Nga Paulin Maçaj, Shkodër
Sot po e shkruaj e po e flas hapur këtë fjalë sepse degjenerimi nuk është më një hije e fshehur, por një shfaqje e pështirë që na serviret çdo ditë në çdo portal, ekran e zyrë shteti me një krenari të pafytyrë. Pyetja ime u drejtohet drejtpërdrejt juve — politikanëve, VIP-ave të rremë, drejtuesve të korruptuar dhe të gjithë kësaj kaste që ka kapur vendin: A ka bërë faj ky popull që kërkon nder e dinjitet, apo jeni ju imoralët, degjenerimi dhe e keqja e madhe e këtij kombi?
Faktet tragjike janë aty, të prekshme në çdo qelizë të shoqërisë: keni kthyer zyrat e shtetit në ambiente pazaresh intime, dhomëza shantazhi e skena videosh turpi, ku për të marrë një post, një leje apo një tender nuk kërkohet më diplomë, dije apo integritet, por gatishmëria për t’u shitur e për t’u bërë oshe e sistemit. Me paratë e krimit, të drogës e të taksave të popullit më të varfër të Evropës, keni blerë luks të pështirë, ndërhyrje kirurgjike e pamje të deformuara për të mbuluar shëmtinë tuaj të brendshme, e më pas guxoni të dilni nëpër emisione televizive duke na shitur moral e duke bërë “viktimën” porsa ju del boja publikisht. Kjo është një goditje e pamëshirshme ndaj familjes, kurorës dhe ardhmes së fëmijëve tanë, ku me ligje e me hapësirë mediatike sulmohet vlera dhe shpërblehet horrlëku.
Ju jeni njolla e zezë e Shqipërisë sepse keni ndërtuar një superfuqi të kalbur ku njerëzit e ndershëm, mjekët, mësuesit dhe të rinjtë me arsimim të vërtetë sulmohen si “të prapambetur”, ndërsa paaftësia e kriminalizuar ngjitet në majat e pushtetit. Ky imoralitet institucional po prodhon faktin më shkatërruës nga të gjithë: zbrazjen e vendit dhe dëbimin e brezit të ri, duke i detyruar prindërit t’i çojnë fëmijët rrugëve të botës vetëm për të ruajtur dinjitetin nga një sistem që vjedh paranë publike dhe vret të ardhmen. Refuzojmë ta gllabërojmë këtë teatër viktimizimi e solidarizimi të rremë mes antivlerash, sepse sa kohë që e keqja ushqehet me paratë e vjedhura e me paprekshmëri, nuk mund të ketë asnjë pajtim: ky vend do të bëhet vetëm atëherë kur kjo kaste të shkulet me rrënjë dhe kur çdo abuzues të marrë emrin që i takon — jo VIP, jo udhëheqës, por shkatërrues i nderit dhe i ekzistencës sonë kombëtare!
Burimi/Facebook


Leave a Reply