Në nepsin e nervave qe vallë të mbramit e mbarë
të agut vetëvrarë vagullt si lulëz e brishtë
ku kurrë të dashur fatin s’e kanë parë? Ku shkonte
a kthehej bohemi, si plumb nga unë i ndarë
e çapur përçartjesh të gjata orakujsh,
kafen e ditës pa ngarë, gazetën pa blerë,
te Bar i zgjedhur, pas parku, ku uleshin pëllumba,
dhe bënte reverancë kamerieri?
Vinte vera atëherë – shumë vonë për ëndërr ndriçimi
Suprem. Vinte vesi që qullte zemrën e mendja
thoshte: mendimet kokës. T’ia shtonte
vetminë i lutej dikush Zotit: a kisha unë
ambicie? Ta vija fatin në provë? Veshur
i tëri kostum faturash të vjetra e s’dija
kush qeshë: do dija se kush do jem? Gjithmonë
buzëqeshja shtampë e kamerierit. Andej – këndej
Dhe shpirti, dhe gjërat distiluar me sy
prej vitesh. Mbetur bezdi çasti metafizika: ja ku qeshë.
Dhe vdekja që vjen me të vërtetë, dhe dackat
që ndan prapë dialektika: buka – m’u ble,
këmisha – për hekur, vendim gjyqi – m’u pritë,
për ngjatjeta – pastruesja dhe shitësja e qumështit,
unë, ti, toka e qielli – t’i hapeshim njëri–tjetrit, në jetë
të jetëve, deri në më të ndyrat detyra sekrete.
Nëse ari i varakut të çokollatës prapë të sjell
pranë mbretërisë së Amshimit, hidhe hapin. Kush
e mendon, ndoshta e arrin. Me shpresën kurnace
vizatoj shtegun e verbuar nga shkëlqimi
i pakapshëm. Banor i tokës dhe i frikës, që këndej
gardhit të lartë të shënimeve materialiste, ku
mbledh një nga një kacidhet e kafes,
bekoj secilën rrahje të zjarrtë zemrës.
Gazmend Krasniqi
Nga Facebook


Leave a Reply