Nga Kozeta MESITI*
Ne jemi profesionalisht dhe qytetarisht të vendosur që gjithnjë e më mirë të vlerësojmë nevojat, situatën sociale dhe problematikën komplekse me të cilën përballen njerëzit e moshës së tretë. Duke e vlerësuar seriozisht këtë detyrë duket se situata sociale dhe problematika e të moshuarve është e tillë që nuk mund të superohet vetëm nga skemat sociale të mbrojtjes shtetërore. As mund të përballohet vetëm me shërbimet e specializuara të ofruara nga strukturat publike të shërbimit social për të moshuarit në nevojë. Koha kërkon optikë të integruar dhe vizion komunitar për këtë moshë.
Në këtë kontekst duhet vlerësuar fakti që politikat sociale, kujdesi i Qeverisë, vlerësimi i integruar i politikave të përkujdesit nga MPCSSHB, rritja e rolit të pushtetit vendor dhe kontributeve të organizatave jo qeveritare të shërbimit social janë tregues se Shërbimi Social Shtetëror është duke punuar me të gjithë forcat dhe energjitë për të krijuar mentalitetin e ri social, të bazuar në të vërtetën se koha dhe zhvillimet dinamike të shoqërisë tonë në mënyrë të natyrshme kanë sjellë një varg problemesh sociale, ekonomike, shëndetësore për të moshuarit.
Ato janë faktorë që na detyrojnë të mendojmë më mirë dhe punojmë me humanizëm moshor, solidaritet social për të realizuar përgjegjësitë, detyrat dhe rolet që ka Shërbimi Social Shtetëror si agjenci shtetërore e ngarkuar me detyrën e koordinimit të strukturave të shërbimit dhe mbrojtjen e kësaj shtresë sociale sic janë të moshuarit. Kjo do të thotë se kujdesi ndaj kësaj moshe është bërë obligim prioritar i përgjithshëm i strukturave të shërbimit social shtetëror, komunitar dhe familjar. Qëllimi i punës së përbashkët të strukturave qeveritare dhe aktorëve të shërbimit publik, privat dhe joqeveritar , është të ecim më shpejt drejt objektivit për të bërë të mundur ta bëjmë shoqërinë për të gjitha moshat apo “shoqëri pa moshë”.
Duke parë natyrën komplekse peshën e madhe sociale që ka ky grup në tërësinë e kostove të sistemit të përkujdesit social, politikat nxitëse dhe koherente të MPCSSHB, jemi duke u harmonizuar strategjitë rajonale të pushtetit vendor dhe kontributet konsistente të shoqërisë civile në komunitet, biznesit privat dhe çdo forme tjetër të partneritetit social. Reforma e shërbimeve sociale që po thellohet me ritme të shpejta, është një nga treguesit më elokuentë të faktit që në politikat e përkujdesit për të moshuarit, pa mohuar mangësitë dhe të metat e natyrshme, politikisht, strategjikisht dhe institucionalisht janë në rrugën e duhur.
Tabloja e re e strukturave qendrore, rajonale dhe komunitare të përkujdesit social për të moshuarit, janë tregues të zbatimit të parimit të madh social, se të moshuarit nuk janë kurrë të tepërt dhe kujdesi për ta është në cdo rast i domosdoshëm dhe i dobishëm. Problemet e të moshuarve duhen vlerësuar në kompleks, në përputhje me nevojat që ata kanë. Vlerësimi i realist i nevojave është kushti i parë që na ka orientuar, për të gjetur zgjidhjet më optimale brenda mundësive që kemi. Veçoritë e reja të moshimit, e bëjnë të domosdoshme që jo vetëm shërbimin social ndaj të moshuarve në nevojë të ndryshojnë cilësisht, por edhe koncepti i pleqërisë si i tillë ka nevojë të “ripërkufizohet”, duke vlerësuar me objektivitet ndryshimet sociale, demografike, ekonomike, familjare dhe institucionale që ka pësuar shoqëria shqiptare.
Duke vlerësuar të gjithë faktorët që e bëjnë moshën e tretë që të jetë vulnerabël dhe e pafavorizuar, duke parë kurbën e dobësimit të disa organizimeve të jetës sociale, zbehjen e humanizmit dhe solidaritetit moshor, tipare të sjelljes sociale që janë në kundërsens me traditën e mirë të shoqërisë tonë, duke çmuar prirjen e modernizimit të familjes dhe forcimin e filozofisë individualiste të jetës, duhet të pranojmë se përgjithësisht koha nuk është në favorin e të moshuarve. Kjo po ndikon në rritjen e numurit të moshuarve që përballen me privime serioze, vetmi pse jo edhe situata që sjellin varfëri.
Ndaj qeveria, MPCSSHB, Sh. S. Sh. pushteti lokal, shoqëria civile dhe gjithë faktorët e tjerë të mbështetjes sociale jo kontributive, po përpiqen të kompensojnë mangësitë “shtesë” dhe rritjen e kostos që vjen nga domosdoshmëria, dobia për përmirësimin e ndërhyrjeve alternative dhe mbështetjes me organizime dhe institucione sociale. Harta aktuale e shërbimeve sociale për të moshuarit në nevojë është zgjeruar në mënyrë të përshpejtuar. Krahas 6 Qendrave rezidenciale publike për të moshuarit në Tiranë, Kavajë, Fier, Gjirokastër, Shkodër dhe Poliçan janë shtuar 10 institucione rezidenciale të shërbimeve të reja të ofruara nga OJF të specializuara për këto shërbime në Tiranë, Durrës, Shkodër. Praktikisht në se në institucionet publike trajtohen 267 të moshuar, në qendrat e tjera jo publike momentalisht trajtohen me shërbime të plota rezidenciale dhe ditore rreth 180 të moshuar në nevojë. Në perspektivën e punës, zhvillimit dhe zgjerimit të tipologjisë së shërbimeve sociale është ambicia jonë e krijimit të dy lloj shërbimeve që duhet të përmirësojnë hartën dhe strukturën e nevojave të shërbimeve të specializuara.
Në këtë kontekst po negociojmë me Bashkinë e Kamzës për të ridimensionuar strukturën e shërbimit ditor për të moshuarit e zonës, duke krijuar struktura të plota paralele të shërbimit rezidencial për të moshuar të tjerë që janë të braktisur apo në nevojë. Po kështu duke vlerësuar situatën gerontologjike të të moshuarve në institucionet e shërbimit social si dhe praninë e disa të moshuarve me demencë mentale apo diagnoza të tjera të agravuara po bashkëpunojmë që në Marqinet të krijojmë një qendër të Shërbimeve Socio Sanitare për të Moshuarit, në të cilën të mund të ofrohen shërbime të specializuara socio sanitare për këtë kategori të të moshuarve.
Shërbimi Social Shtetëror është duke rindërtuar skemat e shërbimit social publik, privat, joqeveritar. Tani po punojnë me intensitet të ri për të plotësuar më me shpejtësi objektivat e parashikuara në disa dokumente me rëndësi, siç janë Strategjia Sektoriale e Mbrojtjes Sociale 2009-2013, Strategjia Ndërsektoriale e Përfshirjes Sociale, Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe sidomos Dokumenti dhe Plani i Veprimit të Politikave Ndërsekstoriale për moshën e tretë, në të cilat janë adresuar në mënyrë të integruar objektivat dhe masat organizative, institucionale dhe buxhetore edhe për kujdesin ndaj të moshuarve.
Hartës skeletike të shërbimeve rezidenciale të bazuara në veprimtarinë e 5-6 institucioneve rezidenciale, tashmë i është shtuar një rrjet i gjerë i Qendrave ditore dhe komunitare, në të cilat ofrohen shërbime të natyrave të ndryshme. Krahas shërbimeve sociale në institucionet publike dhe rezidencat shtetërore është rritur numri i institucioneve të tjera. Këto shërbime të reja janë të ofruara nga aktorë dhe partner të tjerë të pushtetit vendor, OJF dhe të shërbimit social si biznes. Në hartën e shërbimeve sociale janë shtuar gjatë kësaj periudhe edhe 7 qëndra rezidenciale në Tiranë, Shkodër dhe Durrës, 17 qendra ditore në Tiranë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Elbasan, Berat, Vlorë, Korçë, Lezhë, Dibër, si dhe 6 qendra komunitare në Tiranë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Korçë.
Në se në të kaluarën shërbimet për të moshuarit kanë qenë nga pikëpamja cilësore empirike dhe intuitive, të ofruara nga njerëz më njohuri profesionale të kufizuara dhe thelbësisht jo profesionistë, është arritje thelbësore që tashmë gjërat në kuptimin cilësor kanë ndryshuar. Të gjitha shërbimet që ofrohen në territorin e vendit tonë janë me standarde. Garanci për to është ekzistenca e strukturës shtetërore të inspektimit të këtyre standardeve të cilat normativisht inspektojnë minimalisht dy herë në vit cilësinë e shërbimit dhe standardet e përkujdesit në çdo institucion, qendër ditore apo komunitare, institucion rezidencial apo familje ku ofrohet shërbimi.
Është arritje e madhe fakti që në shërbimin për të moshuarit po shtohen aktorët e rinj që hyjnë në fushën e shërbimeve. Ato nuk mund të jenë organizata që improvizojnë shërbime apo që nisen abuzivisht nga principet minimaliste të nënvlerësimit të nevojave të kësaj moshe. Përkundrazi në politikat e MPCSSHB dhe dinamikat e vlerësimit kontrollit dhe inspektimeve të bëra nga strukturat e specializuara të SHSSH, synohet që të sigurohen aktorë që kanë aftësi, potencë shërbimi, sens pune dhe kapacitetet të vërtetuara përmes procedurave ligjore të licencimit paraprak dhe inspektimeve permanente, që janë garanci e rritjes së cilësisë së shërbimit, mbështetje për realizimin e shërbimeve të integruara për të moshuarit.
Nuk është pak ajo që kemi bërë vitet e fundit, kur jo pa krenari duhet të themi se krahas 6 qendrave rezidenciale për të moshuarit të trashëguara i janë shtuar rrjetit të larmishëm të shërbimeve për të moshuarit edhe 29 qendra të reja rezidenciale, ditore dhe komunitare. Por kjo nuk na vetëkënaq. Sepse qëllimi i MPCSSHB është të ecim më shpejtë në rrugën e decentralizimit të shërbimeve, të zgjerimit të tipologjisë dhe formave të larmishme të shërbimit jo rezidencial, duke zgjeruar spektrin e shërbimeve komunitare në mënyrë që mund të zbutim sa më shumë dhe sa më shpejt të jetë e mundur diferencën akoma të ndjeshme midis sasisë, intensitetit dhe larmisë së nevojave që kanë të moshuarit në nevojë dhe mundësisë së ofrimit të gjithë llojeve të shërbimeve rezidenciale, ditore, komunitare dhe alternative për t’i plotësuar sa më mirë ato…
*Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply