Nga Gjekë Gjonlekaj / New York
Largimin nga vendlindja 42 vjet më parë e kujtojmë ndoshta si ditën më të trishtueshme në jete. Pavarësisht se eksodet tona familjare nuk ishin të dhunshme dhembja ishte e madhe. Imigrimi në Shtetet e Bashkuara në kohen e Luftës së Ftohtë ishte shumë i ndërlikuar. Fillimi në Tokën e Re ishte i vështirë. Nostalgjia për vendlindjen e bënte jetën edhe më të vështirë. Pas një kohe “Mallin e Atdheut” të Faik Konicës e mësuam përmendsh. Kush mund të paramendonte se do të qëndronim këtu përgjithmonë. Më në fund e pranuam këtë realitet dhe filluam bashkëpunimin me ata që kishin imigruar para nesh. Qanim hallet së bashku për tokën tonë për Shqipërinë nën diktaturë dhe për Kosovën e robëruar. Shoqëria amerikane nuk e ndjente shume dhembjen tonë, sepse kishte probleme te tjera më të mëdha. Demokracia amerikane dhe përvoja e punës pranë Qeverisë Federale Amerikane kishte qenë mësim i madh për ne. Mësuam shumë edhe nga veprimtaritë e grupeve te tjera etnike. Ata ishin serioz dhe të bashkuar për lirinë e vendit të tyre. Prisnim reagimin e ndonjë presidenti amerikan, së paku në ndonjë sesion të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku bënte pjese edhe Shqipëria. Nuk kishin reaguar asnjëherë edhe pse në Asamblenë e Përgjithshme qëndronin pranë njëri-tjetrit. Atëherë e kishim menduar që më së miri do të ishte t’i drejtonim një letër te hapur Presidentit Ronald Reagan. Letra drejtuar Presidentit Reagan në Shtëpi të Bardhë u botua në faqen kryesore të gazetës “The Neë York Times” më 16 dhjetor te vitit 1988. Ajo letër fillimisht ishte shkruar në gjuhën shqipe, dhe ishte përkthyer anglisht nga studiuesi amerikan i kulturës shqiptare Leonard Fox. Letra u botua me rastin e 40-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës Universale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut. Disa pjesë të kësaj letre u transmetuan në shumë gjuhë të Zërit të Amerikës. Në vazhdim mund te lexoni tekstin e plotë të letrës botuar në gazetën “The New York Times”.
I dashur President Ronald Reagan:
Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet e botes e kanë shumë të qartë se vitet e presidencës suaj karakterizohen nga një preokupim i thellë dhe i vazhdueshëm për të drejtat e njeriut që është një shprehje e qartë e dhimbjes, për qindra milionë njerëz të cilët vuajnë nën zgjedhën e diktaturës komuniste. Shpirti juaj prej kryqtari dhe qëndrimi pa kompromis ndaj ekseseve të komunizmit kanë pasur si rezultat arritje praktike në fushën e të drejtave të njeriut. Këto u kane dhëne shpresa të reja atyre që kanë luftuar për një kohë të gjatë për liri kundër pengesave që ishin të pakapërcyeshme. Nuk ka dyshim se në këtë drejtim ju keni arritur gjatë këtyre tetë vjetëve të kaluara më shumë se çdo President tjetër i Shteteve të Bashkuara i shekullit të njëzetë. Në këtë kuadër, është një zhgënjim i madh për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan, prej gati gjysëm milion njerëz, që Ju nuk keni përmendur kurrë agoninë e tmerrshme të popullit shqiptar, i cili ka qenë viktimë e njërit prej regjimeve me brutale dhe më të egra në botë për më se dyzet vjet. Megjithëse vend i vogël, Shqipëria i ka dhënë botës pjesën e saj të heronjve dhe martirëve gjatë shekujve, duke filluar me Gjergj Kastriot Skënderbeun, luftëtarin e lirisë të shekullit të pesëmbëdhjetë, i cili së bashku me disa mijëra trima i ndali për njëzet e pesë vjet ushtritë e Perandorisë së fuqishme Otomane, duke mbrojtur Krishtërimin në atdheun e vet. Në kohën tonë, Nënë Tereza, një shqiptare tjetër, është bërë shembulli i dhembshurisë Kristiane, duke fituar respektin dhe dashurinë e të gjithë planetit. Ju vetë e keni nderuar Nënë Terezën, por ndoshta nuk e dini se qeveria shqiptare i ka mohuar asaj lejen për të vizituar Shqipërinë ne kohen kur nena e saj ishte duke vdekur. Po kjo qeveri e ka deklaruar Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, duke nxjerrë jashtë ligjit dhe duke e konsideruar krim kryerjen e ceremonive fetare. Sado të pabesueshme që duken këto fakte për qeniet njerëzore të qytetëruara, priftërinjtë janë vrarë ose janë burgosur për shkak se kanë pagëzuar fëmijët, klerikët dhe besimtarët myslimanë janë persekutuar egërsisht dhe të gjitha vendet e kultit, qofshin te krishtere apo myslimane, janë mbyllur. Qindra mijëra njerëz të pafajshëm mbushin kampet e përqendrimit në Shqipëri; në rast se ndonjë individ i privilegjuar dërgohet jashtë shtetit për studime, familja e tij mbahet peng dhe, po nuk u kthye, familja burgoset. Është pothuajse e pamundur për mendjen e lire të kuptojë terrorin nën të cilin populli shqiptar është i detyruar të rrojë, por ju Zoti President nuk u keni thënë atyre akoma asnjë fjalë të mirë për t’ua lehtësuar këtë barrë të tmerrshme. Përtej kufirit në Jugosllavi, shqiptarët në Kosovë, që përbëjnë nëntëdhjetë përqind të popullsisë, kanë vuajtur për vite të tërë nën regjimin jugosllav. Pavarësisht nga propaganda serbe, historianët kanë provuar se Kosova është pjesë e atdheut të lashtë të popullit shqiptar. Pasi duruan dhjetëra vjet represion ekonomik, politik dhe social nga qeveria komuniste qendrore, shqiptarët e Kosovës tani shohin se autonomia e tyre rrezikohet për shkak të klithmave të disa demagogëve serbë. E përsërisim se Ju kurrë nuk i keni përmendur aspiratat kombëtare të popullit shqiptar në Jugosllavi, megjithëse Ju keni përkrahur në mënyrë elokuente aspiratat e popujve të Bashkimit Sovjetik. Zoti President, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan përbëhet nga njerëz mjaft punëtorë të të gjitha bizneseve dhe të profesioneve më të ndryshme. Megjithëse u përkasin feve dhe shtresave të ndryshme ekonomike, ata janë të bashkuar fort nga dashuria që kanë pa dallim për Shtetet e Bashkuara dhe për atdheun etërve të tyre. Ata i kanë drejtuar sytë nga Ju dhe presin që Ju, si udhëheqësi i vendit më të lirë dhe me të fuqishëm të botës, të hiqni dorë nga konformiteti politik dhe të ngrini zërin, para se të mbarojë afati juaj presidencial, kundër shtypjes së egër që i bëhet popullit shqiptar në Shqipëri, si dhe kundër përpjekjeve të qeverisë jugosllave për të abroguar disa pak të drejta që kanë akoma pothuajse tre milionë shqiptarët etnikë në Jugosllavi. Ju lutemi Zoti President kini mëshirë dhe mos i shkaktoni zhgënjim popullit shqiptar.
Letra ishte botuar në emër të Komunitetit Shqiptar të Amerikës, sepse kështu ishte shumë e suksesshme. Miku i çështjes shqiptare sidomos i Kosovës, Senatori amerikan Larry Pressler gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë ia kishte dhënë në dore Presidentit Reagan letrën origjinale. Një jave më vonë revista e përjavshme jugosllave “NIN” shkroi gjerësisht kundër kësaj letre, duke shprehur friken e veprimeve serioze të shqiptarëve të Amerikës. Edhe grupet e majta shqiptare në Amerikë e sulmuan ashpër në mjetet e tyre të informacionit përmbajtjen e kësaj letre, bile edhe një parti gjoja nacionaliste shqiptare ne Shtetet e Bashkuara kundërshtoi botimin e kësaj letre pasi që kishin krijuar bindjen se vetëm ata kanë të drejtë me fol për Shqipërinë dhe Kosovën. Një zyrtar i lartë pranë Këshillit të Sigurimit Kombëtar dha me shkrim një përgjigje shume serioze duke shpjeguar arsyet pse Shtetet e Bashkuara nuk kishin folur për Shqipërinë. Ai zotohej se në të ardhmen do të jenë më të kujdesshëm ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për shtypjet e rënda politike në Kosovë. Redaksia e gazetës New York Times pohonte se këtë letër të hapur mund ta kishin lexuar një milion e shtatëqind e pesëdhjete mijë vetë, bile kishte rendësi të madhe për zyrat federale të Shteteve te Bashkuara. Botimi i kësaj letre ishte një vepër shumë e ndërlikuar për shumë arsye. Idenë për një letër të tillë e kisha fituar nga letrat e Shën Palit botuar në Besëlidhjen e Re.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply