Një projekt i ri urbanistik synon të ndryshojë mënyrën e organizimit të hapësirave publike në Shkodër. Bashkia ka publikuar garën për projektimin e “Kopshtit Linear dhe Aksit Multimodal Veri–Jug”, një ndërhyrje që shtrihet nga Sheshi Demokracia, i njohur më parë si “5 Heronjtë”, deri te rrethrrotullimi i Bypass-it.
Projekti përfshin disa prej akseve kryesore të qytetit, mes tyre Bulevardin Studenti, Sheshin Parrucë, Bulevardin Zogu I, zonën e Xhabijes dhe Rrugën Mbreti Gent, si dhe sheshet e kryqëzimet përgjatë gjithë itinerarit.
Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, synimi është krijimi i një hapësire urbane më të gjelbër, më të sigurt dhe më funksionale, me më shumë mundësi për lëvizjen e këmbësorëve dhe biçikletave, si dhe me kushte të përmirësuara për transportin publik.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet lidhjes së qendrës dhe zonës historike të qytetit me parkun e ri në hyrje të Shkodrës. Sipas Becit, kjo ndërhyrje synon të krijojë një vazhdimësi urbane dhe të forcojë identitetin e qytetit si destinacion historik, i gjelbër dhe turistik.
Projekti është pjesë e nismës “Porta e Alpeve”, e financuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Evropiane e Investimeve. Zbatimi i tij do të ndiqet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.
Krahas këtij projekti, kryebashkiaku ka bërë të ditur se në vijim parashikohen edhe ndërhyrje të tjera, që përfshijnë përmirësimin rrënjësor të transportit publik, përfundimin e rrugës së re të Velipojës, krijimin e një itinerari për biçikletat përgjatë Liqenit të Shkodrës dhe Bunës deri në Adriatik, si dhe zhvillimin e një sistemi të ri muzeal për qytetin.
Burimi/Istagram/portali_shkodres


Leave a Reply