
Adnan Abrashi 1957 – 2013
Me hidhrim te thelle mora lajmin per largimin nga kjo jete te nje miku tim te hershem z.Adnan Abrashi. Ky lajm me tronditi shume sepse me erdhi ne menyre te papritur,se me Adnanin ne komunikonim rregullisht dhe ai vazhdimisht ka derguar shkrime per ti botuar ne ato organe shtypi qe une kujdesohesha per to.Ishte nje njeri,jo vetem human dhe njeri i mire,por mbi te gjitha ishte tejet korrekt dhe shume i sinqerte. Sa here kam diskutuar me te per shume e shume probleme te ndryshme nga te gjitha sferat e jetes dhe nga ky njeri kam mesuar shume,por ai ishte dhe nje nje perkrahsit dhe mbeshtetsit e mij te fuqishem. Me habiste fakti qe ato cfare shkruaja une ai vazhdimisht me dergonte fjale te mira dhe me mbeshteste.Ishte nje njeri tejet i vecante.Ai studionte shume dhe shkruante shume studime per parapsikologjine.Per te gjithe ata qe kane patur rastin te ndjekin portalin e tij http://www.syri3.com/ ,kane pare e lexuar mjafte gjera interesante dhe kuriozitete nga me te ndryshmet. Cdo vit ,sapo ai fillonte une i dergoja horoskopin e vitit ne vazhdim ,sepse ai e kishte shume me deshire qe ta kishte ne portalin e tij.E komunikimi yne ka qene i gjate dhe shume i suksesshem se bashku. Ai me ka dhene ndihmen e tij dhe ne shume aspekte te tjera,duke qene nje udherrefyes i mire i situatave te ndryshme . Une kam humbur nje mik shume te mire ,nje perkrahesin tim te fuqishem qe mesova shume nga puna e tij ,nga pervoja e tij shume vjecare dhe e kisha nje krah te fuqishem ne te gjitha shkrimet e mija.Ai do te me mungoje shume,por ai eshte me ne ,sepse na ka lene shume vepra dhe vepra e tij nuk do te vdese kurre ,ajo do te jetoje me te gjithe ne shoke e miq te tij dhe ne kemi cfare te tregojme per Adnanin,sepse na ka lene kujtime shume te bukura ,por dhe mesime qe ne do ti kujtojme perhere mes miqesh dhe shokesh. Prizreni i bukur kam humbur nje njeri me vlera te jashtezakonshme,nje njeri te madh ,qe punoi shume dhe dha shume nga jeta e tij,per popullin dhe atdheun e tij. Ai ishte njeri me vlera te jashtezakonshme,ndaj Prizreni do ta kete per nder qe pat nje bir te tille qe punoi dhe ju perkushtua ketij qyteti me tradita te lashta historike e kulturore,ku ne te gjithe shqiptaret i kemi syte dhe mendjet atje dhe me shpresen se nje dite Prizreni yne dhe i juaji do te behet kryeqendra e shqiptarve i te gjitha trevave tona. Mos qofte e larget dita. Ndaj Adnani e deshi shume Prizrenin dhe i kushtoi shume vargje dhe rrjeshta te bukur ,bukurise se ketij qyteti. Por ishte i ashper me politikanet ,kur e kerkonte interesi kombetar dhe ishte tejet i hapur ne shkrimet e Tij. Ai dinte te fliste troc,pa i u dridhur qerpiku fare. Shkruane ne shume gazeta te ndryshme dhe portale ne internet. Njeriu i palodhshem dhe tejet aktiv.
Pushofsh ne paqe miku im i mire Adnan Abrashi.Te kjofte i lehte dheu i tokes arbnore.
Me respekt dhe nje hidhrim te thelle .
Luigj Shkodrani
(Sekretar i shoqates Alba – Dansk)
Kopenhagen – Danimarke ,6 Nentor 2013.
____________________________________________________________
______________________________
Me pikëllim të madh morrëm lajmin për vdekjen e mikut, autorit dhe publicistit, kontribuesit në Portalin tonë Informativ, Adnan Abrashi.
Këto 3 vitet e kaluara, Adnani ishte një bashkpunëtorë besnik i cili kurr nuk iu nda fjalës së shkruar për të mirën e Kombit Shqiptar.
Ne kishim rastin dhe mundësin ta njohim Adnanin nga afër, ishte një burr familjar, bujar e mbi të gjitha ishte edhe atdhetar me zemër.
Ky lajm tronditës ka prekur thellë në shpirtin tonë dhe kujtimi për të, do të mbetet i përjetshëm.
Më lejoni që në emër të stafit realizues të portalit KosovariMedia.com, Autorëve dhe vizitorëve, t’ju dërgojmë ngushllime më të sinqerta për të gjithë Familjarët, Miqt dhe Shokët po edhe mbarë Fisin Abrashi në Prizren e më gjerë..
Zoti u lasht shëndosh.
Shpirti tij u preft në Paqe.
http://www.kosovarimedia.com
——————————————————————
NGA KRIJIMTARIA E ADNAN ABRASHIT
Adnan Abrashi
Na ishte seç na ishte. Na ishte një herë një ishull në të cilin jetonin ndjenjat dhe vlerat tjera njerëzore: vullneti i mirë, brenga, dituria… dhe, në mes tjerash, në këtë bashkësi ishte edhe dashuria.
Një ditë, ata kuptojnë se ishulli i tyre do të fundoset, andaj, përgatitën barkat dhe mjetet tjera të lundrimit për një evakuim emergjent nga ishulli. Nga të gjithë të tjerët, vetëm DASHURIA fillimisht nuk deshi të largohet dhe vendosi të qëndronte deri në fund aty. Kur ishulli u rrezikua aq nga zhytja, në momentin e fundit, DASHURIA vendosi të kërkoj ndihmën e shpëtimit.
Me barkë në ikje, afër saj, së pari kalon PASURIA, dhe DASHURIA e lut që ta merr edhe atë me veti. Por, PASURIA si gjithnjë krenare në vete e refuzon me këto fjalë:
… – “Nuk mundem të të marr DASHURI, sepse barka ime është përplot me flori, dhe, nëse do të na bashkëngjitësh edhe ti, nga pesha e tepërt ekziston rreziku që të tytë së bashku të fundosemi në ujë.”
Pas këtij refuzimi, pa i humbur në tërësi shpresat, DASHURIA vendosi ta pyeste KRENARINË, e cila, me barkën e vetë madhështore, po ashtu kaloi atypari.
– “KRENARI, po të lutem! A mundesh të më marrësh me vete edhe mua?
– “Nuk mundem të të ndihmoj, DASHURI. – përgjigjet prerë KRENARIA – “Këtu tek unë është aq përsosur, saqë, nëse do të vish edhe ti, ka mundësi të ma dëmtosh barkën time dhe luksin personal në të.
Më pas DASHURIA me lutje të njëjtë, i drejtohet BRENGËS, e cila në ikje , po ashtu, me barkën e vetë kalonte atypari ,
– “Oh, DASHURI,”- i përgjigjet BRENGA – “Aq jam i brengosur në këto momente, saqë nuk mundem ta kem pranë askënd ”.
Kur,VULLNETI I MIRË, si i fundit ikanak, kaloi aty pranë, ai ishte aq i lumtur dhe i tretur në vete, saqë, as e dëgjoi lutjen e dashurisë.
I humbur në pashpresë për shpëtim, papritmas DASHURIA dëgjon zërin që e ftonte nga larg:
– “Eja, DASHURI, unë do të marrë me vete!”
Ishte ky një plak me një barkë të vogël që furishëm i afrohej për ta marrë. Kur arritën ne bregdet, DASHURIA zbarkohet aty, ndërsa plaku shpëtimtar largohet pa lënë asnjë gjurmë. Nga preokupimi i frikës për shpëtim të mundshëm që e kishte kapluar, DASHURIA harroi fare ta pyeste plakun se kush ishte. Tek më vonë, ajo e kuptoi rëndësinë e shërbesës së madhe të plakut që i kishte bërë dhe nga kureshtja e pyet DITURINË:
– “DITURI e dashur! Ti sigurisht duhet ta dish se kush ishte plaku im shpëtimtar që më morri në momentin e fundit nga ishulli që fundosej.
– “Ishte KOHA.” – ju përgjigj DITURIA.
– “KOHA?! – pyeti i befasuar DASHURIA – “Pse të më shpëtoj bash KOHA mua?
Në këtë pyetje kureshtare të DASHURISË, DITURIA ju përgjigj shkurtë dhe prerë:
– “Sepse, gjithmonë në këto raste, vetëm KOHA është e aftë që ta kuptoj se sa shumë është e rëndësishme DASHURIA në jetë…”
A.Abrashi
——————————————————————–
HASHIM – KUJDES ME KËTO BISEDIME ME SERBINË!

2013-03-24 në orën 12:17.MD
Marrëveshja me Serbinë, mbase, kismet, po na përfundon me 2 prill dhe ajo si zgjedhje na koka tërësisht në përputhshmëri me Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kështu së paku po na thotë Hashim Thaçi. Por, unë, fare nuk e kam të qartë se pse u desh të na bëhet aq presion i madh diplomatik ndërkombëtar, aq deklarime publike se ato do të jenë të vështira për të dyja palët dhe aq takime të gjata maratonike, për diçka që veç e kemi pasur të rregulluar si zgjidhe për serbët në dokumentet tona juridike shtet-formuese?
Ende pa përfunduar këto bisedime, dhe enda zyrtarisht pa u finalizuar dokumentet e kësaj marrëveshjeje, ajo çka tanimë sigurisht dihet, është se, në Kosovë, përveç asociacioneve të komunave të dominuar nga shqiptaret shumicë, diçka, sikur thuhet, do të kemi edhe asociacionin etnik të komunave me popullsi të dominuar serbe. Kjo e dyta, gjithsesi do të dalloj nga ajo e para, sepse do të ketë edhe një fond të veçantë të financimit të vetë. Po ashtu, serbët etnik në Kosovë, dikur të ndarë në ata: “përfund lumin Ibër” – që e kanë njohur Kosovën si shtet të tyre, dhe në ata “mbi lumin Ibër”- që kurrsesi nuk e kanë pranuar pavarësinë e shtetit tonë, tash e tutje, brendapërbrenda shtetit tonë unik, do të jenë së bashku në diçka si mëvetësi autonome, së cilës, ne më pas, mund t’ia vejmë emrin si të duam. Por, ajo kështu si zgjidhje që pritet të jetë, gjithsesi shtetin tonë do ta ndaj në dy etnitete të ndryshme të pastra etnike. Bile-bile, për këtë të dytën edhe me një fond të veçantë të financimit. Andaj, edhe pse kryeministri i ynë, z. Hashim Thaçi, sipas refrenit të tij tanimë përmendësh të mësuar deklarativ, rregullisht dhe kudo e përsërit si papagall atë konstatim bajate se: nuk do të ketë ndarje me Serbisë, nuk do të ketë Republika Serpska, nuk do të ketë autonomi Serbe për veriun… tashmë është e sigurt se, në brendinë tonë unike shtet/formuese, gjithsesi do të kemi diçka të veçantë dhe si të ndarë puro SERBE, alla: “Asociacioni i Komunave Serbe”
Po ashtu, na thuhet se ky “Asociacion i Komunave Serbe” si bashkësi etnike një nacionale, formalisht nuk do të ketë funksion të pavarur legjislativ, e që, në shikim të parë, mund të jetë ashtu, por, kush do të na garantoj neve se kjo bashkësi e pastër etnike serbe, ashtu horizontalisht e lidhur ngushtë me 10 komuna të veta shumicë, dhe vertikalisht, me shtetin amë Serbinë, si dhe me eksterritorialitetin veç ekzistues të hapësirave të kishave dhe kulteve tjera të veta fetare edhe nëpër komuna me shumicë shqiptare, në të ardhmen, nuk do të jetë faktor destabilizues, ose pengesë e organizuar rezistuese politike, ndaj shumë çështjeve të interesit nacional të shumicës shqiptare?!
Për ta gjetur një përgjigje meritore në këto dhe shumë pyetje tjera shqetësuese, mendoj se, me këtë rast vendimtar, do të ishte e udhës që urtësisht dhe me maturi ta kërkojmë një mendim si këshillë edhe nga mësuesja e jonë e jetës – HISTORIA.
Historia, e cila, fatkeqësisht, me sa duket, edhe këtë herë do të na përsëritet.
Kush është historikisht, në të vërtetë, Serbia?
Të gjithë ata që sado pak e njohin mentalitetin e popullit serb dhe historinë e saj shet/formuese, e dinë mirë se kush është në këtë shtet kreatore e vërtetë e strategjive afatgjate politike dhe “sfinga” e padukshme mbrojtëse në prapavijë të interesave nacionale serbe. Edhe pse, realisht, metodat e tyre të veprimit dhe mënyrat e kontrollit autoritar të politikave vepruese, mbahen në konspiracion, si institucione publike ato dihen kush janë: Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe (mëndja dhe shpirti i kombit serb). Nëse dikush ende mendon se politika oficiale e cila aktualisht zhvillohet në Serbi është e pavarur, atëherë mashtrohet rëndë. Sepse, shikuar edhe historikisht, të gjitha kahet e gjertanishme të strategjive politik/birëse të këtij shteti, janë mbështetur dhe mbështeten në platformat programore të përcaktuar më parë nga ta. Disa prej këtyre programeve si dhe kokave kreatore të tyre, tanimë veç ju janë të njohur opinionit tonë akademik dhe publik shqiptar, por, mbase jo edhe të gjitha. Si duket ka ende sosh, dhe ato, sipas rrethanave dhe kërkesave hapësinore-kohore, veç janë në realizim e sipër. Me pretekstin legal patriotik, dhe në emër të ruajtjes me çdo kusht të interesit nacional serb, ky bashkëveprim i instaluar edhe si mentalitet mbarëkombëtar, gjithmonë ka funksionuar në mënyrë të përsosur si relacion i pashkëputshëm veprues: “Akademia-Kisha-Politika.”
Edhe pse, në dukje, realitetit i disponimit politik të masave popullore në Serbi, në mes të forcave nacionaliste dhe ekstra-nacionaliste serbe, nga njëra anë, dhe demokratëve pro -evropian, nga ana tjetër, konsiderohet i balancuar “fifti-fifti”, gjithsesi si neutrale ekziston një “tampon shtresë” e pa orientuar politikisht, e cila, varësisht prej nevojave strategjike të vlerësuara për veprim, lehtë mund të përdorohet në favor të njërës apo anës tjetër të politikbërjes në pushtet. Sido që të jetë, cila do prej këtyre forcave politike që do të vije në pushte, kurrë nuk e shkëput marrëdhënien me atë “trinit” të njohur të koordinimit bashkëveprues: “Akademi – Kishë- Politikë”. Mbase, në Serbinë demokratike je i lirë të bësh çdo gjë, gjersa nuk konstatohet se me atë veprim ke shkel interesin më parë të përcaktuar nacional serb. Derisa, ta zëmë, te ne në Kosovë, pushteti ynë aktual, “forcat dhe lëvizjet nacionaliste shqiptare” i konsideron dhe i anatemon si armiq të përbetuar të demokracisë dhe pengesë kryesore të proceseve integruese euro – atlantike, përkundrazi, politika serbe kur vlerëson se si efekt është nevoja pragmatike t’i kundërvihet ndonjë presione ndërkombëtare, me urtësi i fton dhe i përdor ekstremist e vetë nacionalist . Asgjë në politikën serbe nuk ndodh rastësisht dhe si eufori e momentit. Çdo gjë është e koordinuar mirë. Që më parë dihet: kur duhet të bëhen protesta masive, dhe sa ato për efekt duhet të jenë të dhunshme; kur duhet të jep dorëheqje një lider dhe cili tjetër duhet të vjen në pushtet…. Të gjitha subjektet politike në Serbi, pa marrë parasysh orientimet e tyre ideologjike programore partiake, posa të vijnë në pushtet, si patriot serb, me devotshmëri duhet ta zbatojnë atë politikë nacionale, e cila më parë është definuar dhe përcaktuar nga “mëndja dhe shpirti i kombit” si interes nacional serb.
Dhe…krejt në fund, një këshillë miqësore për kryeministrin tonë! Hashim, KUJDES, me këto bisedime me Serbinë, e posaçërisht, kur ata me vete në to, e marrin edhe ndonjë përkthyese të bukur….!?
Adnan Abrashi
NOSTALGJI KURBETI…
![]()
Kur kohërat atëbotë, ishin të vështira
kur ai kob i zi, kudo mbi ne kish rënë
ashtu si shpejtë, mu desh nga ju të ikja
o ju miq, baba, dhe e dashura nënë
Atje diku larg, në atë vend të huaj
ku thuhej se kinse, çdo gjë shkëlqen
malli për ju, kurrë nuk më është shuar
për qytet timin – më t’bukurin Prizren
Sa të rënda ishin, ato ditë kurbeti
ai çast i mallkuar, kur unë ju lash
por sot tek ju erdha, u ktheve prore
përgjithmonë së bashku, do jemi më tash
Kur zakonisht netëve, nostalgjia më kaplonte
në shtrat i vetmuar, shihja ëndrra pa ndarë
në to si në film, e kaluara mu shpaloste
Shatërvani, Lumëbardhi, dashuria e parë
Me shishen përpara, të asaj pijeje dehëse
shkrepesha në vaj, çdo ditë qaja me lot
disa foto me miq, si kujtime mbresëlënëse
mallëngjimin në mua, assesi se tretnin dot
Sa të rënda ishin, ato ditë kurbeti
ai çast i mallkuar, kur unë ju lash
por sot tek ju erdha, u ktheve prore
përgjithmonë së bashku, do jemi më tash
Adnan Abrashi
03.05.2013
Per”Alba – Dansk” Shkodrani




Leave a Reply