Për lulet janë bërë këngë e janë thurur poezi. Për to tregohen histori e legjenda, se, veç bukurive mahnitëse kanë, edhe misteret e tyre. Ja një histori interesante që vjen nga lashtësia. Kopshtet e varura të Semiramidës në Babiloni janë një nga shtatë mrekullitë e botës së vjetër. Mbreti i Babilonisë, Nabukodonsori, i shqetësuar për shëndetin e gruas së tij, mbretëreshës Semiramida, ndërtoi kodrat artificiale dhe krijoi kopshtet e varura me drurë zbukurues, drurë frutorë, shkurre e lule që mahnitën botën.
Por le të kthehemi në vendin tonë. Oborreve dhe kopshteve të thjeshta, për të mos thënë të varfra, ndër vite në Korçë, Përmet, Elbasan, Gjrokastër, Tiranë, Shkodër, e kudo, nuk u kanë munguar asnjëherë lulet. U është shërbyer me shumë dashuri dhe gjithmonë ato kanë zënë vendin e nderit në festa e gëzime, në homazhe e dhembje, se lulet, jo vetëm zbukurojnë mjedisin, por edhe qetësojnë, çlodhin dhe përtërijnë shpirtin. Kush është ndodhur në “shoqërinë” e drurëve dhe të luleve, me format, ngjyrat, aromat e fëshfëritjet e shumëllojshme të tyre e nuk e ka ndierë atë kënaqësi që të fal vetëm natyra. Ndaj Naimi i madh shkruante:
“Çdo bulëzë ka me vete një emër e një fytyrë,
një bukuri, një mirësi, një shtat, një erë e një ngjyrë;
Si dhe çdo dru e çdo pemë edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’e dheeut! S’të zë syri gjë të metë!”
Ndaj njeriu i do lulet e kujdeset për to, se ai e do jetën, e do të bukurën.
Ishte një moment “gjumi” kur u ngritëm kundër vetes, kundër pasurive të mëdha e të bukura të natyrës dhe atyre që kishim krijuar me duart tona. Kur u “zgjuam” pamë se kishim shkatërruar pyjet, masivet monumentale të dru frutorëvë, vreshtave, ullinjve, agrumeve, parqet, lulishtet, gjithçka të dobishme e të bukur të natyrës bujare të vendit tonë, të baraslarguar si nga poli, ashtu edhe nga ekuatori.
Tani jemi në një kohë tjetër. Kapërcimin e saj e paguam shtrenjtë. Kohët e reja sjellin mendësi të reja. T’i duash lulet, por edhe duhet të kujdesësh për to.
Kënaqësinë nga lulet e provojmë të gjithë, por kujdesin për to në familje më shumë e tregojnë nënat, motrat e gjyshet tona. Ndër vite ato kanë fituar përvojë, që e kanë pasuruar e trashëguar brez pas brezi. Në kushtet e sotme ato janë para një dukurie të re si: ndërtesa banimi në pallate ose të tipit vila, me hapësira të brendshme dhe oborr relativisht të madh; me një shumëllojshmëri të paparë lulesh të prodhuara në vend apo të sjella nga jashtë dhe me familje me një numër të vogël anëtarësh.
Kështu, që të zbukurosh mjedisin familjar me drurë dekorativë e lule, sidomos kur ka hapësira të bollshme, veç përvojës e shijes së secilës familje, duhet edhe një informacion plotësues, që sot sigurohet lehtë nga rrjeti i gjerë i dyqaneve të luleve, botimeve të ndryshme.
Numri i luleve për zbukurim është i madh, por zgjedhja e tyre nga familja është e nevojshme të bëhet në raport me hapësirat që kanë kuzhinat, dhomat, sallonet, ballkonet shkallët, verandat, oborret etj, të harmonizuara me orenditë e pajisjet e çdo mjedisi, sepse edhe orenditë më të bukura do të dukeshin të zbehta në një mjedis pa praninë e luleve. Pra, kujdesi për lulet fillon nga momenti kur mendon se çfarë lulesh do të kesh e ku do t’i vendosësh.
Paraqitja e parë bëhet me oborrin, me lulet, prandaj familjarët tregojnë kujdes dhe i “ha meraku” që ai të jetë çlodhës dhe i bukur. Veç drurëve zbukurues, me funksion prodhimi, hijezimi dhe zbukurimi gjen dru frutorë si: portokalle, limonë, mandarina, ullinj, hardhi, në numër, formë e madhësi, në raporte të pranueshme për hapësirat që kanë. Jo rrallë anët e rrugicave, nga porta hyrëse e oborrit deri në banesë, janë me trëndafila, zambakë, gladiola, mëllaga. Më tej, në hyrje të shkallëve, të verandave, të ballkoneve, të dhomave, mbahen sipas shijes begonia, asteri, lulebore, krizantema, çiklamet, shqiponja, fikusi, tulipani, zymbyli etj, që në shumë familje arrijnë në 20-30 lloje të ndryshme lulesh. Lulet mbahen në vazo, ose në arka me madhësi të ndryshme, vendosen në dysheme apo në mbajtëse metalike të përgatitura për këtë qëllim. Familjarët lulerrritës, duke i shërbyer me dashuri e pasion, vëzhgojnë njëkohësisht me kujdes çdo ndryshim që pëson lulja. Ata i shqetëson një gjeth i zverdhur, një lastar i pazhvilluar, një gonxhe e dëmtuar. Lulerritësit e kujdesshëm janë në gjendje të dallojnë se nga vijnë devijimet: nga mungesa apo teprica e ndriçimit, e ujit dhe e ushqimit. Lulet janë të shumta, por dhe kërkesat ndaj faktorëve të rritjes e zhvillimit janë të ndryshme nga njëra lule te tjetra.
Ndriçimi përbën një nga faktorët kryesorë që kultivuesi familjar i luleve duhet të njohë e të dijë, se jo të gjitha lulet reagojnë njëlloj ndaj tij. Kështu, për shembull, kaktuset, lulet me gjethe të veshura me dyll pranojnë intesitet të lartë ndriçimi, ndryshe nga lulet me gjethe të mëdha e të buta që kërkojnë ndriçim indirekt. Gjithashtu, bimët me gjethe shumëngjyrëshe vendosen në vende të ndriçuara, por ato nuk e durojnë rrezatimin direkt të diellit. Bimët e ballkoneve, sidomos të atyre me drejtim nga jugu, vuajnë më shumë nga ndriçimi i tepërt dhe temperaturat e larta. Për këtë duhet të bëhet hijezimi i ballkonit me tendë në orët e mesditës, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për dritaret.
Ato me pozicion nga jugu dhe perëndimi janë të përshtatshme për lulet që kanë kërkesa më të larta për ndriçim, kurse ato me pozicion nga veriu sigurojnë më tepër hijezim. Rregullimi i ndriçimit nuk është një gjë e lehtë, por sidoqoftë duhen bërë përpjekje që të manovrohet me pozicionet, madhësitë e dritareve, me praninë ose jo të grilave apo të perdeve.
Temeratura
Lulet nuk zhvillohen normalisht e mund të dëmtohen si nga temperaturat e larta, ashtu edhe nga temperaturat e ulëta në dimër, nëse nuk tregohet kujdesi i duhur. Ajrimi i ambjenteve të mbyllura, mbyllja mirë e dritareve, largimi i luleve prej tyre, ulja e vazove nga mbajtëset në lartësi, mbulimi në kohë ngrice janë masa që duhen vlerësuar vazhdimisht.
Ujitja
Që fara të mbijë, që bima të rritet, të lulëzojë, të lidhë frut e farë, duhet të jetë e pranishme edhe lagështia. Në lulet e vazove ajo sigurohet vetëm nëpërmjet ujitjeve. Për rritësin e luleve është e rëndësishme të dijë: çfarë uji të përdorë; sa, kur dhe si do t’i ujisë lulet.
Së pari, uji të ketë temperaturë të përafërt me atë të mjedisit ku rriten lulet. E sa për shpeshtësinë, ato duhet të ujiten shpesh. Për shumicën e luleve mund të mbahet parasysh që në vjeshtën e vonë, gjatë dimrit dhe në pranverën e hershme ujitjet të jenë më të rralla dhe në sasi të vogla, kurse në periudhën tjetër (pranverë, verë dhe në vjeshtën e hershme), ku temperaturat janë më të larta e dheu në vazo thahet shpejt dhe bimët kanë zhvillim maksimal, ujitjet të bëhen më të shpeshta e me sasi më të bollshme uji. Dheu në vazo nuk duhet lënë të thahet, por edhe gjatë ujitjeve nuk duhet të dalë shumë ujë prej vazos. Për të plotësuar nevojat për ujë duhet patur parasysh lloji e madhësia e bimës si dhe mjedisi ku mbahen. Ujitjet është mirë të kryhen pasdite vonë e në mbrëmje. Herë pas here bëhet shkriftimi i dheut në vazo për ajrosjen e rrënjëve dhe ruajtjen e vlagës.
Plehërimi
Sa më optimale të jenë zgjidhjet e plotësimit të nevojave për lëndë ushqyese, aq më të shëndetshme, të bukura e jetëgjatë do të jenë lulet. Ashtu si për ujitjen edhe për plehërimin duhet të dimë t’i përgjigjemi pyetjeve çfarë, sa, si dhe kur duhet të kryejmë plehërimin. Gjatë rritjes e zhvillimit bimët thithin sasira të konsiderueshme lëndësh ushqyese nga dherishtja e vazos. Ujitjet e shumta ndikojnë në shpëlarjen dhe varfërimin e dherishtes. Në kushte të tilla bimët janë të dobëta, rriten ngadalë e me lulëzim të kufizuar.
Ndërrimi i dheut me dherishte të re është mirë të bëhet çdo vit. Koha më e përshtatshme është përfundimi i periudhës së qetësisë. Në këtë kohë mund të bëhet edhe ndërrimi i vazove për bimët që janë në vazo me volum të vogël. Po ashtu, edhe ndarja në rast se bima është rritur shumë. Plehërimi kryhet me plehra optimale kimike, të kombinuara me plehra për ushqim gjethor, të cilat i gjen me lehtësi në treg. Plehërimet më të shpeshta bëhen në periudhën e rritjes intesive, rrallohen pak në periudhën e lulëzimit dhe ndërpriten në kohën e qetësisë. Në përgjithësi lulerritësit me përvojë plehrojnë një herë në muaj bimët me rritje të ngadalshme dhe dy-tre herë në muaj ato me rritje të shpejtë. Duhet të respektojmë sasinë e dozave të plehërimit që jepen në udhëzimet e ambalazheve të plehrave. Infeksionet nga sëmundjet janë minimale kur plehërimi, ujitja, ajrimi, ndriçimi janë në parametrat optimalë.
Lulerritësit, problemet e rritjes e zhvillimit të bimëve zbukuruese i shohin e i trajtojnë në kompleks, të lidhura e të varura nga njëra-tjetra, ndaj kanë vazhdimisht mjedise të lulëzuara, që kur i shikon e ndodhesh me to nuk mund të mos thuash: Bukur, shumë bukur, i lumtë!
Nadia Korça
Arkiv


Leave a Reply