Nga Mero Baze
Ismail Kadareja mund të jetë pas disa ditësh fituesi i çmimit Nobel në Letërsi! Të paktën teorikisht ekziston mundësia që juria e Nobelit të ndalet tek ky emër, që ka dy dekada që i shfaqet dhe zhduket në tavolinën e saj. Nëse kjo mrekulli ndodh, Shqipëria realisht merr një nga dhuratat më të mëdha nga një qytetar i saj. Deri më sot dy nobelistët shqiptarë, Nënë Tereza dhe Ferid Muradi, janë me gjak shqiptar, por jo qytetarë të këtij vendi.
Por meqë kam të drejtë të them se kjo ngjarje ka shanse edhe të ndodhë, kam të drejtë të parashoh se sa të turpëruar do të jemi ne si shoqëri dhe si intelektualë, kur ndonjë gazetar perëndimor, nga ata që na marrin seriozisht si shoqëri normale, do vijë e të shkruajë si e kemi pritur ne marrjen e këtij çmimi. Muaji para Nobelit të mundshëm, është një kronikë e shëmtuar e shkruar në baltë për njeriun që më shumë se veten, mund të nderojë Shqipërinë nëse merr këtë çmim. Ditët para Nobelit të mundshëm, ia kemi bërë këtij shkrimtari si ditët më të neveritshme të jetës, duke e futur në një dialog të dhunshëm me një plakë, që kërkon të hakmerret ndaj historisë që e ka harruar edhe për ta ndëshkuar, edhe për ta nderuar.
Kjo kronikë e shkruar në baltë ndaj figurës më të madhe të gjallë që kemi, duke e lidhur dhunshëm me figurën më të errët të gjallë që kemi nga historia jonë, është në të vërtetë dimensioni më i dhimbshëm i shoqërisë shqiptare dhe mungesës së vlerave të saj. Debati nuk lindi aq spontanisht sa duket, por u kërkua me ngulm. Kërkesa e Kadaresë për dorëshkrimin e tij është një çështje shumë private e tij, që në fund të fundit tregon se nuk ka raporte personale me vejushën Hoxha, por ka pasur raportet e diktuara nga pushteti i asaj kohe. Sikur Ismail Kadareja të jetonte në një shoqëri të lirë, bashkëkohës me Nexhmije Hoxhën, kurrë nuk do t’i kishte shkuar në mendje t’i çonte asaj një libër me dedikime apo një dorëshkrim paraprakisht. Pra, vejusha Hoxha nuk i ka marrë ato libra apo ato dedikime si një vlerë intelektuale, apo si pjesë e një miqësie normale me shkrimtarin, por si pjesë e një pushteti që tentonte të parakontrollonte dhe krijimtarinë e tij. Në shtëpinë e zonjës Hoxha mund të jenë dhe dokumente të tjera me vlerë për Shqipërinë, mund të jenë amanete politikanësh naivë, që dënoheshin, por mendonin se Enver Hoxha nuk dinte gjë, të keqkuptuar, që tentonin t’i shpëtonin dënimeve duke kërkuar ndihmë tek gruaja e Diktatorit, mund të ketë ditarë apo sende personale të shumë figurave që komunizmi i gjeti gjallë dhe i groposi pa nam e nishan. Ç’të drejtë ka kjo grua të jetë ende jo vetëm pronare fizike e një koleksioni të dhunshëm të kujtesës kombëtare, por dhe një shantazhuese e padenjë si grua, ndaj njerëzve që i ka detyruar të deformojnë jetën e tyre dhe të bëjnë kompromise për mbijetesë? Ç’të drejtë ka kjo grua ende sot, që viktimat të përbalten pse fati u ka rënë të kenë pasur punë me të, jo në një shoqëri të lirë, por në një shoqëri me një zgjedhje: ose me ata, ose në varr? Por kryepyetja është përse shoqëria jonë sot, intelektualët dhe elita e këtij vendi, i lë hapësirë një përbaltje të tillë të një prej njerëzve që ka ende në dorë t’i bëjë mirë këtij vendi siç është Ismail Kadareja, përballë një gruaje, që e vetmja gjë e mirë që mund të bëjë është të mos jetë më?
Kronika e një muaji para shpalljes së Nobelit, në median shqiptare është një kronikë turpi, e diktuar nga mediokriteti dhe antivlerat, që mendojnë se shqiptarët ngazëllehen nga sepetet Hoxhës më shumë se sa nga librat e Kadaresë, që mbajnë në bibliotekat e shtëpisë. Shikoj një reagim të turpshëm në blogjet online, përfshi dhe gazetën Tema, ku njerëz mediokër, nga ata që duket qartazi që i zë libri po të lexojnë, që fyejnë e shajnë Kadarenë, sikur ai është përgjegjës për gjithë hallet dhe dështimet e jetës së tyre, për papunësinë, borxhet, dramat familjare dhe pabarazinë. Duke përfituar nga vlerat e lirisë, mungesës së censurës, por dhe anonimitetit të tyre, ata tentojnë të përdorin lirinë tonë për ta na ofruar si vlerë diktaturën dhe personazhet e saj. E bëjnë këtë injorantë brenda vendit, meskinë dhe mendjendryshkur, të shkolluar smirëzinj dhe emigrantë të frustruar, pa menduar se nëse Shqipëria do të marr Nobelin një ditë prej tij, njerëzit më të fituar do të jenë ata që shikohen me përbuzje rrugëve të Evropës si shqiptarë të Sali Berishës e Fatos Nanos, që shquhen vetëm për krim dhe korrupsion, apo si shqiptarë të Enver Hoxhës që shquhen për njerëz kokulur dhe pa dinjitet. Shqiptarët e Kadaresë, do të jenë doemos më krenarë dhe më perëndimorë se shqiptarët e Hoxhës, Nanos, Berishës apo qoftë dhe Edi Ramës nesër.
Kjo fushatë përbaltëse ndaj tij, ky standard i ulët i saldimit të tij me një pjesë të ndyrë të historisë sonë dhe personazhe që i ka harruar dhe vdekja, në fakt dëshmon se ne nuk meritojmë të nderohemi me një vlerë kulturore botërore siç është Nobeli. Në shoqëri po fitojnë forcë sërish instinktet e frikës ndaj vlerave politike, nënshtrimi ndaj së shkuarës dhe së tashmes politike, duke stimuluar intelektualë puthadorë jo më ndaj Enver Hoxhës, por dhe ndaj sozisë së tij të hershme, Lulëzim Bashës. Janë ata që fotografia e Sali Berishës në varkë dhe oxhak me fëmijët e Enver Hoxhës u duket vlerë dhe beteja e shkrimtarit për t’i mbijetuar diktaturës u duket mëkat. Dhe kur mendon që kjo kategori tashmë të bën dhe gjyqin për një vlerë unike kulturore që kemi, atëherë e kupton se në çfarë kënete jetojmë.
Do të ishte e mrekullueshme që pas disa ditësh emri i tij të shqiptohej si nobelist dhe e turpshme për shoqërinë tonë se kush e ka përfaqësuar në muajin e fundit para Nobelit dhe kush do ta përfaqësojë pas tij, nëse ndodh mrekullia. Por dhe nëse mos ndodhtë, e rëndësishme është që Shqipëria është në garë me botën me Ismail Kadarenë dhe jo me Nexhmije Hoxhën. Me atë për fat të mirë e kemi humbur garën, edhe pse mund të konkurronim ende me Korenë e Veriut.
Shqipërisë do t’i mbetet si vlerë “Kronikë në gur” dhe si turp kjo “Kronikë në baltë” kundër Kadaresë!
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply