Aleksander Shallvari
Ne ecim në dy rrugë paralele,
Në dy rrugë ku s’ka asnjëherë një pikë takimi,
Ti në të djathtë të diellit
Unë hënës kthyer kurrizin.
Ne kemi kohë që në dy rrugë paralele
Ecim pa kthyer kokën as majtas as djathtas,
Nxitojme për në pikën e takimit
Por infinitisht drejt nesh ajo zgjatet.
Përplasemi me erën,shiut nuk i shmangemi,
Grisur këpucët e rënda që gjurmë lëshojnë baltrave
Një kapelë të rogoztë poshtë syve tërë pluhur
Në xhepin e xhaketës një shpresë e lodhur,
Si marathonomakë të çmendur rrugësh humbur.
Humbur në dy rrugë paralele,
Në dy rrugë që kurrë nuk gjetën një pikë
Një pikë,ku takimi të jetë i natyrshëm
Ku asnjeri të mos mundë të ikë…
Ku asnjëri të mos dojë të ikë.
Por ne e dashura ime,
Ecim në dy rrugë paralele pa kthim.
Pa mbërritje,
Pa takim.
Gjeometrikisht abstraktë në përfytyrim.


Leave a Reply