
Fllad i vendlindjes
Me lot kam shuar valën e detit,
Është fikur dhe ylli me dritë.
Zgjatur janë rrugët e kurbetit,
Varr dhe plagë zemre në Amerikë.
Këndon bilbili këngën pa shije,
Xixëllonja ndriçon, dritëverbuar.
Valë mbi valë valëzim Shqipërie,
Valëzim vale zemër përvëluar.
Gjurma e shpirtit lemerisur,
Vit mbi vit paluar vetminë.
Dielli dhe hëna erratosur,
Larg shumë larg verbuar djelmërinë.
Tërfonja e argalisur zaptuar ka pragjet,
Frymëmarrja zmadhonte fletën e saj.
Dielli vesës ia puthte faqet,
Mëngjesi përqafohej me lugina e pllaja.
O fllad i vendlindjes, o diell, o hënë,
Aromë pranvere, qetësi e shpirtit tim.
U arratisa prej teje, por vetë s’e mora dhenë,
I arratisur prej teje pikon loti im.
O aromë tërfonje më grafullo përsëri,
O këngë e bilbilave, largomani këtë vaj.
O fllad i verës m’i thaj këto sy,
O dallgë të oqeanit, më afroni pranë saj.
O fllad i vendlindjes, o diell, o hënë,
Aromë pranvere qetësi e shpirtit tim…
Ndue Hila


Leave a Reply