Figura e atdhetarit dhe demokratit të madh Luigj Gurakuqit u bë e pranishme në ditët tona në debatet për
historinë. “Sebep” u bë fakti që organizatorët e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë nuk u kujtuan fare për bashkëpunëtorin më të ngushtë të Atit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit. Luigji u ndodh, jo rastësisht, përkrah tij në Vlorë ditën Shpalljes së saj. Qysh në mesin e vitit 1911 që të dy i gjejmë bashkë pranë Kryengritësve të Malësisë së Madhe për të parashtruar Memorandumin e mirënjohur të Greçës dhe që atëherë ata marshuan krah për krah deri në ditën e madhe historike më 28 nëntor të vitit 1912. Edhe kaq sa përmendëm mjaftojnë që ai të përkujtohet në këtë 100-vjetor. Po dhe periudhaa pas saj do ta përligjte ca më tepër mirënjohjen e brezave të sotëm për Luigjin.
Qëndrimi që është mbajtur ndaj Gurakuqit në këto 22 vjet tregon se kjo harresë nuk është e rastit. Gjatë gjithë këtij afro çerek shekulli sa përvjetorë madje dhe të plotë të lindjes së L. Gurakuqit kanë kaluar në heshtje. Për përvjetorët e vdekjes me sa duket nuk mund të bëhet fjalë sepse ata mund të ngrejnë, dashur pa dashur, problemin kinse të diskutueshëm të autorëve të vrasjes së tij.
Më 1999 Gurakuqi kishte 120 vjetorin e lindjes, jubile i cili kaloi, pothuajse në heshtje Themi pothuajse në heshtje, sepse edhe veprimtaria e organizuar me këtë rast në qytetin e tij të lindjes në Univeristetin, që mban emrin e tij, kaloi pa ndonjë jehonë. Ra në sy në këtë 120 vjetor shembja e shtëpisë së tij muze (?!) Kjo shembje kishte dhjetë vjet që përgatitej. I vetmi, me sa dime, artikull përkujtimor që u shkrua me këtë rast gjeti vend i zgjeruar në faqet e gazetës “Zëri i Kosovës” që dilte në Zvicër.
Gjithë kjo heshtje për Gurakuqin dhe jo vetëm për të, ndodh në një kohë kur në vendin tonë ekzistojnë insitucione, sado të reduktuara, të shumta shkencore, arsimore e kulturore shtetërore dhe organizma joshtetëroree jo të pakta. Askush, me sa dimë, nuk u kujtua ta përkujtonte në këto përvjetorë “viganin – liberator”, siç e pat quajtur Fan S. Noli. Ndërsa për përkujtimin e Gurakuqit me rastin e 70-vjetorit të vrasjes së tij më 1995 as që u bë fjalë.
Po kush është, në fund të fundit, Luigj Gurakuqi mbi të cilin ra kjo heshtje e pamerituar?
Lajmi i dhënë, më 1999, në mediat tona me pamje të pa përfytyrueshme rreth shembjes së Shtëpisë Muze të Gurakuqit të shtynte asokohe të shtroje pyetjen: Si u lejua të rrenohej ky monument kulture dhe historie? Dhe kjo ndodhte në Shqipëri në një kohë kur ne protestonim, qoftë dhe me gjysëm zëri, kundër barbarisë serbe, e cila shembi shtëpinë muze të Lidhjes Shiqptare në Prizren. Si ne lejuam të shembej “vetëvetiu” kjo shtëpi muze-faltore e shqiptarizmit? Se mos vetëm kjo. Qyteti i Shkodrës i njohur për disa shtëpi muze, muze me plot kuptimin e fjalës, jo fotoekspozita, ka mbetur pa asnjë. Ku është shtëpia muze e Migjenit? Ku është shtëpia muze e Pashko Vasës? Ç’bëhet me shtëpinë muze të Oso Kukës, simbolit të qëndresës shekullore të shqiptarëve kundër shovinizmit sllav? Strehimi i muzeut të qytetit nën hatllat (çatinë) e tij sikur e ka eklipsuar simbolikën e saj. Janë shumë pyetje përgjigjja e të cilave vështirë se mund të përligjet me “tranzicionin” që kaluam dhe po kalojmë. Ca më pak kjo mund të shpjegohej me gjendjen e luftës apo të pragut të luftës që kaluam. Përkundrazi, ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, lufta çlirimtare e vëllezërve kosovarë nën drejtimin e UÇK-së duhet të kishin ndikuar fuqishëm në një drejtim krejt tjetër, në një sens tejet pozitiv.
Përkujtimi nën zë në qytetin e tij të lindjes i figures madhore të Luigj Gurakuqit dhe në shtypin e mërgimtarëve kosovarë (si në kohën e sulltan Abdyl Hamidit) mbetet tejet i papërligjur për vetë përmasat historike dhe aktualitetin e mendimit dhe të veprimtarisë së tij atdhetare dhe demokratike.
Ne debatin që po vijon rreth figures së tij besoj se ia vlen të ndalemi në disa aspekte të tjetës dhe të veprimtarisë së tij të pa trajtuara apo të pasqaruara si duhet, po ashtu dhe për momente të cilat sikur nuk kemi shumë dëshirë t’i kujtojmë.
Le të marrim faktin që ai ishte biri i Pjetër Gurakuqit, atdhetar e veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në prag të krijimit të Lidhjes së Prizrenit. Ky fakt nuk njihet jo vetëm në masën e lexuesve por dhe në rrethet e ngushta të studiuesve.
Për të jatin e Luigjit studiuesi i tij, Mark Gurakuqi, shkruan se Pjetri qe një burrë që gëzonte autoritet dhe respekt në qytetin e Shkodrës. Si mjaft tregtarë të këtij qytetit, “bante tregti me qytete të Italisë, si me Venedikun e Milanon”. Përshkrimet e mëtejshme flasin për bisedimet e këshillat që ai u jepte njerëzve të familjes, sidomos dy djemëve, për shqetësimet rreth fatit të atdheut e kështu me radhë. Ai qe i detyruar, me sa duket për shkak të rënies së rëndësisë së qytetit të Shkkodrës si qendër tregtare jo vetëm për Shqipërinë e Veriut por dhe më gjerë, dhe për Ballkanin Perëndimor, të hiqte dorë, siç thuhet, nga ushtrimi i tregtisë. Dhe vetëm kaq. Por në të vërtetë, dokumentacioni që kemi në dorë flet për një Pjetër krejt tjetër, për një personalitet të LKSH të atyre viteve.
Pjetër Gurakuqi u tregua tejet aktiv në prag të shpërthimt të Krizës Lindore në vitet ’70 të shekullit XIX. Së bashku me Zef Jubanin, Prend Doçin e intelektualë të tjerë të kohës u përpoq për organizimin e lëvizjes popullore antiosmane në Veri të vendit dhe orientimin e saj në hullitë e lëvizjes kombëtare. Ai u angazhua për zgjerimin e kryengritjes së armatosur që shpërtheu në Mirditë në vitet 1876 – 1877. Pjetër Gurakuqi me shokë u përpoqën t’i siguronin aleatë lëvizjes kryengritëse në Shqipëri si te fqinjët ashtu dhe përtej Adriatikut me ndihmën e vëllezërve arbëreshë. Porse pa rezultat. Ky mosssukses nuk ishte vetëm për faj apo paaftësi të tyre. Për këto fakte, çuditërisht, nuk bëhet më fjalë në botimin e dytë të Historisë së Shqipërisë më 1984, sikurse në botimin e tij të parë (1965).
Në pranverë, veçanërisht gjatë muajit qershor të vitit 1878, në momente tejet të vështira për fatet e atdheut dhe të mbarë kombit, Pjetrin e ndeshim, sipas dokumenteve diplomatike të kohës, në krye të Komitetit të Shkodrës që bashkonte banorët e tij pa dallim besimi. Përballë rrezikut vdekjeprurës, të përcaktuar në nenet e Traktatit të Shën Stefanit, ky komitet formulonte rrugën e shpëtimit. Me këtë qëllim ky komitet iu drejtua Fuqive të Mëdha me anën e një memorandumi.
Komiteti i Shkodrës, i kryesuar nga Pjetër Gurakuqi, me myslimanë e me katolikë, siç shprehen ata në përkujtesën e tyre, u deklaruan të një mendimi për formimin e një shteti kombëtar shqiptar. Kjo ishte një nga kërkesat më të avancuara të atyre ditëve dhe të mëvonshme. Kjo kërkesë u vu në bazën e platformës së Lidhjes së Prizrenit që në ditët e para të formimit të saj. Sipas Lipihut, kryekonsullit austriak në Shkodër, në këtë dokument Pjetër Gurakuqi dhe myderriz Daut Boriçi me shokë parashtronin, se shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë, nuk pranonin, në asnjë mënyrë, të jetonin nën shtetin malazez. Ata kërkonin miratimin e Fuqive të Mëdha për të formuar një shtet kombëtar të veçantë, qoftë edhe nën vasalitetin e sulltanit, sikurse Serbia dhe Rumania. Fakti që Vjena, në këtë kohë, vepronte kundër kërkesave kombëtare të shqiptarëve shpjegon qartë prirjet politike antiaustriake të drejtuesit të Komitetit të Shkodrës dhe të hartuesit kryesor të përkujtesës në fjalë, për të cilat bën fjalë Lipihu në raportimet e veta.
Më pas nuk i ndjehet zëri më Pjetër Gurakuqit.
Këto fakte të detyrojnë që kur flasim për Luigjin të mjaftohemi me shprehjen standarte që lindi dhe u rrit në një familje me tradita, por duhet shtuar me tradita thellësisht atdhetare, madje, të përmasave jo të zakonshme. Pra, ai qe i biri i një atdhetari të shquar, çka deri më tash dhe sot e kësaj dite nuk është vënë në pah sa dhe si duhet, për të mos thënë fare. Nuk qe rastësi që Luigji u angazhua qysh në moshë të re në LKSh dhe filloi të dallohej midis veprimtarëve të saj.
Vlen të vihet në dukje që L. Gurakuqi, me sa dimë, nuk e rrahu gjoksin asnjëherë për kontributin e të atit në vitet e Lidhjes së Prizrenit. Kujdesi i tij qe të ishte trashëgimtar i denjë i Pjetër Gurakuqit. I angazhuar në luftën për të çuar deri në fund luftën për fitoren e kauzës së babait të tij ai nuk gjeti kohë të vinte në pah meritat e familjes. Aq më pak i shkonte nëpër mend që t’i hiperbolizonte ato, siç vërehet te ndonjë atdhetar tjetër, bashkëkohës i Luigjit.
Qysh në fillimet e veprimtarisë tij atdhetare L Gurakuqi dëshmon dhe talentin e tij poetik. Në vitin 1900, nën ndikimin e përpjekjeve për ripërtëritjen e Lidhjes së Prizrenit me Besë-Lidhjen e Pejës, Luigji i ri shkroi vjershën “Shqyptarëve lidh n’besë”
I ati e kishte dërguar të studionte për mjekësi, një profeison i lakmueshëm për të gjitha kohët. Porse ai mbaroi për shkenca natyrore. E shihte me sytë e mendjes, shkruan biografi i tij Pirro Tako, se Shqipëria kishte më shumë nevojë për njerëz që ta shpëtonin nga dhimbjet e shumta që po e çonin në varr, se sa për një mjek.
L. Gurakuqi ra në kontakt me kulturën europiane, pa u shkëputur nga realiteti shqiptar. Edhe pse u njoh edhe me idetë socialiste dhe u ndikua jo pak prej tyre ai qe realist në vlerësimin e tyre. Prandaj I qëndroi mendimit, se nuk ishte koha për predikimin e pikëpamjeve të tilla, tejet të përligjura, sipas tij për Europën, në Shqipërinë e ndodhur nën sundimin osman. Nga ana tjetër, ai qe i mendimit se nuk ishte i parakohshëm krijimi i shoqërive punëtore, si formë organizimi për përmirëismin e gjendjes ekonomike – shoqërore dhe arsimore – kulturore të punëtorëve. Ai e kishte të qartë, që nisma të tilla si kjo do të ndeshnin në shumë kundërshtime, si një punë e paligjshme dhe e rrezikshme jo vetëm për pronarët por dhe për pushtetin osman, dhe do të konsideroheshin ashtu, siç do të shkruhej në shtypin klerikal të kohës, një “punë e pafe”.
Në veprimtarinë e tij Gurakuqi i ri u përqëndrua në problemet themelore të LKSh siç ishte bashkimi kombëtar i shqiptarëve. Detyra e pare ishte miratimi i alfabetit të njësuar për gjuhën shqipe. Ndërsa detyrë kryesore mbetej, siç shkruante ai në artikullin “Pëprarimi i shqyptarëvet” botuar me rastin e 25-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sigurimi i një qendre të vetme udhëheqëse për mbarë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Lidhur me çështjen e alfabetit ai do të shkruante në prill të vitit 1904 se në atë kohë shqiptarët nuk kishin nevojë për “një abe të mbarueme” (të përsosur). Ata duhej të përqëndroheshin për të siguruar “një abe të unjishme” (të vetme). Porse thirrja e tij, e cila tingëllon aktuale dhe në ditët tona, megjithëse u mbështet nga Shahin Kolonja nuk gjeti mbështetjen e Preng Doçit.
Luigji u angazhua në lëvizjen kombëtare duke u udhëhequr nga kredoja mobilizuese dhe optimiste e jetës së tij: “Mjer ai që nuk qindron!” Që Luigji ishte qëndrestar i vendosur e dëshmoi gjatë gjithë jetës së tij dhe me fundin e saj.
Në fillimet e shek. XX L. Gurakuqi rreshtohet në radhët e para të luftës së popullit tonë me penë dhe me armë. Në prag të Revolucionit xhonturk e gjejmë në krah të Bajo Topullit në përpjekjet për organizimin e kryengritjes së armatosur në Shqipëri. Luan rol të veçantë në mbledhjen e Kongresit të Manastirit për njësimin e pikëpamjeve të llojllojshme lidhur me alfabetin e gjuhës shqipe.
Për pikëpamje të përparuara lidhur me rolin e arsimit dhe të edukatës ai vihet jo rastësisht në postin e drejtorit të parë të të parës shkollë të mesme kombëtare shqipe. Në të ai u angazhua të materializojë idetë e tija sa atdhhetare aq dhe pedagogjike. Shkolla shqipe, sipas tij, duhej të ishte një institucion ku jo vetëm të mësohej gjuha shqipe. Gjuha në shkollë, vijon Luigji, ishte vetëm një mjet. Kurse mësimi dhe edukata që përshkohen nga fryma kombëtare e ndjenjat patriotike, konkludon ai, janë ato që luajnë rolin kryesor në forcimin e karakterit të kombit.
Luigj Gurakuqi si drejtor e mësues i shkollës normale të Elbasanit punoi ta shndërronte atë në çerdhe të diturisë shqiptare, në vatër të edukimit dhe të atdhetarizmit shqiptar për brezat e rinj.
Në hapjen e Shkollës Normale drejtori i parë i saj tha që nga kjo shkollë do të dilnin shqiptarë dhe vetëm shqiptarë. Avni Rustemi, ndër nxënësit e parë të saj, përshëndet ardhjen e nxënësve kosovarë, të sjellë aty me kujdesin e Hasan Prishtinës. Ndërsa L. Gurajuqi u drejtohet atyre : “Këtu, o djem të dashun, nuk do të ushqeheni vetëm me mësim e dituni…po do të përpiqemi t’ju bajmë edhe burra të ndershëm e shqiptarë të flaktë që të jeni në një ditë të afërme nderi dhe krahu i djathtë i Shqipërisë sonë të dashtun”. Nuk duhet harruar se që të gjithë nxënsit e saj kishin ardhur nga shkolla turke e greke. Personeli arsimor dhe nxënësit, për t’u dalluar nga simbolet e huaja, mbanin qeleshe të bardha.
Tradita bizantine e doktrinës osmane e mohimit të kombësive sipas gjuhës dhe e pohimit të kombësisë sipas fesë, kërkonte, sipas Gurakuqit, “të kërkojmë e të fitojmë edhe na ato të drejta që kombet e tjerë i kanë”.
Përballë deklaratave cinike të ministrit xhonturk të luftës, Mahmut Shefqet pashës, më 1910, i cili mburrej: “Unë do ta shuaj domosdo gjer në rrënjë kryengritjen e Kosovës”, L. Gurakuqi u ngrit me forcë në mbrojtje të kauzës së drejtë për të cilën luftonin kryengritësit e Kosovës. Ai u drejtohej deputetëve turkomanë shqiptarë në parlamentin xhonturk: ” nuk jam nga ata që duan të ngrihen si gjykonjës të drejtë e të lartë të historisë e të politikës, por nuk dua të jem as prej atyne shqipëtarëve që gëzojnë e përplasin duart mbi kobet e mjerimet e fisit të tyne”.
Si përgjigje të deklaratave të shtypit turk që u mundua ta paraqiste kryengritjen e Kosovës si një vepër të “njerëzve të paditun” dhe të kundërligjshme, Gurakuqi shtronte, me të drejtë, pyetjen “Pse atëherë dërgohen kundër tyne ushtarë e topa e nuk u hapen ato shkolla shqipe që ata kërkojnë e me të cilat do të gdhendeshin?”.
Gurakuqi kritikonte qeverinë xhonturke dhe e akuzonte atë se shkelte kushtetutën kur njihte të drejtat e kishave greke e bullgare, kapitulacionet (privilegjet e akorduara nga sulltanët dhe Porta e Lartë) e Evropës, postat e shkollat e huaja dhe u mohonte shqiptarëve gjithshka.
L. Gurakuqi eci me besnikëri dhe me vendosmëri në rrugën e mësuesit të tij, Jeronim De Rada, në gjurmët e rilindësve të parë, duke u bërë midis rilindësve të fundit ndër më të shquarit. Ai u shndërrua tribun i fjalës dhe i veprimit, bashkëluftëtar i Bajram Currit, i Bajo Topullit, bashkëpunëtor i ngushtë dhe i pandarë i Ismail Qemalit.
Bashkimin kombëtar të shqiptarëve e konsideronte si një kërkesë për ta vënë atdheun mbi ndarjet fetare: “Mos t’ju dajnë mbas sodit feja. T’gjithve djelm ju thrret Atdheja”. Mbi bazën e kësaj motoje ai shprehte bindjen e tij të thellë se në duart e burrave të bashkuar shqiptarë qëndronte fati i atdheut.
Në prag të luftave ballkanike ai u dëshmua analist i hollë dhe realist i interesave politike dhe i zhvillimeve diplomatike, në shkallë gadishullore dhe kontinentale. Në artikullin “Besëlidhja Ballkanike” Gurakuqi shprehte, me të drejtë, frikën se mos lufta çlirimtare e armiqve të Turqisë kthehej në një luftë imperialiste për copëtimin e Shqipërisë, siç ndodhi, në të vërtetë, pas dy vjetësh. Politika e ruajtjes së statu quosë e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha europiane, theksonte ai, zjarrin nuk e shuante, por e mbulonte me hi e kështu u jepte kohë, shpresë dhe kurajë anëve kundërshtare të përgatiteshin më mirë për luftën e re.
Paqja dhe qetësia nuk mund të lëshonin rrënjë të thella në Ballkan, sipas Gurakuqit, për arsye se “lufta në mes të pansllavizmës e të pangjermanizmës për sipërsundimin në këtë pjesë të Evropës” dhe “zihja në mes të kombësive të lira e të bashkuara me Mbretërinë Otomane, të cilat kërkojnë të shtojnë fuqinë e vet njëra në dëm të tjatrës”. Dhe përfundon: “nuk është nevoja të shkojmë gjatë e të thomi fjalë të tepërta që të provojmë këto të vërteta”.
Sigurimin e paqës në Ballkan e kishin marrë përsipër Austria dhe Rusia, sipas Marrëveshjes së Myrcshtegut (1903). Por këto dy fuqi konstatonte ai, u shtrënguan t’i jepnin dorën njera tjetrës “jo nga miqësia por nga armiqësia” dhe jo aq për të punuar së bashku sesa t’i “përgjonin punën shoqe-shoqes”.
Nga ana tjetër vijon autori i artikullit “Besëlidhja Ballkanike”, Pjetri i Serbisë dhe Ferdinandi i Bullgarisë vajtën në Stamboll sikur “të ishin përfaqësonjësit e carit të madh, në mos tjetër, të ideve të tij”.
Duke ndjekur zhvillimin e punimeve të kongresit të sllavëve të rinj në Sofje, më 1910, Luigji vinte në pah rrezikshëmrinë që paraqiste pansllavizmi, jo vetëm për fatet e shqiptarëve, por dhe për vetë kontinentin plak në tërësi. Gurakuqi shkruante: “E veprimi sistematik i Rusisë, nuk u ndalua edhe pas Kongresit të Berlinit, që qortoi atë të Shën Stefanit e ngushtoi pak kufinjtë e Bullgarisë së madhe të krijueme prej shpatës së Ignatjevit, mori sulm më të madh, u përhap do e kudo e shtyrë gjithmonë nga dëshira me zbritun në Adriatik në mes të Mbretërisë Otomane e mbi trupin e shqiptarëve”.
Mbi bazën analizave realiste të zhvillimeve politike dhe diplomatike në Ballkan dhe më gjerë në fillimet e shekullit XX Luigj Gurakuqi, plotësisht i vetëdijshëm, u angazhua përkrah Ismail Qemalit në përballimin e situatave që do të krjoheshin në prag dhe pas shpërthimit të Luftrave Ballkanike për shqiptarët. Të gjitha do të ishin objekt trajtimi të një shkrimi tjetër.
nga prof.Gazmend Shpuza
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply