Kristale fëminie
Sytë mi mbyllni
me mure gurësh
të nxjerrë nga zemra
e malit.
Me gurë të pashkelur
nga hija e avionit
të pashkelur
nga patkonjtë
e kalit.
Në retinat e syve me derdhni
gjithë kaltërsinë e qiellit
të deteve dhe oqeaneve
të gjakut të fismë
që ka gurgulluar
dhe gurgullon
përsëri.
Beben e syrit ma ktheni
në kahje të kundërt
ma pastroni me kristale borë
derisa tia riktheni virgjërinë.
Brenda shpirtit tim të rënduar
në mbrëmjemoshë dua të rishoh
edhe një herë
me bebëza
të kristalta
fëminie
gjithësinë.
Ikja më e trishtë
… dhe nën hijen e rëndë të kortezhit
kësollëtarët me xhinse
dhe togëza të shumta
flasin për pazare të zinj
për minifunde në dritë
të mekur semaforësh
dhe lloje përjargiesh
prej verërave të butit.
Kufoma e fyer lemerishëm
rend drejt varrit
para tabutit.
Tiranë 14.02.2012
Qenia ime
Një petale e vogël
është vendi im
në trëndafilin e madh
dritë-ylberi
të rruzullimit.
Në këtë petale
si në herbarium
fle fryma, varri
dhe dielli im
i rizgjimit.
Tiranë 18.01.2012
Çast buzë liqenit të Pogradecit
I rraskapitur nga peshë
e reve shtatzëna
qielli shfryn
bubullima
breshër
dhe shi.
Vetëtimat si fjongo të kuqe
rreken të lidhin
flokët kreshtëbardhë
të dallgëve të zemëruara
shpirt-gri.
Pogradec, maj 2011
Edhe nën dhé
Po shkoj drejt banesës së fundme
pa dyer e dritare.
Oqeanet e lotëve
në qerpikët e mi
janë kallkanosur
akullnaja.
Shpirti im i tokëzuar
si sizmograf i ndjeshëm
drithërohet nga dhimbjet
e çdo pike të globit
kur nis të ngjizet
tërmet-hataja.
Tiranë 18.01.2012
Përtej
Guvat e kancerit përtej kufirit
me kobrat e nëndheshme
të metastazave rrëmojnë
e helmojnë
tokën time.
Me zjarrminë shkretëtirë
të ligësive po më thajnë
edhe ujët e detit.
Në akujt e ankthit tim
projektohen dhimbshëm
ethet e kiametit.
Tiranë, 06.11.2011
Kundërkëngë
Vendi im
mal i lartë
i lebetitur
nga goditjet
shungulluese të
anarkisë
si prej matrapikut
të tërmetit.
Vendi im
fole shkëmbore
ku pëllumbat
mijëvjeçarë të paqes
dëbohen prej skifterëve
të ardhur së largmi
me flatrat e zeza
dhe kthetrat e përgjakura
të rrëmetit.
Vendi im
mokërr e rëndë
bluan dhe ribluan
palcën e mendimit
dhe kockat
e dinjitetit.
Pogradec, 26.07.2011
Maldhurata
Mali i Thatë nuk përkulet
të njomë buzët në lotët e
liqenit retinë gri.
I thatë do të mbetet
edhe i përmbytur në mirazhin
me diell dhe hënë
të gjolit të Pogradecit.
Gjelbërimin e përjetshëm
ia dha Lasgushit
për poezi.
Pogradec, 16.05. 2010
Gjeonekrofili
Uthulla e ligësive
ia gërryu palcën e kockave
ia shkriu kockat
dhe muskujt
dhe zemrën
… e mbeti
vetëm
lëkurë.
Rrodhi një lumë
qelb nekrofilie.
Çau gurë
e male
e diamante
dhe thau
lule
e drurë.
Librazhd, 21.05. 2011.
Fyelli i murlanit tim
Në vrimat e kockave
të mia me osteoporozë
murlani i mekur i moshës
luan melodi
të acarta
trishtimi.
Një ditë sfungjeri
i kockave të mia
do të avullohet krejt.
… në shkretëtirën
e bardhë të harresës
do të endet vetmitar
ndonjë tingull
i rraskapitur
përkujtimi.
Tiranë, 9.06.2011
Varé e thyer
Me varenë e kokëfortësisë
çau shkëmbinj ciklopikë
e malet i miellzoi
si rërë.
Me varenë e kokëfortësisë theu kafka,
me stërkalat e truve të përgjakur
kuqëloi një botë të tërë.
… e një ditë
varéja e kokëfortësisë
iu thye nën ortekun
e bardhë të
borë-butësisë.
Tiranë, shkurt 2012
Mes akujve dhe rrufeve
Në çfill merimange
të fatit e ke varur
torbën e leckosur
të shpresave?
Vendi im vetmim i shkretë.
Ishull me ullinj
përherë të gjelbëruar
në kryqëzim rrymash
ku rrënojnë akullnajat
dhe përzhisin rrufetë.
Tiranë, 25.02.2012
24 orë
Dita Sizif i përjetshëm
rreket pa pushim
ti zbardhë faqen
e nxirosur
natës.
… e nata pa mundim
ia nxin përherë
faqen ditës.
Në fund të tunelit shkëmbor
të shpirtit tim të dridhmuar
përpiqem të mbaj ndezur
prushin e dritës.
Tiranë, 06.02.2011
Përmbytja e kalasë së rozafës
Mbi ashtin e kafkës
kryeneçe të kokëfortësisë
trokojnë patkonjtë
e ndryshkur të revanit
fatkob të marrëzisë.
Busulla e shpirtit tim
humbi drejtpeshimin
në arteriet e luginave pyjeprerë
me lumenj drite
të vetëpërmbytur
nga hemorragjia.
Nuk di…
në çhone mjerimi
po më vidhiset
anija.
Tiranë, 3.12.2010
Epidemi
Në humnerat e hapësirave
pafund të gjithësisë
dielli dhe hëna
kukamçeftas lozin
e lozin.
Hëna fytyra tjetër e diellit
… e veremosur.
Janar 2010
Alpine
Më varrosni më këmbë
si ushtar i ngrirë
në një llogore alpine.
Kokën mos ma mbuloni
me çallmë të rëndë
mermeri të bardhë, por
me helmetë.
Në syprinën e saj të mystë
hijet bardhë e gri të reve
të formojnë e të shformojnë
pa pushim akuarele metalike.
… të shkarkohen dendur edhe
në mot të kthjellët
rrufetë.
Nëntor 2010
Shqyt
Planetin do ta ndaj përgjysmë.
deri në zemrën e zjarrtë të tokës
me kocka të përflakura aty
përjetësisht dua të fle.
Të shpëtoj nga cunamet e përbaltjeve
që lemerisin edhe male e lisa
me kryet mbi re.
Tiranë, 18.05.2010
Kumtet e tokës
Mallkimi i nënës goditje rrufeje
thërrmuan shkëmbinjtë
kryeneçë të majëmalit,
than rrënjët e degët
qindravjeçare
të pishës
të ullirit
të qiparisit.
Mallkimi i nënës virus kancerogjen
shpërbën formulën e gjakut
në arteriet
mijëvjeçare
të fisit.
Tiranë 16.09.2010
Asfalti i Lëkurës
Ai veshi rrobat e gjakosura
të gjithë xhelatëve
më të ligj
të planetit.
Nga zjarrmi e ligësive
rrobat iu shkrinë pas trupit
si lëkurë e dytë, e tretë
e njëqindmiliontë.
Nën peshën e ligë
të lëkurëve të liga
u kthye në manekin
helmues të najlontë.
Sytë e akuarelit
Kreshtat e dallgëve
si pulëbardha lindin
dhe vdesin pa pushim
mbi syprinën e trazuar
të liqenit të Pogradecit.
Kreshtat e bardha të dallgëve-fanepsje
ngjarjesh të përgjakshme
që kanë parë sytë e larmë
gri e kaltër
përherë të përlotur
të liqenit.
Zhaurima e dallgëve
simfoni luftërash
të rrëgjuara
në sekuenca
të refrenit.
Pogradec, 24.08.2010
MILOSAO
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply