
Bota Sot
Kur vjen puna për të folur për marrëdhëniet seksuale, si meshkujt edhe femrat gënjejnë për partnerët që kanë pasur dhe për mënyrën se si kanë bërë dashuri në të shkuarën, thotë një studim i kryer në Ohajo
Studimi
Rolet gjinore janë të përziera kur vjen puna për të qenë të sinqertë në lidhje me marrëdhëniet e mëparshme seksuale. Meshkujt kanë prirje që ta rrisin numrin e femrave me të cilat kanë pasur të bëjnë, ndërsa nga ana tjetër, femrat tentojnë ta ulin këtë numër.
Kërkimet tregojnë se meshkujt dhe femrat janë të etur për të tejkaluar normat shoqërore dhe kulturore kur vjen puna për jetën e tyre seksuale.
Studimi i ri shprehet se kur të tjerët na pyesin në lidhje me seksin, ajo që të gjithë dëshirojmë është të dukemi sa më normal në shifrat dhe përshkrimet që japim, për këtë arsye ne gënjejmë që t’i afrohemi sa më shumë së pranueshmes.
Kërkimet zbuluan se si meshkujt, edhe femrat thonë gënjeshtra kur u duhet të përshkruajnë jetën e tyre seksuale, në mënyrë që të duken sa më normalë në lidhje me ato që thonë.
Në këtë aspekt, meshkujt duan të duken si burra të vërtetë, që kanë pasur shumë partnere dhe shumë përvoja seksuale.
Nga ana tjetër, femrat preferojnë të duken si me më pak përvojë seksuale, nga sa kanë pasur në të vërtetë dhe kjo vjen prej stereotipave kulturorë.
Ka një fakt shumë unik në lidhje me seksualitetin, që i bën njerëzit të jenë më të interesuar rreth përputhjes me stereotipat që ekzistojnë rreth gjinisë së tyre, shprehet Terri Fisher, autor i studimit dhe profesor psikologjie në Universitetin e Ohajos.
Studimi zbuloi se meshkujt ishin më të gatshëm të pranonin se për një periudhë kohe ishin marrë me veprimtari që prej femrave shiheshin si mjaft tërheqëse, si për shembull shkrimi i poezive.
E njëjta gjë ndodhte edhe me femrat, të cilat nuk dëshironin ta fshihnin faktin se ndonjëherë thoshin shaka të pakëndshme apo merreshin me aktivitete që i përkasin sërës mashkullore.
Seksualiteti duket se është një nga ato zonat e ndjeshme, për të cilat njerëzit shqetësohen shumë nëse nuk përputhen me stereotipat e një mashkulli të zakonshëm apo të një femre të zakonshme.
Femrat ishin të lumtura të pranonin se ato merreshin me sjellje që shiheshin si tipike mashkullore, siç mund të konsiderohet këndimi në dush apo shakatë e vrazhda.
U identifikuan sjellje tipike mashkullore dhe femërore, siç ishin veshja e rrobave të palara, thënia e shakave pa kripë apo edhe këndimi në dush, shkrimi i poezive dhe gënjeshtrat rreth peshës.
Në studim morën pjesë 293 studentë kolegji nga mosha 18 deri në 25 vjeç. Atyre iu kërkua të përcaktonin sesa shpesh bënin 124 sjellje duke u përgjigjur nga kurrë deri tek disa herë në ditë.
Disa pjesëmarrës e plotësuan pyetësorin të lidhur me një makinë poligrafie ose të quajtur ndryshe detektor gënjeshtrash, i cili në të vërtetë nuk ishte në gjendje pune.
Të tjerët ishin të lidhur me aparatin përpara se të fillonte studimi, gjoja për të matur sasinë e ankthit, por që makineria u shkëput përpara se të mbaronte pyetësori.
Në përgjithësi, përfundimet tregonin se si meshkujt dhe femrat prireshin të vepronin siç u kishte hije gjinisë së tyre.
Tek meshkujt u vunë re më shumë sjellje tipike mashkullore dhe tek femrat sjelljet e zakonshme femërore, pavarësisht nëse ata ishin të lidhur me makinën e së vërtetës apo jo.
Për sjelljet jo seksuale, pjesëmarrësit dukej se nuk shprehnin ndonjë presion për të reaguar në mënyrën që ia impononin stereotipat në lidhje me gjininë që kishin.
Me fjalë të tjera, si femrat që ishin të lidhura me detektorin e gënjeshtrës, ashtu edhe ato që nuk ishin, pranonin njëlloj disa gënjeshtra në lidhje me peshën dhe faktorë të tjerë që kishin të bënin me stereotipat.
Përjashtimi i vetëm i sjelljeve seksuale ishte se meshkujt raportonin më shumë partnere seksi kur nuk ishin të lidhur me makinën e së vërtetës.
Nga ana tjetër, për femrat ndodhte e kundërta, ato raportonin më pak kur ishin të lidhura me detektorin e gënjeshtrave. E njëjta gjë ndodhte edhe në raportimin e përvojave seksuale.
Meshkujt dhe femrat kishin përgjigje të ndryshme rreth sjelljeve seksuale, kur atyre u kërkohej të ishin plotësisht të sinqertë.
Per”Globi – Shqip” Shkodrani


Leave a Reply