I nderuar Kryeministër Spajiq.
I nderuar Kancelar Merz,
I nderuar Kancelar Stocker,
Të nderuar kolegë dhe miq nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor,
Kryeministër, urime Qeverisë dhe qytetarëve të Malit të Zi për përparimin drejt BE-së, dhe faleminderit që jeni nikoqir i Samitit XIII të Procesit të Berlinit. Te Kosova ju keni një fqinj evropian që i gëzohet suksesit tuaj.
Procesi i Berlinit, i lansuar nga Gjermania në vitin 2014, është hapësirë ku të gjashtë ne takohemi si të barabartë, dhe na solli Tregun e Përbashkët Rajonal, të bazuar në katër liritë themelore të BE-së.
Tani, nëpërmjet integrimit gradual, Bashkimi Evropian po hap pjesë të Tregut të Vetëm edhe për ne. SEPA do t’u kursejë së shpejti qytetarëve tanë dhe mërgatës 58 milionë euro në vit, Green Lanes do ta përshpejtojnë tregtinë me BE-në, dhe me “Roam Like at Home”, interneti në telefon do të kushtojë njësoj atje si këtu. Kjo është mënyra se si Bashkimi Evropian arrin te qytetarët tanë para anëtarësimit, dhe Kosova do t’i qëndrojë këtij rrugëtimi.
Sa shpejtë arrijmë atje varet nga vendimet që nuk janë vetëm tonat.
Disa nga to merren këtu, ku fqinjësia e mirë duhet të jetë e mbështetur në besim, dhe besimi mbështetet në vlerat demokratike.
Qytetarët në mbarë rajonin duhet të kenë mundësi të studiojnë në një vend, të punojnë në një tjetër dhe të pensionohen në një të tretë. Më 2022, të gjashtë vendet nënshkruam marrëveshje për diplomat dhe për letërnjoftimet. Marrëveshjet bëhen për t’u respektuar, por katër vjet më vonë, disa ende bllokojnë tonat, sepse marrëveshjet sjellin standardet e BE-së.
Askush nuk mund të detyrohet që ta dojë Bashkimin Evropian, por askush nuk duhet të lejohet t’i pengojë ata që e duan.
Sa na përket ne, Kosovës, na matni me atë që BE-ja kërkon nga një shtet kandidat.
Ne i qëndrojmë vlerave të Nenit 2, dhe vlerësimet e pavarura na vendosin ndër shtetet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Jugore, nga lufta kundër korrupsionit deri te sundimi i ligjit. Në politikën e jashtme, ne veprojmë sikur vend anëtar: nga dita e parë, kemi zbatuar secilin sanksion të BE-së kundër Rusisë, dhe te Kosova, Moska kurrë nuk ka gjetur as edhe një çarje te qëndrimi për Evropën.
Të nderuar kolegë,
Ne kemi bërë atë që na përkiste vetëm neve të bënim. Aplikimi i Kosovës po pret, që nga dhjetori i vitit 2022, për një vendim që i përket ekskluzivisht BE-së. Deri atëherë, mbetemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.
Kërkojmë nga ju ta merrni vendimin: të kërkoni opinionin e Komisionit, t’i jepni Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapni negociatat për anëtarësim.
Blerja e stabilitetit në kurriz të demokracive fqinje është dëshmuar mit i rrezikshëm, sepse ata që krijojnë jostabilitet nuk mund të garantojnë stabilitet. Kështu ka ndodhur shpesh në rajonin tonë.
Përtej fushëbetejës në Ukrainë, Rusia i ka kthyer në caqe ato që e mbajnë të lidhur Bashkimin Evropian: hapësirën e tij ajrore, kabllot nënujore detare, infrastrukturën kritike, e madje edhe njerëzit, nëpërmjet akteve terroriste. Secili sulm mbahet në përmasa të vogla dhe të mohueshme, nën pragun që kërkon përgjigje të përbashkët, por së bashku ato synojnë tërësinë. Evropën si të tillë.
Në Kosovë, një fqinj ka përdorur të njëjtat metoda, për të njëjtat qëllime, kundër shtetit tonë. Muajin e kaluar u bënë tre vjet nga sulmi terrorist në fshatin verior, Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë sonë, Afrim Bunjaku. Muajin e ardhshëm, bëhen dy vjet nga shpërfaqja e luftës kinetike nëpërmjet një sulmi ndaj infrastrukturës kritike, me shpërthimin e kanalit të furnizimit me ujë të Ibër-Lepencit në fshatin verior, Varagë. Të dyja sulmet ishin bërë për të qenë të mohueshme. Njeriu që ka pranuar përgjegjësinë për Banjskën, Milan Radoiçiq, një kriminel dhe zgjatim lokal, bredh ende i lirë, hapur në publik, i mbrojtur nga aparati i njëjtë shtetëror.
Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin.
Të nderuar miq,
Të drejtat e pakicave gjithashtu meritojnë përgjigje të përbashkët në Procesin e Berlinit. Thuajse secila shumicë në rajonin tonë është pakicë matanë kufirit, dhe kur të drejtat ndalen aty, ajo asimetri është padrejtësi.
Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi.
Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut janë të parat në mesin e vlerave që duhet t’i ndajmë së bashku.
Faleminderit.




Burimi/Facebook


Leave a Reply