë dhe fqinjët e mendonin atë si shumë të sjellshme dhe nëna e mirë e katër fëmijëve të saj.
Por ajo qe shumë supersticioze. Historia thotë se ajo u paralajmërua nga një fallxhore rome se fëmijët e saj qenë në rrezik dhe u bind se mënyra e vetme për t’i mbrojtur ata qe një sakrificë njerëzore.
Mes viteve 1939 dhe 1940, ajo ngriti kurth për tri gra në moshë të mesme te dyqani i saj. Ajo i drogoi, i vrau me një sëpatë dhe pastaj hoqi qafe trupat duke i zier me sodë kaustike.
Në kujtimet e saj ajo përshkruan “lëmshin e trashë të errët” që prodhoi procesi. Të tjerë kanë zgjedhur shembullin e saj të tmerrshëm.
Më 2009, meksikani Santiago Meza, me nofkën “përgatitësi i çomlekut”, pranoi se qe paguar nga një bandë vendëse e trafikut të drogës për shumë vite me radhë për heqjen qafe të trupave të 300 anëtarëve të pafat të një bande droge konkurrente. Edhe ai përdori sodë kaustike.
Ajo që e bën zonjën Cianciulli kaq të veçantë, gjithsesi, është se ajo shkoi të eksplorojë edhe një nga cilësitë e tjera speciale të sodiumit. Ajo e përdori atë për të kthyer së paku një prej grave të vrara në sapun.
“Ajo përfundoi në kazan, si dy të tjerat”, shkroi vrasësja në kujtimet e saj, duke iu referuar viktimës së saj të fundit.
“Mishi i saj qe i dhjamosur dhe i bardhë. Kur u shkri, unë i shtova një shishe kolonjë dhe pas një kohe të gjatë në zierje unë arrita të bëj një farë sapuni kremoz të pranueshëm. Unë dhashë copa sapuni te fqinjët dhe të njohurit. Ajo grua me të vërtetë qe e ëmbël”.
Leonarda Cianciulli fitoi nofkën la Saponificatrice di Correggio, Prodhuesja e Sapunit të Korrexhios.
Por çfarë i bën sapunët kaq kremoz? Fakti është se ai “na lejon ne të përziejmë vajin me ujë”, thotë prof. Sella.
“Molekula e sapunit duket pak a shumë si një larvë. Ke një kokë dhe një bisht të gjatë”.
Kjo “larvë” molekulare kombinon dy cilësi kontradiktore. Kokën me përmbajtje sodiumi dhe që është hidrofile e fuqishme (e tërhequr nga uji); si dhe bishtin yndyror acidor që është hidrofobike (refuzuese ndaj ujit).
Nëse ke një njollë yndyre mbi bluzë dhe e zhyt atë në ujë me sapun, atëherë bishtat e molekulave të sapunit refuzohen nga uji dhe ngjiten pas vajit.
Kjo ndihmon për tretjen e yndyrës dhe shpërbërjen e saj në sfera mikroskopike që qëndrojnë pezull në ujë, secila e rrethuar nga molekulat e sapunit me kokat e tyre të sodiumit hidrofilik të drejtuara përpara.
Kjo e bën sapunin një agjent aktiv sipërfaqësor shumë efikas apo “surfaktant”, duke krijuar një urë mes materialeve që në një situatë tjetër do të përziheshin.
Mënyra më e zakonshme e përdorimit të sapunit është që të pastrojmë lëkurën apo flokët, por surfaktantët përdoren gjithashtu për të përzierë produkte të tilla si bojërat dhe kozmetika.
Tani, nëse jeni të lumtur që unë pastrova temën e pakëndshme të vrasësve me atë të sapunit shumë më të pastër, kam një lajm të keq për ju. Sodiumi është një vrasës i madh në vetvete, në një kontekst krejtësisht të ndryshëm – ushqimi.
Elementi ka përdorime në segmente shumë acaruese në industrinë e ushqimit. Ai përdorej dikur për të krijuar kore te brumërat, për t’u kujdesur për peshkun dhe për të zbutur ullinjtë. Ai është gjithashtu arsyeja se pse pijet me gaz shpesh quhen “Soda”.
Në shekullin e 19, uji me sodë u prodhua shpesh nga shkrirja e bikarbonatit të sodiumit – të njëjtën gjë që sot mund të jeni duke e përdorur te prodhimet e brumit – në ujë. Sodiumi nuk qe në fakt aq i rëndësishëm, qe pjesa e bikarbonatit që krijon flluska në shishe.
Këto ditë shumica e pijeve marrin karbonat thjesht duke iu pompuar dyoksid karboni në lëng nën presion, duke hequr qafe sodiumin në këtë proces. Pavarësisht kësaj, emri “soda” ka mbetur.
Por kur vjen puna te sodiumi në ushqim, bikarbonati i sodiumit dhe soda kaustike përbëjnë një pjesë shumë të vogël. Burimi më i madh i këtij kimikati, siç e shpjegova në fillim të artikullit – është kloridi i sodiumit apo kripa e tavolinës.
Sasi të vogla sodiumi kanë rëndësi vendimtare për trupin. Jonet e sodiumit janë pjesë thelbësore e kimisë së trurit tonë dhe hidrofilia e sodiumit – e cila e bën atë kaq të mirë te sapuni – shfrytëzohet nga trupat tanë për të rregulluar presionin e gjakut.
Një jon i vetëm sodiumi mund të tërheqë deri në 25 molekula uji, kështu që sa më shumë sodium të ketë në enët tona të gjakut, aq më i madh është volumi i fluidit që mund të qarkullojë në venat tona.
Kështu kripa është e mirë për ne në sasi të kufizuara. Por njerëzit prehistorikë arsyetohet se e gjetën të vështirë të siguronin kripën që kishin nevojë në dietën e tyre për shkak se ne zhvilluam një shije të fortë për të.
Ju ndoshta keni dëgjuar se fjala salary (pagë) vjen nga latinishtja, salarium.
Por kjo nuk qe për shkak se legjionarët romakë paguheshin në qese me kripë, siç pretendohet nga disa. Studiuesi klasik, Armand D’Angour, thotë se fjala salarium në fakt do të thotë “para kripe”, në të njëjtën mënyrë siç mendojmë ne sot për “paratë për birrë”.
Ata përdornin një pjesë të të ardhurave për të blerë kripë – në atë kohë një mall shumë i çmuar – për të konservuar ushqimin e tyre.
Natyrisht, këto ditë kripa është e lirë dhe e bollshme dhe ky është problemi. Është tepër lehtë për ta ngrënë me tepri – ose, së paku, ky është konkluzioni i qeverive të botës dhe të autoriteteve të shëndetit publik.
“Presioni i gjakut është shkaku i vetëm më i madh i vdekjeve në botë sot, shkaktar për 60 për qind të bllokimit të venave, të cilat përbëjnë 50 për qind të të gjitha sëmundjeve të zemrës”, thotë profesori i kardiologjisë, Graham MekGregor (MacGregor) i kolegjit “Queen Mary” të Londrës, një aktivist i njohur i fushatës për uljen e konsumit të kripës.
“Çdo gjë që rrit presionin e gjakut është shumë e rrezikshme dhe provat tregojnë se kripa është faktori kryesor për këtë”.
Këto prova përfshijnë një studim të publikuar së fundmi nga MekGregor i cili pretendon se një fushatë e qeverisë në Britaninë e Madhe, e cila uli konsumin mesatar të kripës nga 9.5 gramë në 8.1 gramë në ditë, po parandalon rreth 9 mijë vdekje në vit.
Por ka disa qe e vënë në diskutim këtë provë. Morton Satin është një prej tyre. Ai është zëdhënësi i Institutit të Kripës, i cili përfaqëson industrinë amerikane të kripës.
Trupi i njeriut është shumë efikas në kontrollimin e nivelit të sodiumit në gjak, argumenton Satin dhe preferencat e njerëzve përshtaten shumë mirë, duke korrektuar nivelin e konsumit të kripës.
Ndërsa ai është dakord se disa njerëz duhet të ulin konsumin e kripës, ulja me tepri e konsumit mund të jetë gjithashtu e rrezikshme për disa njerëz, thotë ai.
Argumente të tilla kanë penguar përpjekjet në SHBA për të detyruar prodhuesit e ushqimeve për të ulur sasinë e kripës që përdorin. Por MekGregor nuk pranon asnjë argument të tillë.
“Ju punoni për një kompani të marrëdhënieve publike që po përpiqet të ndalojë përpjekjet për reduktimin e konsumit të kripës”, thotë ai, duke sulmuar menjëherë. “Po bëni më të mirën që mundeni për të luftuar në cepin tuaj, njësoj si industria e duhanit”.
MekGregor sugjeron se ne duhet t’i heqim qafe pretendimet e Satinit me ca grimca kloridi sodiumi.
Faktet kyçe të sodiumit
Metali më i zakonshëm alkali dhe i gjashti element më i bollshëm në koren e tokës. Është më pak i dendur sesa uji dhe mund të pritet me thikë në temperaturën e dhomës.
Kripa e tavolinës, kloridi i sodiumit (NaCl), është përbërësi më i zakonshëm i sodiumit.
Karbonati i sodiumit është burim i CO2 i përdorur në formën e sodës së bukës, si dhe elementi kryesor përbërës i kimikateve që përdoren për fikjen e zjarreve.
Gazeta Shqiptare








Leave a Reply