
Komuna e Prishtinës urdhëroi mbylljen e përkohshme për shkak të dyshimeve për cilësinë e naftës që përdoret për ngrohje. Qeveria kundërshton.
Dhjetëra shkolla fillore dhe të mesme të komunës së Prishtinës as sot nuk do të punojnë me vendim të autoriteteve komunale për shkak të siç është thënë dyshimeve se nafta që përdoret për ngrohje mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e nxënësve. Pohimet e tilla kundërshtohen nga qeveria e Kosovës.
Të premten, komuna e Prishtinës urdhëroi mbylljen e 43 institucioneve shkollore nën dyshimet se vlera e sulfurit të gjetur në ngrohëset e këtyre institucioneve që shfrytëzojnë naftën, tejkalon shumëfish vlerën e lejuar.
Por, Ministria e Arsimit dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë, nuk pajtohen me vendimin e kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Të dyja ministritë pohojnë se nafta që përdoret për ngrohje është në pajtim me standardet dhe nuk paraqet kurrfarë rreziku.
Ministria e Arsimit siguron prindërit se nuk ka arsye për shqetësime dhe kërkon që të gjitha shkollat e Prishtinës të rifillojnë mësimin. Madje kjo ministri bënë thirrje që siç thuhet, shkollat dhe nxënësit të mos përdoren për qëllime politike.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që vjen nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje tha se situatën është duke e vlerësuar Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik dhe në çastin kur ky institut do të konfirmojë se nuk ka rrezik për shëndetin e fëmijëve, do të merret një vendim tjetër.
Ndonëse komuna e Prishtinës ka publikuar një listë të shkollave që janë të mbyllura përkohësisht, paqartësitë e krijuara në marrëdhëniet ndërmjet komunës dhe qeverisë kanë krijuar mëdyshje rreth vazhdimit të mësimit nëpër shkollat e Prishtinës gjatë kësaj jave.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply