Krenare ngrihet mbi Bunën e gjerë e mbi qytetin e Shkodrës kështjella e lashtë e Rozafatit.
Ndërtimi i kësaj kështjelle ka një gojëdhënë të bukur dhe të hidhur. Ajo pak a shumë vijon…
I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërë qytetin. Kjo mjegull mbeti aty tri ditë e tri netë. Pas tri ditësh e tri netësh fryu një erë e hollë dhe e ngriti mjegullën. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër e ndërtonin një kështjellë. Por, muri që ndërtonin ditën, u shembej natën… Na shkon aty një plak i mirë dhe u thotë:
-Puna e mbarë o tre vëllezër!
-Të mbarë paç o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë? Ditën punojmë e natën shembet. A di ta thuash ndonjë fjalë të mirë: c’të bëjmë që ti mbajmë muret në këmbë?
-Unë e di- thotë plaku, -por duhet ta mbani në fshehtësi dhe të mos i tregoni askujt as edhe vashave tuaja në shtëpi.
Vëllezërit i dhanë besën plakut se asnjëri nuk do të tregonte.
-Atëherë, tha plaku, dëgjoni. Nesër cila vashë të vijë për të sjellë ushqimin, nga tre kunatat, duhet ta merrni dhe ta murosni të gjallë në muret e kështjellës. Atëherë do ta shihni se muri do të ngrihet dhe do të qëndrojë përgjithmonë.
Kaq tha plaku dhe u zhduk.
Vëllezërit të mërzitur kthehen në shtëpi. Dy vëllezërit e mëdhenj e shkelën besën dhe u treguan grave të veta. Ata u thanë vashave të mos vinin për të sjellë ushqimin të nesërmen. Vetëm vëllai i vogël e mbajti besën. Ai nuk i tregoi vashës së vet.
Në mëngjes, si gjithmonë vëllezërit shkuan në punë dhe filluan të prisnin…
Nëna e djemve në shtëpi nuk dinte gjë. Ajo i kërkon nuses së madhe t’u shpjerë trimave ushqimin. Nusja e madhe ankohet se ishte e sëmurë dhe kështu nuk shkon. I tha dhe të dytës. E reja e dytë i thotë:
-Jo zonja nënë, sot unë duhet të shkoj për buajtje.
I vjen rradha nuses së vogël.
-O nusja e vogël, trimat duan bukë, ujë dhe kungullin me verë.
-Po zonja nënë, përgjigjet nusja e vogël, por kam djalin e vogël që po qan.
Dy kunatat e mëdha i premtuan se do të kujdesen për djalin.
Ajo e mori bukën, ujin dhe kungullin me verë, puthi djalin në të dy faqet, dhe niset. Kur arrin tek vendi i punës, përshëndet trimat.
-Puna e mbarë o trima!
Vëllezërit kur e panë, ndalën punën. Fytyrat iu zbehen dhe burrit të saj i ra cekani nga dora. Nusja e vogël i thotë:
-C’ke ti, im zot? Pse e mallkon gurin dhe murin?
Hidhet kunati i madh dhe i thotë:
-Ti paske lindur në ditë të zezë, moj kunata e vogël. Ne duhet të murojmë të gjallë vajzën qe do na sillte sot për të ngrënë, vetëm në këtë mënyrë kështjella do të qëndrojë e nuk do të shembet më.
-Shëndosh ju o tim’ kunetër, por unë po ju lë një porosi: Kur të më muroni, syrin e djathtë të ma lini jashtë që të shikoj tim bir, dorën e djathtë të ma lini jashtë që ta ledhatoj, këmbën e djathtë të ma lini jashtë që ti përkund djepin, dhe gjirin e djathtë të ma lini jashtë që ta mëkoj kur të qajë. Gjiri im u nguroftë, kështjella jonë gjithmonë qëndroftë, djali im trimëroftë, u bëftë mbret e mbretëroftë!
Vëllezërit e morën nusen e vogël dhe e muruan në themel të kështjellës. Muret u ngritën e u lartuan e nuk u shembën më as natë e as ditë. Por, rrëzë mureve të kështjellës edhe sot e kësaj dite, gurët janë të lagur dhe plot myk nga lotët e gjiri i nuses së vogël që vazhdon të pikojë për birin e saj.
Dhe biri i saj, u rrit, luftoi dhe trimëroi!
Gojëdhënë
Per”Alba – Dansk “Shkodrani



Leave a Reply