Kosovën e kam shumë në zemër, sepse si ministre e jashtme jam përpjekur ta mbroja popullsinë shqiptare vendase nga represioni i dhunshëm i qeverisë serbe. Në vitin 1999, pasi udhëheqja në Beograd i bllokoi përpjekjet për një zgjidhje paqësore të tensioneve, ndërhyri NATO-ja dhe kështu u mundësoi kosovarëve të qeverisnin veten.
Në shumë aspekte, përparimi i tyre që nga ajo kohë është i jashtëzakonshëm. Republika e Kosovës ka një sistem shumëpartiak të bazuar në konkurrencë dhe një kushtetutë që garanton lirinë e fesë, të fjalës, të koalicionit dhe të tubimit. Në vend zhvillohen zgjedhje të rregullta, është siguruar përfaqësimi i grave dhe minoriteteve në parlament, ndërsa shoqëria civile po zhvillohet po aq mirë sa edhe ekonomia. National Democratic Institute (NDI) ka bashkëpunuar ngushtë me kosovarët në çdo hap të kësaj rruge. Kohët e fundit po përpiqemi t’i nxisim parlamentarët të organizojnë tubime me qytetarët dhe të çojnë përpara diskutime publike mbi problemet shoqërore të rrënjosura thellë, si diskriminimi gjinor dhe dhuna në familje. Kosova është një vend ku njerëzit nuk hezitojnë ta shprehin lirisht mendimin e tyre, çka është një arritje mjaft e madhe në një rajon që nuk kishte njohur kurrë më parë liri, por ishte sunduar njëri pas tjetrit nga romakët, bizantinët, bullgarët, serbët, osmanët dhe jugosllavët.
Megjithatë, shumë gjëra mbeten ende për t’u përmirësuar. Në dy dekadat e fundit kam qenë shpesh e ftuar në Kosovë. Në çdo vizitë theksoj se sa e rëndësishme është të arrihet një pajtim mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Ky proces ecën ngadalë, sepse përvojat e hidhura nga të dyja anët nuk janë harruar aspak. Kam theksuar gjithashtu nevojën për t’u përballur me korrupsionin, i cili e minon besimin e publikut ndaj qeverisë, e bën drejtësinë të korruptueshme dhe çon në sulme ndaj shtypit kritik. Por edhe ky problem, pavarësisht përpjekjeve të shumta, nuk është zgjidhur ende.
Në qershor 2019 udhëtova për në Kosovë, për të marrë pjesë atje në përvjetorin e njëzetë të ndërhyrjes së suksesshme të NATO-s. Ish-presidentit Clinton iu bë një pritje me shumë entuziazëm, dhe dashuria për ShBA-të ishte mbresëlënëse. Gjatë një parade të shkurtër, kaluam pranë një statuje të Clintonit, një monumenti kushtuar paqebërësve ndërkombëtarë dhe një busti tim të porsazbuluar. U njohëm me ish-refugjatë që sot janë avokatë, biznesmenë dhe drejtues të lëvizjeve qytetare. Mijëra njerëz ishin rreshtuar përgjatë rrugëve ose na përshëndetnin nga ballkonet. Kudo valëviteshin flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe të Kosovës. Dhe bënte një vapë e tmerrshme.
Fragment nga libri “Ferri dhe destinacione të tjera udhëtimi” të Madeleine Albright.
Burimi/Facebook


Leave a Reply