Andon Zako Çajupi, (27 mars 1866 – 11 korrik 1930), ishte poet i shquar, veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar.
Andon Zako Çajupi lindi në Sheper të Zagorisë.Jetoi dhe vdiq ne Egjipt.Mbiemri i tij i mesem i vërtetë ishte ÇAKO mirepo per arsye te panjohura me kohe i mbeti ZAKO. Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
Andon Z. Cajupi – Besa-besë
Gjithë vendetë gëzojnë,
ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti, shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
dhe pa të njeriu s’rron;
ti, shqipëtar, Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?
Zgjohuni, o shqipëtarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!
Të krishter’ e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqipëtarë jemi.
Mblidhuni te bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.
Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.
Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?
Ju që shihni drit’ e diell,
pse s’ndrini dhe Shqipërinë?
Ku janë vaftet e parë,
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o shqipëtarë,
pse s’dëgjohet një dyfek?
Apo humbi trimëria,
apo s’doni mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?
Pse rrini lidhur me lak?
Pse shpëtoni vënd’ tuaj?
apo s’u mbeti më gjak,
se e derdhtë për të huaj?
Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë:
Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbese!



Leave a Reply