Një i njohuri im thotë se nga tre shqiptarë dy flasin me vete! Dhe nëse shifra është e ekzagjeruar, fenomeni nuk është një sajesë, një barsoletë apo një trillim i një mendjeje të mbrapshtë. Përbën një realitet. Një realitet të hidhur, të prekshëm, të dallueshëm; tipar i simptomave dhe sëmundshmërisë së kohës sonë, haraçi që i paguajmë modernitetit, asaj që quhet çrregullim i personalitetit. Po ta shikojmë problemin në një plan më të gjerë, ajo tregon pafuqinë e individit për t’iu përgjigjur situatës, për të zgjidhur problemet e veta ekzistenciale, për të përcaktuar vendin dhe rolin e tij në komunitet, dhe në radhë të parë humbjen e besimit tek shteti dhe institucionet. Vetë sistemi i ekonomisë së tregut, i konkurrencës së lirë i vë individët në një garë të fortë, të pandalshme, ku gjithsecili kërkon të realizojë performancën e tij, që do t’i siguronte një varg të mirash materiale dhe një pozitë sa më të favorshme në shoqëri. Kuptohet aftësitë, fuqitë, mundësitë, burimet janë të limituara. Kjo nxit rivalitetin, konfliktin, absurdin; përdorimin e një sërë metodash dhe mjetesh që dekonspirojnë aksionin shoqëror, ku qëllimi bëhet primar dhe legjitimohet joreciprociteti në shpërndarjen e produkteve dhe pasurisë. Shteti është garantuesi i rregullave të lojës së ndershme, i barazisë përpara ligjit, krijuesi i mekanizmave mbrojtës social, që zbut dhe neutralizon agresivitetin, krijon premisat, gjasat për kohezion. Mungesa e efektivitetit të tij e bën situatën tepër të komplikuar, kritike dhe gjeneron një varg fenomenesh dhe pasojash negative, si kjo e të folurit me vetveten. Të folurit me veten tani nuk konsiderohet shëmti, rënie morale, bjerrje të vlerave; përkundrazi është një lloj mode, identifikimi me masën e të ngjashmëve të tu; të shpëton nga kusuret, nga taksiratet, nga paragjykimet, është një lloj argumenti, alibie dhe terapie shëruese. Ti je folësi dhe dëgjuesi, bartësi i hallit dhe nevojës tënde, ai që drejton pyetjen dhe që duhet të gjejë dhe përgjigjen e ekuacionit, që duhet të zgjidhë fjalëkryqin me njëqind apo njëmijë të panjohura. Mund të jesh burrë ose grua, i ri ose i vjetër, banues në zonat urbane apo rurale, me shkollim fillor, të mesëm apo të lartë, nuk ka asnjë përjashtim. Ah po, në varësi të statusit shoqëror ndryshon vetëm niveli i artikulimit dhe emocionalitetit të monologut, shprehitë dhe mjetet stilistike, ato që rëndom cilësohen si elemente të formës. Përmbajtja është po ajo, tokë e djegur e shkretuar, hapësirë pa anë e pa skaj, pa gjelbërim, pa lule dhe pa zogj, pa të tashme dhe pa të ardhme, me akrepa që kanë ngecur si heje akulli në të shkuarën. Gëzimi është shumëformësh, shumëdimensional, ka ngjyra ylberi, kurse hidhërimi, fatkeqësia kanë njëtrajtësi, janë qiell i mbyllur, i zymtë, napë sterrë e zezë.
Dhimbja, gjakimi i plagëve, pezmi që është përhapur në qeliza dhe deje, është njësoj i trashë, i rrëshirshëm, i papërpunueshëm nga rafineria e zemrës dhe e mendjes. Të gjithë heqësit, ndjehen sikur ua kanë shkulur zemrën vendit, sikur i kanë hedhur në vajë të nxehtë, apo në një ishull ku zërin dhe brengën e tyre se dëgjon askush; sikur kanë lindur në vendin dhe kohën e gabuar dhe truajnë, mallkojnë pareshtur, me një vikamë ulëritëse. Një vikamë e mistershme, rrënqethëse, si jehona e një gjëmimi të largët që paralajmëron stuhinë dhe nga çasti në çast mund të shpërthejë rrëketë e shiut përmbytës… Rrëketë që zbresin nga malet, nga luginat, nga honet e thepisura, që marrin me vete ç’tu dalë përpara dhe përfundojnë në det. Në detin e harresës, të mosekzistencës, ku shija e lotit ka ngjerimin e kripës; kthehet në një uverturë, simfoni melankolike valësh; apo në një dallgë të pashtershme që fuqinë e saj shkatërrimtare e zbraz drejt brigjeve shkëmbore. Dallgët e detit shprehin dufin, pakënaqësitë, vajet, ofshamat e shumë krijesave të pafajshme, e shumë brezave, në shekuj dhe mijëvjeçarë; janë kujtesa jonë e përçudnuar, herioglifet në pergamenë, muzeumi pa cicëron; amanetet dhe historia e pashkruar. Leximi dhe kuptimi i kësaj mase të ujshme, shkumore, eterike, është më i vështirë se zbërthimi i vijës së dorës, se ç’kodifikimi i mesazhit të ëndrrave dhe sekretit të numrave.
Mund të ndodhë që brenda një dite, në të njëjtën rrugë, të hasni një grua të re të dhunuar sistematikisht nga i shoqi, në prag divorci, që sapo ka dalë nga gjykata pa gjetur dot drejtësi; një të ri që vërtitet nga ta shpien këmbët se ka kohë që është i papunë, një studente të diplomuar prej disa vjetësh që është përballur me burokracinë dhe indiferentizmin e zyrtarëve, që pritja i është kthyer në një makth, një kryefamiljar që vazhdon të jetë në asistencë me shpresën e vakët se dikush do të ketë nevojë për krahët e tij, disa të tjerë të zbritur nga zonat e thella të veriut që dynden për nga ushtari i panjohur si drejt tokës së premtuar, një ish pronar që në vend të pronave shtrëngon letrat e tapive të vjetra në duar, një ish të përndjekur pa shtëpi dhe katandi që pret marrjen e këstit të premtuar për të larë borxhet e shumta që ia kanë pirë gjakun ditë pas dite mu si shushunjat. Hallet i kanë të ndryshme sepse halli hallit nuk i ngjan, porse të gjithë flasin me vete. Një kor njerëzish, një luzmë nevojtarësh që mbartin drama, tragjedi të mëdha. Ky është ngushëllimi i vetëm që kanë gjetur, melhemi për plagët e shpirtit, për të mbajtur mendjen e të mos i zënë me gurë.
Kurse në ekranin gjigand të një bari aty pari, sekuencat filmike të edicionit të lajmeve flasin pareshtur për statusin për në Evropë, për gazsjellësin TAP, për marrëveshjen e ujërave me Greqinë, për njëqindvjetorin e pavarësisë, për planet e opozitës për një “Rilindje”, që përngjan me teoritë budiste me qasje nga e përtejmja. Më tej në sfond, varur pranë e pranë një flamur dhe një banderolë me shkronja të mëdha: “Jam krenar që jam shqiptar!”. Mbi trungjet e disa pemëve me lëkura të vjetra, të rrjepura nga gdhendjet me biçak, disa afishe njoftojnë për koncertin live të një këngëtareje seksi. Ilustrimi me foto erotike i VIP-es në fjalë, nuk lë vend për dyshime. Ndërsa ata që flasin me vete shtohen ditë pas dite. Nuk di të them në janë të majtë, të djathtë apo të qendrës, po ky dalëngadalë po u kthehet në një ves, në një zakon të keq, në një sindromë të pariparueshëm.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply