Të ashtuquajturit qetësues, përveç rasteve kur janë të domosdoshëm dhe vërtet të nevojshëm, “vrasin” më shumë se drogat klasike, si heroina dhe kokaina, ashtu si tregon një studim amerikan
Akronimi është PDMP (Prescription Drug Monitoring Programme) dhe ashtu siç tregon emri, është program monitorimi për të kontrolluar dhënien e ilaçeve analgjezike, që në Amerikë po krijojnë një fenomen vërtet shqetësues: vdekjen nga overdoza e ilaçeve.
Alarmi i qetësuesve
Të ashtuquajturit qetësues, përveç rasteve kur janë të domosdoshëm dhe vërtet të nevojshëm, “vrasin” më shumë se drogat klasike si heroina dhe kokaina, ashtu si tregon një studim i “Brandeis University”. Studimi tregon gjithashtu se si një brez i ri i varur nga ilaçet po formohet në SHBA. Pas këtij fenomeni shqetësues nuk fshihen shpërndarës apo qarqe të paligjshme, por mjekët që rekomandojnë përdorimin e këtyre ilaçeve krejtësisht të ligjshme. Edhe pse këto ilaçe shkaktojnë më shumë viktima se heroina apo kokaina, doktorët i japin ato edhe në rastet e panevojshme, duke mos e monitoruar aspak përdorimin e tyre.
Programet
Të ashtuquajturat PDMP, programet e monitorimit, janë në rritje. Në fund të vitit 2001, në shtetet e autorizuara për të krijuar programe monitorimi për përdorimin e ilaçeve qetësuese ishin 16 dhe vetëm brenda 11 vjetëve, shtetet amerikane që kanë implementuar PDMP janë 49. Kjo tregon më së miri se sa shqetësues është bërë ky fenomen dhe se duhen marrë masat sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndryshuar diçka. 36 mijë ishte numri i të vdekurve brenda një viti nga overdoza e analgjezikëve në SHBA. Me pak fjalë, një numër shumë i madh për të qenë të shqetësuar. Në një artikull të fundit me titullin “Vital Signs Prescription Painkiller Overdose in the US”, botuar nga “Centers for Disease Control and Prevention” (CDC) në Atlanta, flitet për dyfishimin e vdekjeve nga abuzimi me analgjezikët, që mjekët i përshkruajnë me detyrim në recetë: brenda një dhjetëvjeçari, nga viti 1999 deri në 2009-n, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri i të vdekurve kaloi nga 20 mijë në 37 mijë.
Alarmi i epidemisë
Një epidemi drogash të ligjshme, që nuk kursen askënd dhe një betejë e vazhdueshme për të vendosur disa rregulla, që për të shmangur këto lloj epidemish, duhet të respektohen nga të gjithë.
Hal Rogers, president i “House Appropriations Committee” e cilëson një fenomen që po shkatërron familjet amerikane vetëm për faktin se dhënia e këtyre qetësuesve është plotësisht e ligjshme. Megjithatë, programet e monitorimit kanë treguar se dhe vetë mjekët nuk janë shumë të informuar rreth të gjitha efekteve të këtyre analgjezikëve. Për më tepër, është evidente që shpesh gjen dizinformime në manualet e tyre për përdorim.
Të rinjtë, përdoruesit e mëdhenj të ilaçeve
Të rinj që kanë probleme me punën, që duan të realizojnë projekte të rëndësishme për jetën, të martohen apo të bëjnë fëmijë, por edhe adoleshentë problematikë ose fëmijë që nuk ecin mirë në shkollë, janë këto identikitet e atyre që gjithmonë e më shumë po krijojnë varësi ndaj këtyre barërave. Në fakt, shifrat janë alarmante. Psikiatrit dhe psikologët shpjegojnë se kjo dukuri është e lidhur me shumë faktorë kompleksë. “Dikur antidepresivët jepeshin vetëm atëherë kur flitej për një rast të rëndë, ndërsa sot, ata këshillohen për gjithçka, që nga ankthi, te problemet me ushqimin, sjelljen, te strategjitë për të lënë duhanin, pavarësisht se studimet e këtij shekulli arrijnë të gjitha në të njëjtin përfundim, ku përveç rasteve të rënda ku është i domosdoshëm përdorimi i tyre, për të tjerët është më shumë efikase, sesa trajtimi me antidepresivë, i një terapie psikologjike ose sjelljeje”. Melankolikë, depresivë apo viktima të një sjelljeje çfarëdo, shpesh të rinjtë drejtohen te mjeku i familjes, i cili, duke mos qenë ekspert në këtë fushë, u këshillon ilaçe të kësaj kategorie, pa marrë parasysh rrezikun që mund të shfaqin.
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply