Vendimi
“Ka pasur fluks të lartë të kandidatëve për 300 vende për patrullë të përgjithshme”
Sokol Çobo
Policia e Shtetit ka shtyrë datën e aplikimeve për konkurrimin për shkollën bazë të policisë, nga e cila do të fitojnë të drejtën për t’u pranuar në patrullën e përgjithshme 300 persona, meshkuj dhe femra. Për shkak të fluksit të lartë të kandidatëve, afati i fundit për aplikimin do të jetë 28 shkurt 2014. “Nisur nga fluksi i lartë i kandidatëve të interesuar për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë për patrullë të përgjithshme, si dhe për t’u dhënë kohë të gjithë kandidatëve të interesuar, të cilët kanë tërhequr formularët e aplikimit, për të plotësuar dhe dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm, procesi i aplikimeve do të jetë i hapur deri më 28 shkurt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, duke u rikujtuar kandidatëve të interesuar që mund të aplikojnë pranë të gjitha drejtorive të policisë në qarqe, ku duhet të paraqesin të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
300 vende
Sipas Policisë së Shtetit, në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, do të përzgjidhen 300 kandidatë fitues, të cilët do të vazhdojnë shkollën bazë të policisë. Për çdo paqartësi lidhur me këtë proces, kandidatët mund të drejtohen pranë strukturave të burimeve njerëzore në drejtoritë e policisë në qarqe ose pranë sektorit të pranimit dhe menaxhimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe mund të shkruajnë email në adresën policiaeshtetit@asp.gov.al.
Dokumentet
Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, që prej fundit të muajit dhjetor kur u çel procesi, kanë informuar në vijimësi lidhur me mënyrën e aplikimit dhe konkurrimit. Nisur nga interesimi i madh, si dhe një numër pyetjesh që kanë ardhur nga qytetarët, mësohet se aplikimet përfundojnë në datë 20 janar 2014. Aplikimet bëhen pranë drejtorive të policisë në qarqe. “Dokumentet që duhen paraqitur janë: formulari i plotësuar i aplikimit; fotokopje e pasaportës ose letërnjoftimit ID; kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme; dëshmi penaliteti (formular vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore); fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B, e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë. Nëse aplikantët nuk e paraqesin këtë dokument brenda 12 muajve, lirohen nga Policia e Shtetit.
Në lidhje me dëshminë e penalitetit, policia sqaron se kandidatët mund të dorëzojnë të plotësuar formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore së bashku me autorizimin për kontrollin e vërtetësisë së të dhënave të deklaruara në këtë formular. Të dhënat e tyre do të kontrollohen më pas nga policia dhe nëse rezulton se aplikanti ka paraqitur të dhëna jo të sakta, atëherë ai do të përjashtohet nga procesi. Testi me shkrim është faza e parë e konkurrimit të kandidatëve të interesuar dhe mësohet se mund të zhvillohet gjatë muajit mars. Vendi se ku do të zhvillohet testimi do të përcaktohet në përfundim të procesit të aplikimit. Pasi të mësohet saktësisht numri i pjesëmarrësve në konkurs, në varësi të këtij numri do të caktohen edhe mjediset se ku do të zhvillohet testimi.
Testi
Testi do të hartohet nga Ministria e Arsimit dhe synon të testojë njohuritë e përgjithshme të marra nga kandidatët gjatë studimeve në shkollën e mesme. “Pyetjet e testit do të jenë me alternativa, nga të cilat kandidatët duhet të zgjedhin alternativën e drejtë. Testi do të jetë në formën e një formulari me disa faqe, ku konkurrentët duhet të plotësojnë vetëm kuadratet e alternativave sipas pyetjeve dhe asgjë tjetër. Korrigjimi i testimit do të bëhet në mënyrë të automatizuar përmes skanerit dhe kandidatët do të njihen brenda ditës me rezultatin e testimit me shkrim. Kandidatët që do të shpallen fitues të testimit me shkrim do t’u nënshtrohen fazave të tjera të testimit. Për çdo fazë të konkurrimit, kandidatët do të njoftohen në vazhdimësi për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të tyre”, pohon Policia e Shtetit.
UDHËZIME PËR TESTIN ME SHKRIM
1. Testi me shkrim përbëhet prej 100 pyetjeve të hartuara për të testuar aftësitë e kandidatëve në disa fusha.
2. Koha në dispozicion për të përfunduar testin është dy orë.
3. Për t’iu përgjigjur pyetjeve duhet të përdorni lapës me gomë.
4. Nëse keni nevojë të ndryshoni përgjigjen, mund të fshini përgjigjen e parë dhe të jepni përgjigjen e re.
5. Fillimisht do të plotësoni emrin dhe mbiemrin në fletën e parë që keni pyetjet e testit.
6. Mbasi të keni shkruar emrin dhe mbiemrin do të shikoni se te fleta rozë keni një kuti që shënon “Test Form” (formulari i testit), mbushni me lapës atë shkronjë që i korrespondon shkronjës në cepin e djathtë sipër, të faqes së parë të testit, pra do të plotësoni variantin e testit.
7. Mos e plotësoni kutinë që shënon “Subj Score” (rezultati për lëndë).
8. Për disa pyetje ju jepen katër mundësi zgjedhjeje A, B, C, D dhe për disa të tjera dy mundësi A, B.
9. Zgjidhni një përgjigje për çdo pyetje dhe mbushni atë në fletën me ngjyrë rozë.
10. Duhet ta mbushni me lapës të gjithë rrethin e përgjigjes që do të jepni.
11. Në rast se ajo nuk mbushet plotësisht mund të mos lexohet nga lexuesi optik (skaneri), ndaj të bëhet kujdes gjatë mbushjes së rrethit.
12. Çdo përgjigje tjetër e mbushur nga ana juaj në fletën rozë do të jetë gabim dhe nuk lexohet nga skaneri.
13. Shënoni përgjigjen tuaj në shkronjën korresponduese në fletën e përgjigjeve me ngjyrë rozë që keni.
14. Duhet t’u jepni përgjigje të gjitha pyetjeve, pra duhet të mbushni me laps ato edhe nëse për përgjigjen që jepni ju nuk jeni të sigurt se ajo është e saktë.
15. Mos bëni asnjë shenjë tjetër në fletën e përgjigjeve me ngjyrë rozë.
16. Sigurohuni që të plotësoni kutinë në përgjigjen e duhur.
17. Nëse jeni të pasigurt për përgjigjen e një pyetjeje, mos e plotësoni dhe kthejuni më vonë nëse do të keni kohë.
18. Te fleta rozë keni shkronjën E, kjo nuk plotësohet nga ana juaj.
19. Përveç fletës së bardhë, që jepet për të bërë llogaritjet, mund të bëni ndonjë shënim ose llogaritje edhe në testin tuaj prej 100 pyetjesh.
20. Nuk do të përdorni makina llogaritëse, telefona celularë apo ndonjë mjet tjetër që mund t’ju ndihmojë për testin. Telefonat celularë nuk do të lejohen në sallën e testimit deri në momentin e përfundimit të provimit.
21. Përdorimi i mjeteve të tilla do t’ju skualifikojë automatikisht.
22. Nuk duhet të komunikoni në asnjë mënyrë me njëri-tjetrin gjatë testimit. Nëse do të komunikoni, do të skualifikoheni menjëherë nga procesi, pra do të dilni nga salla.
23. Nëse keni pyetje, ngrini dorën dhe prisni që mbikëqyrësi që ndodhet pranë jush t’ju përgjigjet dhe t’ju sqarojë në lidhje me pyetjen tuaj.
24. Pas përfundimit të testit, të gjitha materialet (materiali i testit, fletët e përgjigjeve, shënimet etj.) duhet të dorëzohen. Nuk mund të merrni asgjë me vete nga ambienti ku zhvillohet testi.
25. Testi do të korrigjohet në mënyrë elektronike dhe brenda ditës do të shpallen rezultatet. Mos u largoni nga ambienti i testimit pa parë rezultatet.
26. Në momentin e dhënies së përgjigjeve duhet të jeni të vëmendshëm, pasi do t’u komunikohen oraret e testimit të aftësive fizike për kandidatët që e kanë kaluar testin me shkrim.
Pas konkursit të vitit 2011, u morën në punë vetëm militantë
Rekrutimet, policia “dogji” të paktën 100 kandidatë që fituan konkursin
Policia e Shtetit ka “djegur” të paktën 100 kandidatë që fituan testin inteligjent dhe fizik. Në konkursin e vitit 2011, këtë konkurs e fituan rreth 600 kandidatë, nga rreth 10 mijë kandidatë. Ata u renditën sipas pikëve të marra në testin me shkrim, në testin fizik, në intervistë, ndërsa policia, nga 600 fitues, mori vetëm rreth 90 kandidatë. Pjesa tjetër u la në listë pritjeje, pasi në atë kohë, policia kreu një tjetër test, ku mori në punë 100 femra. Më pas, kandidatët fitues qëndruan në listë pritjeje për muaj me radhë, pa asnjë përgjigje zyrtare nga Policia e Shtetit, e cila nuk publikoi informacionin se këta kandidatë digjeshin pas gjashtë muajsh nga shpallja e fituesve. Dhe, sipas udhëzimeve, kandidatët u dogjën në fund të vitit 2011, kohë në të cilën Policia e Shtetit filloi të rekrutonte ish-policët e larguar më parë nga detyra. Rekrutimet vazhduan për muaj me radhë, ku fluksi më i madh ka qenë para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, ku janë ripranuar në polici ish-punonjës apo më saktë militantë.
Disa vite më parë, Policia e Shtetit, si pasojë e numrit të lartë të oficerëve të policisë, ndryshoi rregullat për pranim në radhët e saj. Nga modeli rus, që Akademia e Rendit të ishte tri vite, ku fituesit dilnin direkt oficerë policie, u kalua në modelin amerikan, pra të patrullës të përgjithshme. Shkolla e policisë është një vit dhe në fund certifikohesh agjentë policie dhe punonjës në patrullë, por pa gradë oficer policie. U fut sistemi i karrierës, ku këta punonjës policie mund të konkurronin më pas për grada. Deri diku funksionoi mirë, pasi policët që dilnin nga kjo strukturë, përveçse ishin me formim të duhur, ishin edhe të rinj, nuk ishin mbipeshë dhe kishin kaluar teste fizike. Si në çdo institucion shtetëror, edhe Policia e Shtetit filloi të ndryshojë rregullat, duke marrë rekrutë të patrajnuar dhe duke anashkaluar këtë shkollë. Disa zgjedhje të përgjithshme, por edhe ato vendore, shkatërruan edhe sistemin e vlerave në Policinë e Shtetit.
gazeta-shqip



Leave a Reply