
Besim Abazi
Në veriun e Mitrovicës, një zonë e banuar me shumicë serbe, sot mbahen zgjedhjet për pushtetin komunal. Në 26 vendvotime në këtë zonë pritet të votojnë rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë votë, të cilët duhet të zgjedhin midis pesë partive politike e nismave qytetare, serbe, shqiptare e boshnjake.
Më tre nëntor, votimet në veri të këtij qyteti u dëmtuan nga incidentet e dhunshme, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve, vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë dhe të përfaqësuesve të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, që është përfshirë në lehtësimin e votimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Zyrtarët e Beogradit thanë se sulmuesit janë kryesisht pjesëtarë të organizatave djathtiste nga Serbia që kishin hyrë në Kosovë më tre nëntor për të ndihmuar grupet politike që kundërshtojnë përfshirjen e serbëve në institucionet e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi anulimin e zgjedhjeve në ato qendra dhe caktoi 17 nëntorin datë të rivotimeve.
Edhe Prishtina zyrtare, por edhe institucionet ndërkombëtare thanë se kanë hartuar plane për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës në Mitrovicën veriore. Për këtë arsye, policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe paqeruajtësit e NATO-s thanë se gjatë ditës së sotme do të zbatohen masa të forta të sigurisë në veri.
Zgjedhjet e sotme do të ndiqen nga vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një plan rezervë për votimet e sotme, përfshirë edhe mundësinë që votat në fund të ditës të dërgohen për t’u numëruar në qendrën e numërimit në Prishtinë.
Autoritetet në Prishtinë u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në votime për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të ligjshëm.
Zyrtarët e Beogradit po ashtu po nxisin pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, duke vënë theksin te planet që Mitrovica e veriut të jetë qendra e bashkësisë së komunave serbe që do të krijohet pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë.
Krijimi i kësaj bashkësie që do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Zgjedhjet e sivjetme komunale janë të parat në të cilat janë përfshirë edhe komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply