Dmytro (Dmitry) Firtash është një biznismen ukrainas i cili në 12 mars të këtij viti u arrestua në Austri me kërkesën e Departamentit të Drejtësisë të SHBA, në bazë të një urdhër arresti të dhënë nga një gjyqtar federal amerikan në Virginia. Firtash akuzohet se iu ka paguar mitë (rryshfet) zyrtarëve të lartë në Indi, për të fituar koncesionin e minierava të titaniumit në Andhra Pradesh. Titanium është një mineral i rrallë, për zotërimin e rezervave të të cilit ka një kompeticion të ashpër në shkallë globale. Tashmë u bë e ditur se Firtash dhe konsorciumi që ai drejton kanë qenë prej vitesh nën hetimin e FBI, për shkak të kësaj afere e cila ka ndodhur në vitin 2006. Deri më tani nuk është bërë e qartë se kush e ka inicuar procedimin penal ndaj z. Firtash, pra kush e ka bërë kallzimin në FBI. Gjithsesi, ajo çka të bën përshtypje në këtë ngjarje është se Departamenti i Drejtësisë (në Shqipëri Ministria e Drejtësisë plus Prokuroria e Përgjithshme) kërkon arrestimin e një njeriu që nuk është qytetar amerikan, për një krim të kryer në një vend të tretë, dhe një gjykatë federale amerikane urdhëron arrestimin e këtij personi.
Në bazë të ligji federal amerikan, sipas të cilit është arrestuar z. Firtash, duhet të dënohen edhe qytetarët amerikanë që kryejnë veprimtari të ngjashme në vende të tjera. Ndryshe pastaj nuk bëhet fjalë për ligj, por për gangsterizëm shtetëror të legalizuar, të ushtruar në rrafsh global. Në kohën që PD ishte në pushtet, dhe Kryeministër ishte Sali Berisha, Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku nisi çështjen penale në ngarkim të ministrit të Punëve Publike të Qeverisë “Berisha”, Lulzim Basha, dhe një vargu zyrtarësh të lartë të kësaj Ministrie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me kontratën me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel-Enka” për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, të autostradës Shqipëri-Kosovë. Sipas akuzës, bëhej fjalë për një dëm që i ishte shkaktuar buxhetit të shtetit në shumën mbi 230 milionë euro. Kjo çështje penale u bë një maratonë gjyqësore dhe shkak për përplasje të ashpra mes Qeverisë “Berisha” dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Këto përplasje u pasqyruan rregullisht dhe në raportet vjetore të Departamentit të Shtetit të SHBA për Shqipërinë.
Nëse pranohet si e vërtetë ajo që tha Prokuroria e Përgjithshme atëherë kjo do të thotë se ka pasur një marrëveshje korruptive mes Bashës dhe kompanisë amerikane “Bechtel” (Kjo kompani ishte partneri kryesor i qeverisë shqiptare në kontratë, ndërsa “Enka” vetëm sa do të kryente punime për llogari të kompanisë amerikane), sipas së cilës Lulzim Basha, Sali Berisha etj., i bënë privilegje abuzive kompanisë “Bechtel”, dhe në këmbim kompania “Bechtel” nga ana e saj, merret vesh, do t’ u paguante atyre si mitë (rryshfet) një pjesë të shumës të cilën ajo e përfitoi nga shteti shqiptar. Prokuroria e Përgjithshme nuk e akuzonte Bashën dhe të tjerët se me rastin e kontratës kishin marrë para drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit dhe i kishin transferuar ato në llogaritë e tyre bankare. Jo, Basha dhe të tjerët akuzoheshin se këto para ia kishin dhënë kompanisë “Bechtel”, e cila nënkuptohet kishte kaluar një pjesë të parave në llogaritë bankare të Bashës dhe Berishës, si shpërblim. Prandaj Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë duhet të kishte nisur çështjen penale edhe në ngarkim të kompanisë “Bechtel”, nëse angazhimi i kryeakuzatorit Sollaku në këtë çështje nuk ishte për motive politike, siç e akuzoi Qeveria “Berisha”. Kështu do të kishte ndodhur sigurisht në rast se në vend të kompanisë amerikane do të kishte qenë një kompani shqiptare. Por nuk pati procedim penal ndaj kompanisë “Bechtel” në Tiranë. Por që të ndodhte kështu duhet të kishte prova, mund të thotë dikush. Ashtu është por problem është se Prokuroria e Përgjithshme nuk bëri asnjë përpjekje në këtë pistë, dhe nuk i kërkoi homologëve në SHBA të dhëna mbi transfertat që mund të kishte bërë kompania “Bechtel” në adresë të zyrtarëve shqiptarë.
Megjithatë, pavarësisht atyre që bënte Sollaku, duhet të kishte pasur një procedim penal në ngarkim të kompanisë “Bechtel” nga homologët e Sollakut në SHBA. Këtë e them duke pasur parasysh rastin e Firtash. Dhe nëse do të kishte bërë hetime FBI për çështjen “Bechtel” në Shqipëri, me siguri që do t’ i kishte gjetur provat, për një marrëdhënie korrupsioni mes kompanisë “Bechtel” dhe qeveritarëve shqiptarë, nëse ato do të kishin ekzistuar vërtet. Unë i pari do të kisha organizuar një manifestim falenderimi para ambasadës së SHBA në Tiranë nëse do të kishte ndodhur kështu. Por as në SHBA nuk nisi ndonjë hetim e aq më pak ndonjë procedim penal në ngarkim të kompanisë “Bechtel”. Nuk patëm pra një “Firtash” amerikan të kapur në Shqipëri. Cila wshtw arsyeja qw ndodhi kwshtu? Arsyeja është e qartë. Është një politikë zyrtare amerikane që korporatat amerikane të nxjerrin sa më tepër që të mundin përfitime abuzive nga Shqipëria.
Në mars 2010 një gjykatë federale amerikane në Districtin Columbia në Washington e dënoi shtetin shqiptar me 20 milion dollarë gjobë për shkeljen e kontratës me kompaninë “General Motors”. Fjala ishte për një kontratë që kishte lidhur Qeveria e Partisë Socialiste para zgjedhjeve të vitit 2005 me kompaninë amerikane “General Motors” për ndërtimin e një linje hekurudhore moderne me tren elektrik, në aksin Tiranë-Kavajë. Kontrata mes qeverisë shqiptare dhe “General Motors” ishte në stilin më të keq të marrëdhënieve të korporatave amerikane me qeveritë e ish-republikave të bananeve. Sipas kontratës, qeveria shqiptare do të merrte një kredi prej 95.2 milion dollarë tek dy banka amerikane në Tiranë, dhe këto para do t’ ia kalonte “General Motors”, në mënyrë që kjo kompani të ndërtuar hekurudhën elektrike, e cila është e tepër të thuhet është një luks për Shqipërinë, e cila në atë kohë por edhe sot ka ende nevojë imediate për autostrada dhe rrugë rurale, ndërsa hekurudhat elektrike, aq më tepër në këtë aks, mund të presin. Merret vesh, një kontratë e tillë mund të bëhej vetëm nëse “General Motors” i paguante një mitë Kryeministrit dhe ministrit përkatës shqiptar. Prandaj, në pajtim me rastin “Firtash” duhet të kishte një procedim penal në SHBA në ngarkim të “General Motors”, gjë që nuk ndodhi.
Një tjetër rast i ngjashëm, por me pasoja shumë më të rënda, është kontrata me të cilën Qeveria e Shqipërisë e kohës kur ishte PS në pushtet, para zgjedhjeve të vitit 2005, bëri me një konsorcium të quajtur “Airport Partners”, ku ishte pjesëmarrës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, një organizatë ekonomike me biznismenë privatë, por që është krijuar dhe vepron në kuadrin e projekteve qeveritare amerikane. Kontrata koncesionare ishte dhe është, se është ende në fuqi, në traditën më të keqe të marrëdhënieve të korporatave me vendet ish-koloni të botës së tretë, në periudhën paskoloniale, të njohur me emrin famëkeq, “neokoloniale”. Sipas kontratës, konsorciumi do ta mbulonte koston financiare të punimeve për zgjerimin e aeroportit civil të Tiranës, me një kredi bankare që do ta merrte shteti shqiptar. E megjithatë, konsorciumi kishte të drejtë të mblidhte të ardhurat nga shërbimet në aeroport për një periudhë që për shërbime të ndryshme shkon nga 20 në 35 vite. Një nga aspektet e traditës më të keqe koloniale, që përmbante kontrata ishte se në Shqipëri nuk do të kishte asnjë aeroport tjetër civil në veprim për sa kohë do të zgjaste kjo kontratë. Për këtë arsye nuk u vu dot në përdorim aeroporti i Kukësit, i cili u ndërtua me financime të huaja pikërisht në kohën e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate, dhe nuk mund të ndërtohet as një aeroport turistik në Vlorë. Kontrata si kjo që bëri Qeveria shqiptare me “Airport Partners” bëhen vetëm nëse koncesionari investon së paku një miliard euro në rastin e Shqipërisë, se fitimet qenë të garantuara.
Një tjetër rast kur mund të kishte një “Firtash” amerikan në Shqipëri ishte ai i amerikanit Patrick Henry presidentit të kompanisë SAC dhe bashkëpronarit të kompanisë “Albademil”. Patrick Henry është një shtetas amerikan, i cili është shumë i përfshirë në historinë e Gërdecit. Në gjyqin për shpërthimit e Gërdecit prokurorët, duke dashur që të provonin fajësinë e të pandehurve, po nxjerrin përditë prova të lidhjeve të tyre me Patrick Henry, kompania e të cilit fitoi nga MEICO, kompania shtetërore shqiptare e shitblerjes të armëve dhe municioneve, si dhe nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, të drejtën për të çmontuar municione dhe për të shitur barutin dhe metalin e nxjerrë prej tyre. Prokurorët në fakt vërtetuan se ka qenë pikërisht Patrick Henry ai që ka sugjeruar gjithçka dhe gjërat u bënë sipas dëshirës së tij. Patrick Henry përzgjedhur si nënkontraktor kompaninë Albdemil, ku vetë Henry ishte bashkëpronar, ndërsa Mihal Delijorgji ishte administrator.
E megjithatë, Patrick Henry nuk u thirr si i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, por për të u kërkua që të pyetej si dëshmitar me… letërporosi! Patrick Henry duhej të ishte i arrestuar, i pandehur në krah të Delijorgjit, Pinarit dhe të tjerëve, në këtë proces gjyqësor. Por Prokuroria shqiptare as që e procedoi penalisht Patrick Henri. Kjo për faktin se Patrick Henry ishte shtetas amerikan dhe Prokuroria shqiptare ka mentalitetin e zyrave të akuzës të ish-republikave të bananeve të Amerikës Latine, të disa dekadave më parë. Sipas asaj që ndodhi me Firtash, duhej që Patrick Henry të ishte arrestuar dhe të nxirrej në gjyq në SHBA për veprimet që kishte bërë në Shqipëri. Por as kjo gjë nuk ndodhi. Merret vesh, Patric Henry kishte vepruar në pajtim me politikën jozyrtare amerikane që “Firtashët” amerikanë mund të përfitojnë sa të mundin abuzivisht në Shqipëri.
Të gjitha këto, por dhe raste të tjera, tregojnë qartë se përtej retorikës, SHBA në fakt kanë ardhur për të vjedhur në Shqipëri. Që prej vitit 1991 kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe deri më sot, pra gjatë 23 viteve, ndihma amerikane e të gjitha llojeve për Shqipërinë llogaritet në 800 milion dollarë amerikanë. Shqipëria, supozohet të ketë marrë 705 milion dollarë ndihmë nga SHBA-të në vitet 1991-2007, nga të cilat 640 milion dollarë ndihmë ekonomike dhe 60.5 milion dollarë ndihmë ushtarake. Është një çështje tjetër se kjo ndihmë është praktikisht e padukshme, në krahasim të themi me ndihmën e Italisë fashiste dhe të Bashkimit Sovjetik dhe të Kinës komuniste, të cilat kanë mbetur në vepra monumentale për Shqipërinë si rrugë ndërqytetëse, bulevarde, ura, ndërtesa shtetërore, stadiume, hidrocentrale, kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza, spitale, shkolla etj. Nuk është teprim që të thuhet se edhe këto para për të cilat SHBA pretendojnë se ia kanë dhënë si ndihmë Shqipërisë, në fakt i kanë siguruar vetëm nga tarifat konsullore që kanë paguar qytetarët e Shqipërisë, për të aplikuar për viza në SHBA, duke përfshirë edhe pagesat për aplikim për llotarinë amerikane për fitimin e së drejtës së emigrimit në SHBA. Në Tiranë dihen mirë zyrat avokatore dhe noteriale ku aplikohej duke qenë fitorja e sigurt, kundrejt pagesës jozyrtare në shuma që shkonin nga 15-20 mijë dollarë. Por kjo nuk mund të bëhej pa bashkëpunim me zyrtarë të Ambasadës në Tiranë dhe të Departamentit të Shtetit. Deri më sot asnjë zyrtar amerikan nuk është arrestuar për këto gjëra. Tekefundit, edhe kjo është një skemë e vjedhjes së shqiptarëve nga ana e SHBA.
E ashtuquajtura Dhoma Amerikane e Tregtisë është një fiksion, një klub mashtruesish i përbërë nga shqiptarë me shtetësi amerikane, të cilët duan të arrijnë përfitime në Shqipëri duke përdorur pasaportën amerikane. Lista e abuzimeve amerikane në Shqipëri mund të zgjatet edhe më tepër, me fakte, çka nuk mund të ndodhë në kufijtë e këtij artikulli. Gjithsesi e vërteta është e qartë kristal, siç thonë amerikanët. SHBA janë duke vjedhur Shqipërinë e vogël e të varfër, me sa të mundin. Nga kjo pikëpamje duhen parë marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA.
Por shumë shqiptarë kanë fituar para në SHBA dhe kanë ndihmuar familjet këtu, mund të thotë dikush. E çfarë pastaj? Ata kanë punuar dhe kanë fituar para, ashtu siç kanë bërë edhe rusët, grekët, serbët, kinezët, e njerëz të tjerë nga vende të cilët nuk i janë aspak mirënjohës SHBA. Shqiptarët madje kanë qenë ndër më të pafavorizuarit në SHBA. Ne shqiptarët nuk mund ta harrojmë se pas Luftës së Parë Botërore dhe sidomos pa Luftës së Dytë Botërore, qeveria amerikane ndihmoi greko-amerikanët duke fabrikuar biznesmenë të mëdhenj miliarderë greko-amerikanë, të llojit Onasis. Atëherë qeveria amerikane shiti me çmim të lirë, praktikisht falas shumë prej anijeve të transportit të ndërtuara me shumicë për qëllime ushtarake, dhe greko-amerikanët u favorizuan duke u përzgjedhur që t’ i blenë ato dhe të bëhen pronarë anijesh miliarderë, të cilët transportonin mallra në gjithë botën. Pati edhe shqiptarë që deshën të hynë në këtë biznes, mblodhën para brenda komunitetit, dhe kërkuan të blenë anijet shtetërore, por nuk u favorizuan nga qeveria amerikane. Kështu që në SHBA-të nuk u krijua dot një elitë biznesmenësh të pasur shqiptaro-amerikanë, dhe për pasojë as një lob i fuqishëm shqiptaro-amerikan. Janë disa gjëra që nuk harrohen.
Qeveria amerikane favorizoi greko-amerikanet qe nga pronarë tavernash me tym, ku kishin pasuri një buzuk dhe dy kurva, të bëhen miliarderë, si Aristotel Onasis, i cili pati arrogancën të martohet me vejushën e Presidentit Kennedy. Prej këtej edhe fuqia e lobit politik greko-amerikan. A i janë mirënjohës grekët e Greqisë SHBA për këto favorizime që iu bënë bashkëatdhetarëve të tyre në SHBA? Jo! Athina ndizet flakë nga protestat kur atë e viziton një President amerikan. Rasti i fundit ka qenë ai i Clinton në 1999. Që atëherë, pra prej 15 vitesh, asnjë President i SHBA nuk ka shkelur në Greqi.
Por SHBA na çliroi Kosovën, do të thonë. Bukur, por më duket se nga ne shqiptarët e Shqipërisë kërkohet që t’ i jemi mirënjohës SHBA për këtë gjë më shumë se ç’ janë vetë shqiptarët e Kosovës. Në zgjedhjet e fundit vendore në Kosovë, në kryeqytet, në Prishtinë fitoi Lëvizja “Vetëvendosje”, kryetari i së cilës Albin Kurti kishte deklaruar se Kosova është koloni amerikane. Intelektuali më i përkëdhelur dhe i sponsoruar në Kosovë nga ana e amerikanëve, Veton Surroi, bëri një debat të ashpër publik para dy vitesh me ambasadorin amerikan Dell, duke mos pasur aspak vetëfrenim nga vetëdija që SHBA kanë çliruar Kosovën. Zëvendskryeministri i tashëm i Kosovës dhe kryetari i një partie parlamentare, Behgjet Pacolli, ka pasur gjithashtu një qëndrim të ashpër ndaj SHBA, e megjithatë ai votohet nga një numër i madh shqiptarësh në Kosovë, siç e treguan dhe zgjedhjet e fundit vendore, ku partia e tij fitoi në Gjakovë, qyteti i Kosovës që ndoshta duhet t’ i ishte më së shumti mirënjohës SHBA për çlirimin nga Serbia. Përveç këtij antiamerikanizmi laik, nëse mund ta quaj kështu, në Kosovë, në nje rreth të gjerë të shoqërisë ka dhe një frymë të fortë antiamerikane që ka origjinë religjioze islamike.
Prandaj ne shqiptarët e Shqipërisë nuk mund ta pranojmë diktatin kolonial amerikan për shkak se SHBA paskan çliruar Kosovën! Madje mund të thuhet se në Shqipëri fryma antiamerikane tashmë vjen më së shumti nga Kosova. Ky është një fakt, sado paradoksal që të duket ai.
Amerikanët çuditërisht kanë bërë dhe veprime që nuk mund të keni shpjegim tjetër përveç atij se në Departamentin e Shtetit ka njerëz që me qëllim duan të nxisin antiamerikanizmin në Shqipëri. Unë si qytetar i Shqipërisë, e gjej shumë poshtëruese që në faqen zyrtare online të Ambasadës së SHBA në Shqipëri, në ndarjen “US Chancery in Albania” të thuhet se: “The U.S. Embassy in Tirana is a lovely Italian colonial-style building constructed in the 1920s.”
Kjo është një gjë shumë e rëndë, aq më tepër që thuhet nga ana e një zyre diplomatike. Këtu mungon krejt frazeologjia diplomatike dhe ka triumfuar retorika arrogante koloniale. Dhe kjo gjë thuhet në Shqipërinë e vitit 2014, në një kohë që në Maqedoninë fqinje SHBA kanë ndërtuar një kompleks madhështor ndërtesash, si seli për ambasadën e tyre në Shkup. Që Ambasada e SHBA në Tiranë, vazhdon të jetë në vitin 2014 në një ndërtesë të stilit kolonial italian, të ndërtuar pikërisht në kohën kur Shqipëria i ishte dhënë Italisë nga Lidhja e Kombeve me një mandat kolonial, kjo në gjuhën diplomatike përkthehet se SHBA janë në Shqipëri për të vazhduar një traditë koloniale.
Të gjitha këto shkojnë në llogarinë e resentimentit shqiptar ndaj SHBA-ve, e cila nuk është e vogël. Në Washington duhet ta dinë se kur në Prishtinë Albin Kurti thotë se Kosova është kolonia amerikane dhe Veton Surroi thotë gjëra sarkastike në adresë të SHBA, e të tjerë si zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nuk është më i përmbajtur se ata, atëherë në Tiranë duhet që të lëshohet kushtrimi “Vdekje pushtuesve amerikanë!” Fryma e indinjatës dhe animozitetit që u ngrit në Shqipëri me rastin e kërkesës amerikane për t’ i sjellë armët kimike siriane në Shqipëri për t’ i shkatërruar, duhet lexuar mirë në Washington, se ishte vec të tjerash, simptomë e një zemërimi të akumuluar në Shqipëri ndaj SHBA. Unë e di se në Washington punojnë me teknikën e skenarëve, dhe lëvizin vetëm kur nisin të shtënat e armëve. Kështu që në Washington do të shqetësohen vetëm kur në rrugët e Tiranës dhe të Shqipërisë të shkruhen slogane “Vdekje pushtuesve amerikanë!”, dhe kur të nisin të shtënat me armë apo shpërthimet që prekin interesat amerikane. Por në situatën që është bota sot, në këtë moment do të ishte tepër vonë. Një kryengritje e armatosur antiamerikane në Shqipëri do të ishte një shfaqje globale që do të bënte përshtypje të madhe në botë. Amerikanët nuk mund të mbështeten te Qeveria shqiptare për ta shtypur kryengritjen se qeveria shqiptare, së bashku me Policinë, Ushtrinë, Prokurorinë, SHISH do të gjendeshin në pozitën e kolaboracionistit, saktësisht siç ka ndodhur në Shqipëri në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
Unë tashmë mund të them se e njoh shumë mirë mënyrën se si veprojnë amerikanët në Shqipëri. Ata duan që të jenë sundues të plotfuqishëm të Shqipërisë, të nxjerrin të ardhura financiare sa të mundin nga vendi, në dëm të shqiptarëve, ndërsa zemërimin dhe urrejtjen që krijohet te shqiptarët për atë që punët shkojnë keq, ta kanalizojnë te politikanët shqiptarë, ndërsa ambasadori amerikan dhe zyrtarët e ardhur nga Washingtoni të dalin në rolin e atyre që ua duan të mirën shqiptarëve, por janë të pafuqishëm të bëjnë diçka të mirë në labirintin e politikës shqiptare, ku janë ngatërruar dashur pa dashur edhe vetë. Kjo është një gënjeshtër koloniale. Amerikanët mund t’ ia nisin fare mirë duke futur në burg disa “Firtashë” amerikanë që kanë vepruar në Shqipëri.
Në çdo rast diçka duhet bërë, dhe dikush duhet t’ ua shpjegojë atyre në Washington DC se kursi i marrëdhënieve amerikano-shqiptare po shkon drejt skenarit të rastit më të keq që është kryengritja e armatosur antiamerikane në Shqipëri, dhe se kjo gjë mund të ndodhë edhe më shpejt se sa imagjinon dikush në Washington.
Analiza ime natyrisht që mund të shpërfillet lehtë si antiamerikane. Por kjo nuk është pikëpamja e një antiamerikani, por e një njeriu që ka udhëtuar për gjithë natën në qershor 1991, nga Korça në Tiranë, në karrocerinë e një kamioni rus për të qenë në mëngjes në tubimin madhështor të pritjes së Sekretarit të Departamentit të Shtetit, James Baker në Tiranë. Në atë kohë në Shqipëri mjetet e komunikimit publik qenë shumë të kufizuara, dhe pikërisht në atë ditë as që bëhej fjalë për të gjetur vend në autobusat e paktë ose në trenin e vetëm, se kishte mijëra e mijëra njerëz që ishin nisur për të pritur James Baker. Ata që më pas u bënë të preferuarit e ambasadës së SHBA në Tiranë, nuk do t’ i gjesh në shesh nëse shqyrtohen me vëmendje pamjet televizive të shumta që ekzistojnë për tubimin, jo vetëm nga televizioni i vetëm shqiptar, por edhe nga televizionet amerikane dhe të vendeve të tjera. Por kjo gjë nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se ka ardhur koha që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të kenë një pikë kthese, dhe ose të hynë në kursin e duhur, ndryshe do të ketë një ndarje faktike, me implikime të panjohura edhe për Kosovën./Kastriot Myftaraj
Burimi – Facebook


Leave a Reply