Nga Gëzim Tushi
Unë besoj se rritja që ka pësuar sasia dhe intensiteti i dhunës mbi femrat në Shqipëri, përveç arsyeve të tjera që nuk lidhen me tipologjinë e marrëdhënieve të natyrshme të burrit me gruan, të mashkullit me femrën, është e kondicionuar nga kultura e deformuar që tradicionalisht e ka patur pjesë të paragjykimeve të saj shoqëria shqiptare. Me siguri që për shumë arsyeve me natyrë historike, kulturore, gjeopolitike dhe sociale akoma një pjesë e mirë e njerëzve tanë ka patur dhe vazhdon të ketë një përfytyrim të kufizuar për femrën si identitet, për statusin biologjik, për personalitetin individual njerëzor dhe rolin e ndryshuar social të saj. Në se problemin e dhunës mbi femrën do ta shikojmë nga kjo anë dhe me optikë më të qytetëruar, në se ontologjinë dhe tipologjinë e saj do ta shohim dhe vlerësojmë duke e parë historikisht dhe sidomos aktualisht, do të shikojmë se në përgjithësi në rajonin tonë dhe në shoqërinë tonë femra është parë dhe vlerësuar si qenie me destinacion social të kufizuar.
Qoftë nga pikëpamja psikosociale dhe duke e vlerësuar në të gjithë spektrin e gjerë të roleve që ajo ka luajtur, qoftë për shkak të disa të vërtetave të deformuara nga pikëpamja sociale që janë të lidhura me perceptimin biologjizant, sidomos me destinacionin e deformuar dhe semplifikimin e funksioneve që lidhen me seksualitetin specifik të femrës. Prandaj shumë gjëra që lidhen me dhunën gjinore janë të lidhura me aftësitë akoma të “kufizuara” për të vlerësuar me objektivitet biologjik, drejtësi sociale dhe humanizëm “botën e femrës”. Në të vërtetë qoftë problematika sociale dhe konceptimi i “roleve seksuale” për femrën janë të kondicionuar nga fakti që në kohën e sotme në shoqërinë shqiptare paragjykimet gjinore dhe interpretimet seksiste për femrat kanë një bazë historiko-kulturore. Në një kuptim më të gjerë këto qëndrime që kanë të bëjnë me dhunën fizike, psikologjike dhe deformimi i perceptimit të seksualitetit të femrave në shoqërinë tonë, kanë shkaqet e tyre objektive dhe subjektive. Të vlerësuara në thelbin e tyre, në format e shfaqjes dhe intensitetin e ndryshuar për keq të kohëve të fundit, nuk mund të mos themi, se këto qëndrime jo apo anti feminist janë më shumë recidiva të së kaluarës, pasoja të përfytyrimeve ngushtësisht biologjizante dhe seksiste të roleve të saj.
Kjo është arsyeja pse edhe tani pasi kanë kaluar dy dekada të transformimeve demokratike dhe zhvillimeve të jetës moderne, në shoqërinë tonë pavarësisht alambikimeve teorike, sociologjizante, politike, moralisht patriarkale apo thelbësisht feministe që bëhen, duket qartë se kultura jonë për femrën dhe rolin e saj polyvalent biosocial ka akoma difekte dhe recidivon përsëri duke u bazuar në disa parime të vjetra të shoqërisë tonë të së kaluarës. Në të vërtetë, për femrën si qenie sociale, për rolin biologjik dhe destinacionin social të saj, për identitetin specifik gjinor, veçanërisht për rolin dhe identitetin seksual, në shoqërinë tonë duhet bërë një revolucion i vërtetë social, për të çliruar gratë nga “mallkimi” dhe pengesat që u sjell seksualiteti i tyre. Vetëm kështu mund të largohemi nga paradigmat e vjetra dhe shikimet sempliste dhe seksiste që e konsiderojnë atë si qenie me role të paravendosura, e paragjykuar në optikën e përgjithshme të shikimit dhe vlerësimit të saj në “tri role” fatale, që njerëzit me mendësi të kufizuara maskiliste i lidhin me natyrën e veçantë të seksualitetit të saj.
Përgjithësisht, përfytyrimi dominant i shoqërisë tonë akoma është i vjetër, arkaik, biologjizant. Sepse shoqëria akoma në një masë të konsiderueshme mendon se femra është për “tjetër punë” apo se ajo nuk mund të kërkojë të dalë nga rolet e determinuara me të cilat e ka “ngarkuar” biologjia e vet.
Në se do të bëjmë një retrospektivë sociale të vlerësimeve maskiliste të së kaluarës dhe qëndrimeve aktuale, do të shikojmë se akoma nuk e kemi shpëtuar shoqërinë dhe femrat tona nga “prangat” e ndryshkura të biologjizmit dhe seksizmit. Sepse akoma shumë njerëz qëndrojnë pranë femrës duke e vlerësuar atë në mënyrë të ngushtuar, duke e parë në limitet e ngushta të spektrit të erotizmit dhe seksualitetit të saj. Kjo mendoj unë është arsye madhore me peshë, me shumë forcë sociale dhe ndikim konceptual në shoqërinë tonë e cila ka bërë që koncepti për “botën e femrës” në raport me emancipimin e kohës dhe zgjerimin e të drejtave integralisht humane të femrës të ndryshojnë fare pak. Nuk do të ishim të sinqertë në se nuk pranojmë se në shoqërinë tonë ideologjia e maskilizmit është akoma e fortë dhe me pasoja mbi personalitetin e femrës, që “legalizon” dhunën gjinore dhe diskriminimin seksual të tyre. Akoma idetë janë të forta në shoqërinë tonë idetë e vjetra që frymëzojnë qëndrimet maskiliste, që nxitin dhunën fizike dhe seksuale mbi to, që frymëzojnë tek shumë meshkuj idetë konservatore antifeministe, që dikur kanë qenë tipike për shoqërinë tonë.
Madje, ky koncept tashmë është bërë moralisht më i aliazhuar dhe teorikisht më i rafinuar. Por po qe se qëndrimet e shoqërisë ndaj botës së femrës do t’i zhveshim nga ambalazhet e dukjes do të shikojmë se në thelb janë po ato ide dhe qëndrime antifemërore, por të ambalazhuara me petka të reja të maskilizmit në dukje modern. Kjo është arsyeja pse meshkujt shqiptarë kanë akoma përfytyrime të ngushta për femrën dhe seksualitetin e saj, për raportet e seksualitetit me individualitetin dhe qytetarinë e femrave të kohës sonë. Të cilat nuk janë më ato qenie që dikur kanë qenë mësuar dhe vullnetarisht e kanë pranuar rolin e tyre të kufizuar seksual, i cili ka qene shkaku themelor dhe vazhdon të jetë edhe sot, sipas të cilës roli i saj është i përcaktuar në “trekëndëshin fatal” të roleve biologjike dhe destinacioneve seksuale që e kufizon femrën vetëm në role që lidhen me seksualitetin e saj, që kjo kufizon shkimin social, dhe natyrshëm edhe vlerësimin e femrës vetëm në rolet tradicionale duke e parë atë vetëm si bashkëshorte, nënë, dashnore.
Në këtë spektër të ngushtë shikimesh dhe trajtimesh ka qënë dhe akoma vazhdon të mbetet qëndrimi ndaj gruas në shoqërinë tonë. Pavarësisht periudhave që kanë kaluar apo alambikimeve teorike që e kanë shoqëruar pozitën erotike dhe seksualitetin e femrave, duket se ka qënë dhe mbetet një detyrë sociale për shoqërinë tone, që të krijojë të gjithë kushtet që të synojmë lartësimin e personalitetit social. Bashkë me të edhe të veçantat e erotizmit dhe seksualitetit femëror. Të cilat nuk janë më as “pronë private” e meshkujve as “pronë publike” e shoqërisë. Gjithcka tek femrat e kohës sonë është vetëm “prone” sui generis e tyre (femrave).
Nuk është normale që nga qëndrimi “burrëror” dhe nënvlerësues i erotizmit dhe seksualitetit të grave, bën që shpesh të përballemi edhe sot në shoqërinë shqiptare me “burra të së kaluarës”. Sepse ekzistenca e fortë e kësaj materieje mashkullore, që ushqehet me mentalitete sociale dhe seksuale retrograde për femrën, është shkaku pse momentalisht shumë meshkuj përdorin mbi to cdo lloj dhune. Në se analizojmë shkaqet e thella të gjithë formave të dhunës mbi femrat do të vëmë re se ajo frymëzohet, ushqehet dhe “bazohet” në mentalitete të shëmtuara për femrë. Kjo është arsyeja që na detyron të pranojmë se me këto sjellje shoqëria është duke kaluar një pozitë sociale shumë të vështirë dhe të koklavitur, që në shumë raste në mënyrë të dhunshme nuk lejon afirmimin e femrës. Duhet të jemi realistë dhe vigjilentë sepse në shoqërinë e sotme shqiptare janë shtuar stratagjemat që po e deformojnë dhunshëm erotizmin dhe seksulalitetin e femrës.
Gratë nuk janë thjesht qenie komplementare, as seksualitetin e tyre si qenie, që lidhet me erotizmin dhe specifikat e seksualitetit nuk e kanë thjesht mjet të detyruar për të plotësuar nevojat e burrave. Respekti për gratë nuk është i mjaftueshëm apo i merituar, në se shoqëria vazhdon t’i shikojë ato vetëm si “mjet kënaqësie” apo si objekte të thjeshta erotizmi dhe seksualiteti. Apo thjesht si mjet për të plotësuar urgjencat biologjike të mashkullit. Në se këto të vërteta të maskilizmit të kohës sonë nuk i shikojmë me seriozitet dhe bashkë me rrezikun e tyre social, kjo do të thotë se akoma jemi në fazën e ekzistencës së hipokrizisë sociale të shoqërisë maskiliste.
Sipas mendimit tim që të ndryshojmë qëndrimin social në raport me femrat, më së pari duhet të ndryshojmë konceptin që kemi për “destinacionin” e tyre social dhe seksual. Që të zbutet dhuna maskiliste dhe të bëhet i mundur afirmimi i personalitetit dhe sovranitetit të seksualitetit të tyre, ne kemi shumë nevojë që të rregullojmë parametrat sociale dhe bazën kulturore të respektit për erotizmin dhe seksualitetin e femrave në shoqërinë tonë. Ky është një kusht madhor ontologjik që do të ndihmojë që ta shpëtojmë gruan jo vetëm nga fatalizmi biologjik, por dhe nga paragjykimet seksuale, që historikisht në shoqërinë shqiptare ka qenë në përmasat e burimit të dhunës dhe padrejtësisë sociale mbi to. Megjithëse mund të duket sikur situata e respektit për to ka filluar të ndryshojë, përsëri shoqëria jonë nuk i ka ndryshuar kushtet e jetës sociale, të familjes, martesës dhe komplekset e paragjykimet për seksualitetin e tyre. Nuk mund të jemi aq naivë sa të mos pranojmë të vërtetën sociologjike, që akoma në shoqërinë tonë ka një “hierarki seksuale” që i jep prioritet në kërkesë, ekskluzivitet në përdorim, dhe lehtësi në shfaqje të dëshirave seksuale mashkullore në raport me të drejtat e kufizuara të femrës. Natyrisht historia jonë ka qenë e tillë që ka rrënjosur shumë paragjykime gjinore dhe seksuale, që akoma e bëjnë shumë të vështirë respektin për përkatësinë gjinore dhe seksualitetin e femrave. Ndoshta kjo është arsyeja që meshkujt tanë, me fondament të shfaqur biologjik mendojnë se gruaja është seksualisht e dobët, se ajo mund të dhunohet në sovranitetin fizik dhe identitetin seksual.
Këtu nuk është fjala as për të ngritur “kult” as për të “shenjtëruar” erotizmin dhe seksualitetin e femrës. Koha moderne në shoqërinë tonë ka nevojë për të rregulluar disa gjëra në marrëdhëniet e meshkujve me femrat, apo më saktë të burrave me gratë, me qëllim që të krijojmë kushtet e duhura që mendimi se femrat janë të lidhura vetëm me ndjenjën e kënaqësisë seksuale të largohet nga mentaliteti i hierarkisë seskiste. Ne duhet të ndikojmë që të krijojmë koncepte dhe qëndrime të reja, që janë të domosdoshme dhe kapin sferën e emancipimit të kenaqësisë seksuale, duke shpëtuar në të njëjtën kohë nga shtypja gratë. Asnjëherë kjo nuk mund të bëhet, në se marrëdhëniet e mashkullit dhe femrës apo seksualiteti i tyre do të jetë i ndërtuar mbi parimet e vjetra maskiliste të marrëdhënies midis femrës si “skllave” dhe “padronit” të saj mashkull.
Sido që të analizohen realitetet që zhvillohen në shoqërinë tonë, duket se ende në këtë fushë është përgjithësisht i plotë dhe fare pak i cënuar sundimi seksual i burrit dhe dominimi social i logjikës maskiliste. Këto spostime kohore janë haraçi që shoqëria jonë është e detyruar t’i paguajë mentalitetit që ka sunduar për një kohë shumë të gjatë në shoqërinë tonë, në të cilën në shekuj e kanë parë femrën si “qenie pa vlerë” sociale por vetëm me një destinacion biologjik dhe anatomik që sipas këtij mentaliteti thjeshtëzues përbën “fatin e tyre” të paracaktuar. Ky qëndrim viktimizues për femrën megjithë disfatat historike që ka pësuar, ende ka forcë morale dhe autoritet maskilist në shoqërinë tonë.
Nuk është normale që në shoqërinë tonë dëgjojmë se ka një prani të lartë statistikore të dhunës fizike dhe seksuale mbi femrat, që ato dhunohen pikërisht për shkak të brishtësisë fizike dhe delikatesës së seksualitetit të tyre. Janë me qindra rastet e dhunës të burrave ndaj grave, të këtyre mostrave që kënaqësinë që jep seksualiteti i tyre e kthejnë në egërsi patologjike të shoqëruar me dhunë verbale dhe fizike. Tonet e larta sadiste të dhunës dhe deformimit të seksualitetit në martesë apo jashtë saj, janë atavizma që shoqëria jonë i ka ende të larta dhe shoqërisht të pajustifikuara. Jeta moderne ka favorizuar shumë deformime që e kanë cënuar në shumë raste partneritetin në dashuri, duke i bërë njerëzit si “sende frymorë” dhe reduktimin e marrëdhënies seksuale si luftë midis tyre. Nuk është normal fakti që ende është shumë i lartë numuri i femrave që ndihen të shtypura në erotizmin dhe të poshtëruara në seksualitetin e tyre brenda apo jashtë martesor. Nuk besoj se është adekuat për kohën tonë kjo situatë e imponuar dhe e bërë modus viventi për jetën erotike dhe seksualitetin e shumë grave që vuajnë nga dhuna, egërsia dhe ashpërsia mashkullore.
Këtu nuk është fjala për të nxitur apo rikthyer perceptime dhe përfytyrime romatizante për dashurinë dhe seksualitetin. Koha ka ligjet e veta dhe dashuria dhe seksualiteti kanë dialektikën dhe metafizikën e tyre të brendshme me natyrë biologjike dhe sociale. Kjo do të thotë se pavarësisht se të vlerësuara nga pikëpamja strategjike duket se dashuria dhe seksualiteti nuk ndryshojnë shumë, në të vërtetë ato në kohën tonë kanë pësuar ridimensionime kohore dhe hapësinore, që janë të domosdoshme për t’iu përshtatur realitetit social modern, sfidave të zhvillimit të jetës postmoderne.
Shoqëria moderne ka logjikën e vet. Dashuria dhe seksualiteti midis burrave dhe grave ka pësuar ndryshime, që natyrshëm diktohen dhe imponohen nga parametrat e shoqërisë kapitaliste, nga logjika merkantiliste e tregut, liberalizimi i seksualitetit dhe dobësimi i parimeve morale të jetës sociale dhe seksuale. Mund të mos kuptohet lidhja dhe ndikimi koha ndikon në logjikën e dashurisë dhe tipologjitë e seksualitetit, duke ndërhyrë direkt dhe indirekt në ridimensionimin dhe formësimin e transformuar të tyre. Të gjithë llojet e dashurisë (jo vetëm ato martesore) kanë pësuar metamorfozat e tyre duke reflektuar jo vetëm dëshirat romantike, por së pari duke reflektuar logjikën e hekurt imponuese të jetës erotike të kohës. E cila megjithatë në asnjë rast nuk ka pse të jetë në disfavor të femrës dhe seksualitetit të saj…
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply