Në Tiranë mijëra qytetarë u mblodhën sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave simbol të muzikës shqiptare, Vace Zelës, e cila u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 74 vjecare
Lule të shumta mbuluan arkivolin me trupin e saj në dalje nga Teatri i Operas dhe Baletit ku u zhvilluan homazhet në nderim të artistes që la shenjë përgjatë disa dekadave në skenën shqiptare. Në vend të muzikës funebre në sfond ishin këngët dhe zëri i Vace Zelës, ndërsa trupi u vendos në skenën ku ajo kishte thyer rekordet me 12 cmime të para në Festivalet e Këngës në RadioTelevizion.
Për t’i dhënë lamtumirën artistes së madhe ishin për homazhe autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit, personalitete të artit dhe kuturës shqiptare por dhe qindra njerëz të thjeshtë, qytetarë të cilët kërkon t’i bënin respektet e fundit Vace Zelës, zëri i magjishëm i së cilës, konsiderohet i papërsëritshëm.
Vace Zela dominoi skenën e muzikës shqiptare për disa dekada,duke lënë pas këngë të cilat kanë mbetur si himne muzikore edhe sot e kësaj dite. Në repertorin e saj gjenden nga këngët popullore tek ato të muzikës së lehtë, apo baladat. Prej vitesh ajo jetonte në Zvicër ku luftoi gjatë me sëmundjen, ndërsa kishte lënë ament që të prehej në atdheun e saj.
Zeri i Amerikes

I jepet lamtumira e fundit mbretëreshës së këngës Vaçe Zela
Amaneti I saj u vu në vend. Trupi i Vaçe Zelës pasi kaloi në token e Kosovës, mbërriti në Shqipëri, vendi ku ajo donte të prehej përgjithmonë. E tamam ashtu sic ka dashur, e rrethuar nga kolegë, miq e të afërm, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë, e madhja Vaçe po përcillet me nderime. Të gjithë po përkulen para trupit të këngetares nën tingujt e muzikës së saj.
Homazhet në nderim të Artistes së Madhe nisën në orën 10:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ceremonia në nderim të artistes është organizuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, Edi Rama. Më pas në orën 13.00 trupi i pa jetë i ikones se muzikes do të dale nga TKOB per tu prehur ne varrezat e Sharrës.
Vaçe Zela ndërroi jetë dy ditë më parë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.Pranë këngëtares në çastet e fundme kanë qenë i shoqi, Pjetri dhe e bija, Irma. Prej vitesh ajo jetonte në Bazel të Zvicrës, ku prej pasionit që pat për lulet, fqinjët e thërrisnin, “zonja me gishtat jeshile”.
FJALIME HOMAZH PËR KËNGËTAREN
Miq e kolegë artistë, bashkëpunëtorë dhe figura të politikës po mbajnë fjalime homazh për nder të këngëtares në skenën e TOB.
Kumbaro : Unë të kam parë, të kam ndjekur, të kam kënduar me vete por se pata kurrë fatin të të afrohem sepse kam qenë dhe jam shumë e vogël përpara teje. Sot je këtu afër dhe unë ndihej mall siç edhe ti vetë ke thënë ” sa mall kemi sa deti valë”. Ne Vaçe të duam shumë por ti vetë prapë e ke thënë “Dashuria është si kënga dhe duaje sot gjithë botën ta pushtoj”. Prandaj po të lë Vaçe që të na pushtosh siç na ke bërë gjithmonë, që atje lart tek yjet se pjesë e tyre ke qenë dhe je. Prej ku do të na vazhdosh të na shohësh duke na pushtuar të gjithëve” tha ministrja.
Bujar Kapexhiu: Sot do themi të njëjtat fjalë për Vaçen , janë të njëjtat fjalë se i njëjtë është mendimi dhe vlerësimi ynë për madhëshitnë e saj dhe e njëjtë është dhimbja për largimin saj nga kjo jetë. Sot ka ikur prej nesh një pjesëtar i familjes sonë, më e madhja Vaçe Zela. E rrallë. Edhe sot si askush tjetër ajo po largohet duke kënduar dhe në të njëjtën kohë është këtu midis nesh me zërin e saj.
Sherif Merdani: Ne jetuam në një Shqipëri që lëngonte që rënkonte. Ku këngëtari burgosej për këngën e tij poeti pushkatohej për veprën e tij. Zoti nuk na i vrau shpresën, dërgoi një zë që na i zbuti dhimbjen dhe na dha shpresë, kjo ishte Vaçja. Me zërin e saj na shoqëroi në gëzimet mjerave të gjimnazit. Sot dëgjojmë këngën tënde që na mbush ende me shpresë. Vaçja me profesionalizmin e saj bëri një popull të ndihet krenar kudo ku shkeli. Jam krenar që jetova në brezin e sa. Të faleminderit Vaçe.
NISIN HOMAZHET, KOLEGE E MIQ PERKULEN PARA ARKIVOLIT TE KENGETARES
Ora 10:00-Kane nisur ne TOB homazhet ne nderim te kengetares. I pari qe u perkul para trupit te pa jete te kengetares ishte aktori i madh Reshat Arbana. Me pas ai la edhe shenimet e fundit ne bllokun e kujtimeve. Trupi i kengetares eshte vendosur ne skenen e TOB.
ARKIVOLI ME TRUPIN E KENGETARES VENDOSET NE TOB
Ora 09:30-Nën tingujt e këngëve dhe zërit të saj trupi i pa jetë i artistes Vaçe Zela u vendos në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit ku pritet të fillojnë homazhet në nder të saj. Të afërm dhe miq qëndrojnë pranë saj ndërsa jashtë ambienteve të TOB qytetarë të thjeshtë presin të përulen para arkivolit.
Burimi Balkanweb
Shqipëria… amaneti i fundit i Vaçe Zelës
Me duartrokitje, lule dhe me flamurin kuq e zi mbi arkivol, të cilin ja kishin dhuruar fëmijët e Lushnjës për 100-vjetorin e pavarësisë së vendit, u largua nga skena të cilës i kushtoi jetën Vaçe Zela. Duke plotësuar amanetin e saj të fundit, trupi i divës së muzikës shqiptare, prehet në atdhe! Familja, kolegë, miq por edhe qindra njerëz të thjeshtë, të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit janë përulur këtë të shtunë, në Teatrin e Operës dhe Baletit, në nderim të “Nderit të Kombit”.
Homazhet e organizuara me protokoll shtetëror, nisën në orën 9:30 minuta me mbërritjen e trupit të këngëtares, duke e vendosur atë në skenë, vendi nga i cili emocionoi për vite të tëra shqiptarët. Këngët dhe imazhet e Vaçe Zelës kane shoqëruar gjatë gjithë kohës ceremoninë, e cila zgjati deri në mesditë. Rreth 20 personalitete, artistë, gazetarë e politikanë kanë zgjedhur t’i japin Vaçe Zelës lamtumirën në mënyrën e tyre, me fjalë të ndjera dhe këngë. Ylli i muzikës shqiptare, që u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare, duke na lënë një pasuri të madhe shpirtërorë, prehet në varrezat e Sharrës.
Muze shtëpia ku lindi Vaçe Zela
Nga një shtëpi e thjeshtë me çati dhe oborr karakteristik myzeqar në Lushnje, ka nisur udhën kënga e pafundme e artistes së madhe shqiptare Vaçe Zela. Shtëpia tashmë është rrënuar dhe braktisur, por jo kujtimet për zërin e paharruar të vajzës lushnjare që u gatua aty për tu shpërndarë më pas në Shqipëri dhe në gjithë botën. Në Lushnjë kanë mbetur nga fisi Zela disa të afërm të kësaj këngëtare të madhe, Pëllumbi dhe Syrjai. Ata rrëfejnë me mall dhe dashuri atë çka dinë për ikonën e muzikës shqiptare, duke pohuar edhe dëshirën e tyre por edhe të lushnjarëve, për ta kthyer këtë banesë në muze. I moshuari Jovan Bizhuti është një nga bashkëkohësit e Vaçe Zelës. Rrëfimi i tij për bilbilin e këngës shqiptare, nis që nga çasti kur Vaçja u zbulua si këngëtare deri në ditët kur ajo vinte në Lushnjë si këngëtare tashmë tepër e njohur dhe e respektuar. Skena e Pallatit të Kulturës tani është bosh. Ndërsa zemra e çdo qytetari lushnjar dhe shqiptar është e mbushur përjetësisht me zërin e saj. Bashkia Lushnjë do të organizojë homazhe në ditët në vijim në nderim të kësaj figure. Ndërsa kreu i bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe, ka deklaruar se do të plotësohet kërkesa e qytetarëve për shtëpi muze si dhe vendosjen e një një rrugë me emrin Vaçe Zela në lagjen ku ajo u lind dhe u rrit.
Vizion plus
Vaçe Zela (7 prill 1939-29 nëntor 1944)
Kastriot Myftaraj
Vaçe Zela (7 prill 1939-29 nëntor 1944)
Vaçe Zela vdiq fizikisht në 6 shkurt 2014, por ditëvdekja e saj artistike është 29 nëntori 1944. Në këtë ditë të vendosjes së diktaturës komuniste që e izoloi Shqipërinë, Vaçja praktikisht u burgos, se për gjenitë si ajo, diktatura ishte shumëfish më e rëndë. Shumë njerëzve diktatura u mori jetën plotësisht, duke i vrarë, apo pjesërisht duke i burgosur. Vaçen diktatura e privoi nga e drejta për të përmbushur talentin e saj të pashoq. Vaçja duhet të kishte shkëlqyer në skenat botërore se e meritonte këtë gjë, ashtu si Ermonela Jaho, si Inva Mula etj. Por fatkeqësia e Vaçes është se ku ra diktatura ajo tashmë e kishte kaluar moshën kur një këngëtare femër mund të nisë një karrierë ndërkombëtare.
Diktatori komunist Enver Hoxha me djallëzinë e tij, duke e ditur krimin që kishte bërë ndaj artistëve si Vaçe Zela, sajoi për të gjoja një sukses ndërkombëtar duke e çuar të këndonte në skena të rreme, siç ishte rasti i festivalit të Bashkisë së Dizhonit në Francë, ku merrnin pjesë grupe folklorike amatore nga Europa dhe Afrika. Vaçes nuk iu dha mundësia që të bënte një karrierë të vërtetë ndërkombëtare si këngëtare profesioniste. Ekuivalenti i Vaçe Zelës në Jugosllavinë e Titos ishte Tereza Kesovija, një këngëtare kroate, e cila ishte gjashtë muaj më e madhe se Vaçja si moshë. Tereza Kesovijën Titoja e lejoi që në moshën 24 vjeçare të shkonte të këndonte në Itali, dhe në dy vitet në vazhdim ajo shkoi dhe këndoi në Gjermaninë Perëndimore, Zvicër, Danimarkë, Norvegji, Suedi, Finlandë. Vetëm në dy vite Tereza Kesovija shkoi në aq shumë vende sa Vaçe Zela nuk do të shkonte deri në 1991.
Në 1965, kur Tereza Kesovija ishte 27 vjeç, ajo u vendos me banim në Francë, ku u bë një këngëtare e njohur dhe nisi një karrierë europiane. Ajo shkonte shpesh edhe në Jugosllavi për koncerte dhe për pushime, madje në 1972 ishte ajo që përfaqësoi Jugosllavinë në Eurosong. Nëse Tereza Kesovija do të kishte pasur zërin e Vaçe Zelës ajo do të kishte pasur sukses më të madh. Në fillim të viteve tetëdhjetë, kur Vaçe Zela praktikisht e ndërpreu karrierën e saj, Tereza Kesovija vazhdonte të këndonte në skena gjithandej botës. Është e sëmurë thuhej si nën zë për Vaçe Zelën. Sëmundja e Vaçe Zelës ishte e ngjashme me atë të një bilbili që e kanë futur në një bunker. Tereza Kesovija vazhdoi të korrë sukses në skenat botërore gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, vazhdoi të këndojë në vitet nëntëdhjetë, në dekadën e parë të shekullit të ri, dhe vazhdon të këndojë ende. Kurse Vaçja kishte tre dekada që ishte zhytur në melankoli.
Sot u mbajtën ceremonitë zyrtare të nderimit të Vaçe Zelës, nën drejtimin e vetë Kryeministrit Rama, por që në fakt ishin ceremonitë e poshtërimit të saj. U thanë shumë fjalë për Vaçen, por e vërteta për të nuk u tha. Se ata që ishin tubuar kinse për ta nderuar Vaçen e duan ish-diktaturën komuniste dhe posaçërisht Enver Hoxhën, shumë më tepër se Vaçe Zelën. Ideja qëndrore e të gjithë atyre që u thanë për Vaçen ishte se sa fat të madh pati Vaçja që u rrit dhe i jetoi në kohën e Enver Hoxhës vitet kur duhet të lulëzonte talenti i saj. Në këtë ceremoni Vaçja u përdhos edhe një herë nga mediokrit të cilët gjendeshin atje për të thënë se ata ishin në atë ngjarje. Një ish-ushtarak bufon që artikulon marrëzinë e vet në faqen e parafundit të Gazetës “Zëri i Popullit”, duke folur me ton ushtarak tha se Vaçja që lindi në ditën e parë të pushtimit këndoi këngët e dëshmorëve dhe heronjve që luftuan që të çlirohej Shqipëria dhe të këndonte Vaçja aq bukur nëpër skena. Por më keq se ç’ u izolua Vaçja në Shqipërinë “e çliruar” nuk do të ishte izoluar në Shqipërinë e pushtuar, sikur pushtimi të kishte vazhduar deri në 1991. Se në kohën e pushtimit italian dhe gjerman shqiptarët mund të udhëtonin lirisht në gjithë Europën.
Kryeministri Rama ishte kryepërdhosësi i Vaçe Zelës në këtë ceremoni. Ai bëri gjithçka që të dukej se ishte veçanërisht i preokupuar për mbarëvajtjen e funeralit. Së bashku me Fate Fantastikun që i rrinte pas, Edi Rama shkoi në Teatrin e Operës dhe Baletit rreth orës 19 të ditës së djeshme për të parë përgatitjet për homazhet. Ishte menduar që homazhet të bëheshin në holl. Edi Rama urdhëroi që ato të bëheshin në sallën e koncerteve nga ku duhet të hiqeshin të gjitha karriget. Rreth mesnatës Rama shkoi përsëri për të mbikqyrur punimet. Në një momen kur Edi dhe Fatja po rrinin ulur dhe po bisedonin, dikush nga ata që drejtonin punimet kërkoi që të vinte shpejt një elektricist. Fatja u cua instinktivisht në këmbë, por Edi Rama e kapi për mënge dhe e uli përsëri në vend.
Ajo që bëri diktatura komuniste me Vaçen i ngjan asaj monstrës prej betoni që ka bërë i ati i Edi Ramës, Kristaq Rama në Varrezat e Dëshmorëve, dhe që e quajnë “Nënë Shqipëri”, ndonëse në dorën e ngritur lart mban vetëm yllin sovjetik dhe jo simbolin kombëtar që është shqiponja dykrenore. Edhe diktatura e mori vajzën e talentuar Vaçe Zela dhe e keqpërdori talentin e saj në atë masë sa sot nëse kërkon që të bësh një album me këngë joideologjike të Vaçes, e ke të pamundur që ta bësh këtë gjë, se janë shumë të pakta këngët joideologjike që ka kënduar ajo. Pra, Vaçe Zela nuk u privua thjesht nga karriera e madhe ndërkombëtare që meritonte, ajo u privua edhe nga karriera normale që duhet të bënte cdo këngëtare e talentuar.
Unë jam i bindur se Edi Rama pavarësisht nga fjalët që tha për Vaçen, e urren atë, se ai si artist i dështuar urren çdo artist të talentuar, aq më tepër një supertalent natyral si Vaçja. Vaçe Zela dhe Edi Rama në fakt janë anë të së njëjtës medalje të trishtuar të diktaturës komuniste. Vaçe Zelën nuk e pranuan në Liceun Artistik në Tiranë, megjithë talentin e saj evident. Kjo ndodhi se diktatura komunist kishte plan edhe talentet që duhet të nxirrte çdo rreth. Në vitin kur konkuroi Vaçja nga Lushnja kishte shkuar dikush tjetër, dhe përgjithësisht shkonin njerëz që kishin mbështetjen e nomenklaturës komuniste, ose që i përkisnin kësaj. Shembull për këtë është Edi Rama që u pranua në Liceun ku u refuzua Vaçja vetëm se ishte djali i skulptorit të oborrit të Diktatorit, Kristaq Ramës. Vaçja ishte aq e përmbajtur sa nuk e tha kurrë se cila femër mediokre nga Lushnja shkoi në vend të saj në Lice. Vaçja nuk e bëri dot as shkollën e lartë (Konservatorin) për këngëtare, çka do të thotë se talenti i saj nuk u përpunua siç duhet. Ne nuk e dimë sesi do të kishte qenë një Vaçe me konservator. Në 1957, kur ishte Vaçja 18 vjeç, shkonin studentë shqiptarë në shkollat e larta të vendeve komuniste, por që kishin shkolla muzikore me traditë të madhe, si Rusia, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Gjermania Lindore etj. Vaçes nuk iu dha e drejta për të shkuar në këto shkolla. Por talenti i Vaçes ishte aq evident kështu që ajo u bë gjithsesi këngëtare. Por atë e çuan ironikisht në Estradën e Ushtarit, ndonëse më pas nga turpi thanë se e dërguan në Ansamblin e Ushtrisë.
Vacja do të ishte bërë një artiste e madhe edhe nëse në Shqipëri nuk do të ishte vendosur regjimi komunist. Edi Rama, përkundrazi nuk mund të ishte bërë artist dhe profesor në një universitet arti nëse në Shqipëri nuk do të ishte vendosur regjimi komunist. Edi Rama është i vetëdijshëm se karriera e tij është e ngritur mbi krimin ndaj Vaçe Zelës, se mbi këtë krim është e ngritur karriera artistike e Kristaq Ramës, nënprodukt i së cilës është karriera artisitike e Edit. Edi Rama i vërtetë nuk është ai që shtiret sikur e ka përjetuar thellë zërin e Vaces, duke thënë fjalë të tilla si ajo qe tha ne fjalimin e tij se ai e ndiqte tre ditë festivalin e këngës në kohën e komunizmit vetëm për tre minutat që do të këndonte Vace Zela. Nëse do të kishte qenë kështu, Kryeministri në pritjen që dha për artistët në nëntor do të kishte kërcyer duke kënduar një këngë të Vaçes dhe jo tahllavanë e Naplonit. Shumë pak vetë e dinë se ate natë, Kryeministri pasi këndoi vargjet: “E kush kërcen Naplonin,/nusja me gjithë dhonrin”, tha: “Nusja është Shqipëria, dhëndrri jam unë!” Paralajmërim orgurzi po të kihen parasysh precedentët e këtij dhëndrri të shumëfishtë me nuset.
Nuk është dhe aq rastësi që Vaçe Zela vdiq pikërisht në 6 shkurt. Kjo ditë gjëmëmadhe duhet të jetë ngulitur thellë në subkonshin e saj për shkak të fjalimit të përbindshëm që mbajti në këtë ditë Enver Hoxha dhe që i hiqte Vaçes së cdo shpresë se edhe për të do të hapej rruga e karrierës artistike ndërkombëtare. Ata që i bënë homazhe qeveritare Vaçes në fakt donin ta përdornin 6 shkurtin e 2014-ës për të pastruar e 6 shkurtin 1967-ës. Vaçja vdiq në mënyrë domethënëse në vitin jubile, sic quhej në kohën e diktaturës komuniste, të 70 vjetorit të clirimit, por pa e arritur këtë ditë. Se ajo, e lindura në 7 prill 1939, ishte viktima e madhe e 29 nëntorit 1944./Kastriot Myftaraj
Burimi – Facebook
——————
(Kushtuar Nderit të Kombit, Artistes së Popullit Vaçe Zela)
Ku gëzon blerimi fushën
“veshur diell, mbathur hënë”
flladi shall i bëhet gushës,
ty të lindi drit’ e hënës.
Ku ngre kokën një val’ gëzimi
Ku tremb zemrën thellë një brengë,
Ku harron të flerë kujtimi,
Ndeze ti, zjarrin e këngës.
Ku pikojn’ yjet e qiellit,
trëndelina,. tokës rënë,
ku me rrezet luan dielli,
përkëdhele buzëve këngën.
Ku takim prêt dashuria,
Ku qorton me fjal’ t’ëmbël,
Zëri yt-zog hapësirash,
Dashurohet nëpër këngë.
Ku loton vesë trëndafili,
Flenë trimat nën një ëndërr…
Zëri yt prek pikëllimin,
Bëhet lot në sy të këngës.
Ku harruam ëndërrimin,
Ku një shpresë s’ngrihej më këmbë,
Zëri yt shkeli harrimin,
U bë dhembje e vet këngës.
Ku dëgjohet një kitarë,
Ulen zogjë nëpër tela,
Shpirtit tanë mblodhe nektarë,

Burimi – Facebook


Leave a Reply