MIRELA BOGDANI
Humnera në të cilën ka rënë arsimi shqiptar është një nga dëmet më të mëdha që i është bërë Shqipërisë në vitet e fundit. Shkatërrimi i arsimit të lartë dhe atij pasuniversitar, që u thellua edhe më shumë pas fenomenit të masivizimit të universiteteve dhe inflacionizmit të diplomave, do jetë i vështirë të riparohet për disa gjenerata.
Duke qenë se në 11 vitet e fundit puna ime ka qenë pikërisht në mësimdhënie në universitet dhe në kërkimin shkencor në Britaninë e Madhe dhe në Shqipëri, desha që nëpërmjet disa shkrimeve të evidentoj problematikën e arsimit të lartë shqiptar, e cila vazhdon të agravohet. Ndërmjet problemeve të shumta nga të cilat ai sot vuan, mendoj se duhen adresuar si më prioritare tre prej tyre: akreditimi i universiteteve publike dhe private, kërkimi shkencor, si dhe titujt shkencorë.
Akreditimi i universiteteve publike dhe private është më urgjenti dhe më i nevojshmi nga të gjitha reformat (sepse nëpërmjet tij do përcaktohen dhe mbahen në funksionim vetëm universitetet dhe institucionet që plotësojnë kriteret dhe standardet), por njëkohësisht dhe më gjithëpërfshirësi. Gjithëpërfshirës, sepse kriteret e përfshira në akreditim zgjidhin njëkohësisht shumë probleme nga të cilat sot vuajnë universitetet shqiptare, ku ndër më të rëndësishmet janë:
Së pari, punësimi i pedagogëve: këtu përfshihen kriteret për punësim në bazë të kredencialeve akademike dhe shkencore, si universitetet ku kanë studiuar apo janë diplomuar, titujt shkencorë, studimet dhe botimet, referimet në aktivitete shkencore, eksperienca në mësimdhënie etj. Sot punësimi në universitetet shqiptare (përfshi dhe ato publike) vazhdon të bëhet në bazë të nepotizmit dhe militantizmit partiak dhe jo meritokracisë akademike dhe për rrjedhojë, cilësia e trupave pedagogjike është mjaft e dobët dhe joprofesionale. Departamentet dhe fakultetet tona janë mbushur në masë të konsiderueshme me pedagogë pa eksperiencë në mësimdhënie, pa tituj shkencorë (ose me tituj fiktivë), pa botime (ose me botime plagjiatura), ndërkohë që ka me dhjetëra të diplomuar në universitete shumë të mira perëndimore që rrinë pa punë, se shefat apo dekanët ekzistues të kthyer në fosile i shikojnë si kërcënim. Ne një shumicë rastesh kriteret për marrjen në punë të pedagogëve formulohen në bazë të personit dhe jo të pozicionit të punës. Akoma më alarmant paraqitet problemi i punësimit të pedagogëve në universitetet private, ku pronarët e tyre (shumica individë me shkollim minimal e pa më të voglën lidhje me sferën akademike) bëjnë “kriteret e punësimit” që vetëm me kredencialet akademike nuk kanë lidhje. Janë paradoksalë, të turpshëm dhe qesharakë shembujt e individëve të mbaruar në universitete anglo-saksone me doktoratura e post-mastera, të cilët kanë aplikuar dhe nuk janë pranuar në universitete “phantom” dhe sharlatanë, ku diplomat jepen të tipit “buy one, get one free”, (bli një, merr një falas) apo që nuk janë pranuar në universitete të tjera private që deri dje ishin fanatikë të koloritit blu, pronarët e të cilëve konsideronin në punësimin e pedagogëve kryesisht linjën partiake dhe siguroheshin që aplikantët të mos kishin “njolla në biografi” nga partia në pushtet.
Së dyti, emërimi i drejtuesve të arsimit të lartë: Vërtet zgjedhja e drejtuesve si shefat e departamenteve, dekanët dhe rektorët, nga stafet përkatëse përbën diçka pozitive, sepse minimizon ndërhyrjen e politikës, por ajo nuk e ka zgjidhur problemin, pasi politizimi është zëvendësuar me klientelizmin. Por më shqetësues është fakti që niveli i dytë, ai i zv/dekanëve apo zv/rektorëve vazhdon të jetë me emërim, gjë që ka sjellë ngritjen në krye të institucioneve të arsimit të lartë të individëve sipas tarafeve dhe lidhjeve me shefat përkatës, pra me dekanët dhe rektorët.
Së treti, cilësia e mësimdhënies: Kjo sigurisht lidhet me pikën e parë, pasi nuk mund të presësh cilësi dhe profesionalizëm në mësimdhënie kur pedagogët e punësuar nuk kanë formimin e duhur akademik apo eksperiencën pedagogjike. Pedagogë që stimulojnë te studentet “critical thinking” (mendimin kritik), që përdorin mënyra bashkëkohore të dhënies së leksioneve, apo e zhvillojnë mbi baza interaktive, numërohen me gishtat e dorës. Në cilësinë e mësimdhënies përfshihet gjithashtu cilësia e programeve dhe kurrikulave, ku në më të shumtën e rasteve lëndët/modulet u përshtaten pedagogëve dhe jo anasjelltas (siç duhet të jetë), gjë që ka sjellë ekzistencën e programeve të dobëta dhe shpesh lëndë apo module pa lidhje me programet e kurseve. Një problem tjetër është literatura e rekomanduar, e cila përbëhet kryesisht nga tekstet mësimore të hartuara nga pedagogët e lëndës, që janë më së shumti përkthime dhe qëllimi kryesor është fitimi nga shitja e tekstit që u imponohet studentëve në këmbim të notës.
Së katërti, kriteret për pranimin e studenteve në universitete: Inflacionizmi i diplomave dhe mania e gjithë shqiptarëve për t’u bërë “intelektualë” është shoqëruar me dobësimin e kritereve dhe standardeve të pranimit në universitete. Në universitetet private pothuaj nuk ka kritere dhe është alarmante mesatarja e ulët për pranim, por kjo në vitet e fundit po vihet re edhe në universitetet publike, ku, nën presionin e privatit që ka ulur në minimum mesataret, kriteret janë dobësuar shumë. Prandaj imediat është përmirësimi i sistemit të pranimit të studentëve duke forcuar kriteret e pranimit, si rritja e mesatares së pranimit në universitetet publike, vendosja e konkurseve, intervistat në fakultetet kompetitive etj.
Së pesti, cilësia dhe kontrolli i dijeve: Në vitet e fundit është theksuar dhe me shumë aksioma “po hyre në universitet, e ke të garantuar marrjen, pra diplomën”. Por e keqja është që jo vetëm kanë të garantuar diplomën (edhe pa mësuar apo frekuentuar shkollën), por edhe mesataren e lartë. Është dobësuar shumë kontrolli i dijeve nga ana e pedagogëve (që përsëri është e lidhur me cilësinë e vetë pedagogëve), qoftë në seminare, qoftë në vlerësimet jo objektive dhe jotransparente punimet e kursit, provimet, riprovimet, disertacionet dhe mikrotezat.
Në kriteret e akreditimit përfshihen dhe të tjera si raporti pedagogë/studentë, ambientet dhe auditorët dhe kryesisht bibliotekat (që përgjithësisht në universitetet shqiptare ose janë inekzistente ose përbëjnë ambientet më të varfra për sa i përket si pajisjes me libra, ashtu edhe më pak të frekuentuara nga studentet, ndryshe nga ç’ndodh jashtë), po këto janë më teknike dhe me do-able (pra më lehtësisht të realizueshme).
Për mendimin tim, zgjidhja për akreditimin në Shqipëri është një agjenci e huaj, e cila duhet të shqyrtojë dhe të zgjidhë me objektivitet dhe profesionalizëm këtë problem, për të skualifikuar universitetet sharlatane dhe fantazma, që prodhojnë diploma dhe nxjerrin “losers”, dhe për të lënë në ekzistencë vetëm ato që plotësojnë standardet dhe kriteret. Sigurisht, paralelisht duhet të fuqizohet agjencia jonë e akreditimit, e cila duhet në radhë të parë të shkëputet nga politika dhe në krye të saj të vihen njerëz që kanë kurajën dhe aftësinë për të realizuar këtë reformë sa delikate dhe tepër të rëndësishme, siç është akreditimi.
I lidhur ngushtë me akreditimin është rankimi i universiteteve, i cili përpos të tjerave, u jep mundësinë shqiptarëve të vlerësojnë cili universitet është më i miri. Akreditimi dhe rankimi përkatës i shkollave të larta, publike e jopublike, do të sigurojë transparencën akademike, shkencore dhe financiare të tyre.
Është pozitive që në programin e arsimit të lartë të Partisë Socialiste në pushtet akreditimi përbën një nga prioritetet kryesore dhe kanë filluar përpjekjet për gjetjen e një agjencie të huaj për kryerjen e këtij procesi. Por është e rëndësishme që kjo reformë të mos zgjatet pafundësisht apo që në përbërje të bordeve të akreditimit apo të komisioneve për reformën në arsimin e lartë të caktohen ekspertë të vërtetë të kësaj fushë dhe jo individë, të cilët deri dje kanë qenë autore dhe aktore të kazmës që iu vu arsimit dhe sot po konvertohen si “reformatorë”. Servilët e koniunkturalët që bëjnë akrobacira sa në një qeveri në tjetrën, duke iu lëpirë “padronit” të radhës (përfshi këtu dhe disa pronarë apo administratorë universitetesh privatë), fosilet dhe mediokrit që po asfiksojnë trupat pedagogjike e akademike nuk duhet të kenë më vend në arsimin shqiptar. Arsimi, si çdo fushë tjetër, reformohet e rregullohet me njerëz kompetentë e profesionistë, e mbi të gjitha, që kanë “good will”, përkushtim dhe kurajë për të realizuar reformat.
Dy çështje të tjera, ajo e kërkimit shkencor dhe e titujve shkencorë do trajtohen në shkrime në vijim.
Gazeta Shqiptare



Leave a Reply