Dorian Jones
Turqia ka ndërmarrë një valë dëbimesh qytetarësh evropianë të lidhur me grupet islamiste radikale që janë përfshirë në luftime në Sirinë fqinje. Ankaraja përballet me një presion në rritje nga aleatët perëndimorë për të shtypur xhihadistët.
Në një njoftim të medias turke, ku citohet një burim qeveritar, thuhet se mbi një mijë xhihadistë të lidhur me grupe që po luftojnë kundër qeverisë siriane, janë deportuar këtë vit.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke, duke folur pa u identifikuar, tha se nuk mund të konfirmonte shifrën por shtoi se forcat turke të sigurisë po bashkëpunonin me homologët e tyre ndërkombëtarë.
Semih Idiz, një analist diplomatic për gazetën turke Taraf dhe faqen e internetit Al Monitor, thotë se ky shënon një ndryshim në politikën turke. Ankaraja është akuzuar se ka mbyllur një sy për islamistët radikalë që po luftojnë për të përmbysur Presidentin sirian Bashar al-Assad.
Por zoti Idiz thotë se është rritur shqetësimi në Ankara për kërcënimin që paraqesin xhihadistët.
“Turqia është në kryqëzimin e rrugëve ndërkombëtare. Është përballë Kaukazeve, është përballë Ballkanit dhe ka gjithashtu elementë xhihadistë. Shiko për shembull Dagestanin, ose Ceceninë. Po ashtu ka komunitete islamike në Evropë. Pra në këtë këndvështrim është një rrugë që bashkon shumë rajone, dhe po përpiqet të kontrollojë situatën”.
Analistët thonë se Ankaraja ka qënë nën një trysni në rritjë nga aleatët perëndimorë, vecanërisht Uashingtoni lidhur me grupet radikale islamike që po përdorin Turqinë si një bazë lufte për Sirinë. Presidenti Barack Obama, sipas njoftimeve e ngriti këtë cështje me kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij në Uashington në maj.
Por analisti Idiz thotë se edhe Evropa e ka rritur trysninë diplomatike ndaj Ankarasë.
“Mendoj se ka qenë një trysni e jashtëzakonshme. Duke u nisur nga deklaratat zyrtare në Evropë, ata kanë frikë se këta qytetarë, vecanërisht në Francë, Britani dhe Gjermani, janë shumë të shqetësuar për këtë cështje, druhen se këta qyetarë do të radikalizohen edhe më shumë dhe do të sjellin Xhihadin në vendet e tyre. Këta luftëtare nuk po luftojnë për një kauzë, por për Xhihad dhe Xhihadi është universal. Sot Damaskus, nesër Frankfurt. Është e njëjta gjë për ta”.
Kjo cështje ka qenë një pikë tensionesh mes Ankarasë dhe Evropës, thotë Soli Ozel, një pedagog marrëdhnëiesh ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has. Ai thotë se Ankaraja ka përshtypjen se homologët evropianë nuk kanë ndihmuar sa duhet në këtë drejtim.
“Qeveria turke ankohet se qeveritë në vende të tjera e dinë se kush po hyn në Turqi, si edhe pretendon se vendet qytetarë të të cilëve po vijnë në Turqi nuk po i japin informacionin e duhur qeverisë turke”.
Por vëzhguesit thonse se muajt e fundit një atmosferë e re bashkëpunimi është vënë re mes vendeve evropiane dhe Ankarasë, si rezultat i përparimit në përpjekjet e Turqisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Para disa ditësh, Ankaraja nënshkroi një marrëveshje të vonuar shumë herë me Brukselin për refugjatët dhe emigrantët e paligjshëm.
Por analisti Ozel thotë se ka rreziqe të brendshme për Turqinë për cdo lloj mase ndaj grupeve xhihadiste. Analistët thonë se forcat turke të sigurisë kanë treguar sukses në kapjen e grupeve të al-Kaidës. Pas një sërë sulmesh me bomba në vitin 2003 në Stamboll, u zbulua me shpejtësi një bazë e al-Kaidës.
Zeri i Amerikes
Leave a Reply