Sali Bollati
U deshën mbi 66 vjet për t’u kthyer në vendlindje, në Paramithi të Çamërisë. Kur humbëm baballarët tanë unë isha vetëm 7 vjeç, ndërsa bashkëshortja ime, Bule Pronjo, gjashtëmuajshe. Pra unë si më i madhi ende kam të pashuar në mendje vrasjet, masakrat dhe vuajtjet që shovinistët grekë ushtruan mbi gjyshin, Muharrem 82 vjeç, gjyshen Rukije 72 vjeçe, babanë Ibrahim 52 vjeç, nënën Betulla 36 vjeçe, vëllezërit Ferhat dhe Faruk 13 dhe5 vjeç dhe motrën Makbule 2 vjeçe. Ato bashkë me mbi 600 paramithiotë të tjerë humbën jetën se ishin Shqiptarë. Ndërsa unë me motrën Qerime, 10 vjeçe, vuajtëm burgun deri më dhjetorin 1944 kur na përzunë me dhunë dhe ushtarët anglezë na transportuan për në Shqipëri.
Në shtator të vitit 2010, vetëm në sajë të pasaportës amerikane, ngase autoritetet greke nuk lejojnë akoma të marrin viza hyrjeje ata shqiptarë që kane lindur atje, na u bë e mundur bashkë me time shoqe, Bulin të vizitonim Çamërinë tonë. Me të kaluar Qafën e Botës, me lot në sy, hymë në tokën tonë. Ato që të bien menjëherë në sy atje ullinjtë dhe për çudi ato mbajnë më shumë kokrra ulliri sesa gjethe. Çamëria është një krahinë aq e pasur dhe bukur sa vetëm kodra të gjelbra me ullinj e pemë frutore, livadhe ku kullot bagëtia dhe det me ujë të pastër si kristali të zë syri. Pushimin e parë e bëmë në Filat.
Midis shumë shtëpive të porsa ndërtuara sheh shtëpi të vjetra, gjysmë të rrënuara. Banesa ishin ndërtuar shumë, por Kulla e Bollatatëve qëndronte në krye të qytetit. Kjo kullë mesjetare, jo vetëm që është rimëkëmbur, por është kthyer edhe në muze të Paramithisë. Kujtesa, dashuria dhe respekti popullor, pavarësisht nga zhdukja e varreve, qëndron e gjallë dhe nuk ka sesi të harrohet.Në muzeun e Pargës, që e kanë ngritur brenda saj lashë shënimin:
“Ishte një kënaqësi e veçantë të shikoje këtu trashëgiminë shqiptare të përfaqësuar edhe nga parganjotja e njohur Elena Gjika ose Dora D’Istria”. E nënshkrova: “Sali Bollati, Paramithioti nga Nju Jorku”. Më pas zbritëm poshtë dhe notuam në ujërat ngrohta dhe të kristalta të plazhit të Pargës, bile duke “garuar” me njëri tjetrin se kush do ta prekte i pari me dorë gurin e madh të ishullit përballë.
U larguam nga Parga mikpritëse me përshtypjet më të mira për në pjesën më jugore të Çamërisë. Preveza, në gjirin e Artës është një qytet sa i bukur ashtu edhe historik. U përpoqëm të gjenim Sarajet e Dinejve, aty ku me 1879-ën Abedin Pashë Dino dhe Abdyl Frashëri iu drejtuan Kongresit të Berlinit që vilajeti i Janinës bashkë me gjithë Çamërinë të mos ndaheshin nga trojet e tjera shqiptare.
Dhe kjo kërkesë drejtë, në sajë edhe të mbështetjes se popullit të armatosur, qëndroi në fuqi deri në mars të vitit 1913, kur krahina shqiptare e Çamërisë u pushtua nga Greqia. Nuk më ndaheshin nga mendja ata parganjotë që kërkonin të shihnin, të takonin dhe të gëzoheshin me më shume vëllezër shqiptarë. Tregonin se tani që shqiptarët kanë ardhur për punë këtu e ndjejnë veten më mirë. Madje do të ishte shumë më mirë sikur të hapej edhe ndonjë shkollë që fëmijët të mos e harronin gjuhën e perëndisë.
Shekulli


Leave a Reply