Nga Gëzim Kabashi
Pamja e Durrësit ndryshoi dukshëm në vitet 1930, kur ndërtimet publike dhe ato private ndërthuren në sasi dhe cilësi. Brenda një dekade në qytet ngrihen godina madhështore për kohën si Banka e shtetit (1925), Bashkia (1929), hotel “Vollga” (1939), Xhamia e Madhe (1940), apo Vila mbretërore (1926). Kjo e fundit, dhuratë e tregtarëve të qytetit për Ahmet Zogun (në atë kohë president i Republikës), rindërtohet plotësisht në vitin 1937, kur përgatitej ceremonia e martesës mbretërore.
Një qytet ku ndërtoheshin godina të tilla sigurisht kishte mjeshtrat e vet arkitektë e ndërtues, karpentierë e llamarinistë. Dhe sigurisht nuk ndërtonte vetëm godina luksi, por edhe shtëpi dinjitoze, me arkitekturë moderne për kohën, që fatmirësisht kanë mbetur thuajse të paprekura në rrugën Tregtare, dhe më pak në rrugën “Skënderbej”, “Aleksandër Goga” e në bulevardin “Dyrrah”.
Në punimin e tij “Industria, zanati e ndërtimi në Durrësin e gjysmës së parë të shekullit XX”, studiuesi Danish Bebeziqi konstaton se qyteti brenda 30 vjetësh arriti një popullsi prej 13 mijë banorë, duke i katërfishuar shifrat e fillimshekullit. Tërmeti i vitit 1926 i dha mundësinë qytetit që të ndryshonte pozitivisht imazhin e tij. Numri i ndërtimeve, por mbi të gjitha, cilësia e tyre u detyrohen vëllezërve sipërmarrës Çetaku (Toska), Hajdarit dhe Rexhepit.
Sipas dëshmive të kohës, shumica e godinave të rrugës Tregtare, nga Bashkia deri në hyrjen e portit detar, janë frut i punës së tyre. Gjurmët e veprimtarisë së tyre në ndërtimet civile dhe ato botore të kohës i kanë lënë edhe ustallarët Ramazan Çullhaj dhe Mustafa Lloshi.
Arkitekti Kristo Sotiri, i njohur edhe në Itali e Rumani, në fund të veprimtarisë së tij projektoi disa godina në Durrës, ku bie në sy Mauzoleu i Dëshmorëve të qytetit.
Inxhinier Teufik Kalatsi ishte një tjetër projektues i njohur i godinave dhe banesave të qytetit antik. Durrësi po shndërrohej në një qytet evropian, me vila dhe banesa të rrethuara me kangjella dhe lule, i hapur për diellin mesdhetar dhe erërat e jugut.
Po profesionet e tjera? Zdrukthtarët Punishtja e mjeshtrit zdrukthtar Fran Kalebota ka qenë shkolla e parë ku u përgatitën ustallarët e tjerë Jusuf Hidri, Rasim Banka, e plot të tjerë. Në vitin 1941 mjeshtri Jusuf Hidri, pasi kishte punuar në objekte të rëndësishme si Vila Mbretërore apo Shkolla Amerikane ngriti punishten e tij, me makineri të markës “Breveta”, ku punësoi 6 punëtorë. Në punishten e Hidrit u kryen punime me art e finesë – shkruan historiani Danish Bebeziqi.
Më vonë u hapën edhe mobileritë e mjeshtrave Qazim Idrizi, Harilla Çipi e Kolë Curri. Marangozë mjaft të njohur në Durës ishin edhe Nush Shkjezi, Mark Stanaj, Besim Dedej, etj.
Kovaçët
Mjeshtrat më të njohur të rrahjes së hekurit në Durrës kanë qenë Vasil Goga dhe Koçi Beligradi, e po ashtu dalloheshin si kovaçë edhe Osman Arapi dhe Alush Aliu. Teneqepunues mjeshtër ishte Lodovik Shkjezi e Ismet Tetova. Po ashtu njihej edhe Vas Netja, i cili kujtohet si një nga hokatarët më të mëdhenj në qytet. Vas Netja ishte ngjitur me sukses edhe në skenën e trupës amatore të estradës.
Rrobaqepësit
Qëndisja e veshjeve kombëtare në shekullin e 19-të në Durrës bëhej nga familja Velja. Më pas në qytet mbërriti nga Prizreni familja Mazrreku, mjaft të njohur në këtë fushë.Si qeleshepunues 100 vjet më parë njihej Dylaver Rexha. Durrësi kishte rrobaqepës mjaft të zot, që përdornin stofra nga më të mirat dhe modele të porositura në Evropë. Vangjel Korreta ishte një nga rrobaqepësit më të mirë të Durrësit, të cilit shpesh i drejtohej edhe Mbreti, si dhe nëpunësit e bashkisë, bankës apo bandës muzikore të qytetit. Në vitin 1935 diplomohet në Athinë mjeshtri Aristidh Dimroçi, i cili e ushtroi rrobaqepësinë si një art, njëlloj si e motra Vitore Nako. Rrobaqepës të njohur në Durrës ishin edhe Stefan Dushi, Arif Mujali, e Raif Xhuli.
Këpucarët
Durrsakët, këpucët i punonin te mjeshtrat Pal Noka, Muharrem Karapici, (i cili hapi edhe një punishte të madhe), Surja Emiri, Namik Gojani, Besim Kajsiu, Beqir Mandija, Hasan Enesi, etj. Mbërritja e Petro Sudarit, i cili ishte vlerësuar si “mjeshtër i përkryer” në Paris dhe në Vjenë ia rriti prestigjin Durrësit dhe këtij profesioni. Sudari u bë mjeshtër i oborrit mbretëror, çka i kushtoi më vonë internimin e përjetshëm në Shijak. Durrësi në atë kohë ishte qendra e eksportit të lëkurës, sipërmarrjen e së cilës e drejtonin Vëllezërit Gjata. Në Porto Romano, Agjeh Mezini ndërton një fabrikë përpunimi lëkurësh, ndërsa vëllezërit Bakiri hapën punishten e prodhimit në seri të këpucëve si dhe tregtimin e tyre. Murat dhe Tahir Bakiri u bënë shumë të njohur për cilësinë e prodhimeve të tyre në të gjithë tregun shqiptar.
Orëndreqësit
Shumica e orëndreqësve të shquar të Durrësit kanë dalë nga familja Kapidani. Kujtimi i më të shquarit prej tyre, Rizait ka mbetur në orën e madhe të qytetit. Shumica e pasardhësve e kanë trashëguar profesionin e babait dhe gjyshit të tyre. Fotografët Shkollën durrsake të fotografisë e hapi rilindasi me shpirt artisti, Stefan Kaçulini. Pas tij punoi firma Mazrreku dhe Palok Gurashi, ndjekur nga djaloshi Prokop Meksi. Ndërkaq në Kavajë filloi veprimtarinë e tij i riu Esat Hafizi. Berberët Berberët shpesh herë ishin edhe mjekët popullorë të qytetit. Më të njohurit ishin Jakup Dakoli, pasardhësit e të cilit e kanë trashguar profesionin, e më pas Ali Rubiku, Beqir Belba, Osman Rexha, i njohur edhe për humorin e hollë, Ramazan Kila e plot të tjerë.
Furrtarët
Mjeshtrat e furrës dhe pjekjes së tavave në Durrës ishin djemtë e familjeve Balla, Curri, Gjinali, Koçiaj, Çaushi, Lulolli, Dyzeni, Haxha, Dërrasa, e deri te furra elektrike e ngritur nga Xheladin Kuqi. Shërbimet ushqimore Shitësit e mishit ishin mjaft të njohur në Durrës. Pas Vasil Vavës dhe Prokop Hebës, të tjerët njiheshin vetëm me emrin: usta Simi, Selimi, Moli, Shaboni, Miti, Vasili. Bulmetin e punonin mjeshtrat Hajdar Ballgjini, Baftiar Disha dhe Musa Llulla. Shefa kuzhine të specializuar jashtë vendit si Sinan Mjeshtri apo Ali Cara konkuronin me restorantet e Abedin Abedinit, Hajrullahun e Hajdar Ballgjinin. Emrat e pastiçerive të Durrësit nuk u harruan edhe gjatë 50 viteve të diktaturës. “Bella Venezia” e Misto Tasellarit, ëmbëltoret “Hoxha”, “Reka”, “Dokle”, “Dundi”, etj. si dhe akullorja e famshme “Bllaca” me mjeshtër të parë Fetahun.
gazetaedurresit.com



Leave a Reply