LUTJE
O zoti im, i plotfuqishëm,
merre për dore trishtimin tim
dhe bëj me të një buzëqeshje,
të ngoh zemrën
kur vjen dimri. Thaji lotët e mi,
ose bëji ata lumenj gëzimesh
dete
e oqeane lulesh,
në çdo stinë.Dhimbjen që kullon vuajtje,
bëje një qiell lumturie,
ku ëndrrat lahen në dashuri
e bota lutet
nën një strehë.Krahët e mi
të bardhë
shndërroi
në pëllumbeshë,
që me këngën e saj
zgjon mirësi.Dhe mbi supe
të jetë shkruar:
PAQE!
FUNDOSJE NË MALL
Këtë vrull që kam,
dhe të dua
nuk e ndal dot,
duket
sikur
perëndia më dënoi
dhe
jeleku që vesh
ngushtë më rri.Çdo natë
shuhem
e tëra në eter,
çdo ditë
pendët
përpëliten në zjarr
e them çdo çast:
Merrmë natë,
dita mos gdhijë,
sonte lermë
të tretem në verë,
të fundosem në mall.
HESHTJE MBRËMJEJE
Më çudit
heshtja e mbrëmjes,
kur nuk flet,
se unë
nuk jam mësuar
me melodi marsiane,
që gërryejnë nga pak
mendimet e plurosura
e kullojnë
këngë dashurie.Inati yt
zgjati një epokë,
ndërsa puthja ime
hodhi shtat
ndër shekuj…pa pritur ! ———-
NË HOJE PUTHJESH…
Se do vijë një kohë
të duash ,
dhe të mos dua.
I llahtarisur
nga zjarret e mallit
të më kërkosh,
nëpër shtigje ëndrrash,
në hoje puthjesh
e drithërima stuhish,
por nuk do më gjesh,
do me gjesh
por nuk do jem…
PRAG DIMRI…
A më ndjen
dashuria ime?..Më ndodh,
aty ku vetë të harroj,
të më pyesin për ty
qiej dëshirash,
zogj të harbuar
dhe unë,
mbyllem në heshtje,
fshihem mbas lotësh
e mbështillem me dhimbje.
Pastaj
mbledh
copëzat e buzëqeshjes
trazuar me gllënjka drite,
të ushqej natën
deri në agim.Se nuk kam
dashuri tjetër të të jap,
degët e shpirtit i vola,
gjethet i mori era larg,
sythet u vyshkën
e koha u lodh.Tani
kam ngelur
si një këngë pa melodi,
ku jehona
përplaset mureve të shpirtit
e dallgë lotësh ngre.
Si zogu
mbas hekurave të kafazit,
që arratiset nga pikëllimi
e kërkon të fluturojë
në horizonte të lira,
pa pranga
po rob
në robërinë tënde.
Si një pemë e vdekur,
përbërë
nga një trung
i kalbur në vjeshtë
ndërsa degët
krahët kanë përtokë…
Dhe dimri
është një hap
nga unë,
nga ti…
ME NJË KËNGË ME RRËMBEU
Që andej nga deti erdha,
kishte ethe e dallgë shpuzë,
një vështrim të shpejtë si era
dhe një lule përmbi buzë.
Me një këngë më rrëmbeu,
poshtë në mbretërinë e fshehtë,
me ca perla ç’ më gënjeu
dhe një puthje lehtë – lehtë.
..dhe vallëzonte era valsin mbi flakë,
hapat,rrëmbente,sa shklelja mbi rërë,
çudi dhe yjet me habi me panë,
teksa hëna,u tret,e tëra në verë.
…dhe nata derdhej dalëngadalë mbi valë,
si një vajzë me barrë, gati për të lindur
agimin e pashë të shndërrohej në djalë,
kur deti më mbështolli me një të puthur.
KUR FJALA DHEMB
..Dhe mua mos më thoni të vërtetën,
se nuk e besoj, as kam për ta besuar,
kështu ndihem në paqe me vetvehten,
mendoj, kështu nuk ndiheni të ofenduar…
Ç’ta bëj një fjalë të vërtetë kur dhemb,
thela – thela ma copton shpirtin fisnik,
ndaj them: jo çdo gjemb është gjemb,
e jo çdo gënjeshtër nuk është trëndafil…
…KJO BOTË E RE MODERNE
Sa herë thashë të vërtetën,
askush më besoi
sa herë thashë gënjeshtër,
donin të dinin më shumë…
Kjo botë e re moderne
po më shndërron në tjetër,
në një specie hënore
edhe pse nuk dua…
……
SI NJË ËNDËRR NË ËNDËRR…
Ç’është kjo ndjesi,
e ëmbël,
melankolike,
që më ben speciale,
tjetër njeri,
femër në deje,
ndërsa shiu
hedh ngadalë hapa mbi lëkurë,
më lag flokët ngjyrë gështenje
dhe kullon e me mijëra duar
më përkëdhel indet,
kërkon të më përpijë
me një gllënjkë,
si një ëndërr në ëndërr…
E unë
zë e hesht,
duke ndjekur çdo lëvizje,
të ik nuk mundem,
flakët brenda meje
lidhur më mbajnë,
kënaqësia me djeg,
gjithçka ka pushtuar
me një puthje.
Dhe qesh,
dhe qaj
poshtë një qielli
që derdh lot pagëzimi.
Çudi…!
Jashtë është dimër
e unë frymoj pranverë…
————–
LULET E VJOLLCËS
Isha atëhërë
Nje laureshë e brishtë
Me këngëzën time
Fshehur
Nënë qerpikë
Ku vështrimi im
Dashurinë e munguar
Vidhte…
Atëherë
Dikur,
Në vajzërinë e largët
veshur
një fustan basme
prerë dhe qepur
nga duart e nënës …
dhe unë
vrapoja
dridhesha si tornado
ngrija në hapësirë
ciklone lulesh
ndërsa poshtë
këmbëve të zbathura
digjte dheu i nxehtë
si vet dashuria…
dhe .ateherë
besomëni
vetëm atëherë
unë mblodha
lulet e para të Vjollcës…
dhe duart
më shëndrroheshin
në vjollca të kaltëra
të kuqe,
të verdha…
Ne vjollva ngjyre vjollcë
Duke më shëndronin
të tërën
Në një magji luleje
Ndërsa qetësisht
Në flakët e ferrit
kalëruar
fletore
libra poezish
digjshin
përbri strehës
mijëra shkronja
u përpëlitën …
U lexuan
Me alfabetin e shpiritit
histori dashurishë…
Eh…
një jetë të tëra
klithën : dhimbje !
mallkova
e ke nuk mallkova
c’gjeta para
e shava permbysa…
për të ndërtuar
një tjetër dhimbje
me përmasa sa vet Bota
dhe një DASHURI
më të fuqishme
se vetë DASHURIA…
—
SANDALET
Të miat sandale,
prej kauçuku, pa lidhësa,
çdo vit m’ i blinte nëna,
çdo verë i grisja.
Dhe merrja fshatit mbanë,
në fusha e në kodrina,
fluturoja si flutur e marrë
me shoqet për trëndelina.
Si një ritual, çdo mbrëmje
tek çesma e fshatit i laja,
me një copë stofe të vjetër
i lustroja e me merak i thaja.
Më parë se të flija
në shtratin përballë,
mbi komo hidhja synë
si hirushja në përrallë…
Dhe në ëndërr i shikoja,
i ëndërroja,
ëndërroja
të miat,
të vetmet, sandale …
Sot,
sandalet i kam palë – palë,
vend ku t’i ve nuk kam,
veç sandalet e fëmijërisë,
për dreq, mes tyre nuk janë.
I kujtoj e gati qaj me zë,
e më pushton thellë nostalgjia,
ajo që nuk kthehet më
është fëmijëria…
POEZIA FLET NË SHUMË GJUHË
Tashmë e vendosa dhe do e bëj,
mjaft ndenja në heshtje, sy-dyllosur
librarinë, lart e poshtë po e çoj
një libër të gjej, për t’u ngrohur!
Dhe shkronjat duarsh do t’i shkërmoq,
në mendje t’i mbjell e të rriten kujtim,
se ky xhani në stuhi e flakë u dogj,
udhëton nëpër vjersha e gjen shërim.
Me padurim trazoj stinët në vjeshtë,
të takoj me Tolstoin ,Danten, a Nerudën,
me fisin tim: Nolin , Frashërin e Fishtën,
apo me grekët e lashtë të marr udhën..?
Oh,sa dilema paska kjo letërsia,
çudi si nuk njeh flamuj ,kufinj e lëkurë,
të gjitha gjuhët e botës i flet poezia,
por ndjenjat jo, nuk ndryshuan kurrë!
DUKE MENDUAR NË SHI…
Shumë ftohtë
Sot në Verona
e mjegulla
mbuloi qytetin
në çdo kënd,
unë,
si një zogëz e trembur,
të kërkova me sy
ndër pemë të zhveshura,
në dyqane
ende me stoli festash,
lundrova
tej në lumin Adige,
të kërkova
nëpër ditë të ftohta janari,
gjithandej dhe asgjëkundi,
asgjëkundi dhe gjithandej.
Ndërkohë,
lagëshira lagte mendimet ,
rrudha
vetullat e stërholluara,
duke lotuar
trishtim vetmie,
hodha veshtrimin lutës
përtej qiellit të vrenjtur
e pëshpërita: -Ku të jetë vallë?
Kështu,
e humbur
në shtigje mendimesh,
përmes reve shpejtoja hapat,
(sikunder fluturimet e tua)
u ngjita në shtigje të reja drite,
e drita u bë ylber,
ylberi gjurmë
dhe gjurma fytyrë…
Të pashë,
të preka,
të fola,
por pa përgjigje…
Atëherë
hapa
ombrellën e heshtjes,
duke lozur
e shkelmuar pellgjet
në asfaltin poetik,
si Gene Kelli,
duke kënduar
“singing in the rain”,
ashtu si më ke mësuar ti.
KËMBANAT E LINDJES
Ajo f
illon kështu, papritur,
ndizet si eshka
mes gurit përvëlues,
e gjoksi
fillon nga gjëmimet,
qielli,
pak nga pak,
ndryshon formën
dhe retë
shtrëngohen një grusht,
derisa
vargjet gërshetohen në melodi,
idea bëhet strukturë…
…fytyra
merr një pamje tjetër,
..zemra
rreh ngadalë
si këmbanat e kishës
nga era
e shpirti,
shpirti emigrohet
në furtunë,
duke mbajtur
mbi supe stinët,
çdo ditë,
çdo natë,
derisa pesha
dy-tre fishohet,
emocionet
shumëzohen në delir,
zvogëlohet fryma
deri në lindje.
Pastaj
mbizotëron heshtja.
Me duart prej nëne
përkëdhel dhimbjen.
HUMBJA E VLERËS
Ndodh,
njerëzit
të janë të padrejtë,
me vehten,
me yllësitë,
duke vënë
përpara përgjësisë
shpirtra të pafajshëm,
njerëz
që nuk meritojnë dënim
e as të jenë aty,
në bankën e të akuzuarit.
E, megjithatë,
turma
është e frikshme,
kërkon erë gjaku,
sakrificë
deri në vdekje
qëllon me gurë
e nuk di pse – në,
të kafshon për inerci,
interesi
shtyn në dhunë,
pa menduar
se një ditë
erërat kthejnë,
pa menduar se
qielli ndryshon
e gjëmimet egërsohen,
shtohen vetëtimat
dhe, patritmas,
fillon shiu.
Bie nata,
rruga ngushtohet
e fryma rënkon,
ngelesh vetëm
e gjithë mëkati
bie peshë mbi ty,
dallgë shpifjesh
ngrihen në revoltë
e shpifjet
bëhen litar,
litar
në fytin që foli dikur.
E fjala
humbet,
bëhet pendim,
pendimi humbet vlerë
e vlera
nuk ka më vlerë…
ZAMBAK OAZESH
Larg të ndjej, horizontesh pa fund,
Zvenitur në asgjë, shkretëtirash larguar,
Kërkoj të të prek, të të puth nuk mund,
Zambak oazesh, këngë e trishtuar..!
Larg të ndjej, si bubullimë rënkon,
Ndizesh e shuhesh, qiellit vetëtimë,
Kërkoj të të prek, por të vij nuk mund,
Si lule e tharë endem në shkrepëtimë..!
Zemëruar ëndrrat, me ëndrrat e tua,
Kalorësi im, i reve të bardha,
Në shtrat perëndie më the: Të Dua!
Dëgjoi dhe deti, dëgjoi dhe dallga…
NË MOLIN E PRITJES
Dimrin
E ndjej
I egër,
I ftohtë
trishtues
gërryes
nën lëkurë të futet,
të hedhë rrënjë
melankolie
në tokën e ngrirë
të dhimbjes…
Mbi supet
e ngrira të kohës,
si një përmendore
prej akulli
E shoh të ulur
përthyer nga bryma,
fryma e janarit,
si një melod
dëgjuar më parë.
Ashtu,
kapur
dorë për dore,
forca mpaket,
shkëputet
e bie
si një ushtar i plagosur
në fushën e betejës.
…Dhe lumenjtë
tubullohen,
llumrat trashen,
detet
ngihen në grevë,
si një ulërimë
jehona zërash
përplasen aty – këtu,
në shkëmbin e bardhë
të shpresës.
Nasdaq,
bursa ra,
Ëall Street minus,
Hong Kong po ashtu…
Askush
e të gjithë kuptojmë,
Kuptojmë,
po askush nuk di.
Brenda meje
sinfoni zërash
levizin gishtat
mbi pentagram,
duke ëndërruar
një horizont
përtej horizontit,
të takoj me shpresën
molin e pritjes në pritje
oaz në gjelbërim
THEM…
Përherë
kam dashur të të them:
Sonte
nuk dua të bëjmë dashuri,
mos më fol asnjë fjalë,
lermë të qetë
ç deshe nga unë, ta dhashë…
Aq herë
pata uri më shumë,
pata nevojë
për një fjalë,
mos hesht, të lutem
ç të duash nga unë,
do të ta jap.
Jam jotja,
unë e ti e dimë,
për njëzet vjet
të durova, më durove:
një betejë pa mbarim.
Je imi,
ti e unë e dimë,
në besë
nuk premë kurrë…
Tani
jemi
si mishi me thoin,
këmisha me trupin,
burrë me grua
e grua me burrë.
Nuk ka perëndi
të na ndajë në dritë,
si në tokë
dhe në parajsë
do të të thërras:o shpirt.
NË ECJE…
Këmbët e mia
të shpejta si era,
Këmbët e mia
lëkurën
të pjekur,
hapin të sigurt.
Gjakosur
nga gjembat,
përcëlluar
nga hithrat,
nëpër diell,
shi e të ftohtë
po marshin
nuk ndaluan.
Po..!
zbathur
dhe në baltë,
po kurrë
asnjëherë e penguar..
FLLAD QË NDEZ YJET
Flladi im,
çele lule,
në lëndinën
e zemrës sime…
Shpërtheve
sythet,
përzure dimër,
solle në jetë
agime…
U ndezën,
yjet,
në qiell
të ëndrrave.
Erdha tek ti …
Mirëseerdhe,
dashuria ime…!
Një lot rrëshqet,
mbi fletën e bardhë
thërret :
Kam mall..!
Si flutur endem
lëndinash të gjelbërta,
kërkoj një buzëqeshje,
një ëndërr,
një jetë,
dhe,
bie përtokë
si gjethja në vjeshtë
nga një degë…
Kërkoj,
nëpër muzgje,
një zjarr,
një flakë…
Është natë,
të kam larg…!
Tepër larg
Për të të ndjerë
frymëmarrjen…
MUNGOJE TI…
E ç’pati hëna që s’po flet ?
Qielli ka heshtur i pafjalë,
yjet e fikën abazhurin,
por drita po përton të dalë.
Pyeta erën, xixëllonjat
lakuriqin që natën kish pritur,
ngritën supet, nuk më folën,
seç murmutitën në të ikur..
Qielli, rënduar i zbrazi lotët,
nata u tret në shiun që bie me furi,
fort çuket në çatinë prej llamarine,
mbi catinë e komshiut përbri ..
S’kuptova ç’bëhej sonte
… ndoshta mungoje ti ?
Ndoshta…nuk e di…
GJURMË FËMIJËRIE
Atje,
në lagjen e vjetër,
diku
në qendër të fshatit,
vrapojnë
pa u lodhur
ditë e natë
të qeshurat fëminore…
Kujtimet shndërrohen
në buqeta e aromë lulesh
e çelin sythe malli,
zgjohen ëndrrat
me fytyrë të freskët,
në çdo kohë e stinë,
si vetë fëmijëria…
Trëndafilat mbi gardh,
ngjyra e formash të ndryshme,
të mbjellë e krahasitur nga nëna,
ngarkuar me dashuri,
zgjateshin deri në tokë…
Atëherë
zbriste fshehurazi hëna,
mbuluar me vellon e natës,
përvëluar nga vapa e beharit,
këpuste përqafime trëndafilash
dhe derdhte dritë.
Aty, në ato kalldrëme,
veshur me çakëll të bardhë,
duken ende gjurmët e mia,
gjaku i tharë ndër vite,
e plaga në gjunjë
ende më dhemb,
sa shenja mbaj
në këtë valixhe kujtimesh,
hedhur mbi supet e shpirtit,
që dridhet si një zemër zogu,
por nuk e ndava kurrë nga unë.
Prej tyre
Marr ngrohtësi,
frymë dhe jetë…
MË THA DETI…
Jam plakur…
Në kalimin e viteve.
luftova nëpër qiej të humbur,
ku dielli nuk lindte kurrë
e hëna e degraduar në kohë,
si një femër e përdalë,
më përqeshte,
lozte me ndjenjat e mia.
Dashuria…
ah, brishtësia e saj
më rrënqeth,
më bën të vuaj
fakti që s’e takova asnjëherë
buzë kurrë nuk putha
gjer në gjak çmendurie,
ashtu si unë doja…
Nuk ndodhi.
Shkruar ,
këtu në gjoks,
kam shekujt.
Plagët e vjetra e të reja…
Me penelin e dhimbjes
në eshtra
kam pikturuar betimin,
se një ditë do takoj
lumturinë e vërtetë.
Ashtu si Gëte
me tetëmbëdhjetë vjeçaren
në pleqërinë e rinuar,
i dashuruar,
dua të jem,
unë…
Këto fjalë
më tha deti, një ditë.
PËR TY JAM…
E, thuama në sy
atë që prej kohësh
kërkon të më thuash,
thuami ato fjalë
të mpleksuara mes puthjesh,
të ngeluara diku në mes të buzëve,
zvarrë duke u zvarritur,
të mbetura jetime nëpër natë,
pa një fytyrë,
pa emër…
E, thuama
se pa mua jeta është një asgjë
thuamë që pa mua
bota është një hiç
thuamë që jam toka,
thuamë që jam ajri,
thuamë që jam zjarri…
…Prometeu im.
PUTHJET
Më jep një të puthur,
lulishtes në të kaluar,
ku shkoj e vij si flutur,
me buzë të përvëluar.
Nga ti rrëmbej nektar,
prej tij mjaltë të jap
dhe po të kafshova pak,
malti melhem për plagë.
Ti thua: Më dhemb, o xhan,
por prapë puthje kërkon,
merri, të tuat janë
sido që do, sido që do…
DËRGOMË NJË FJALË
Dërgom një fjalë
Një tingull
Një shpresë…
Sepse kur ti thua
“TË DUASH…”
Një fjalë që duhet puthur..
.Po në të vertetë
a duam ?
Apo bejmë sikur duam…?
Dashurojmë
apo priremi
thjesht nga momenti..?
Njeriu
është një qenie e lartë
fisnike
që ka lindur të duaj
dhe të duhet,,,
jo të urrehet……
Ndaj
un duart
kam mbushur
me perqafime
dhe buzët
me puthje
vetëm për..
.Dashurinë e dashuruar…
VARREZA MBI KODËR
Unë e di
në atë varrezë
mbi kodrinë,
ndërtuar
poshtë
ullishteve shekullore,
me vështrimin
përballë Vjosës,
sa fillon e bie muzgu
ndodhin
gjëra të çuditshme…
Hapen meremeret e ftohtë
e ngrihen hijet,
skeletet fluturojnë,
qeshin,
qajnë…
Tregojnë prejardhjen,
këndojnë e kërcejnë
me orë të tëra,
derisa shfaqet drita.
Dhe dielli
ulet ngadalë,
pa lënduar
në kocka të krisura,
të vjetra
të thyera,
zhytet në hirin e kohës,
në dhimbjen e gjithkujt,
çdo mëngjes.
..Ata,
si ushtarë të rregullt,
qetësohen
në botën e tyre,
duke përqafuar
ëndrrat gri,
në një qiell të ri,
ndërtuar
poshtë tokës,
nën një çati
mbuluar me lule,
të mbjella kush e di se kur,
rënkojnë,
derdhin aromë
mbi shpirta të bardhë.
Aty në varrezë
në qytin e nëndheshëm,
flenë gjyshi im Nikollë
dhe gjyshja Zoika,
studentesha Koretallare,
djali bjond nga Mishkajt,
xhindi i bukur nga Lerajt,
vendali e ardhës.
Nëse ju bie rruga
e fati ju sjell në ato anë,
qëndroni pak në heshtje,
se flasin engjëjt…
PA PËRGJIGJE…
Përse më pyet,
kur përgjigjen e di..?
Ti je deti
dhe unë brigjet e tua,
dallgët m’i nis
rrebesh e stuhi,
një puthje
e ndajmë përgjysmë,
një shikim
na mbyt të dy.
Pse më pyet
kur përgjigjen e di?…
Vërtetë përse ?…
STUHI YJESH
Erdhi ai,
dhe shtëpia
u shndërrua
në një lëndinë të gjelbërt,
mbushur me lule.
..dhe supet ngarkuar
me aromë pranvere.
Në çdo stinë
di të jetë ndryshe,
më deh, çdo herë.
Puthjet
si një ujvarë,
derdhen brenda,
në thellësitë e shpirtit,
shvirgjëruar nga mëkati,
të lehta,
të heshtura,
shkrihen nëpër flakë
si stuhi të çmendura
ngrihen si në revoltë
e përthyhen
si kreshtat e dallgëve
përmbi valë.
E unë,
dua të shoh perënditë
në ç’gji të tokës fshihen,
të shkoj t’i takoj
qoftë edhe për pak…
Po ato
përkëdheljet,
ah ato..
të etura ,
të pangopura,
me gojën të etur,
me buzët prej llave
e me syte prej dielli,
gurgullojnë,
rrënqethen,
në kroin e dashurisë
..dhe loti,
u dergj në rënkim
dhe nata u mund
retë u shkundën,
e qielli gjëmon..
të shpetoj nuk mund,
..tepër vonë.
Një stuhi yjesh
u mbodh grusht,
si vetëtima
qëlloi drejt e në zemër,
më bëri për vehte,
më bëri të tijën
…..Sërish !
E HUMBUR…
Tani,
sapo ra muzgu gri i fjalëve
dhe mbrëmja
u vesh
në çast me trishtim,
detin nisa të kërkoj
me këngë mes valëve,
si zgalem
fluturon mbi dallgë ky shpirti im.
Oh, sa e gjatë
është
një natë ndërtuar prej vjeshte,
tek qiriri
shuan frymëmarrjen
në flakën e mundit,
a do kem durim
të pres agimin
pa trazuar në heshtje
apo do shetis
nëpër natë e stinë, udhët e fundit?
Kam humbur
si Vespuci nëpër oqeanet pa emër,
veç një yll
zgjat gishtin tregues
në tokat e Amerikës,
poezia që zien brenda meje
më bën të ndjehem femër
dhe puthjet e tua të zjarrta
i bëhen barrierë frikës…
Kam humbur…
humbur…
unë…
2 – FJALËT E ERËS
PËRHERË, TI
Të thashë i dashur:
Je në syte e mi
Je
drita qe shoh;
më ngjyrën
…e gjakut tim,
zero pozitiv;
Sepse
ti je
fëshfërima e erës, që luan
mes gishtash,
në flokët e gjatë gështenjë;
Të kam thnë
Ti je
eklipsi i puthjes
dimër e verë.
Je ajri,
je dielli,
je toka,
je qielli,
je zjarri dhe flaka…
I dashur
je hiri i heshtjes,
prapë, Ti..!
MË SOLLE PRANVERË…
Ti erdhe atëherë kur unë nuk e prisja,
kur bota dukej një sferë fjalësh të rreme,
në brirët e vjeshtës një puthje vere grisa
dhe dridhje dimri ndjeva shpirtit, thellë.
Por dihet, pas dimrit vjen sërish pranvera,
si lajmëtar i saj ti erdhe këtë herë,
e zemra ime rrahu jo si herët e tjera
të katër stinët më trokitën sëbashku në derë.
PSE?…
Pse më dënove kështu,
i dashur?
Më lidhe
me degë fjalësh që s’njoh,
si nuk e kuptove
këtë zemër të mardhur,
jo fjalët,
por puthjet
unë tek buzët shoh.
ZJARRI NDIZET NË DY…
Të shkruaj për ty,
nuk mjafton një penë,
As edhe qielli,
po të ish letër e bardhë,
Dete e lumenj
në bojë do t’i ktheja,
E vëllime të tëra
do i përmblidhja në dy fjalë .
Mos u hidhëro,
mos merr udhët nëpër natë,
Se këngë është
herë vjen e herë shkon,
Unë po ndez ndonjë varg
e të bëj zjarr,
Po ti,
hidhi ndonjë dru,
kur flaka ime mbaron.
ZGJIM PRANVEROR
Më ngjan
sikur dielli,
ulur në duart e mia,
shpërbëhet në mijëra puthje
të zjarrta, me shkëndia.
Me buzët
prej llave zbresin,
ndër zgavra
me dritë hije,
përvëlojnë
dashuri të virgjër
në shpërtime lumturie.
…Ndërsa zgjas
buzët e mia
fryma
ndryshon ritëm pandarë,
e zemra
ndez një refren
të panjohur më parë .
Ato çuditërisht
shndërrohen
çdo çast e çdo orë,
në melodi e në kengë,
në një zgjim pranveror…
PUTHJE LOTËSH
Atje…
Si erë
Më vjen
Përmes agimesh,
Më fal një trëndafil.
Aromë e tij në gjoks,
më derdh dashuri…
Me
Një të puthur
Lotësh
Ti më kthen sërish,
Atje ku djeg një zjarr,
dhe pret një stuhi..!
ÇASTI I DUHUR…
Ti erdhe atëherë,
kur demoni më shponte
muret e shpirtit
me brirët e vjeshtës.
E ti,
mblodhe ulërimën,
dhimbjen e puthe.
Eh,erdhe..
erdhe atëherë
kur unë të kërkova…
…në çastin e duhur..!
Ishe vet dashuria…
MEKATI LIND NGA HESHTJA
Po im zot, po..!
Ne mëkatarët e tu,
brinjë
nga brinja jote,
gjak
nga gjaku yt,
frymë
nga fryma
dhe frut
i pemës Edeniane,
po i rebelohemi
veprës tënde…
Nuk besojmë
më ne perëndi,
ikonat e lutjes
dhe kryqin e dhimbjes
I braktisëm,
duke të shkelur,
duke të perbuzur,
çdo dite…
Kemi ndryshuar,
shumë kemi ndryshuar.
Asgjë si më parë…
Plaget e vjetra,
arnuar,
me plage të reja.
…kohet,
ah,kohet avancojnë,
nuk presin.
Delet e tua
po shnderrohen
në kafshë,
Në zvarranikë
zvarriten si gjarperinj,
kafshojnë
mollë të pafajshme,
për të vjedhur lavdinë :
Triumf..!
Cdo mengjes
zgjohem
nga fëshferima e erës,
që troket
me një molodi të çuditshme,
frymon ajrin tim,
e pastaj
ngrihet si një zanë
përkëdhel e bën lajka,
humbet, pa lënë gjurmë..
Qiejt
janë shumëfishuar…
Shpendët gjigande
e grabitqare,
nga larg,
me sytë e mashtrimit,
sikunder fatëthënëset,
lexojnë fatin,
turren
me shpejtësi të egër
në duart e vuajtura me kallo,
e tregojnë
përralla të besueshme.
Mbjellin
Letragjie për rreth,
dimërojnë dimrin.
Ah,po ne jemi..
tani jemi…
jemi,
gjallese mbi gjallesa..
…Fola
e gjuhën ma prenë…
Qava
e loti
mbiu në dhimbje…
Qesha
e më vodhën buzëqeshjen…
U luta,
e Biblën ma grisën …
Me dhuruan pushtet,
e refuzova.
E unë, hesht!
Po edhe ti, im zot,
hesht…
EJA,DO VISH I DASHUR
Eja,
do vish i dashur,
do vish
tani
që muzgu
filloi të tretet,
eja,
prane meje,
eja të rrish
e nata
si puthje të derdhet.
Do vish i dashur,
do vish, eja
pritja përtej pritjes
është e gjatë,
ç’kuptim
do të kishte
pa ty jeta?
Pa dy yjet
do të ishte e pa fat.
Ndaj,
eja i dashur,
i dashur
eja…
LERMË TË DEHEM SONTE
Më bëj vend, të vij dhe unë aty,
në atë lëndinë, ku rritet lumturia…
Të këpus një puthje vetëm për ty,
sonte lermë të dehem nga dashuria..
Më bëj një vend të vogël, pranë teje,
sa për të thyer heshtjen e plagosur,
që lulëkuqet të fusin opium nëpër deje
dhe kënga të mos ndjehet e burgosur…
DEHJE
Sonte
u deha
me dhimbje të vrarë,
në gotën
e marrëzisë shtova
ca lotë të heshtur
e ca fjalë të ngrohta.
Tek shfaqej
fytyra jote
në qelqin e avulluar
me një gllënjke
e ktheva
zemërimin tim të holluar.
Një qiell
plot me yje
më ngjau
vetmia këtë natë,
ndizte e shuante mall
pranë meje
një serenatë.
Unë qesha…
Qava…
Nga dëshpërimi..!
MOS MË LERË VETËM
Se jeta
është e shkurtër, i dashur,
aq sa të hapësh
e të mbyllësh sytë,
një natë
mbushur plot me ëndrra,
një ditë me diell a shi…
e s’ka të dytë.
Prandaj
mos më lerë vetëm
në pyll,
si një sorkadhe
e trembur që endet,
në shtigjet e errëta
shndërrohu në yll,
që hëna
mes reve mos të trembet.
Se një ditë, i dashur,
ah një ditë
pendimi
bie mbi supe
rëndon,
loti ngurtësohet pa ajër,
pa dritë
dhe malli
sa vjen e plumb peshon
FJALËT E ERËS
Sot fryn një fllad i lehtë, duket pranverë
dhe shkulmon një mall, një mall të bardhë,
si luledielli e ktheva gjoksin nga kishte erë,
e pyeta për gushëkuqin nëse e kishte parë.
..Dhe fjalët u shndërruan në xixëllonja e dritësi,
u përplasën tej në murin e heshtjes,
duke u zvaritur, jehona e vrarë erdh përsëri,
mbi lotin tim u ndal të shuante etjen.
MBI VALËN BLU
Lart mbi valën blu hingëlliu kali i bardhë,
dy gjymtyrët e para i ngriti krekosur,
serenata jehoi në gji të qiellit larë
kur brigjeve përplasej shkuma e brengosur.
Aty në rërën e lagur gjurmët la era,
kish hapat furtunë, kaloi natën përtej,
mbi shalën e kalit u hodh si perëndeshë
dhe zbuti errësirën me fjalë në vesh.
LOJË ME VEHTEN
Shpesh
loz me mendimet,
në fushën e trazuar të mendjes.
Ndodh të shënoj gol
në portën e vogël të shpirtit.
Pastaj qesh me vete:
Duke menduar se
munda pjesën e padukshme
të trupit.
LARGOJI RETË…
Edhe ti
që i shkrojte dashurisë,
nuk dole
në anë të bregut i larë,
me krahë
të lodhur përtej urisë,
mbledh
në gjoks dhimbjen e vrarë.
Ku janë vargjet e tua
plot dritë,
pse ngatërrohesh
mes dunash n’ errësirë ?
A nuk më pate thënë vetë
se perënditë
trazojnë ëndrrat
e shpirtin e çojnë në delir?
Largoji retë tinzare,
veç pluhur ngrenë
dhe merrja këngës vendçe,
si të ka hije,
e do shikosh thëllënzat
si vijnë e venë,
duke mbajtur iso
me një bilbil labërie.
JAM DHIMBJA
Jam dhimbja,
ndërtuar
me buzëqeshje,
me bekime perëndish,
rrethuar me yje,
me engjëj
në një cep të tokës,
larg kaktuseve të Kolorados,
jetoj me një princ.
Plagët tona
ushqehen me rrënjë loti,
kur endemi
në fusha
të mbuluara
me lulëkuqe,
në vende të panjohura,
plot dritë
dhe ëndrrat
na marrin për dore,
duke shëtitur
nën rrezet e diellit,
humbasim gjurmët në horizont.
Si dy kaproj
të trembur,
në pyllin e dendur
plot jetë
fshihemi nga hëna,
kalojmë
në shtigje
të pashkeluara,
në lëndina
ku vesa
ende nuk ka rënë,
nëpër përrenj malorë
lajmë fytyrën,
në lumenj trishtimi
shtrëngojmë duart,
ndërsa detet, ah detet
me barrikadat
ngritur
në oqeanin Paqësor
i përpiu zbatica..
Sikur Moisiu
të kishte hapur
ujrat e dhimbshme
e, duke zgjatur duart
drejt nesh,
të na thërriste:
-eni, bijtë e mi,
me ecjen lehtë – lehtë,
pa zgjuar nga gjumi
zotin e detrave, Poseidonin,
pa egërsuar përbindshat
thellësive,
ecni deri në breg të lumturisë..
…ku ju pret një kalë i bardhë,
dhe një libër me fjalë të urta..
Falenderojme Autoren per dergimit e ketyre poezive ne adresen tone,duke i uruar sa me shume suksese ne rrugen e bukur te artit poetik.
Leave a Reply