Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve
Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani”
Libri ”THESAR KOMBËTAR I MËRGATËS
SHQIPTARE NË SUEDI 1,
Për pavarësinë e Republikës së Kosovës”
Kristianstad, Suedi
PROMOVIMI I LIBRIT
më datë 22 shtator 2012 në Kristianstad, Suedi
FJALA E REFERUESIT, PROF. FETAH BAHTIRIT

Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani” del para lexuesve dhe dashamirëve të librit shqip kësaj radhe me librin e saj të parë, të cilin e kanë shkruar një numër i madh autorësh që kryesisht kanë bërë një punë grupore. Libri është emërtuar me titullin ”Thesar Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, Për pavarësinë e Republikës së Kosovës”. Ky libër është fryt i mërgatës, e cila gjatë dy decenieve të fundit ka qenë shembull i angazhimit duke i shërbyer atdheut, kryesisht Kosovës dhe për vënien e gurëve në themelin e pavarësisë së saj.
Në këtë libër bukur voluminoz me 480 faqe pasqyrohet denjësisht veprimtaria e bashkatdhetarëve të cilët ishin vendosur këtu në fillimin e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, pra para dy dekadave.
Libri të cilin po e promovojmë sot ngërthen në vete një dokumentacion voluminoz e të kompletuar mirë, por duhet cekur se kjo është vetëm një pjesë e veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë të cilët jetojnë e veprojnë në Suedi. Shoqata këtu argumenton bindshëm veprimtarinë e shumë bashkatdhetarëve të palodshëm e vetëmohues në realizimin e idealeve dhe qëllimeve shekullore, që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe demokratik. Unë pohoj se autorët e shkrimeve ia kanë arritur qëllimit plotësisht. Këtë pohim e mbështes në materialet e prezentuara në libër.
¨
Në këtë libër janë dhënë 7 harta, 261 fotografi dhe 207 dokumente të cilat me
gjuhën e vet ilustrojnë e konfirmojnë gjendjen faktike dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Suedi në shërbim të atdheut dhe popullit të vet. Kështu, libri flet me dokumente, është një lloj arkivi i dokumenteve të cilat bindshëm argumentojnë faktet, kontributet dhe të vërtetën. Pra, kjo vepër është libër i fakteve, libër i argumenteve, libër i provave. Këto foto dhe këto dokumente janë dhënë në teknikën bardhe e zi, me çka vlera e tyre është e zbehur.
Përkah struktura, libri është i ndarë në gjashtë kapituj.
Kapitulli i parë bën fjalë për veprimtarinë e bashkatdhetarëve tanë nëpër shumë qytete e regjione të Suedisë. Në këtë kapitull të gjitha temat janë punuar nga grupe autorësh, kurse renditja e materialeve është dhënë sipas rendit alfabetik. Si duket ky ka qenë rregulli dhe përcaktimi i redaktorit. Kështu, kontributet e bashkatdhetarëve, organizimi dhe veprimtaria e tyre është dhënë për qytetet: Borås, Båstad, Falun, Göteborg, Halmstad, Hyltebruk, Hässleholm, Laholm, Landskrona, Lundegård e Lättarp, Smedjebacken, Uddevalla, Vetlanda dhe Ängelholm.
Në kapitullin e dytë gjejmë shkrime bukur të gjata për disa individë të merituar, të cilët vepruan në Suedi e edhe jashtë Suedisë dhe afirmuan shqiptarët si komb dhe integrimin e tyre në shoqërinë suedeze,. Renditja e shkrimeve në këtë kapitull është bërë sipas moshës së individit për të cilin bëhet fjalë në shkrime, duke filluar me më të moshuarin dhe duke përfunduar me më të riun, në rastin konkret me më të renë. Kështu shkrimet jepen për këta veprimtarë: Sadulla Zendelin-Dajën, Fetah Bahtirin, Bedri Pacin, Sejdi Zekën, Shyqri Gjurkajn, Murteza Berishën, Halim Hotin dhe Yllka Sheqirin.
Edhe në këtë kapitull shkrimet janë bërë nga grupe pune.
Ndërkaq, në kapitullin e tretë gjejmë shkrime të individëve si autorë dhe aty hasim tema interesante e të përgatitura mirë. Këtu ka shkrime interesante, autorë të të cilave janë: Ullmar Qvick, Murat Gecaj, Fetah Bahtiri, Prof. Dr. Eshref Ymeri, Ismet Hasani, Fazli Hajrizi, Kadrije Meniqi dhe Gentiana Zagoridha.
Në kapitullin e katërt i gjejmë katër intervista të përgatitura nga Hysen Ibrahimi, në kapitullin e pestë ndodhen poezitë dhe në të gjashtin një novelë autobiografike e autorit Hamit Gurguri, e cila lë përshtypje të jashtëzakonshme.
Në libër kemi shkrime të këndshme për Sesionin shkencor që është mbajtur në Ängelholm të Suedisë më datë 2 qershor 2012 dhe shkrime përkitazi me promovimin e veprës së historianit Jusuf Buxhovit ”Kosova” I, II dhe III, që u bë po atë ditë në të njëjtin vend, autorë të të cilave janë: Sokol Demaku, Qibrije Hoxha, Rizah Sheqiri dhe Hysen Ibrahimi.
Si përfundim, mund të konstatoj se ky libër është i vlefshëm jo vetëm për ditët e sotme, por edhe për kohën e ardhme; jo vetëm për gjenaratat e sotme, por më shumë për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë, për historinë gjithpërfshirëve të këtyre muhaxhirëve të ardhur këtu diku nga Ballkani. Gjithashtu unë mendoj se është e vlefshme dhe e dobishme që këtë libër në bibliotekën e vet ta ketë secila familje shqiptare këtu në Suedi, e edhe në tërë gjeografinë shqiptare.
Unë do t`u kisha rekomanduar të gjithë bashkatdhetarëve të prirë në përdorimin e pendës që të shkruajnë sa më shumë libra për veprimtari të ngjashme në ambientet ku ata jetojnë, punojnë e veprojnë, në mënyrë që të lënë një gjurmë prapa vetes, sepse kështu ata i shërbejnë familjes së vet, popullit të vet, atdheut të vet dhe historisë kombëtare.
Dhe krejt në fund, më duhet ta cek edhe një fakt të rëndësishëm: ai që e shfleton këtë libër, në faqen e fundit lexon:
Botimin e financoi
Halim Hoti, Suedi
Unë mund të them me zemër e shpirt: Halim Hoti! Të lumtë! Të falemnderit shumë për kontributin, veprën dhe veprimtarinë tënde
Referuesi,
Fetah Bahtiri
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply