Pyetje banale, ndoshta. E megjithatë eshte shpesh e veshtirë t’i jepet një përgjigje njëzëri, pa hapur një debat të gjatë dhe me kontradikta. Për t’ju përgjigjur pyetjes, ndoshta do ishte i dobishëm një udhëtim në kohë, për të kujtuar vitet e feminizmit dhe luftën për barazi dhe emancipim të gruas.
Duhet shkuar deri në një epokë të hershme, kur gruaja u zhvendos në mënyrë progresive nga veprimtaritë politike ekonomike dhe prodhuese, për t’u mbyllur në shtëpi dhe për të siguruar “vazhdimësinë e llojit”, duke u kujdesur për pasardhërsit. Një rol ky, që zuri gjithnjë e me shume vend dytësor në shoqërinë njerëzore, aq sa i hoqi gruas dinjitetin dhe të drejtën për një jetë të veten.
Në fund të këtij rrugëtimi, vihet re se si gruaja u identifikua kryesisht në dy role ose funksione: nëna, në shërbim të familjes (në kuptimin e gjerë të fjalës) dhe shtriga.
Shtriga
Nëpër shekuj, shoqëria patriarkale ka kërkuar të ndrydhë dhe të skematizojë të qenit femër, në imazhin ëngjëllor të nënës ( e personifikuar nga Virgjëresha, në vendet me kulturë kristiane), ose në atë të kundërt: Shtrigës. Imazhe që, në kohë, janë kristalizuar në dy stereotipe, i pari pozitiv, i dyti negativ. Një ndarje kaq e qartë e identitetit femëror që shkaktoi humbjen kulturore të fuqisë që ky identitet ka, në menyrë të ndërgjegjshme. Për motive të qarta, gruaja-shtrigë, ana femërore e errët është për t’u pasur frikë, është aspekti që merret më pak në konsideratë, por në të cilin ja vlen të ndalojmë, pasi përmban në vetvete natyrën dhe fuqinë origjinale të grave.
Shtriga- prejardhja e emrit nga Strix, që do të thotë kafshë nate. Të jesh shtrigë nënkupton të praktikosh magji të errëta, por edhe të joshësh të magjepsësh.
Në këto përkufizime ka shumë elemente mbi të cilat duhet menduar.
Identifikimi i Shtrigës me kafshët e natës shpreh lidhjen që ka midis gruas dhe energjisë hënore, ndërkohe që energjia diellore tradicionalisht ishte mashkullore. Përsa i përket praktikimit të magjisë, shtrigës i bashkëngjitej një fuqi mbinatyrore, që nuk ishte e shpjegueshme me njohuritë e shoqërisë së kohës, kjo mjaftonte që të digjeshin në zjarr ato gra qe kishin “fuqinë” të shëronin, ose një intuitë superiore kundrejt meshkujve.
Aspekti që lidhet me joshjen (nga latinishtja Sedùcere- të marrësh mënjanë),të bën të mendosh për fuqinë e femrës për të tërhequr dhe bërë për vete një mashkull. Edhe kjo gjë, ashtu si karakteristika e parë, nuk tolerohej nga shoqëria e kohës dhe deri diku dhe nga shoqëria e sotme.
Dy autore, Ann dhe Barry Ulanov, e përkufizojnë gruan si “femra-shtrigë me energji shpërthyese”, në kërkimin e tyre për kuptimin e jetës. Impulsi i parezistueshëm i shtrigës është të jetë vetvetja, pavarësisht nga të tjerët, me objektiva të veta për të arritur, burime personale nga të cilat “ushqehet” dhe puse të thella nga të cilat vazhdimisht nxjerr diçka në sipërfaqe.
Nëse e lexojmë me sytë e sotëm, gjejmë në qenien femërore kreativitetin tipik të gruas, që shprehet në shkrimin e librave, në ëndërrimin për bote të reja, dhe gjetjen e mënyrave për të arritur atë që do për veten dhe femijët e saj.
Në të kundërt, nëse shtriga brenda çdo gruaje ndrydhet, nëse nuk gjen një vend për tu shprehur, për të kenaqur veten, kthehet kundër gruas vetë, si nje ankth intensiv, me pakënaqësi dhe zemërim njësoj si simboli i shtrigës që skërmit dhëmbët dhe lëshon ulërima të tmerrshme.
Nëpër shekuj
Në prehistori zgjedhja për ndarjen e roleve, e nevojshme për të siguruar mbijetesën, ishte që të merreshin gratë me bujqësinë dhe fëmijët, ndërsa burrat të merreshin me gjuetinë. Detyrat e gruas ishin në dukje më të lehta, meqenëse ato nuk ishin të detyruara të largoheshin shumë nga vendbanimet (pak a shumë të qëndrueshme), ndërkohë që burrat largoheshin dhe më pas ktheheshin në “shtëpi” ku i prisnin dhe përkujdeseshin për ta.
Kështu funksioni pritës dhe përkujdesës, nëpër shekuj u identifikua me të qenit femër, u bë një sterotip ky pozicion i femrës në shoqerinë të cilës ajo i perkiste.
Mesjeta qe periudha më e errët dhe ndrydhëse në historinë e femrave. Shembull është “Malleus Malleficarum” me të cilin akuzoheshin femrat për kryerje të marrëdhënieve seksuale të të gjitha llojeve dhe shpallej që çdo femër që ishte në gjendje të shëronte dikë quhej Shtrigë dhe për këtë do të digjej.
Njohuri më të gjera sesa te lejueshmet ishin te mjaftueshme që gratë të digjeshin të gjalla. Gratë përdhunoheshin dhe torturoheshin, më pas digjeshin, shpesh dhe para syve të fëmijëve të tyre
Kisha merrte pasurinë e grave që vriste, në këtë mënyrë pasurohej më shumë.
Janë të shumta, që prej Revolucionit Francez, lëvizjet që gratë organizonin për të fituar gjithnjë e më shumë të drejta civle dhe politike, pergjatë shekullit XIX këto u përhapën kudo nëpër Europë, dhe në shumë raste kërkesat e tyre janë plotësuar.
Shekulli XIX ishte një shekull i rëndësishëm për gratë. Shumë kanë arritur ta quajnë: Shekulli i grave, për ndryshimet e shumta dhe të menjëhershme që pasuan njëra tjetrën, duke ndryshuar traditat sociale të kohës.
Në përgjithësi, mund të flitet për një njohje graduale të të drejtave të grave në shoqëri, aq graduale sa mjafton për të vënë në dukje si kontrolli mashkullor ka ndërhyrë në këtë proces. Proces që vazhdon ende, po të kemi parasysh që rolet dhe funksionet më të rëndësishme vazhdojnë tu besohen meshkujve.
Një tabù shumë e vjetër
Kur gjendesh përpara një panorame të tillë historike-sociale, është normale të pyesësh veten si ka qenë e mundur të mbyllet gruaja në një gjendje nënshtrimi, jo vetëm “material”, por dhe psikologjik, emotiv, shpirtëror.
Të kujtojmë për shembull,kuptimin negativ që gjithnjë i është dhënë ciklit menstrual, simbol ekskluziv i feminitetit, që përfshin një pjesë shumë intime të personalitetit dhe trupit të një femre. Një formë “ndrydhje” shumë e “hollë” që goditi të qenit femër në thellësi të qenies, së natyrës së saj, duke krijuar kështu një perceptim negativ të feminitetit dhe të trupit të femrës.
Cikli menstrual është një veçanti e femrës, që ka ndryshuar vlerë dhe kuptim social me kalimin e shekujve.
Për kulturën e sotme perëndimore, gjaku menstrual është Tabù. Femrat s’mund ti japin rëndësi, e fshehin, evitojnë kontaktet me të tjerët. Në përgjithësi meshkujt na krijojnë idenë që në ato ditë jemi më të vështira, dhe në këtë mënyrë detyrohemi të kryejmë aktivitetet tona pa lënë as dhe më të voglën shprehje emotive që mund të lindë nga gjendja hormonale. Ky presion ndikon ne rritjen e stresit të sindromes paramestruale.
Në qytetërimet antike, periudha menstruale ishte sërish Tabù, por në kuptimin e së “shenjtes”. Një gjë magjike, që përkonte me fazat hënore, dhe fluksin batice-zbatice. Gjaku menstrual konsiderohej si pleh i mirë, kjo u jep një kuptim gojëdhënave popullore europiane për femrat që rendin lakuriq në fushat e mbjella me grurë. Ende sot, lamat tibetanë përdorin gjakun menstrual për ceremonitë në nder të perëndisë Tara dhe konsiderojnë se gjaku i parë menstrual i një femre është ilaçi shërues më i fuqishëm.
Të jesh femër: Rritje e brendshme
Si një gjarpër që ndërron lëkurën dhe një kukule që bëhet flutur, është rritja personale që një femër sot mund te kryejë.Duke dalë nga veshjet e ngushta që e kanë detyruar të mbajë, bazohet te energjia e brendshme, duke rishpalosur ato karakteristika që i janë ndrydhur ose shpërfytyruar, por që në të vërtetë shprehin thelbin e të qenit femër dhe fuqinë e brendshme që mbart te qenit femer.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply