Nga Besnik Myftari
Një mizë
U fut në një dhomë
Të errët pa dritare
Me erë lagështie myku vjetërsie
Brenda dy veta
Të shtrirë në shtrat
Me sytë të mbyllur
Hundët paksa të nxjerra
Nga mbulesat e palara
Prej kohëve që nuk mbaheshin mend
Zhurmës së bulzave të ujit
Që rridhnin përdrejtë dyshemesë
Nga muret e kalbura
Të mbuluar nga shtresat
E pluhurit disavjeçar
Iu shtua kënga e mizës kureshtare
Që fluturonte nga një krevat në tjetrin
Nga një kokë në tjetrën
Nga një hundë në tjetrën
Nga një sy në tjetrin
Përcillte mesazhet pa i shtrembëruar
Me lehtësinë e krahëve të saj
Një dorë e thatë
Dalë nga mbulesat erëndyra
Pas krevatit
Mizën krahlehtë e shtypi
Dhe në dhomën e errët pa dritare
Zhurma e bulzave të ujit
Që rridhnin përdrejtë dyshemesë
Dëgjohej pa këngën e mizës kureshtare.
*/*
Shkuma e erërave
Era e lindjes mbaroi
Pema e shtrembëruar
Drejt perëndimit
Gjethet për vete i mbajti.
Tufani i perëndimit filloi
Pema e shtrembëruar
Drejt perëndimit
Gjethet në ajër i lëshoi
Për t u lehtësuar
Degët në kundravajtje janë
Në autostradën e historisë
Që nuk të fal.
Pema e shtrembëruar
Nga erërat që sdihet nga vijnë
Degët i këputi
Dhe historinë dëgjoi.
Në autostradë ajo nuk donte të hynte
Por erërat e shtynë
Dhe e lanë pa gjethe
Pa degë
Të brishtë si një varkë me vela
Në mes të oqeanit
Që shkumëzon nga erërat
Të ardhura s dihet nga ku.
*/*
Qepa
Kënga e Bob Dylanit
Orën 12 lajmëroi
Dhe pas saj filluan radiolajmet
Mbulesën shtrova mbi tavolinë
Katër pjata të shoqëruara me
Katër gota
Katër pirunë dhe një brokë me ujë
Në mes për drejtpeshim
Kofi Anan takoi Sadamin
Dhe paqe bëri Amerika
Tiganin vura mbi sobë
Pasi një vatër kisha ndezur
Dhe hodha vajin
Të ardhur s dihet nga ku
Jelsin 3\4 e qeverisë
E zëvendësoi si çdo 6 muaj
Dhe nuk kuptohet pse qeveria
Nuk ndërron atë
Mora një qepë gjysmë të madhe
Me ngjyrë të kuqe
Dhe në dorë më ngeli
Në Shkodër 60 vetë
Përmbysën shtetin
Dogjën zotin
Katolik dhe mysliman
Vodhën dhe ikën
U zhdukën si nga një shkop
Magjik i një magjistari
Me doreza të bardha
Dhe cilindër në kokë
Që të vërtetën e fsheh
Në dhjetëra xhepat e smokingut të tij
Me një thikë të mprehur jo shumë
Të kuqin i hoqa qepës
Së bardhë me fletë shumë
Dhe thelbin fillova t ia kërkoja
Fletë pas flete
Të holla ishin të parat
Dhe me erë ato nuk mbroheshin
Sytë me kërshëri vështronin
Qepën që zhvishej pa muzikë
Të trasha janë fletët
E qendrës dhe me erë
Sytë mi mbushën me lot
Dhe thelbin nuk e pashë
Një të puthur ndjeva në qafë
-Qelbesh në era qepë- më tha
Shoqja ime dhe dritaren hapi
E në vaskë më shoqëroi
Si një të verbër dhe rrobat
M i hiqte një e nga një me
Muzikën e Joe Cocher-it.
*/*
Dollia në një klub të Milanos
Më falni djema
Festën nuk dua t jua prish
Gëzuar.
Do të desha një dolli
Të ngrija jo në vetmi
Nirvana shoqëri më bën
Nëpërmjet xhuboksit
Radhë nuk më lë për të folur.
Më falni djema
Festën nuk dua tjua prish
Gëzuar.
Gota e boshatisur
Vetminë nga thellësitë e saj
Më sjell nuk më shikon
Me buzët e thata nuk më puth
Dollinë doja që të ma dëgjoni
Për një foshnje
Që një plumb 100 herë më i vogël
Shumë më pak i brishtë
Kraharorin e pa formuar shpoi.
Më falni djema
Festën nuk dua tjua prish
Gëzuar.
Krijesa 50-vjeçare
Mykur në një magazinë të kalbur
Në pritje të të vetmit fluturim
Folenë e kallashnikovit zaptoi
Pa vetëdije.
Pas një oshtime
Në ajrin e pastër pa formë
U krodhe udhëtim kuturu
Si një gjethe rënë nga pema
Në vjeshtë.
Më falni djema
Festën nuk dua tjua prish
Gëzuar.
Udhëtimin e çmendur
Eksitimin e lirisë
Nuk donte kurrë ta mbaronte
Plumbi i ndryshkur
Devijonte pallate të pasuvatuara
Pleq të lodhur nga jeta
Por të frikësuar
Gra 100-kilëshe
Të rinj erëndyrë
Goca në kulmin e jetës
Pa bukuri
Pemët lakuriqe
Me sythe mbushur.
Më falni djema
Festën nuk dua tjua prish
Gëzuar.
Fluturim të përjetshëm
Endërronte ai
Ti kallte frikën
Çdo njërit që i kalonte afër
Kërcënim në lëvizje
I kundërt i Batmanit
Në miniaturë
Qeshte e fluturonte
Qeshte e vraponte
Qeshte e kërcënonte
Qeshte e qeshte.
Më falni djema
Festën nuk dua t jua prish
Gëzuar.
Kur nga ëndrra u zgjua
Dhe ligjin e kësaj bote
Që çdo gjë lind jeton e vdes
Kujtoi relik i kotë
Pluhuri dherat koha ta varroste
Si mijëra bashkëvëllezërit e tij
Që arkeologëve rrogën ua japin
Vendosi me vete të marrë
Një jetë të shkurtër si të tijën.
Një foshnje
Që këtë botë të çmendur
Nuk e pa as kuptoi as jetoi.
Më falni djema
Festën nuk dua tjua prish
Gëzuar.
Foshnja nuk është
Këtu afër
As plumbi i ndryshkur
I çmendur në rrugët e Tiranës
Qiellin e saj
Kanë pushtuar me mijëra të tjerë
Si karkalecat fushën me grurë.
*/*
Furgoni
Furgoni frigorifer
Rrugën mori
Për të kaluar
9 fusha
9 male
9 lumenj
Vdekjen mbyllur në frizer
Sipër gomave që shkelin
Gjakun e përtharë nga dheu
Që thithte jetën dhe s donte
Të lëshonte pjellën
Në Beograd të përfundonte.
Furgoni frigorifer
Nëpër natë vraponte
Errësira e shpirtrave
Mbi të ngarkonte.
Ushqimin për bajlozin e zi
Rrethuar nga cackej që sofrën
T ia pastronin pas darkës
Mbushur me vdekje.
Furgoni frigorifer
Gara bën me kalorësit e vdekur
Në natën e hidhur të Ballkanit
Që nga gjumi mesjetar
Zhurmën e motorit dëgjon
Dhe më thellë zhytet
Në kënetën historike.
*/*
Klandestini
Kishte një ëndërr
Përgjatë fytyrës
E gjatë
Sa hija e avionit
Që rrotullohej rreth
Botës
Kishte një ëndërr
Ndër sytë e qeshur
Që shikimin ndërthurnin
Në zenit
Dhe tiparin shkëlynin
Të botës
Në kërkim
Kishte një ëndërr
Ndër flokët e shthurur
Nga era e detit
Mbushur me anije
Që cepat lidhnin
Të botës pa mbarim
Kishte një ëndërr
Ndër këmbët e lidhur
Nga pasaporta
Shtete
Kufij
Dhe u bë Klandestin.
*/*
Marre nga Gazeta Shqiptare
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply