![]()
Diaspora jonë gjithmonë ka treguar sens të lartë përgjegjësie ndaj atyre ngjarjeve kombëtare që kanë qenë produkt i lëvizjeve patriotike dhe jashtë çdo kontrolli shtetëror nga Shkupi a Prishtina. Mërgimtarët shqiptarë nga Maqedonia, ende trajtohen si kontigjente hamallësh që duhet të mbushin xhepat e politikës së ditës në Shkup, për të marrur pastaj në kthim, si kundërvlerë, përbuzjen dhe mospërkrahjen minimale në përpjekjet e tyre për të instaluar ndonjë projekt a biznes në vendlindje
Adresën e përgjegjësisë për moszgjdhjen e asnjë deputeti shqiptar në diasporë, nuk duhet kërkuar te mërgimtarët tanë në diapsorë. Sikur menaxhimi i këtij procesi të kishte qenë në duart e mërgimtarëve tanë, punët sigurisht do të përfundonin më ndryshe. Se suksesi i këtyre organizimeve ka rezultuar në punë konkrete, dëshmojnë ngjarjet e mëdha që u zhvilluan në Kosovë e Maqedoni, e ku mërgimtarët e kishin barrën kryesore të menaxhimit të resurseve financiare, ushtarake e logjistike. Së paku, një deputet nga radhët e votuesve shqiptarë në Zvicër, Gjermani a Itali, do të ulej në uleset e Parlamentit të Maqedonisë.
Sa herë që organizimet dhe aktivitetet e karakterit kombëtar, politik e kulturor në diasporë kanë patur ndonjë lidhshmëri me segmentet e caktuara shtetërore e partiake nga Maqedonia, kanë qenë të destinuara në dështim. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, emisarë të shumtë nga Kosova e Maqedonia, të veshur me petkun partiak (dhe të blera lirë në Bit Pazar), provuan të shtrijnë organizimin politik edhe në diasporë, mirëpo u treguan të pasuksesshëm.
Mërgimtarët tanë, të etabluar me vite e dekada në shtete të ndryshme të Europës Perendimore por edhe në Amerikë, Kanada e Australi, dhe të ardhur nga krahina të ndryshme shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malësisë, Kosovës Lindore, Shqipërisë etj. e kishin vështirë t’u nënshtrohen skemave partiake të imponuara nga konceptet e ngushta politike e ideologjike. Por, edhe për shkak të traditës së kultivimit të vlerave të përbashkëta etnokulturore, mërgimtarët tanë më lehtë e kishin të organizojnë një ndeshje futbolli apo një aheng familjar, ku aderonin shqiptarë nga të gjitha krahinat, se sa të menaxhojnë një mbledhje të thjeshtë partiake, me atribute lokale.
Megjithatë, mërgata jonë tregoi nivel të lartë përgjegjësie kombëtare, atëherë kur petku partiak u gris dhe në vend të saj erdhi ‘guna’ e trashë e një organizimi pak më ndryshe, ku komesarët aparatçikë nuk kishin shumë terren veprimi. Mjafton të kthehemi në vitin 2001, për t’u bindur se gjithmonë diaspora jonë ka qenë më e ndieshme ndaj atyre ngjarjeve kombëtare që kanë qenë produkt i lëvizjeve patriotike dhe jashtë çdo kontrolli shtetëror nga Shkupi a Prishtina.
Koha dëshmoi se shqiptarët e diasporës sa më larg që ishin prej segmenteve të caktuara shtetërore të Shkupit dhe zgjatimeve të tyre në Perendim, aq më të suksesshëm tregoheshin në organizimet e tyre. Fatkeqësiht, koha sërish dëshmoi se sa harë që segmentet shtetërore të Shkupit i ‘fusin hundët’ në menaxhimin e proceseve që kanë të bëjnë me mërgimtarët tanë, punët dalin ‘dardhë me bisht’.
Ditëve të fundit po dëgjojmë lloj lloj teorie bizare rreth asaj se pse diaspora shqiptare nuk arriti të nxjerrë së paku një deputet shqiptar. Njëra prej atyre teorive, thoshte se shqiptarët e diapsorës nuk janë si ata në vendlindje që të shiten aq lehtë, prandaj edhe nuk u manipuluan dhe kjo ndikoi që ata të mos nxjerrin një deputet (!). Teoria tjetër, ia këpuste një budallalëku tjetër, duke u munduar të fajsësoj mërgimtarët tanë se ata nuk janë të organizuar si sllavët, prandaj edhe dështoi përpjekja e tyre që të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlamentitn e Shkupit. Një i mençur tjetër kokëshkretë, akuzoi partitë e vogla shqiptare të cilat gjoja i përçanë mërgimtarët tanë, por nuk tregoi se pse partia e tij në pushtet nuk arriti të menaxhoj krejt këtë proces, kur dihet se ajo i ka të instaluar njerëzit e vet në të gjitha segmentet e shtetit (polici, diplomaci, KSHZ), dhe si është e mundur që përfitues i këtij procesi të del një tufë mërgimtarësh maqedonas në Zvicër, fjala bie, të cilët memzi arrijnë të mbushin 3 tramvaja me njerëz të tyre.
Merre si ta marrësh, këto zgjedhje parlamentare nxorën në sipërfaqe një dobësi fundamentale që i përcjell trajtat e përfaqësimit institucional të shqiptarëve në hierarkinë shtetërore. Në radhë të parë, nxori në shesh inkompetencën e kuadrove shqiptare në shërbimin diplomatik e konsullar. Pastaj, konfirmoi edhe njëherë se mërgimtarët shqiptarë nga Maqedonia, ende trajtohen si kontigjente hamallësh që duhet të mbushin xhepat e politikës së ditës në Shkup, për të marrur pastaj në kthim, si kundërvlerë, injormin, përbuzjen dhe mospërkrahjen minimale në përpjekjet e tyre për të instaluar ndonjë projekt a biznes në vendlindje. Mërgimtarët tanë edhe sot e gjithë ditën janë shpëtimtarë të gropave financiare që paraqiten në buxhetin e Maqedonisë, andaj është koha e fundit që paratë e tyre të mos i menaxhoj më stihia dhe jonikoqirllëku gjatë muajve të verës. Sepse, partitë politike shqiptare ende nuk kanë arritur të krijojnë një mekanizëm të fortë i cili do të parandalonte shpërndarjen joproporcionale të mjeteve buxhetore, ku në të shumtën e rasteve me paratë e shqiptarëve bëjnë kokrrën e qejfit shumë badihavxhinjë maqedonas në pjesën lindore të shtetit.
Nëse partitë shqiptare nuk e kanë kuptuar se ka ardhur koha që valixhja e kurbetit të zëvendësohet me një master plan konkret që do të operacionalizonte kahet e zhvillimit dhe investimit të njerëzve tanë nga diaspora në vendlindjet e tyre, atëherë më mirë është që ato të heqin dorë nga analfabetizmi i tyre dhe punët t’ua lënë në duar bijve të mërgimtarëve tanë, të cilët do të dinin në mënyrë perfekte t’i menaxhonin resurset financiare të prindërve të tyre.
INA


Leave a Reply