
Nga Visar Zhiti
Kjo ftohtësi dhe ky terr i paparë që po kalojmë, na bën që me alarm të thërrasim në ndihmë dashurinë, poezinë e saj, që te ne, edhe nëse s’kanë munguar, duket sikur shpesh kanë ardhur përçudnueshëm, të varfëra, me shenjat blu të përdhunimit. Prandaj në vazhdim po kërkojmë të kapemi dhe te poezia e botës, si kërkim i ndihmës së shpejtë, për të parë dhe ndjerë se si ata i këndojnë dashurisë. Dhe nëse zgjodhëm autorët të ndryshëm të vendeve dhe kontinenteve të tjerë, të kohëve sa të ngjashme aq dhe të pangjashme, shohim se gjithsesi diç i bashkon, jo për meritë a mëkat të përkthimit, por prej zbulimit të një zemrë të përbashkët që dashuron po aq hyjnisht kudo dhe gjithmonë, po ai adhurim i qëndrueshëm, diellor që lëviz nëpër një qiell, i ulët apo i bruztë, me re a i pafundëm, me shira a i tallazitshëm nëpër tufanet e fatit apo i prajshëm si flatra pegasësh, s’ka dhe aq rëndësi. Rëndësi ka që qielli është i poezisë.
Qysh në kohërat e lashta, nëpër vizatimet e shpellave, krahas asaj që mund ta quajmë kronika e primitivitetit, janë gjetur dhe vizatime linjash të grave shtatzëna dhe kjo është mrekullia, jeta kërkon jetën, shoqëria që në fillimet e veta, kur po niste të krijohej, nisi të shqetësohet për jetën, për domethënien e saj, simbolin, ndërgjegjen rishtare, pra po kërkonte të zbulonte dashurinë, për të cilën dhe u kalua në një luftë botërore, ajo u bë shkak, duke u futur në mitologji dhe histori me një emër gruaje, që përdoret edhe sot, Helena e Trojës. Dhe udhëtimi tjetër, po aq mitik, i Uliksit për te gruaja e tij, ende s’ka mbaruar, por vazhdon pambarimisht, edhe kur s’je më, me jetë të tjera dhe të tjera dashuri. Poetët, me mënyra nga më të ndryshmet, gjithmonë e më çuditshëm, artistikisht duke u rafinuar, veç ribëjnë, për të mos thënë përsëritin, këtë udhëtim, më shumë brenda vetes se sa jashtë saj. E dëshmojnë dhe këto poezi të faqes tonë letrare, që nga Gëtja panteonik e Tenisoni pasionant, Tagora i perëndishëm e ballkanasit e shquar Hikmet, Dagllarxha e Vretakos, e gjejmë te njerëzori i dhembshëm Elyari dhe te bashkatdhetari i tij, parizieni tjetër spontan dhe i natyrshëm Preveri, te i gjakti Lorka, i trishtuari Quasimodo, klasiku modern Jevtushenko, te çudia Xhojsiane që ka shkruar dhe vjersha tradicionale, te Takuboku i largët e misteriozi Jytes. Përkthimi i tyre është bërë në mosha të ndryshme, edhe përmes rreziqesh, përgjimesh e deri dhe në burg, por dhe më pas, gjithmonë për hir të dashurisë. Poezia e dashurisë përforcon edhe njëherë idenë se kur di të dashurosh, do të dish të jetosh, të ndërtosh të tashmen tënde për të realizuar vetveten. Dhe besnikëria më e madhe ndaj vetvetes, pra ndaj jetës, është vetë dashuria. Vetëm me të mposhten të gjitha llojet e errësirave e ti befas gjendesh mes universit të dritës…
Visar Zhiti
J. V. GËTE
ELEGJI E MARIENBADIT
Një mundim zemre rritet brenda meje
Për atë që është e shenjtë e dot nuk shprehet.
Ja e pakapashmja në jetë të jetëve,
Ta lësh veten prej çastit të rrëmbehet.
Oh, ç’gjë hyjnore! Unë këtë e di,
E ndjej me gjithë shpirt kur pranë saj rri.
Ç’vështrim plot rreze sa dhe ditën e mahnisin –
Dhe frymë e saj prej flladesh pranverore
Si akull të zi e shkrijnë egoizmin.
Mbyllen brenda në varre dimërore
Sqima, kokëfortësia e kota famë
E s’kthehen më – atë e kam pranë.
Zëri i saj sikur më pëshpërit:
Jeta dhuron orët, orët nëpër botë.
Për të nesërmen s’ka parashikim
E shqetësimi për të djeshmen është i kotë.
E në i trembësha muzgut që vjen pas,
Ja, dielli perëndon gjithë ndjenja, buzagas.
Vështroje si unë çastin drejt në sy,
Shpejt dhe lehtë me mendje të gëzuar.
I gjallë dhe mirënjohës derdhu te ay
Në punë dhe harè përherë i dashuruar.
Kudo qofsh, prej teje fryftë fëmijëri,
Atëhere s’të mposht dot, jo, asnjeri.
Dhe e kuptova – kështu fole ti.
Çastin si një zog me flatra ere
Në gjirin e jetës e futi një Hyjni.
I zgjedhur i çastit je veç pranë teje.
Oh, thirrje e ndarjes bëhet ankth në eshtra
E ç’dobi pata nga ato të lartat shkenca?!
Tani jam larg dhe larg pa asnjë punë,
Ç’të bëj me kohën time unë pa ty?
Ka gjëra të bukura shumë, shumë,
Do hedhur barra që s’më hyn në sy.
Një brengë vdekje më gllabëron, më tund.
Rrugëdalje s’ka e lotët s’paskan fund.
ALFRED TENISON
VAJZA E MULLISIT
Është vajza e mullisit që po rritet
E tëra e dashur dhe e tëra pa faj.
Dhe unë do desha të isha vëthi,
Të dridhesha në veshin e saj.
Ditë e natë i fshehur ndër kaçurrela
Qafën aq të bardhë e të ngrohtë do prekja.
Dhe unë do doja të isha brezi
Rreth belit të saj të hollë prej ëndrre.
Dhe do të rrihte zemra e saj
Pranë meje në prehje dhe dhëmbje.
Dhe do e dija në rreh për mirë e jo kot
Dhe unë do e shtrëngoja fort e më fort.
Dhe do të doja të isha gjerdani.
Gjithë ditën e gjatë të ngrihesh, të ulesh
Me qeshjet e saj, me psherëtimat
Mbi gjinjtë e mbushur erë jetë lulesh.
Dhe aty të rrija kaq butë, kaq lehtë,
Sa t’harronte t’më hiqte nëpër netë.
SALVATORE QUASIMODO
* * *
Secili gjendet vetëm mbi tokë, te zemra,
I çarë nga një rreze dielli:
Dhe shumë shpejt vjen mbrëmja.
RABINDRANAT TAGORA
* * *
Grua, nuk je vetëm vepër e Zotit,
por dhe e burrave, që gjithmonë
të bëjnë të bukur me zemrat e tyre.
Kush e thuri për ty atë rrjetë? Poetët
me fije të argjenda fantazie
e piktorët i japin trupit tënd
përherë një pavdekësi të re.
Si deti të dhurojmë perlat,
si minierat – arin tonë,
si kopshtet e verës – lulet
që të lulëzosh e të mbështillesh
për të qënë gjithnjë e më e çmuar.
Dëshira e zemrave të burrave
ka hedhur bujën e vet
mbi rininë tënde.
Përgjysmë je grua,
gjysma tjetër je ëndërr.
NAZIM HIKMET
* * *
Se mos je lodhur
duke mbartur peshën time.
Se mos je lodhur me duart e mia,
me sytë e mi, me hijen time.
Fjalët i mia ishin të përndezura,
fjalët e mia ishin puse të thellë.
Do të vijë një ditë në një ditë të beftë
do të ndjesh brenda vetes
gjurmët e hapave të mi
se si largohen.
Dhe kjo peshë do të jetë më e rënda.
POL ELYAR
DREJTËSI E MIRË
I ngrohtë është ligji i njerëzve
kur nga rrushi bëjnë verën
nga qymyri bëjnë zjarrin
nga puthjet bëjnë njerëzit
I ashpër është ligji i njerëzve
që të mbeten ashtu bashkë
kundër luftës dhe fatkeqësive
kundër rrezikut të vdekjes
I ëmbël është ligji i njerëzve
kur ujin e kthejnë në dritë
ëndrrat në realitet
dhe në vëllezër armiqtë
Ç’ligj i hershëm dhe i ri
ashtu përmbushës vetëm ecën
nga zemra-fëmijë që s’di
deri te arsyeja supreme.
NIKIFOROS VRETAKOSA
JETA IME DO TË MBETET NË MIJËRA VJET
Jeta ime, miku im, do të mbetet në mijëra vjet,
do të mbetet në mijëra jetë, në mijëra skifterë do të mbetet.
Tri vera ndriçuan në shpirtin tim,
tri pranvera lulëzuan dhe tre dimra derdhën shiun e tyre
dhe unë habitem kur koha më thotë: ti do të vdesësh.
Domethënë të gjitha këto do të vdesin? Ky mal
dhe nata me sy yjesh dhe pylli?
Dhe dashuria që është kaq e madhe,
të cilën as gjithë bota s’mund ta nxërë dot?
FAZIL HJUGU DAGLARXHA
SHUMËZIM
Dy herë dy – Katër.
Unë shumëzuar me ty
jap pafundësinë.
ISIKAVA TAKUBOKU
* * *
Më varej në supet e mi
Ajo –
prej nate dhe bore…
Ç’yje përvëlues
kishin duart e saj!
* * *
Nëse më pyesin në heshtje:
“Ç’do të thotë brengë?”
“Di që ka shijen e dashurisë…”
Herët, shumë herët e mësova.
EVGENI JEVTUSHENKO
MOS U ZHDUK
Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,
e çmishëruar vetvetes ju zhduke.
Vetja jote kështu u tradhëtua
me pandershmëri prostitute.
Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,
të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.
Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është mënçuri.
Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.
Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.
Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi ne, as damkosur.
Të denjë jemi unë dhe ti për të falur
në-mos-dashje ç’kemi plagosur.
Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,
por si do takohemi nëpër shekuj?
Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.
Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,
në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.
Dashuria e fundit është e tmerrshme,
S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.
JAMES JOYCE
IX
Erëra të majit që vallëzoni mbi det
me hove rrotulluese gëzimesh
nga hullia në hulli ndërsa në krifë
shkuma fluturuese shndërrohet në kurorë
dhe harqet e argjendë çajnë ajrin.
E keni parë gjëkundi Dashurinë time?
Ajme! Ajme!
Erëra të majit.
Dashuria është e palumtur kur dashuria është larg.
ZHAK PREVER
NË KOPËSHT
Mijëra vjet dhe pastaj mijëra të tjerë
Nuk mjaftojnë
Për të treguar
Përjetësinë e vogël
Që ti më puthe
Që unë të putha
Një mëngjes në dritën e dimrit
Në Parkun Monsori të Parisit
Në Parisin
Mbi tokë
Në tokën që është një yll.
F. G. LORKA
VENUS
Me të vërtetë
ke dy sisë të mëdha
e një gjeran perlash
mbi qafë.
Një amur mjegulle
të mban pasqyrën.
Dhe pse je aq larg,
të shoh,
dorën e ylbertë vë
mbi seks
dhe e mefshtë ndreq
jastëkun e qiellit.
Të adhurojmë me thjerrëz
unë dhe Rilindja.
WILLIAM JYTES
* * *
Atdheu im është nata, kudoqoftë ajo,
natë me hënat e gjinjëve të tu, me gjethnajën
e leshrave të tua, natë pylli
me ujqër dhe borë që ulërin,
natë qytetesh që ndrin
mes qerpikëve të prostitutave.
Nata është atdheu im i mbetur
i varur në hapësirë,
se toka më rrëshqet nën këmbë.
Nata jote zgjat duart drejt meje e dashuruar,
por vjen dita dhe unë mbetem vetëm,
i paatdhe. Lotët nuk më duken
prej rrëkeve të shiut
që më rrëshqasin në fytyrë.
Nëpër trupin e shqyer kam plagë
të pashëruara yjesh
si ata që s’i pranojnë spitaleve
se s’kanë më atdhe.
E rëndësishme është që më ka atdheu,
ti më ke mua,
fantazmë dite.
I zgjodhi dhe i përktheu Visar Zhiti


Leave a Reply