
Infarkti i miokardit shpesh merr jetët e njerëzve dhe trupi ynë pothuajse gjithmonë na paralajmëron për rrezikun e tillë, përderisa ka ende kohë për të reaguar. Stresi, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqimi jo i shëndetshëm, janë disa nga arsyet kryesore që sëmundja e infarktit të miokardit është e pranishme edhe te moshat e reja. Kardiologët paralajmërojnë se nëse vizitohet mjeku me kohë, mund të shpëtohet jeta.
Simptomat e mundshme të miokardit shfaqen me dhimbje gjoksi, djersitje, dobësi, të vjella, një krizë e ndërgjegjes, gulçim dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Dhimbja e kraharorit është simptoma më e zakonshme dhe më e rëndësishme e infarktit të miokardit. Dhimbja është e fortë dhe zgjat më shumë se 30 minuta deri në disa orë. Personat e prekur nga kjo sëmundje kanë ndjenjën e shtrëngimit, presionit apo të goditjeve therëse.
Dhimbja përhapet nga mesi i gjoksit duke u përhapur në të gjithë gjoksin, në krahun e majtë, qafë dhe rrallë në bark. Problemet ndonjëherë mund të shfaqen si mpirje dhe dhimbje në krahun e majtë apo edhe dhimbje në stomak. Edhe pse dhimbja është e shoqëruar shpesh me djersitje, lodhje, vjellje, në 15 deri në 20 për qind të rasteve me infarkt të miokardit, mungon dhimbja, sidomos te gratë dhe pacientët me diabet.
Te pacientët me sëmundje kronike simptomat janë të ndryshme. Ndryshe nga dhimbjet e gjoksit që herë pas here i ndjejnë, për shembull, te pacientët me angina pectoris, dhimbja e infarktit zgjat më shumë, është më e fortë dhe është e shoqëruar me djersitje. Problemet nuk ndalen edhe pas pushimeve dhe marrjes së nitroglicerinës nën gjuhë dhe mund të përsëriten pas ndonjë situate stresuese apo kur janë të qetë.
Nëse pacienti ndien simptomat dhe e di që vuan nga sëmundja angina pectoris ose infarkti i miokardit, sipas këshillave të kardiologëve, duhet të marrë një tabletë aspirinë dhe nitroglicerinën nën gjuhë. Megjithatë, në rast të një kohëzgjatje të gjatë të simptomave, pacientët duhet të shkojnë menjëherë në spitalin e afërt ose të emergjencës, që me kohë të bëjë një elektrokardiogramë për të diagnostifikuar sindromin akut koronar, respektivisht angina pectoris jo stabile ose infarktin akut të miokardit.
Kjo vlen për të moshuarit, por edhe për më të rinjtë se 40 vjet, tek të cilët janë shpeshtuar shkaqet e rrezikut për shkak të mënyrës së jetesës. Numri më i madh i vdekjeve nga kjo sëmundje ndodh gjatë dy orëve të para të fillimit të dhimbjes, ose para mbërritjes në spital. Prandaj sa më shpejt që ju e kërkoni ndihmën e mjekut, aq më mirë do të përballoni kurimin dhe pengimin e pasojave të kësaj sëmundjeje.
Kur duhet të vizitoni mjekun
Në rastin e dhimbjeve të gjoksit gjatë aktiviteteve apo në qetësi, në rastin e tolerancës së dobët të tendosjes fizike, në rastin e gulçimit. Simptomat e sulmit në zemër janë: Dhimbje gjoksi, dhimbje në krahun e majtë, qafë ose bark, gulçim, rraskapitje, të vjella, kriza e vetëdijes, mungesa e ajrit, rrahjet e shpeshta të zemrës.
Ekspertët mjekësorë si parandalim të këtij sulmi, sugjerojnë si në vijim: zvogëlimin e stresit, normalizimin e tensionit të lartë të gjakut, normalizimin e nivelit të rritur të kolesterolit dhe triglicerideve, normalizimin e sheqerit në gjak, zvogëlimin e peshës, ndryshimin në mënyrën e të ushqyerit duke përdorur më shumë ushqime që përmbajnë antioksidantë, përmirësimin e imunitetit, ndalimin e pirjes së duhanit, rritjen e aktivitetit të lëvizjes, të paktën një herë në vit të vizitohet kardiologu, ndryshimin e zakoneve të jetës, etj.
Pacientët që kanë mbijetuar një sulm në zemër, në rrjedhën e mëtejshme të sëmundjes duhet të ndryshojnë regjimin e ushqimit, të marrin terapi për tërë jetën dhe të kufizojnë aftësinë e tyre punuese. Mjekët sugjerojnë një ecje të lehtë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të vrapojnë apo ta mundojnë së tepërmi veten. Po ashtu, ndalohet rreptësisht edhe qëndrimi në hapësira kur pihet duhan, apo nuk ka ajrosje të mjaftueshme, pasi kjo mund të rëndoj së tepërmi gjendjen tuaj shëndetësore.
lajmeonline.eu


Leave a Reply