![]()
Nuk është aspak e vërtetë se kishat në Maqedoni po i ndërton bashkësia etnike maqedonase, por vetë shteti dhe më pak e vërtetë se ata po e vërtetojnë identitetin e tyre. Përkundrazi, ata madje po krijojnë konfuzitet absurd kur në njërën anë identitetin sllav po e forcojnë me ndërtimin e kishave, kurse në anën tjetër struken në identitetin e shpifur antik, duke projektuar ngrehina që nuk korrespondojnë me mbamendjen kolektive dhe me strukturën e tyre etnopsikologjike
Lidhjet tona me botën shprehin kulturën dhe vokacionin shpirtëror e material të njerëzve që lëvizin. Shpesh na ka rënë të shohim kartolina me pamje nga Maqedonia nëpër vende të ndryshme të botes. Vizitorë të shumtë gjatë qëndrimit këtu, kanë bartur me vete impresione në formë të eksponateve, zbukurimeve, skicave, kartolinave etj. Ajo që bie në sy tek i shikon të gjitha këto imazhe, është dominimi ekstrem i kulturës kishtare ortodokse dhe i traditës sllave. Dominojnë ikonat, kishat, manastiret, kryqet dhe të gjitha shenjat urbane e estetike të traditës sllave. Mund ta imagjinoni se çfarë informimi të njëanshëm për Maqedoninë marrin të gjithë ata që i posedojnë këto materiale propagandistike.
Ku janë piktorët, fotografët, arkivistët, grafistët shqiptar? Për të mos e thjeshtëzuar këtë pyetje do të duhej t’ia shtojmë edhe mospasjen sens të atyre pak institucioneve tona ndaj kulturës shqiptare, sidomos asaj që duhet të prezantohet jashtë. Kryqëzimi i një e më shumë kulturave në Maqedoni ishte proces i natyrshëm i ngjizjes së qytetërimeve të lashta në këto hapësira. Asnjë kulturë nuk ka mundur e vetme të zhvillohet, prandaj na duket paksa absurde ky dominim i peizazheve sakrale bizantine në udhërrëfyesin turistik për Maqedoninë.
Por, atë që s’e bëjnë të tjerët për ne, duhet ta bëjmë vetë ne. Ashtu siç po prezantohen me sukses disa ansamble muzikore shqiptare nëpër vende të ndryshme të botës, njësoj duhet të reflektohet jashtë edhe koloriti i kulturës shqiptare në Maqedoni. Peizazhi i bukur i vendbanimeve shqiptare, tradita e veshjes dhe jetës, stilet e ndërtimit , gdhendja e drurit etj. mund të jenë pikat kryesore referuese nga duhet të lëvizë vëmendja e një turisti të huaj kur vjen në Maqedoni. Bashkë me kureshtjen për të eksploruar pika ekzotike, vjen edhe potenca financiare, andaj ata që kanë ngurruar deri më tani të nxjerrin në pah vlerat kulturore e estetike të viseve dhe traditës shqiptare, është koha ta bëjnë tani. Në të kundërtën ka rrezik që shqiptarët të bien në kurthin e manipulimit mediatik, që i bënë ata jo si janë, por ashtu siç duan t’i paraqesin qarqe e institucione të caktuara këtu dhe jashtë.
Një koment i paradokohshëm i gazetës amerikane ”Wall Street Journal” kushtuar Maqedonisë ka mjaftuar të shohim një kënd të posaçëm perceptimi të gazetarëve të huaj për këtë pjesë të Ballkanit.
”Maqedonia përballet edhe me konflikt të brendshëm kulturor. Nëse do të kishit vizituar Shkupin para një dekade do të hasnit në një vend në buzë të luftës qytetare midis maqedonasve sllav dhe shqiptarëve mysliman. Bashkësia etnike maqedonase ndërton kisha dhe e vërteton identitetin e saj, ndërsa shqiptarët etnik janë të zënë me ndërtimin e xhamive të reja”, shkruante Wall Street Journal.
Konflikt kulturor? Çfarë konflikti? Kush me kë është në konflikt? Disa pyetje të munguara që ngelin pa përgjigje në artikullin e ”Wall Street Journal”. Dioptria e shtrembëruar dhe e reduktuar për gjoja konflikt të brendshëm kulturor vjen si pasojë e institucionalizimit të angazhimit religjioz në disa sfera publike këtu në Maqedoni.
Para se të ketë konstatuar për ndonjë “konflikt të brendshëm kulturor”, autori ka qenë mirë ta ketë analizuar fillimisht një konflikt tjetër që është më i dukshëm në Maqedoni – konflikti në mes shtetit dhe religjionit. Nëse doktrina politike e kryeministrit aktual mbështetet në shumë resurse ideologjike e praktike të ortodoksizmit sllav, duke i bërë ato pjesë të dekorit shtetëror, që nga përurimi i objekteve përmes shugurimit nga priftërinjtë e deri te projekti luksoz i lidhjes së Kryqit të Mileniumit në Vodno me një teleferik të kushtueshëm dhe modern, atëherë s’ka si të mos na bie në sy mungesa e kufirit që ndan shtetin nga religjioni.
Krejt këtë histori tragjikomike e bën absurde të qenit e qeverisë sponsore financiare e aktiviteteve e ndërmarrjeve me karakter puro religjioz. Shfrytëzimi i parave publike për projekte njëfetare është konflikti më i madh në mes qytetarëve dhe qeverisë, në mes konceptit laik dhe fetar të shtetit.
Artikullshkruesi i “Wall Street Journal” konstaton se “bashkësia etnike maqedonase ndërton kisha dhe e vërteton identitetin e saj, ndërsa shqiptarët etnikë janë të zënë me ndërtimin e xhamive të reja”. Një perceptim sipërfaqësor për një problem i cili meriton analizë më të thellë. Nuk është aspak e vërtetë se kishat në Maqedoni po i ndërton bashkësia etnike maqedonase, por vetë shteti dhe më pak e vërtetë se ata po e vërtetojnë identitetin e tyre. Përkundrazi, ata madje po krijojnë konfuzitet absurd kur në njërën anë identitetin sllav po e forcojnë me ndërtimin e kishave, kurse në anën tjetër struken në identitetin e shpifur antik, duke projektuar ngrehina që nuk korrespondojnë me mbamendjen kolektive dhe me strukturën e tyre etnopsikologjike.
Kishat po i ndërton shteti, me paratë publike, të taksapaguesve të të gjitha etnive e feve dhe këtu qëndron dallimi fondamental me ndërtimin e xhamive, të cilat, megjithatë po ndërtohen me para private. Me siguri asnjë veprimtari fetare nuk do të meritonte avokati, nëse ajo e prishë harmoninë etnike e fetare të një shoqërie, përfshi edhe ato të përkatësisë fetare Islame.
Por, ajo çka meriton analizë dhe sqarim pas leximit të artikullit të “Wall Street Journal” ka të bëjë me demistifikimin e “konfliktit të brendshëm kulturor” i cili paraqitet më tepër si perceptim i largët dhe paksa i ekzagjeruar se sa si një realitet faktik. Diversiteti fetar e linguistik i një shoqërie nuk do të konsiderohej me automatizëm si konflikt kulturor, nëse në praktikë nuk ndodhin tendenca konfrontuese që do të shfaqeshin në terren dhe në jetën e përditshme të njerëzve. Në Maqedoni, së paku, nuk ka pasur tendenca të tilla, përpos atyre të sponsoruara nga vetë shteti. (KOHA, Shkup)


Leave a Reply