Ish kryeministri italian Silvio Berlusconi deklaroi se nuk do të largohet nga politika megjithë votimin e djeshëm të Senatit për ta përjashtuar atë nga parlamenti. Përjashtimi erdhi pas shpalljes fajtor të zotit Berlusconi për mashtrim me taksat. Megjithatë, kryeministri ende ka pasuesit e tij besnikë brenda vendit.
Nga një tubim në prag të votimit në Senat, dukej qartë se Silvio Berlusconi mbetet një figurë dominuese në politikën italiane. Mbështetësit e kritikuan parlamentin për masën e marrë kundër zotit Beslusconi.
“Është e neveritshme ajo që bënë. Mund ta shihni pra se si veprojnë të majtët. Është e tmerrshme,” thotë Gina, mbështetëse e Berlusconit.
Vetë zoti Berlusconi u tha mbështetësve të mos dëshpërohen dhe të qëndrojnë në fushën e lojës megjithë humbjen.
“Jemi këtu në një ditë të hidhur, një ditë zie për demokracinë italiane.”
Ndërkohë që zhvillohej votimi, disa deputetë të partisë së Berlusconit Forza Italia e dënuan veprimin e senatit. Një senator thirri “Turp të keni” në drejtim të ligjvënësve të tjerë.
Por, më në fund, vendimi për ta përjashtuar Berlusconin nga senati u miratua. Jashtë senatit, disa njerëz u shprehën të lehtësuar:
“Është një gjë e mirë. Kishte ardhur koha. U bënë 20 vjet. Mjaft më me Berlusconin!” thotë Alessandro Stallati.
Një tjetër banor u shpreh se epoka e Berlusconi ka marrë fund. Por ai tha se ende mendon se ish kryeministri është një njeri mjaft karizmatik.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply