Besimtarët bektashinj kremtojnë sot fetën e Sulltan Novruzit. Kjo ditë përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut dhe ndryshe njihet nga besimtarët bektashinj si dita e rilindjes së madhe. Dita e Sulltan Novruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane. Sipas traditës, besimtarët e nisin ditën me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie dhe paqe.
Me rastin e kësaj feste në mjediset e Selisë së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvillua ceremonia tradicionale fetare ku Kreu i Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj uroi të gjithë besimtarët për më shumë dashuri dhe paqe me njëri-tjetrin.
“Sot në këtë ditë të bukur të pranverës, 22 marsit, festës së Sulltan Nevruzit dhe lindjes së madhit Ali, ju uroj paçi bekim kurdoherë në veprat tuaja të mira, Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqim në udhën tuaj. Duke ju falur kësaj drite gjejmë udhën tek i Madhi Zot për të na lehtësuar si gjithmonë me praninë e tij qëllimin tonë për tu afruar drejt tij. Duke pranuar lutjet tona ai na frymëzon për të zbuluar në zemrën tonë atë që është më e mira, të cilën ai vetë me dashuri hyjnore ka vendosur në të. Ne të gjithë sëbashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në udhën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën, mbi të gjitha paqe me veten tonë”, tha baba Mondi.
Ceremonia u hap nën tingujt e hymnit kombëtar të flamurit, ndërsa nuk munguan edhe mesazhet Baba Edmond Brahimaj për më shumë përkushtim moral dhe atdhetar.
“Rruga e Zotit është e vlefshme për të gjithë, në këtë rrugë merr kuptim jeta. I lutem Zotit të lartësuar të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar, duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë. Të falim dashuri tek njeriu për njerinë, shpirtin human dhe lumturinë familjare. O Zoti Ynë bëj që me madhërinë tënde i gjithë njerëzimi nga Lindja në Perëndim të shtrohet me flamurin e paqes, të lirisë, bashkimit dhe vëllazërisë për të gjithë. Ne jemi bijtë e tu e prapë tek ty do të kthehemi, qofshim në dashurinë dhe në kujdes të Zotit. Zoti na bekoftë të gjithë, amin!”, u shpreh ai.
Meta: Kjo ditë sjell shpresa të reja për të gjithë
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, ka vizituar sot Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë me rastin e festës së Sulltan Novruzit, ku u takua me kreun e kësaj selie, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Në këtë vizitë ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, deputetja znj. Monika Kryemadhi
Duke folur për mediat pas vizitës, Meta ka uruar të gjithë besimtarët bektashianë në ditën e Sulltan Novruzit, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë për një të ardhme më të mirë, për më shumë shpresë dhe për më shumë bashkëpunim. “Në këtë ditë të mrekullueshme të Sulltan Novruzit, në këtë ditë të re, që sjell shpresa të reja për të gjithë, dua të uroj të gjithë besimtarët bektashianë, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë për një të ardhme më të mirë, për më shumë shpresë dhe për më shumë bashkëpunim. Jam i bindur se kjo është një ditë që na fton të gjithëve për të qenë më të mbarë dhe më besimplotë drejt së ardhmes”, u shpreh ai.
Basha: Kjo ditë simbolizon shpresën dhe besimin tek e ardhmja
Kryetari i PD, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka uruar sot besimtarët bektashinj me rastin e festës së Sulltan Novruzit. Urimin e tij zoti Basha e ka përcjellë nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve.
“Të gjithë besimtarëve bektashinj dua t’i uroj gëzuar Sulltan Novruzin. Sot dua t’u uroj të gjithë shqiptarëve të çdo besimi këtë ditë të veçantë, e cila shënon fitoren e dritës mbi errësirën dhe në këtë mënyrë simbolizon shpresën dhe besimin tek e ardhmja. Simbolizon faktin që në natyrën e gjërave, natyrën e punëve të Zotit, të perëndisë dhe në vetë natyrën njerëzore e mira triumfon mbi të keqën. Është pra, një ditë e shpresës, një ditë e besimit, ndaj është një ditë për të gëzuar të gjithë qytetarët, të gjithë njerëzit pavarësisht prej besimit të tyre fetarë. Gëzuar për shumë vjet!”
(gazeta-Shqip.com)



Leave a Reply